PUÇI

Adoleshenti problematik Rezart I., pas një konflikti të hapur me të jatin, veterinerin e respektuar Krenar I., në lidhje me një palë pantallona jeans të blera në tregun e zi, të cilat nuk ia lanë t’i vishte, vendosi të hakmerrej nëpërmjet vetë-sakrificës: dhe pikërisht duke përpiluar, me përkushtim të admirueshëm dhe në kohë rekord, një ditar voluminoz me ngjarje dhe histori të gënjeshtërta e krejtësisht të sajuara, që u referoheshin planeve dhe veprimtarive të ndryshme të agjenturave të huaja në Tiranë e më tej.

Ditari përmbante plane të hollësishme për vrasjen e kuadrove të lartë të Partisë dhe të shtetit; të dhëna për baza armatimesh dhe municioni në periferi të kryeqytetit, që do të përdoreshin në rast grushti shteti; pikat ku mund të minoheshin urat kryesore të Lanës; orarin e librarisë “Flora”; të dhëna për shpejtësitë mesatare të erës sipas stinëve, në terracat e godinave më të larta të qendrës; një manual të daktilografuar për pilotë helikopteri, përkthyer nga rusishtja për përdorim të brendshëm; një metodë për studimin e serbo-kroatishtes; një pusullë të shkruar me dorë, por të panënshkruar, ku urdhërohej dhe udhëzohej shkatërrimi i një radiodhënëseje; një listë me adresa fiktive të bazave ku do të strehoheshin forcat që do të sulmonin ministritë dhe institucionet; çelësi i një kodi sekret për të shifruar tekste gjithfarësh, i cili konsistonte në faqen 137 të romanit Ara në mal, të Petro Markos; një konspekt të një leksioni për subversivitetin, të mbajtur nga specialisti Dodan Markaj me agjentë të zgjedhur të ndjekjes; një listë të kodeve të pusetave kryesore të ujërave të zeza në qendër të Tiranës, së bashku me domethënien e tyre, ose hartën implicite të rrugëve dhe të daljeve që andej duke u zhvendosur nën tokë; emrat dhe mbiemrat e anëtarëve dhe të kandidatëve të Byrosë Politike, disa prej të cilëve të nënvizuar me laps të kuq të trashë; një listë të strehimeve anti-atomike të lagjes no. 9 në kryeqytet; një listë, edhe pse jo të plotë, të institucioneve arsimore të kryeqytetit të frekuentuara nga fëmijët e familjeve të “bllokut”; dhe një indeks alfabetik të materialeve të vetë ditarit.

Për ta bërë edhe më të besueshëm ditarin, Rezarti shtoi atje një listë të targave të veturave të trupit diplomatik në Tiranë, të nxjerra nga vëzhgime reale; të dhëna për rrjetin e ujësjellësit dhe rrjetin e furnizimit me energji elektrike; disa formula të thjeshta për konvertimin metrik të njësive të matjes avoirdupois; një pllakat të dhënies së ndihmës së parë, nga ato që i sheh zakonisht në sallat e pritjes së klinikave ambulatore, tashmë të zverdhur nga ekspozimi i zgjatur; një broshurë me udhëzime për lidhjen e nyjeve marinare, të destinuar për nxënësit e shkollës tregtare, Vlorë; planimetrinë e vizatuar me dorë të një objekti industrial të identifikuar thjesht si “godina A.”, së bashku me shigjeta me ngjyra të ndryshme që u referoheshin, pas gjase, lëvizjeve të trupave; oraret e ndërrimit të rojeve të armatosura në institucionet kryesore, duke përfshirë edhe repartin e Gardës Kombëtare; vjetarin statistikor të vitit 1967; një fletë-hyrje të skaduar për burgun mjekësor të Fushë-Bllacës, lëshuar në emër të njëfarë Shpëtim Kshati; një listë me emra të lëndëve helmuese ushtarake kryesore dhe të efekteve të tyre ndaj organizmit të njeriut; si dhe të informacione të tjera të do t’i ngjallnin dyshime kujtdo.

Pas kësaj, Rezarti u qëndisi një letër anonime organeve përkatëse për të denoncuar vetveten; ku shkruajti ndër të tjera se në shtëpinë e qytetarit Rezart I. gjendeshin dokumente eksplozive, që kishin të bënin me një komplot për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. U dërgua një ekip për kontroll rutinë në rezidencën e të dyshuarit, ditari u zbulua pa vështirësi, së bashku me sende të tjera komprometuese, të tilla si fotografi të Hrushovit; disa revista sovjetike të ilustruara të zoologjisë së aplikuar; përkthimin dorëshkrim të një citati obskur nga Nietzsche-ja; një ortoskop; një fotografi të hyrjes së shpellës së Beqës, në Zall-Dajt; një çekan gome nga ata që përdorin neurologët për të kontrolluar reflekset e pacientëve; listën e fituesve të tri vendeve të para në Festivalet e Sanremos për periudhën 1965-1972; një vizore logaritmike; Fjalorin filozofik të Voltaire-it; një stilograf me pompë që mund të transformohej në thikë xhepi duke shtypur një buton të vetëm; disa nene kuturu të Kanunit të Lekës të kopjuara me dorë; një bust të vogël bronxi të Engelsit; një gur galeni; një shishkë me vaj për makina qepëse; afishen e zbërdhylur të filmit rumun Zotnia R.; një libër telefonash të vitit 1962, të cilit i mungonte faqja me numrat e ambasadave të huaja në Tiranë; statutin e kooperativave të konsumit dhe një ekzemplar gjysmë të shkatërruar të romanit të verdhë Kompania e Bretkosave.

Megjithëse materialet e ditarit u gjykuan menjëherë si të pavlefshme nga pikëpamja operative dhe pas gjase fryt i fantazisë së shfrenuar së një skizofreni paranoid, organet e ruajtjes së rendit pasi morën edhe mendimin e Komitetit të Partisë së Rajonit no. 3, e gjetën të arsyeshme të arrestonin, në mënyrë preventive, të jatin e Rezartit, veterinerin Krenar I., të cilit gjyqi i dha pastaj tre vjet heqje lirie për mungesë vigjilence; vetë Rezarti e pranoi se ditari nuk ishte veçse orvatje e tij për të shkruar një roman me temë spiunazhi; për çka edhe e hoqën nga shkolla e mesme “Qemal Stafa” ku kish qenë i regjistruar në vitin e dytë, për ta dërguar në krye për mjekim të detyruar në spitalin e Elbasanit dhe më pas të riedukohej si punëtor tharjeje, në Fabrikën e tullave, Vorë.

Nuk ka komente

  1. …”si punëtor tharjeje”…

    Bindem, sa me shume lexoj nga M.Gjerazi se, ka ne shkrimet e tij ‘magjin’- menyren artistike, ku cdo gravitet mendimi ushqehet dhe ushqen perceptimin ne nji realitet ku ne te njejten kohe je dhe behesh pjese.
    Nje nga cilesit e ketyre shkrimeve eshte padukshmeria e ardhjes se nje deshire per te marre pjese, duke shtuar apo hequr, gjithnji ne formen e pranuar te shkrimeve ‘Gjeraziane’, duke te lene te hysh ne variantin tende lexues me celsin e falur prej tij.

    Zakonisht, kur dicka flet per veshin e mendjes, njeriu uron, nje nga urimet eshte; Me kenaqe, rrofsh, Maks Gjerazi.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: