ERRATA CORRIGE

Siç e kisha druajtur, njerëzit e Presidencës – se nuk po dua të ngatërroj pa arsye z. Nishani vetë me këto bojatisje – pa shumë bujë dhe pa e lajmëruar publikun, futën duart në faqen përkatëse dhe e “korrigjuan” mesazhin institucional të urimit për Krishtlindje, duke e bërë ringjalljen ngjallje:

ngjallje

Por a ndreq vërtet kjo gafën dhe, çka është edhe më me rëndësi, a është Krishtlindja festë e “Ngjalljes”?

Me sa di unë, dhe siç ma konfirmon Fjalori i Shqipes së Sotme, folja shqipe ngjall ka këto kuptime kryesore: (1) sjell në jetë pasi ka vdekur, ringjall; (2) shëroj; (3) shëndosh, majm; (4) shkaktoj, bëj të ndodhë.

Këto kuptime trashëgohen pastaj edhe nga emri prejfoljor ngjallje.

Në fakt, prapashtesa ri- te ringjall(je) ka vlerë intensifikuese, dhe nuk tregon gjë përsëdytje (siç tregon, bie fjala, te ribotoj, ribëj ose rilind); sa kohë që ringjall nuk do të thotë gjë ngjall përsëri ose ngjall edhe një herë, por thjesht ngjall (ose sjell përsëri në jetë, prandaj ri-ja ndoshta lidhet tërthorazi me idenë e të kthyerit në jetë, çka teknikisht do të përfaqësonte leksikalizim të një seme; khs. këtu edhe rikthej vs. kthej, etj.; ripërtërij vs. përtërij).

Edhe besimtarët e krishterë ortodoksë, ditën e Pashkëve në Shqipëri, tradicionalisht kanë thënë: Krishti u ngjall!

Krishtlindjet përkujtojnë lindjen e Krishtit, jo ngjalljen e tij; meqë ngjallja parakupton vdekjen, ndërsa lindja jo; në kuptimin që një bebe mund ta ngjallësh vetëm po të ketë vdekur më parë.

Prandaj nuk kuptohet se çfarë kanë korrigjuar fshehurazi ata të Presidencës në mesazh; në një kohë që ideja se për këtë institucion dallimi mes Krishtlindjes dhe Pashkëve mund edhe të shpërfillet, së paku ceremonialisht, po merr konsistencë të frikshme, deri në përmasa të herezisë!

Nuk ka komente

  1. Qellove si kalama o Mane…..
    Ndoshta Baballaret e Kombit (President, Kryeminister , Kryetar Parlamenti, parlamet vete) pasi rane dakord per kete forme qeverisjeje (ne fakt eshte nje fiksion i importuar dhe i aplikuar jashte prej shume kohesh nga Tutoret (Kodoshet), menduan se deficitin e kredibilitetit do e fitonin me adaptimin e ca ritualeve qe i takojne tjeter kujt.
    Nuk e di se pse e gjithe kjo komedi me kujton historine e Lakuriqit qe hiqej si shpend kur i’a donte interesi, apo gjitar tokesor (bashke me brejtesit e tjere) kur “Dimer vjen Behari”……
    Dhe rezultati dihet………

  2. Normalisht, tani duhet të na njoftonin për ndonjë dorëheqje në Presidencë. Ndoshta nuk ekzistojnë fare, por zyrat dhe funksionarët e implikuar mund të ishin nga: protokolli, marrëdhëniet me komunitetet fetare, zyra e shtypit, zyra e informatikës, zyra e çështjeve kulturore, zyra e redaktimit :). Përndryshe faji është i kompjuterit, ndonjëherë i heq shkronjat si pa dashje.
    Ose, zgjidhja e fundit: të korrigjohet Fjalori i gjuhës shqipe.

  3. Me nje lloj sinqeriteti (ajme pak malinj:) ), them se Bujari – si burri qe ben Presidentin e Republikes ne kete periudhe te saj, duhet ta ruaje traditen e gafave, posacerisht te atyre te lancuara permes mesazheve drejtuar shtetasve.
    Saliu psh do te kujtohet per autoritarizmin e tij, Mejdani per mefshtesine, Gjyshi per qendrueshmerine, e keshtu me radhe nder kohera.
    Andaj them qe Bujari, mire a keq, nqs ia ka qefi te mbetet ne histori, duhet te mos ndalet se beri gafa. Eshte kaq prane perjetesise…

  4. Eshte pa dyshim i drejte interpretimi i Xhaxhait per ngjallje /ringjallje.
    Ketu nuk ka cfare diskutohet dhe me kete zevendesim ata te presidences vulosen c’kishin firmosur me pare.

    Por , thjesht per kersheri, kjo ‘ngjallje’ eshte ca intriguese.

    Intuitivisht me duket se /ngjall/ duhet te jete nje formim i ardhur prej /gjallë/ sipas modelit : në+ gjallë = ngjallë > ngjall me kuptimin /ne gjallje/, /ne te gjalle/. Pra /ne jete/.

    Keshtu qe mund te behet barazimi:
    lind=sjell ne jete= sjell ne gjallje=ngjall. Ne fund te fundit jeta,gjallja, fillon e numerohet prej dites se lindjes , jo me pare.

    Kujtoj edhe vepren e J.Varibobes “Gjella e Shen Merise Virgjer “, ku /gjelle/=jete dhe, ne mos gaboj, perfaqeson shumesin e singularizuar te /gjalle/.

    Sigurisht kjo forme /ne te gjalle, ne gjallje/ mund te mos perdoret me sot gjeresisht por historikisht i ka te gjitha gjasat te jete perdorur.

    Siqoqofte kush mund te kete nje gramatike historike,Demiraj apo Topalli, mund t’i hedhe nje sy.

    ps- larg qofte, nuk kam ndonje synim te fshehte te justifikoj Jarin.

  5. Kjo tregon qe Jari i ka dhene besim te tepruar keshilltareve te tij, duke mos i kaluar fare neper duart e tij deklaratat apo komunikatat zyrtare te presidences. A thua te kete shume pune te tjera me te rendesishme ne duar?
    Po sikur ti kete kaluar vete neper duar dhe ti kete aprovuar?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: