VEGIMET POETIKE NGA KOSOVA

Sa dhe si ka ndikuar poezia moderne e Kosovës në poezinë e botuar në Shqipëri gjatë viteve 1970 e këtej?

Që me Agim Vincën (Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980), monografi historiko-letrare, 1985), eksplorimet dhe analizat në këtë fushë nuk kanë munguar.

Për një vështrim të përmbledhur, do ta referoja lexuesin te një artikull nga Mujo Buçpapaj (“Kosovar poets” published in Tirana, and their influence on the modernization of the 1970’s poetry in Albania), edhe pse autori fokusohet te poetët kosovarë që u botuan në Tiranë.

Po çfarë ndodhi pikërisht në fillimvitet 1970?

Pa u zgjatur, do të thoja se pati një konfluencë zhvillimesh kulturore, që favorizuan hapjen e lexuesit në Shqipëri ndaj poezisë shqip që lëvrohej përtej kufirit.

Kjo lidhej me liberalizimin e skenës në Tiranë, por edhe me gjallërimin e pashembullt të kulturës dhe të botimeve letrare shqip në Prishtinë, për arsye edhe koniunkturash politike.

Pas “revolucionit në diskursin poetik” të viteve 1960, të udhëhequr e të diktuar nga poetë si Kadareja, Agolli dhe Arapi, vitet 1970 do të sillnin një skenë një brez të ri poetësh, të cilët do të kërkonin mjete të reja shprehëse.

Ndryshe nga paraardhësit e tyre, të shkolluar dhe të kulturuar jashtë Shqipërisë, poetët e viteve 1970 ishin formuar të gjithë në atmosferën e kontrolluar madje aseptike të një shteti totalitar, që praktikisht i kish ndërprerë marrëdhëniet kulturore me bashkëkohësinë në Europë dhe gjetiu.

Kulturalisht, ishin të vdekur urie.

Prandaj poetët nga Kosova, që filluan të botoheshin në shtypin letrar të Tiranës, ofruan menjëherë një model tejet ngashënjyes për të gjithë ata që rrekeshin të përpunonin një gjuhë të re poetike, duke u distancuar nga “ëndrrat industriale” të Shqipërisë së viteve 1960.

Mes poetëve nga Kosova që u botuan në atë kohë në Tiranë, po përmend Esad Mekulin, Azem Shkrelin, Ali Podrimen, Din Mehmetin, Rrahman Deden, Eqrem Bashën, Sabri Hamitin, Agim Vincën dhe Edi Shukriun.

Edhe pse këta vinin me stilet dhe poetikat e tyre personale dhe intertekstualitetet e tyre individuale, pa i përkitur detyrimisht një shkolle a rryme letrare të bashkërenduar, sërish do të shquheshin për modernitetin që përçonin, në kontrast me poezinë më tradicionale me tone herë propagandistike herë publicistike herë folklorike që ende lëvrohej nga sivëllezërit e tyre në Shqipëri.

Ashtu edhe shërbyen si ushqim i vyer kulturor dhe letrar për të gjithë ata poetë dhe letrarë që nuk i kishin mundësitë praktike, as përgatitjen e duhur, për të ndjekur poezinë bashkëkohore europiane në origjinal.

Të gjitha këto mbase janë trajtuar mirë gjetiu. Dua vetëm të shënoj këtu se, përveç botimeve të poetëve nga Kosova në shtypin shqiptar dhe nga shtëpitë botuese, në Tiranë hynte drejtpërdrejt literaturë nga Prishtina, e cila shpërndahej në mënyrë të kontrolluar, duke filluar nga bibliotekat e institucioneve kulturore.

Poetët dhe letrarët në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, kishin akses te këto botime, kryesisht nëpërmjet bibliotekave; dhe ashtu mund të shijonin krijime shqip origjinale që përndryshe nuk do ta kalonin dot censurën e botimeve zyrtare.

Mund të dëshmoj personalisht se Biblioteka e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në fillim të viteve 1980, ofronte një koleksion të pasur botimesh poetike nga Prishtina – nga autorë bashkëkohorë.

Për një letrar nga Shqipëria, që ishte familjarizuar poetikisht me vargun tradicional të Rilindjes dhe pastaj me veprat e realizmit socialist të viteve 1960, ku u këndohej plot pathos oxhaqeve të fabrikave, tekstilisteve dhe autokombajnave, poezitë nga Prishtina përfaqësonin alternativë unike dhe ftesë të pashembullt për të guxuar.

Siç e kanë vërejtur studiuesit që janë marrë me këtë punë, ndërrimi i tonalitetit në poezinë e Shqipërisë të viteve 1970-1980 dhe shkëputja nga deklamatizmi dhe pompoziteti majakovskian i viteve 1960 i detyrohen shumë intertekstualitetit kosovar.

Veçori e poezisë që vinte nga Prishtina ishte artikulimi i saj në një shqipe të çliruar nga stereotipitë totalitare dhe gazetarizmat; një shqipe që rrëmonte në potencialin shprehës të fjalës jashtë konteksteve politike dhe publicistike; një shqipe njëkohësisht familjare dhe Tjetër.

Nga ana tjetër, vitet 1980 në Shqipëri përkuan edhe me një rritje të sensibilitetit kombëtarist, në kontekstin edhe të trazirave politike në Prishtinë – çfarë e risolli në skenë, me forcë të përtëritur, poezinë që vinte prej bashkëkombësve “jashtë shtetit”.

Një pjesë e mirë e poezisë që hynte nga Prishtina, veçanërisht nga fundi i viteve 1970 e këtej, ishte në shqipen standarde, por diskursi poetik i poetëve kosovarë ndiqte ligjësi të tjera dhe shtjellohej në përmasa të tjera, për ne të pashkelura.

Ata poetë në Shqipëri që vinin gjeografikisht nga Veriu do ta përvetësonin më lehtë këtë diskurs dhe do ta kanalizonin më natyrshëm në vargjet e tyre – siç edhe ndodhi.

Ashtu poezia nga Kosova ndikoi fort për një rithemelim të poezisë shqipe bashkëkohore mbi gegnishten letrare, edhe pse me sipërfaqen të konformuar ndaj standardit të vitit 1972.

Nga ana tjetër, më pak më rezulton të jenë identifikuar dhe përshkruar – por mund të jetë edhe thjesht padija ime – rrënjët intertekstuale të poezisë moderne të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj, nëse kanë ekzistuar, me poezinë moderne dhe bashkëkohore serbo-kroate.

Pra, një përgjigje për pyetjen: me ç’rrugë erdhi poezia moderne në Kosovë? Ç’modele ndoqën poetët e atjeshëm?

Pa përjashtuar këtu edhe ndikimin në drejtim të kundërt – të poezisë nga Shqipëria mbi atë të Kosovës. Më pak Ismail Kadare, por më shumë Migjen, e kështu me radhë.

Letërsia kosovare, përfshi edhe poezinë, ish lëvruar në rrethanat e një stresi identitar konstant, për shkak të trysnisë politike dhe kulturore nga Beogradi – ndryshe nga ajo në Shqipëri, që gatuhej dhe shërbehej si produkt propagandistik, me sponsorizim ideologjik totalitar dhe orientime estetike të dala nga sallat e plenumeve të KQ të PPSH-së.

Aq më e vërtetë ishte kjo, në periudhën pas vitit 1974, kur regjimi reagoi me represion dhe dhunë totalitare ndaj liberalizimit të mëhershëm, dhe e mbushi skenën kulturore të Shqipërisë me guna barinjsh, cyle, çifteli, qeleshe dhe xhamadanë.

Në Kosovë realizmi socialist praktikisht nuk ngrinte peshë dhe as luante rol në qarkullimin e vlerave letrare, tradicionale dhe të reja. Me gjithë rrethanat e njohura të kërcënimit identitar dhe antishqiptar, krijuesit kosovarë ishin gjithnjë artistikisht por edhe etikisht më të lirë se kolegët e tyre nga Shqipëria.

Prandaj poezia nga Kosova u perceptua këndej kufirit si mishërim i një letërsie shqipe ideale, të çliruar nga vargonjtë ideologjikë dhe bashkëkohore në një mënyrë që ajo e Shqipërisë nuk mund të ishte; një letërsie që mbetej thelbësisht shqipe, edhe pse e hapur ndaj freskive kulturore që frynin nga qendrat e kulturës botërore.

Vargu kosovar u lexua si varg i lakmueshëm, madje u dëshirua ethshëm si model, pse ofroi edhe një antidot ndaj klisheve të realizmit socialist, sikurse ofroi shpresën për një letërsi shqipe më të lirë dhe më autentike, sepse të kultivuar më natyrshëm.

Për mua, prurjet kosovare në poezinë e vitet 1970-1980 këtej kufirit e nxitën vetvetiu përpunimin e një diskursi poetik bashkëkohor në Shqipëri, diskurs i cili ka mbijetuar deri sot, edhe pse marrëdhëniet e tij me poezinë nga Kosova mund të mos perceptohen më lirisht.

Poezia nga Prishtina jo vetëm do të ofronte alternativën “demokratike” dhe “kombëtare” ndaj ngërçit soc-realist në Tiranë, por edhe do të krijonte bazat për rehabilitimin e butë të gegnishtes letrare, brenda strukturave formale (normative) të standardit; çfarë edhe shpjegon më mirë suksesin e saj afatgjatë.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin