TË GJITHË KRENARË

Përplasja e fundit – meqë s’e quaj dot debat – mes Presidentit Topi dhe Kryetares së Kuvendit Topalli, në lidhje me shqipen publike, qytetarinë dhe Shkodrën, është ndjekur me interes nga komentatorët në mediat.

Mes reagimeve të shumta, më tërhoqi vëmendjen edhe një opinion i Artur Zhejit, në MAPO, ku lexova ndër të tjera këtë pohim:

Jozefina është gege. Dhe është krenare për këtë. Dhe e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj, për këtë dialekt hyjnor, të persekutuar përdhunisht për 50 vjet. Kjo gjuhë e Skënderbeut, e Nënë Terezës, e Buzukut apo Marin Barletit. Gjuhë e segreguar e at Zef Pllumit, e Koliqit dhe e legjendës së Gjergj Fishtës. Gjuha e Kosovës mistike dhe e Dibrës së Moisi Golemit, gjuha e Mirditës së Kapedanëve, gjuha e Kelmendit të heronjve, gjuha e një patriotizmi dhe shqiptarizmi pa kufij, në besnikëri dhe vetëflijim.

Meqë jam gjuhëtar me profesion, shprehja “dialekt hyjnor” m’i vrau menjëherë veshët; sikurse “gjuha e Skënderbeut”, pa folur për “Kosovën mistike” (pse vallë?) dhe të tjera fluturime retorike të autorit. Nëse frymëzime të tilla kanë vend në një opinion që rreket të arsyetojë me lexuesin, për këtë mund të diskutohet; gjë që nuk kam ndërmend ta bëj këtu. Përkundrazi, dua të ndalem pak në pjesën e parë të këtij paragrafi, dhe pikërisht aty ku Zheji thotë se “Jozefina është gege” dhe “është krenare për këtë” dhe “e manifeston me mendjemadhësi legjitime krenarinë e saj […]”

Shprehje të tilla si “jam krenar që jam nga Zadrima”, ose “jam krenar që jam nga Zagoria” i dëgjon sot rëndom, nga të katër anët; edhe pse njerëzit, logjikisht, duhet të jenë krenarë me çfarë kanë arritur vetë, jo me rrethanat në të cilat kanë ardhur në botë. Mes shprehjeve të tilla të shumabuzuara, më elokuentja është ajo “jam krenar që jam shqiptar”, të cilën e gjen në çdo libër këndimi të shkollës fillore, e pastaj kudo gjetiu, në tribunat kombëtariste.

Për fat të keq, po të thuash “Jozefina është krenare që është gege”, nuk u shpëton dot disa implikimeve të pakëndshme, të cilat i bart shprehja vetë.

Para së gjithash, vjen në vështrim implikimi se, nëse Kryetarja e Kuvendit është krenare që është gege, mund të ketë disa të tjerë që nuk janë krenarë se janë gegë; ose më keq akoma, disa të tjerë që u ndiekan të poshtëruar si gegë, meqë – për shembull – kultura sunduese ose zyrtare ua ka mohuar të drejtën për të përdorur dialektin e tyre në institucionet, ose fundja edhe thjesht për të qenë krenarë.

Implikimi tjetër, është se të tjerët, ata që kanë qëlluar jogegë, bie fjala toskët, ose nuk kanë arsye për të qenë aq krenarë sa ç’qenkan gegët me veten dhe heronjtë “e tyre” (p.sh. Kapidanët e Mirditës), ose duhet të jenë krenarë edhe ata, por për arsye të tjera, p.sh. ngaqë janë toskë; madje të deklarojnë, edhe ata, pleqtë, çupat dhe fantet që u kanë ardhur në dorë kur i ka ndarë letrat historia.

Po të besojmë këtë të fundit, që duket se shkon edhe me mendimin e përgjithshëm të Zhejit, i bie që të gjithë të jemi krenarë, për çfarëdo lloj tipari që kemi: gega sepse është gegë, toska sepse është toskë, tepelenasi sepse është tepelenas, matjani sepse është matjan, i gjati sepse është i gjatë, i shëndoshi sepse është i shëndoshë, malësori pse është malësor, fusharaku pse është fusharak e kështu me radhë; ose ta përdorim krenarinë si një lloj instrumenti terapeutik kombëtar.

Dhe kështu arrijmë në absurditet – në kuptimin që, ose Zheji kërkon të thotë se, mes shqiptarëve gegët kanë të drejtë të jenë më shumë krenarë se të tjerët (“gjuha e Skënderbeut” përballë… gjuhës së “Ali Pashës”? Apo gjuhës së “Gjin Bua Shpatës?”), ose Zheji thotë se të gjithë ne duhet të jemi krenarë për diçka; me ç’rast edhe të qenit krenar nuk do të thotë më absolutisht asgjë, kthehet në një flluskë sapuni, për të gënjyer bebet.

Përndryshe, kjo retorikë e krenarisë nuk mund të durohet më, sepse fyen inteligjencën e kujtdo që kërkon të mendojë me mendjen e vet. Duke filluar që nga shprehja e dëgjuar nga të katër anët: “jam krenar që jam shqiptar.”

Sado të rrudhin buzët kombëtaristët dhe të tjerë dashnorë të retorikës dylekëshe, mua kjo shprehje më dëgjohet kështu: “jam krenar, megjithëse jam shqiptar;” meqë është e vështirë të përfytyrosh ndonjë kontekst ku duhet ta përdorësh një shprehje të tillë, përveçse se atje ku të qenët shqiptar shoqërohet me dështimin, humbjen, nëpërkëmbjen dhe fyerjen. Për shembull: ne shqiptarët mbetëm edhe një herë jashtë Europës së Bashkuar, por ne jemi krenarë që jemi shqiptarë, etj.

Asgjë patriotike dhe të lavdërueshme nuk ka në këtë shprehje, përtej një dëshire për t’u mburrur dhe për t’u ngushëlluar, sa herë që krahasimi me të tjerët të nxjerr në fund të listës. Tek e fundit, ka mbetur akoma ndonjë budalla që beson se patriotët janë ata që deklarohen të tillë publikisht?

Edhe “Jozefina” e Zhejit, që qenka krenare sepse është gege, i referohet kontekstit ku dikush – në rastin konkret Presidenti i Republikës Bamir Topi – i paska nëpërkëmbur gegët, dhe pikërisht shkodranët, duke ua qortuar përdorimin publik të së folmes. Qesharake që një akuzë e tillë t’i bëhet Presidentit Topi, i cili vetë nuk i ka fshehur ndonjëherë rrënjët në popullsinë qytetare të vjetër të Tiranës!

Mirëpo ka edhe një lexim tjetër të akuzës: Topi vihet në shënjestër pikërisht ngaqë, duke qenë vetë me prejardhje gege, e konsideron megjithatë qytetarinë dhe respektin për institucionet shtetërore si më të rëndësishme sesa gjenealogjinë e vet.

Çfarë nuk po ia falin dot lokalistët Topit, është shembulli i tij i lavdërueshëm prej shqiptari që është dhe e prezanton veten, para së gjithash, qytetar i Republikës, para se t’i bjerë gjoksit për katundin e tij; ose të mburret me “gjuhën e Skënderbeut.”

Penë e njohur në publicistikën shqipe, Zheji nuk bën pjesë, natyrisht, në lokalistët, as në separatistët, as në ata që, për arsyet e tyre, duan ta shndërrojnë ligjërimin publik dhe institucional në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. E megjithatë, retorika e tij atje të shpie; sidomos vullneti i çuditshëm për ta themeluar dinjitetin qytetar të shqiptarit, të çdo shqiptari, në prejardhjen e tij gjeografike, fisnore dhe dialektore.

Është një retorikë që përçan, në vend që të bashkojë; që hedh një krahinë kundër një tjetre; që i delegjitimon individët dhe arritjet e tyre vetjake, për t’i bërë këta të identifikohen me arritjet e të parëve dhe muzeun lokal.

Republikës shqiptare, si bashkësi e vullnetshme qytetarësh, nuk i intereson prejardhja e funksionarëve që ka në krye të institucioneve të saj. Janë të tjera tipare dhe atribute që u kërkohen këtyre njerëzve; dhe këta duhet të kujdesen t’i manifestojnë këto me përparësi, në vend që të shpalosin, vend e pa vend, se nga e kanë prejardhjen e ç’dialekt flasin në mëhallët e tyre.

Me Shkodrën po luhet kështu një lojë shumë e keqe, shumë regresive, madje reaksionare, e cila nuk i ka rrënjët në kulturë, por në politikë. Përndryshe, është vendi për të kujtuar, madje me forcë dhe krenari, se Skënderbeu, Barleti, Nënë Tereza, Buzuku, Fishta dhe Zef Pllumi nuk janë prona “të xanuna” prej “gegëve”, por u përkasin të gjithë atyre shqiptarëve që i kanë admiruar dhe përvetësuar, si personazhe të kulturës së tyre dhe të imagjinatës së tyre patriotike; dhe se është haptazi anti-kombëtare të përdoret historia, ose më keq akoma, biografia e individëve dhe e bajrakëve e oxhaqeve, për ta përçarë Shqipërinë sipas vijave krahinore.

Shënim: ky shkrim u botua fillimisht te ResPublica.

Nuk ka komente

  1. Shkruani:

    “Është një retorikë që përçan, në vend që të bashkojë; që hedh një krahinë kundër një tjetre; që i delegjitimon individët dhe arritjet e tyre vetjake, për t’i bërë këta të identifikohen me arritjet e të parëve dhe muzeun lokal”.

    A eshte legjitime kjo retorike? D.m.th a prek ajo ndjesi reale dhe te verteta qe djegin pse jane akorduar keq ne telat e historise? Dhe ne fund, se tashme po behet e veshtire per t’u kuptuar: cfare gjeje me vlere, e vertete i bashkon geget me tosket, ndryshe shqiptaret? (Kuptohet pervec Zhejit qe po luan Arshi Pipen).

    1. Gegët dhe toskët… kanë gjëra të përbashkëta në histori dhe në kulturë – por unë do të mjaftohesha me gjuhën. Gegë dhe toskë, si të thuash, i falen të njëjtit Zot intim.

      1. Nese eshte keshtu, sinqerisht vetem per gjuhen nuk do te duhet te fyheshin nga njeri-tjetri. Mos valle ajo edhe i ndan kaq shume?

        1. Mua më duket sikur ndarjen e shkakton më shumë padija (injoranca) dhe mungesa e kontakteve. Njerëz të pagdhendur, të padalë, të pamësuar me Tjetrin, të pashëtitur, krejt befasisht e shohin veten të katapultuar në krye të punëve… dhe kapen pastaj pas lokalizmit si fëmija pas dorës së prindit.

          1. Qe te mos zgjatet, ndoshta eshte edhe keshtu si thoni ju, jane te paditurit dhe te pagdhendurit ata qe kapen pas lokalizmit edhe pse separatizmi pershkron vende te tera dhe rajone edhe me te perparuara ne bote. Ne rastin konkret, nuk eshte dhe aq incidenti mes Topit dhe Topallit ai qe shqeteson, sepse une kam mendimin qe Topalli intelektualisht nuk del asnjehere ne periskop, sesa rreshtimi i mjaft njerezve qe vetem si te padale dhe te pagdhendur nuk mund ti akuzosh. Paradoksalisht jane lokalistet dhe jo cmitizuesit ata qe po sjellin shperberjen e kombetarizmit si rryme dominuese dhe me rrenje. Nga kjo pikepamje, cmitizuesit pavaresisht qellimit emancipues, me gjase po sherbejne pa dashje edhe per ringjalljen e nje reaksioni qe eshte ku e ku me anakronik ne disa plane sesa vete kombetarizmi.

            1. Këtu ka një temë për diskutim që meriton vëmendje më vete: raporti mes lokalizmit dhe separatizmit.

              Deri tani, lokalizmi në Shqipëri ka ardhur prej shtresave më të prapambetura të shoqërisë shqiptare: të paditura, të papara, të pamësuara, të paqytetëruara. Nëse prej këtyre shtresave dhe zonave vjen edhe separatizmi, kjo do të habiste dynjanë. Ç’separatizëm do të vijë nga zona që nuk prodhojnë asgjë, që nuk përfaqësojnë më asgjë, por që mbahen pas përrallave, vjershave dhe historive shekullore? Kush do t’i mbajë këta me bukë? Apo ata të tjerët, “të shiturit”?

              Prandaj separatizmi ka më rrezik të vijë si reaksion ndaj lokalizmit, dhe nga zona më të pasura dhe më të qytetëruara; dhe konkretisht, nga Jugu, si reaksion ndaj lokalizmit të Veriut, të përzier edhe me pak kosovarizëm, sa për të qenë brenda.

              1. Kurse une (jo lokalisht) mendoj se lokalizmi dhe separatizmi kane histori Politike ne Shqiperine e sotme. Rasti me i artikuluar i separatizmit eshte ai i 1914 ne Jug me Zografin, Himara dhe Mirdita me heret. Rasti me i artikuluar i lokalizmit eshte Shkodra natyrisht, por edhe Tirana (kupto Shqiperia e Mesme) me Esad Pashe Toptanin ne krye. Padyshim ndaj ketij te fundit duhen hequr paragjykimet e deritanishme, pasi nje njeri si ai ka vetem nje kontekst ku vepron; interesi personal. Thene kjo, si lokalizmi ashtu edhe separatizmi (qe ne rastin shqiptar priret te puqen pse nuk kemi etni te ndryshme) jane ne rrenje te Shqiperise politike dhe kjo kerkon nje persiatje me te thelle per arsyet. E kam fjalen se nga cilat ane vjen si njera dhe tjetra. Shkodra eshte lokaliste, por kjo nuk e ben as te varfer, as te pagdhendur dhe as injorante. Por as me pak shqiptare. Eshte lokaliste – kerkon kufijte e vet kulturore qe ia corren. Keshtu edhe separatizmi ne Jug – nuk lidhet dhe aq me lokalizmin e Veriut si nje forme e sjelljes politike, por me nje ndryshim te perceptuar si hapesire qe ben te veshtire bashkejetesen. Per me teper qe ne ket blog eshte shkruar per dukurine e njohur si Pluralizem Gjeografik, qe nenkupton nje lokalizem te artikuluar qarte dhe jo nga rreckamane. Une mendoj se me kete qe ndodhi, u hodh nje hap qe gjithkush te shohe problemet qe mbahen nen rrogoz. Nga ana tjeter incidenti Topi – Topalli dhe deklarimet yshtese te Berishes nje dite me pas per “rolin negativ te Toptaneve”, jane shprehja me e kapshme e shperberjes se mesazhit perfshires se vitit “90, i cili vijon ne terma te tjere mesazhin e Rilindjes, qe u ligjerua me hapur ne periudhen e Diktatures.
                Kush do ti mbaje me buke lokalistet? Une them: mos valle ndaj u bene lokaliste keta, EDHE se i lane pa buke?

    2. Cfare kane te perbashket tosket me geget? Ne gjithnje e me shume raste kane femijet dhe kjo qe nga Skenderbeu me Doniken e deri tek xhaxhi Enver me Nexhmijen (keta te fundit bile kishin te perbashket edhe faktin se i thoshin dyshit “di”).

      Simbolikisht, gege e toske kane te perbashket dhe femijen me te bukur, Tiranen (ok, pak i piste si femije, bile aq i piste sa jemi para dilemes se famshme qe karrocieri i pire i komunikon ne te te tilla raste te shoqes: “ta pastrojm apo ta hudhim e te bojm nji tjeter; si e kemi ma kollaj?”. Kete metafore ne fakt mund ta aplikojme sot per shumecka te perbashket qe eshte bere pis me injorance a propagande, qe nga gjuha letrare e deri tek shqiptaria; po vetem te piret mund ta shpien ndermend t’i flakin tej.).

    3. cfare gjeje me vlere, e vertete i bashkon geget me tosket

      Une! (nene gege, babe tosk)

      Kjo puna e Jozefyckes eshte pak me spec, per shkak se me ngacmon edhe politika e saj administrative ne Parlament. Futem nje here ne Parlament dhe shoh qe deri edhe pastrueset ishin Shkodrane. Ky eshte mentalitet ‘ajani’ osman, jo i nje shqiptari qe aspiron Europen

  2. X.x. shruan:

    “Gegët dhe toskët… kanë gjëra të përbashkëta në histori dhe në kulturë – por unë do të mjaftohesha me gjuhën. Gegë dhe toskë, si të thuash, i falen të njëjtit Zot intim.

    A thua kane kaq shume te perbashketa ne histori dhe ne kulture, sa c’thua?! Sepse mua duke hedhur veshtrimin prapa ne kohe, nuk me rezultojne kaq te ngjashme keto dy grupime kryesore popullsish, as ne botekuptimin/filozofine e tyre per jeten, as ne menyren se si i qasen problemeve te ndryshme, as ne prirjet e tyre politike, “institucionale”, shoqerore, spirituale, kulturore, artistike…
    A mjafton ne kete rast gjuha, duke verejtur gjithe ate hendek kaq te madh perceptues, si edhe ate “background” kaq te ndryshem historik qe i ndan thellesisht keto dy bashkesi komunitare?

    1. Po mirë de, të paktën Shqipërinë bashkë e krijuan, në 1912-ën. Dhe që nga ajo kohë, iu gërshetuan fatet dhe historitë dashur pa dashur. Po të ndalemi në gjërat e mira që kanë bërë bashkë, do të gjejmë edhe arsyet pse duhet të vazhdojnë t’i bëjnë.

      1. xhaxha shikoji pak me mire keto komentet cinike e separatiste te tipit cfare gje me vlere Kane te perbashket tosket e geget. As kjo qe thua ti qe fatet ju gershetuan Nga 1912 nuk ndihmon por deshmon injorance te madhe sidomos Nga dikush si puna jote.

        1. Nuk besoj se e ke seriozisht, që më tërheq vërejtjen… Përndryshe, edhe unë do të të lutesha që, nëse nuk më jep dot më mirëbesim qoftë edhe vetëm si moderator dhe administrator i blogut, të mos e sillje më kokën këtu.

          1. E kam shume seriozisht, sepse nuk eshte hera e para qe komente te tilla antikombetare i has ketu tek blogu jot. Dikush para nje kohe e krahasonte Skenderbeun me Zan Caushin. Ti vete me siper hedh tezen e pabaze qe separatizmi ka rrezik vjen si reaksion i jugut ndaj lokalizmit te veriut te perzier me kosovarizem (?). Cudi qe keto teza marrin shkas nga konflikti politik i Topit me Topallin qe lokalizmin e krahinorizmin e instrumentalizojne (Topalli vetem), e ironikisht jane qe te dy gege. Liria e mendimit eshte e vleftshme, por besoj se ca kufi duhen ruajtur. Gjithashtu do te thoja qe kjo kerkesa per ta mos sjelle me koken ketu kur dikush te terheq verejtjen, nuk eshte menyre e mire per t’u perballur me kritiken.

            1. Po kjo e jotja nuk është kritikë, or mik; por keqdashje. Dhe askush nuk dëshiron keqdashje në shtëpinë e vet.

              Njerëzit kanë gjëra për të thënë dhe i thonë. Unë nuk ia censuroj kujt mendimet si të tilla (por mund t’i censuroj sjelljen – kjo është çështje krejt tjetër, sepse sjellja lidhet me mënyrën si funksionon blogu).

              Njerëzit gjithashtu kanë të drejtë të kundërshtojnë çfarë është thënë, ose të kundërvihen. Kjo quhet liri e fjalës, dhe liria e fjalës ka prioritet, së paku në këtë blog.

              Koha kur të mbyllnin gojën për një mendim antikonformist ose skandaloz ka kaluar tashmë.

              Ti, IP, në vend që të shqetësohesh se pse nuk censurohet mendimi i lirë në PTF, pse nuk u kundërvihesh atyre që të shqetësojnë me komentet e tyre? Ashtu do të ishte më e shëndetshme edhe për debatin, edhe për ty vetë (se në debat e sipër, do të zgjeroje horizontin). Vjen që vjen këtu, të paktën mos u sill si operativi i lagjes!

              Sa për tezat e mia, ato janë më shumë hipoteza të llojit “what if”. Shqiptarët nuk janë imunë ndaj problemeve që i kanë ndarë edhe bashkësi të tjera; dhe njeriu që ka mend në kokë, shqetësohet pikërisht për këto gjëra, jo pse nuk zbatohet censura.

              Vallë kujton ti se po të mos diskutohen këto mendime nuk do të ekzistojnë më?

              Gjithsesi, unë nuk i jap llogari kujt për çfarë them – dhe aq më pak ty, që je askushi, në kuptimin e plotë të fjalës (nuk përfaqëson asgjë veç atyre që thua, madje as vetveten, sa kohë që përdor një pseudonim, të cilin nesër, po të duash, e ndërron sakaq; prandaj mos më habit shumë).

              Nëse më kërkon shpjegime, kjo është çështje tjetër. Për shembull, mund t’u kthehesh edhe një herë komenteve të mia dhe të shohësh se unë të përbashkëtën e toskëve dhe të gegëve e kam gjetur para së gjithash te gjuha. Dhe për mua nuk ka gjë më intime dhe njëkohësisht më universale se gjuha. Gjepurave të gjakut unë nuk u besoj.

              Historia, përkundrazi, është një koleksion aksidentesh dhe prapësish. Gjatë mesjetës dhe kohëve moderne, shqiptarët më shumë kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, sesa së bashku, kundër armiqve të përbashkët. Vijat e dallimit etnike janë mpleksur me ato fetare dhe ato krahinore (gjeografike).

              Dasitë gjeografike kanë prodhuar lokalizmin, që për mua është dukuri katundare; dhe mund të prodhojnë nesër separatizmin si reaksion. Sa për lokalizmin e Shkodrës katolike, që është lokalizëm pa dyshim qytetar, unë këtë do ta lidhja drejtpërdrejt me trashëgiminë osmane; sepse, siç e kam thënë tashmë, katolikët në Shqipëri i kanë ruajtur më mirë se të tjerët (ortodoksët, myslimanët dhe laikët) huqet dhe reflekset e kohës osmane.

              Nuk ka asnjë të keqe, IP, që të flasim për këtë gjëra. Jemi njerëz të rritur dhe të pjekur; po të mos flasim ne, kush do të flasë? Apo t’ua lëmë edhe një herë tjetër të huajve të vendosin çdo të bëjnë shqiptarët?

              1. Se pari, nuk e shoh ku e shikon keqdashjen tek fakti qe te sugjerova t’i shikosh disa tipe komentesh me me kujdes.

                Nuk te kerkova kund te censurosh mendimet (edhe po te doje, s’e ben dot gjithesesi), as t’iu kufizosh lirine e fjales.

                Meqe permende cenusirimin e sjelljes dhe kundervenien ndaj komenteve, a mendon realisht se dikush qe e krahason skenderbeun me zan caushin po sillet sic duhet? A mund te behet nje debat i shendoshe me kete person?

                Xhaxha, askushi jemi te gjithe per njeri tjetrin ketu, perfshi dhe ata qe nuk perdorin nofke por emrin e tyre. Nuk te tha kush te japesh llogari per ate qe thua. As nuk mendon njeri qe po mos dikutohet dicka, nuk do egzistojne me. Keto jane pohime absolutiste qe mundohen te shmangin kritiken time dhe qe s’kane lidhje me te aspak. Dikush qe hedh gjera te tipit, Skenderbeu ishte Zan Caushi i mesjetes, s’ka per qellim te bej debat te shendoshe e te perplasi ide, por gjasat jane qe ka deshire te ndjelli reagime te forta emotive nga pjesemarrsit e tjere. Ne gjuhen e internetit keta persona, sic e di dhe vete, quhen trolls.

                Gjuhe padyshim eshte vlere e stermadhe qe i bashkon geget, tosket, lebrit, camet, myzeqaret, arvanitasit e arbereshet sepse gjuha brenda saj permban kulturen e nje populli te caktuar, por gjeja paresore qe i bashkon shqiptaret eshte pikerisht gjaku, dhe kjo nuk eshte aspak gjepur.

                Se pari, gjaku eshte paresor ne percaktimin e kombit ne ligjin fisnor shqiptar (kanunin) ne te cilin konstatohet dhe perfkufizohet kombi shqiptar (bazamenti i te cilit eshte fisnor). Se dyti eshte provuar gjenetikisht dhe antropologjikisht qe shqiptaret jane popullate relativisht e njesuar (kujdes ketu, relativisht e njesuar sigurisht nuk nenkupton njesim absolut).

                Sigurisht qe shqiptaret kane luftuar shume kunder njeri tjetrit, dhe po dasite fetare e krahinore i ka shtyre ne fragmentizim dhe ne konflikte pergjithesisht te panevojshme dhe te stisura nga pseudallime, por kjo s’do te thote qe teresia e gjakut eshte shkaterruar per ata njerez qe kane qene dhe jane te vetedijshem qe perbejne teresi.

    2. zog, shume e dendur kjo fjalia jote mbi ngjashmerine ne botekuptimin/filozofine per jeten(cfare do me thene?) mbi menyren e qasjes ndaj problemeve(cfare dmth?) mbi prirjet politike (cfare dmth,, komunist vs. antikomunist?). Po prirjet “institucionale” cfare jane? Po ato shoqerore? Si ndryshojne geget nga tosket ne prirjet shoqerore? Cfare jane prirjet shoqerore? Po ato spirituale, kulturore, artistike?

      1. Nuk e kuptoj pse ka kaq veshtiresi per te kuptuar gjera te thena kaq thjeshte, te cilat nuk bejne gje tjeter vecse pasqyrojne nje realitet kaq lehtesisht te lexueshem historik. Po te jap disa pika ilustruese te atyre sa kam thene ne menyre koncize me pare.

        1- Duke filluar se lexuari historine qysh prej fazave te ndryshme te qyteterimit antik grek, atij romak, e me pas per te vazhduar me paleokristianizmin, periudhen bizantine, pas-bizantine, te njesise administrative te cilen me 1912 e pagezuam “Shqiperi”, mua personalisht me rezulton se historia politike/administrative/shoqerore/kulturore/artistike (e thene ne vija te trasha) e “jugut” dhe e “veriut” te kesaj “bashkesie moderne komunitare”, nuk eshte gje tjeter vecse nje lufte divergjencash stonuese, qe kane te bejne ne radhe te pare me perceptim teresisht te ndryshem te perqasjes se realitetit.

        2- Nuk di te kemi zbulime arkeologjike ne arkitekture, skulpture, pikture, qeramike, ekuivalente me ato te gjetura ne Sarande, Gjirokaster, Vlore, apo Fier, le te themi ne qytete si Puka, Peshkopia, Tropoja, apo Shkodra. Nuk ekzistojne vepra percuese te parimeve/kosmoteorise brilante te fazave te ndryshme te antikitetit grek (arkaike, klasike, helenistike), ne Lac, apo Kukes, dhe me gjithe simpatine per kombetaristet qe kam, keto fakte me duhet ti pranoj. Duke mos patur zbulime arkeologjike te kesaj ekuivalence, thjesht duhet te pranojme se kur ne Apoloni dhe Butrint pinin vere korintiane dhe ndertonin amfiteatre, ne Kukes nese ekzistonin njerez, duhet te flinin me se shumti gjume, sepse nuk shpjegohet ndryshe ky hendek kaq i thelle historik i argumentuar permes arkeologjise.

        3-Nuk di qe pukjanet, apo tropojanet, apo kuksianet, apo dibranet, te jene percues te pricipeve qe burojne prej arkitektures mahnitese te ritit greko-ortodoks, i cili krijoi kisha bizantine si psh: ajo e Laboves se Kryqit (Gjirokaster), apo kisha e Shen Triadhes (Berat)…

        4-Nuk di te kete ekzistuar ne Veri ndonje piktor bashkekohes i Onuferve (babe e bir), i vellezerve Zografi, apo i Onufer Qipriotit, i cili te ishte ne gjendje qe ti llustronte kepucet ketyre mjeshtrave epiriote te penelit…

        5- Nuk di qe barbaria ligjore e Kanunit te Lek Dukagjinit, te ishte e afte te thoshte dicka ne monastiret e Voskopojes.

        6- Nuk di qe universistete te tilla dhe qyteterime unikale si ai i Voskopojes, te kene pasur filiale edhe ne Diber…

        Dhe plot e plot te fakte te tjera, qe sinqerisht me duket teresisht e lodhshme ti sjell ketu …

  3. Lokalizmi dhe tribaliteti i shoqërisë shqiptare, është i thellë me rrënjë. Nuk është se nxorri kryet me Xhuzepinën dhe Topin. Politika shqiptare përgjithësisht, është primitive. Shkaqet e të shpjeguarit pse është e tillë, të çojnë në shpjegimin e primitivitetit të atyre që e gatuajnë këtë çorbë. Primitiviteti, apo tribalizmi në duaçi, arrin të shpjegojë shumë “pse?”. Psh… pse sillemi keq me ambjentin? Pse përdorim fatalitetin, si rrugë për të shpëtuar nga një ngërç, apo situatë e caktuar? Pse thonë psh shumë njerëz “Ishalla e merr perëndia x-in, të shpëtojmë”. Pse situata – siç thonë- nuk ka për të ndryshuar nëse ikën njëri e vjen tjetri? Pse retorika luftarake e x lideri, këtij i ecën? Pse mund të vrasë psh e prapë të votohet?

  4. S`do harruar se A. Zheji eshte i biri i Petro Zhejit.
    Nuk mendoj se ka demagogji apo retorike dylekeshe ne fjalet e tij, por eshte nje bindje e vjeter, qe shkon goxha pertej viteve 80-90.

    Ata qe e kane njohur Petron nga after e dine fare mire se ai eshte nje gego-centrik me bindje te thella, dhe i patundeshem ne kendin e tij. Pozicioni i tij nuk eshte asfare politik, e ca me pak i lidhur me aktualitetin e sotem shqiptar.
    Nese eshte i drejte apo i gabuar, ky eshte nje diskutim tjeter. Por s`mund te thuhet kurrsesi se ai nuk eshte autentik. Aq me shume qe Petro eshte gjirokastrit.

    Edmond Burke shkruante se ” qe te duash atdheun, atdheu duhet te jete i duajshem” ( in order to love one’s country, one’s country ought to be lovely).

    Dicka apo dike mund ta duash per shume e shume arsye.
    Qe jo gjithnje jane apo duken logjikisht te kuptueshme… tha.

  5. ”’A mjafton ne kete rast gjuha, duke verejtur gjithe ate hendek kaq te madh perceptues, si edhe ate “background” kaq te ndryshem historik qe i ndan thellesisht keto dy bashkesi komunitare?””

    Dale or ti zog, mos fluturo kaq shume me krahet e sofizmit se mos na e ben si Ikari e te bien pendet.
    E ke idene sa e lehte eshte te hedhesh poshte pohimet e tua, po aq sa krahasimin ta besh mes toskesh, krahaso nje lab me nje korçar e shiko ne vlejne apo jo ato dallimet e tua.

    Po ashtu, s’po krahasojme nje geg Elbasani me nje geg Mitrovice, po mjafton Topi-Topalli, Tirana me Shkodren, per ti bere te vlefshme gjithe dallimet.

    Sofizmi jot kap nenkulturat dhe u ve ne pah dallimet, po ato jane nenkultura pikerisht sepse kane dallime dhe te dukshme.

    E di ti zog, te kane çuar ndonjehere flatrat e dijes ne Londer, e di zotrote qe aty ka dy nendialekte , jo se ka ardhur filani dhe fisteku dhe flasin nendialektet krahinore, por nendialekte te krijuara brenda te njejtit qytet.

    Hendek perceptues, po mes shqiptarit dhe kongolezit ca termi do perdorje qe jane jashtetokesore te ardhur nga 2 anet e kunderta te universit ?

    Sofizmi do stil, do pergatitije, perndryshe te nxjerr bojen, te besh shkarje logjike dhe te paraqitesh si i pakundershtueshem eshte sport i veshtire.

    Gege e toske eshte thjesht e vetem dallim dialektor, nese nje tosk meson e di vetem gegerisht, behet geg, nje geg qe meson e di vetem toskerisht behet tosk.

    Nje nga gabimet esenciale qe ben Topalli, Zheji dhe shumica e shqiptareve eshte se dallimin geg-tosk e perceptojne edhe ne termat e gjakut, dmth kam stergjysher gege, jam geg, ( po keshtu kam gjysh-stergjysher toske jam tosk).

    Mire qe shoqeria e kultura shqiptare eshte rrenjesisht e ndertuar mbi parimin e gjakut, i cili edhe kur s’duam kushtezon gjithe mendimet tona, po nuk mund te vazhdohet te perdoret parimi i gjakut per te shperbere kombin deri tek fisi e familja, per te ushqyer lloj-lloj traplliqesh perçarese, sepse parimi i gjakut shnderrohet ne parim antikombetar.

    Derisa te vertetohet e kunderta, geg eshte ai qe flet gegerisht, e meqe gegerisht eshte thjesht e vetem nje dialekt i shqipes, humbja e gegerishtes sjell edhe humbjen e te qenit geg.
    Po keshtu tosk eshte ai qe flet toskerisht e derisa te vertetohet e kunderta, humbja e toskerishtes te sjell humbjen e te qenit tosk.

    Kur dikush njeh vetem toskerishten ca gegu eshte ? Kur dikush flet vetem gegerisht ca tosku eshte ?

    Pastaj puna e trashegimise eshte ca e koklavitur, se ta zeme nje shqiptar qe asimilohet ne Perendim,brez i trete psh, si trashegimi ka ate shqiptare, mirepo sa grosh vlen koncepti i trashegimise shqiptare per te vleresuar ate person ?
    Pra trashegimia merret vetem ne vija te trasha, ne perkufizimin me te gjere te mundshem, si emeruesi me i vogel i perbashket (apo perjashtues), perndryshe individi objektivisht vleresohet mbi ate qe eshte e duket.

    Tani qe parimi i gjakut i rrenjosur thelle, i pashkeputshem, do te na beje gjithnje te pyesim nga e ka prejardhjes stergjyshi jot e te themi je tosk apo geg, kesaj s’kemi çti bejme, mirepo duke ia njohur vlerat dhe rrezikshmerite ketij parimi, jemi edhe ne gjendje qe te pahnxjerrim se kur ky parim eshte i dobishem per kombin dhe kur eshte i demshem.

    Keshtu ne nivel privat nuk na gjen gje po i thame sternipit te nje gegu apo tosku se eshte tosk, jo se flet dialektin por per faktin e gjakut, por ne nvel publik nuk mund te hecim me kete falsitet, jo per gje po pak i mungon propagandes antishqiptare qe te flase per 2 popuj e deri etni te ndryshme, meqe dallimi eshte ne nivelin e gjakut.
    E dihet sa i ndjeshem eshte populli ndaj dallimit te gjakut, races.

    Gje e mire qe shkenca na thote se i perkasim antropologjikisht te njejtes race ilirike,dinarike, brakiqefale ne 90%, perndryshe te ishim 2 raca te ndryshme do i kishim bere me kohe 2 shtete me kufi Shkumbinin.
    Pike e zeze sikur dallimit gjuhesor ti shtohej edhe ai racor, s’do kishte me vlere koncepti i shqiptarit.

    Edhe çmitizuesit duan te sjellin mes nesh jevgjit apo neser te zinjte a te verdhet, ne e njejta race dhe nuk na rri menderja rehat, ku te zihemi e grindemi, imagjino zezaku qe hyn ne mes te ketij debati, do nxirrej jashte dere pa temena.

    1. thua nje here :

      Gege e toske eshte thjesht e vetem dallim dialektor, nese nje tosk meson e di vetem gegerisht, behet geg, nje geg qe meson e di vetem toskerisht behet tosk.

      Vijon me poshte:

      Nje nga gabimet esenciale qe ben Topalli, Zheji dhe shumica e shqiptareve eshte se dallimin geg-tosk e perceptojne edhe ne termat e gjakut, dmth kam stergjysher gege, jam geg, ( po keshtu kam gjysh-stergjysher toske jam tosk).

      Pastaj pak me poshte:

      Mire qe shoqeria e kultura shqiptare eshte rrenjesisht e ndertuar mbi parimin e gjakut, i cili edhe kur s’duam kushtezon gjithe mendimet tona, po nuk mund te vazhdohet te perdoret parimi i gjakut per te shperbere kombin deri tek fisi e familja,

      Tani mundet te me thuash si ti bashkoj logjikisht une keto? Ashtu me stil, me pergatitje, pa te dale stukoja se boja ka dale me kohe? D.m.th nese kultura jone eshte e ndertuar mbi parimin e gjakut si qenka kjo pune qe i fus nje te mesuar gege une dhe hopa hodha lumin u bera matjan? Po gjaku? Nejse, si te duash, mund edhe te mos pergjigjesh. Ti pyetjeve te tua u jep pergjigjet e tua.
      Gjuhe te njejte kane edhe serbet dhe kroatet dhe boshnjaket e malazezet. Dialekte jane keto te gjitha. Madje jane edhe nje gjak. Po keshtu austriaket me gjermanet, po keshtu edhe ne shqiptaret. Por ja qe projektin politik e shohin te ndare nga njeri-tjetri. Ku eshte ketu katastrofa xhanem? Edhe ketu uleritet sa ka ne koke se jemi nje; po me fal pse duhet te shqetesohet dikush se qenkan dy tre zera qe dalin kunder, apo kane mendim alternativ? Aq me teper qe percaktoret, i pagdhendur, injorant dhe katundar kesaj radhe po i marrin keta dhe jo le ti quajme Perbashkuesit.

  6. ”’Lokalizmi dhe tribaliteti i shoqërisë shqiptare, është i thellë me rrënjë. Nuk është se nxorri kryet me Xhuzepinën dhe Topin. Politika shqiptare përgjithësisht, është primitive.”’

    Se di tek ti ne Greqi, por po qe per keto dukuri Italia te than, flas ne nivelin e popullit ( parimin e gjakut nuk e kane ne formen tone, por e kane kompensuar racialisht, meqe psh siciliani eshte i zeshket, milanezi i hapur).

    Dallimin e ben elita, ne Itali ka 150 vjet qe elita punon per shtetin e kombin (perveçse per vete, kjo nuk diskutohet) dhe ndersa ne kemi 2 dialekte, Italia bashkon nje thes me dialekte, pa harruar edhe gjuhet latine joitaliane, si sardishtja apo friuliania e dialekte qe quhen italiane por qe kontestohen, si siçilishtja, venetishtja, ligurishtja etj.

    Natyrisht ndjenja jone kombetare eshte shume me e forte se e italianeve, flas si popull, te cilet normalisht kaq laramane sa jane e kane me te veshtire te forcojne ndergjegjen kombetare, por dallimi vjen serisht tek elita, sepse ajo italiane e ka te forte dhe e ruan me xhelozi dinjitetin kombetar, ndersa tek ne elita nuk e rruan fare.

    Pra, per mua eshte e kunderta, jane Jozefyçka me Topin, ashtu pothuaj si gjithe elita shqiptare pergjate historise qe ushqejne dhe fuqizojne lokalizmat, sepse mbeshteten tek ato per ngritjen ne rangun e elites.

    Problemi shqiptar i takon formimit te elitave, ndersa Italia i krijoi para 150 vjetesh, po mbi baza krahinore si tek ne, si kudo, dhe ato nuk u ndryshuan por vijuan jeten duke e pare krahinizmin si te panevojshem, tek ne nderrimi i shpeshte i elitave sidomos politike, ka sjelle mbajtjen e krahinizmit si element jetesor ne fatet politike.

    Keshtu Jozefyçka mori serisht kredite tek geget katolike, Topi mori kredite tek qytetaria tiranase, sidomos te tosket.

    Shqiperia eshte kapur prej fyti nga nderrimi i elitave dhe karakteri krahinor qe zakonisht keto kane ne fazat fillestare.
    Edi si çun Tirone, kaloi ne fazen e dyte, meqe i ati i tij u be elite (dhe e ruajti) per arsye paresisht krahinore (me siguri lidhjet krahinore i ka mbajtur te hekurta), pra mund te quhet relativisht i shkeputur, te pakten fillimisht ka qene i tille, mirepo PS-ja funksionon mbi parime krahinore, keshtu qe edhe Edi nga çun Tirone deshi s’deshi u detyrua ti nenshtrohej nevojave te formesimit te elitave.

    Nderkaq paria e Tiranes, si faze e dyte e parive krahinore, duhet ti beje llogarite me krahinizmat, por ka edhe problemin qe nuk eshte ndertuar mbi baze kombetare si ne Itali, por paraqet frakturen tjeter te forte sociale, ate qytet-fshat qe pastaj behet edhe kryeqytet-qytete.

    Kjo pari, jo vetem politike, shihet tek pesha e stermadhe qe i jep ligjerimit qytetar dhe fjala qytetar nuk merr asnjehere kuptimin nenshtetas por pasqyron pikerisht ADN-ne e saj, pra si produkt i fraktures sociale, qytet-shtet.

    Keshtu si perfundim qe Shqiperia te filloje te funksionoje duhet superuar qofte krahinizmi i formesimit te parive, ashtu edhe paria e Tiranes, me qellim qe paria e neserme, ajo e duhur te jete mbi baza kombetare dhe jo ne funksion te frakturave sociale.
    Pastaj normalisht retorika do te jete, ndonje si Bossi i Leges do synoje te hyje tek paria nepermjet krahinizmave, veçse superimi nepermjet kombetarizimit te elitave do i beje keto te fundit qe te shikojne edhe interesin e dinjitetin kombetar.
    Keshtu si ne Itali, ku gjithe elitat u irrituan me ironine e Sakorzise edhe ne Shqiperi do i kemi te ndjeshme. Kjo ndjeshmeri sjell edhe njefare perkushtimi, pasi te mos harrojme qe Gjermania u ringrit ne radhe te pare sepse gjermanet punuan me mish e me shpirt edhe per hir te dinjitetit te tyre si komb i fuqishem i Europes.

    1. Për Greqinë? E ka thënë Ramfos, shumë bukur: Shteti për ne, është kamuflazh tribaliteti. E përdorim si “trade mark” për të marrë borxhe dhe për të lidhur marrëveshje përfituese, personale dhe klanore.

      E ka thënë dhe N. Dimou: greku e shikon shtetin e tij, si vilajeti otoman i 1800’s… ka të drejtë.

      Ka thënë dhe tjetrën: lokalisti, nuk e njeh, as i intereson realisht kombi, apo shteti si i tillë. Nuk ka kapacitet të shkojë përtej lokalizmës. Unë e shoh këtë, edhe në Shqipëri, si një lloj bllokimi mendor që e kufizon gjithëpërfshirjen.

      As të mos i shkojë në mendje kujt se po vepron kombëtarisht, kur emëron edhe pastrueset e institucionit ku është punësuar, nga katundi i vet. Është dyzim i thellë ky.

      Lidhja mes shtetit dhe shtetasit, është diskutuar mjaft prej Ramfosit. Shteti grek thotë, nuk e plotëson kapacitetin e emërtimit që mban. Shteti, shihet në format e vetme si përfitues nga ai, ose si i penalizuar prej tij. Nuk e plotëson kapacitetin organik të qëllimit të vet. Nuk është shtet pra, me fjalë të tjera. Është “i pushtuar” nga dikush, dhe greku mesatar, e trajton si të tillë – e nuk ia paguan taksat. Domosdo që dhe shqiptari e sheh kështu, madje më keq. E sheh si të drejtë legjitime për të abuzuar me atë që i është dhënë.

      Kështu që as mos u habitni fare nëse prej “shtetit”, ka shkëputje. Madje as duken gjasat që kjo punë të rregullohet, sa kohë që institucionet e shkrirjes (melting pot-et), nuk ekzistojnë më. Xhaxhi psh, e çonte shkodranin dhe gjirokastritin në të njëjtën shkollë, në Tiranë e zëmë. Çonte mirditorin në Vlorë – si ushtar, Vlonjatin në Bulqizë, si inxhiner, apo në Malësi të Madhe si mësues. Tani nuk ka më asnjë institucion të tillë, ku të gjithë shqiptarët të bëhen bashkë. Tani të gjitha veç. Lagje veç, shkollë veç, plazh veç, treg veç. Nuk bëhen ndonjëherë njerëzit bashkë.

      Madje unë e kam një mendje që më thotë se është më mirë që ky dyzim të administrohet ndryshe. Le të ndahen administrativisht, sipas decentralizimit të pushtetit lokal, të dy zonat e mëdha e secili të fokusohet tek mirëqënia e vet.

      Në këtë mënyrë, veriori s’do ketë të bëjë me “komunistat” e jugut. Do shikojë punën e mbrothtësinë e vet personale dhe lokale.

    2. Sa për Edin… mbaj mend një moment që kishte shkuar për ngushëllim tek shtëpia e Nikajve në Lezhë. Xhaxhai i të ndjerit merr fjalën e thotë: E kanë bërë me qëllim, e kanë vrarë ata të PD.

      Çfarë iu përgjigj Edi, e di? – Shiko, i thotë, se PD është koncept i madh, ka shumë njerëz brenda… nuk përfshihen dot të gjithë.

      Mund të kishte zgjedhur të heshtte. Dhimbja e të afërmit, të bën të mos e kundërshtosh, dhe kur ulërret fort. Mund të kishte pohuar e të kërkonte drejtësi patjetër, përpara gjyqit, ligjit. E ta quanin të gjithë, PO! Ky është kapedan! JO. Zgjodhi ta qetësojë në atë mënyrë si e bëri.

      Krahaso anën tjetër: kokpalarë, bashibozukë, thika me helm, çadra pistoletë.

      Njihjani ca gjëra njihjani, se nuk u bie hunda. Edhe atij, edhe Topit, që histerik e pa fre nuk është bërë asnjëherë.

  7. ”’Tani mundet te me thuash si ti bashkoj logjikisht une keto? Ashtu me stil, me pergatitje, pa te dale stukoja se boja ka dale me kohe? D.m.th nese kultura jone eshte e ndertuar mbi parimin e gjakut si qenka kjo pune qe i fus nje te mesuar gege une dhe hopa hodha lumin u bera matjan? Po gjaku?”’

    Po ta kam shpjeguar, s’kemi çti bejme ne nivel privat, po ne nivel publik meqe e dime qe eshte falsitet nuk duhet te shprehemi, ose me sakte elitat nuk duhet te shprehen se populli ne nivel publik flet vetem ne internet.

    Plus qe nuk thashe se i fute nje te mesuar gegerisht dhe u bere matjan, por nese di vetem gegerisht te jesh me origjine nga cilado zone e toskerise, edhe sternip i Naim Frasherit, une si tosk s’ta pranoj toskerine tende, se kur s’di toskerisht ça lesh tosku je ti ?

    Shqiptaria kalon nga gjaku, nuk ka ndonje gjak tosk apo gjak katolik, ortodoks, myslyman, gjak matjan apo korçar.

    Qe ne i kemi zakon ti kalojme nepermjet gjakut, biles edhe fene, s’do te thote qe vertetesisht ato kalojne, kalon etnia sepse me perkufizim ka nje patriark te perbashket, po identiteti fetar apo krahinor s’kalon nga kromozomi Y.

    Prandaj elita qe flet ne publik, le ta lere popullin te mendoje si di, por vete te flase gjuhen e duhur, perndryshe po i fryve popullit, ky ka gjak keshtu, tradite ashtu, gati e ke ti marre per te verteta te ameshuara, popullit i pelqejne ato qe italiane i thone luogo comune, por s’mund te hece elita me te tilla.

  8. Debati linguistik Topi –Topalli rrenjet i ka ne truallin e nxehte politik ,prej nga ushqehet dhe instrumentalizohet, por pertej politikes se dites , nuk mund te mos marim ne konsiderate edhe nje nenshtrese kulturore ,qe gjallon permes lokalizmave si shprehje e dallimeve dialktore, ne doket dhe zakonet e perbashketa por qe cfaqen me specifikat e tyre nga nje krahine ne tjetren. Edhe pas krijimit te shtetit-(gjysem)komb, vecanesite lokale jane perceptuar dhe madje funksionojne ne trajten e paragjykimeve sot e kesaj dite :labi hedh romuze per myzeqarin, korcari per pogradecarin, dibranet per matianet, kuksianet per tropojanet, shkodranet per pukianet etj. Megjithate keto dallime te nivelit gjeokulturor asnjehere nuk jane artikuluar si shprehje e nje vetedije separatiste. Instrumentalizimi ketyre vecanesive dhe ngritja e tyre ne nivelin e vijave ndarese dhe kundervenese ,eshte provokuar nga projektet politike te cilat –me te drejte e nenvizon Hyllin-jo vetem jane perceptuar por edhe jane formesuar dhe ushtruar mbi nje komponente te dukshme lokale.
    Sot, regjimi E.Hoxhes perceptohet si sundim i jugut/toskeve mbi veriun/geget .Jo vetem ne blogje -llogjesh por edhe ne te ashtuquajturat analiza serioze, komunizmi shqiptar perceptohet si ekskluzivitet i jugut kurse antikomunizmi si atribut natyror i veriut katolik.Ne kete vije arsyetimi , edhe gjuha standart –e cila ishte vertet produkt i arritur nen diktature, perceptohet si instrument i diktatures komuniste per sundimin e jugut komunist/ toskeve mbi veriun nacionalist/geget. Ashtu sikurse jo fare pa shkas, edhe regjimi Berishes perceptohet si revansh i verioreve mbi jugoret.
    Edhe isopolifonia qe u ngrit vrulltazi rreth perplasjes se duetit Topi-Topalli ,duhet lexuar ne kete kontekst .Retorika antikomuniste dhe projektet politike te grupeve dhe individeve te vecante jane gati te flijojne ato qe perbashkojne (ku hyn dhe standarti gjuhes) dhe te instrumentalizojne dallimet lokale .Ky eshte pislleku qe kerkohet te ambalazhohet me retoriken kombetariste dhe krenarine boshe te epersise lokaliste.

  9. Shume interesante keto fjalet e Zhejit,sidomos ky perdorimi i ekzagjeruar i fjales “gjuhe”;
    ” Kjo gjuhë e Skënderbeut, e Nënë Terezës, e Buzukut apo Marin Barletit. Gjuhë e segreguar e at Zef Pllumit, e Koliqit dhe e legjendës së Gjergj Fishtës. Gjuha e Kosovës mistike dhe e Dibrës së Moisi Golemit, gjuha e Mirditës së Kapedanëve, gjuha e Kelmendit të heronjve, gjuha … ”

    Akoma me intereant behet zoteria kur kujton se i pelqen shume te quaje kundershtaret e tij (apo te shefit), antishqiptare, antieuropiane e antiamerikane ndersa vete afishohet si mbrojtes i flakte e i pakompromis i shqiptarizmes.
    Por a e di Zheji valle se nuk ka akt me antishqiptar se sa ai i cilesimit te Dialektit Geg, si gjuhe?
    Perveç ketij gradimi te pamerituar te gegenishtes qe i thyen gjuhen shqipe dhe shqiptaret ne dysh, batakçilleku i dyte ne kete fragment eshte perdorimi qe i behet disa figurave kombetare.
    Qe kur Skenderbeu,Nene Tereza, Fishta, Koliqi, geget apo tosket flasin apo flisnin gjuhen e imagjinuar gege ? Gjergj Fishta psh qe ka shkruan me mijra faqe nuk ka ndonje rresht per gjuhen gege me sa dime, perkundrazi ka shkruar poezi per “gjuhen tone shqipetare” qe ishte gjuha e tij.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: