ALIGATORËT

Elsa Demo, sot në Shekulli, rrëfen për një mozaik 600 m2-ësh që po realizohet nga artistët Josif dhe Liljana Droboniku për kupolën e katedrales ortodokse në qendër të Tiranës.

Artistët flasin për vështirësitë e kësaj sfide, teknikën e mozaikut, stilin e imazhit që do të përftohet.

Vetvetiu bie fjala për Onufrin, vlerat e tij, për të cilat u duhet besuar ekspertëve, sa kohë që profanët zakonisht i tërheq e kuqja, njëlloj si demat.

Intrigon edhe paralelizmi mes mozaikut të katedrales ortodokse dhe sivëllait të aqpërfolur të Muzeut Kombëtar, me të cilin këtë të tanishmin e bashkon jo vetëm nevoja për t’iu mbajtur një kanonike të caktuar, por edhe autori – i njëjti Drobonik edhe atje edhe këtu.

Është një shkrim i rrallë për nga tema, që hedh dritë mbi një aspekt relativisht të qetë por domethënës, të jetës kulturore shqiptare, në daçi shqiptare-bizantine.

Katedralet ndërtohen për t’u qëndruar kohërave; ndoshta një ditë historianët e artit do të krahasojnë mega-mozaikët e Tiranës dhe do të flasin për një shkollë të Drobonikëve…

Gjithsesi, temë që të bën të mendosh. Unë i pari mezi ç’pres sa të përfundojë vepra, që të mund ta shoh; tek e fundit, veç dekoreve politike dhe zgjedhore, fasadave të pikturuara dhe turlisë arkitektonike, Tiranës turistike kuriozitetet i numërohen me gishta.

Nuk u ula të shkruaj, për fat të keq, për artin kishtar të Drobonikëve; sepse, gjithnjë për fat të keq, mozaiku i tyre, ende pa u përfunduar dhe pa iu ekspozuar publikut, është dhunuar dhe vandalizuar prej hordhive të Internetit.

Deri në këtë moment (të hënën mbrëma), shkrimit të Demos i janë bashkëngjitur 42 komente, prej të cilave pjesa më e madhe janë kundër pranisë së Janullatosit në krye të KOASH-it.

Flitet aty për tradhtarë dhe tradhti, për grekomanë dhe antishqiptarë, për gjarpërinj, zhaba dhe Kuaj të Trojës, Serbi dhe Kosovë.

Ja një shembull pak a shumë përfaqësues:

Që në faqet e komenteve të mediave shqip online kanë plasur pusetat e ujërave të zeza, këtë e kemi vënë në dukje prej kohësh; por dukuria ka evoluar – në kuptimin që gojët e këqia, provokatorët, injorantët, kokëtrashët dhe militantët tashmë janë pranuar në mainstream, ose si përfaqësues normalë të opinionit publik shqiptar.

Kush ende entuziazmohet me harmoninë fetare në Shqipëri dhe tolerancën e ndërsjellë mes feve, bën mirë t’u hedhë një sy këtyre kazanëve të inferno-s shqiptarike, për të parë se ç’po zien.

Thonë që në labirintet e gjirizeve të New York-ut jetojnë aligatorë; të arratisur nga terrarium-et e të apasionuarve e të përshtatur tashmë kushteve të reja: errësirës, squfurit, hapësirës labirintike, minjve si rrezik dhe njëkohësisht ushqim.

Nuk di sa e vërtetë është kjo pandehmë; por në gjirizet e mediave shqiptare aligatorët tashmë bëjnë ligjin.

Ja një shembull tjetër i pranisë së reptilëve në këto mjedise të rrënuara:

Urrejtja e frikësuar ndaj ndikimit dhe sundimit grek mbi ortodoksinë shqiptare, e përzier me një ligështi gjysmë-nacionaliste ndaj grekut si të tillë, nxjerr krye në shumë nga graffiti-t, në trajta të gatshme për t’u përdorur, po të jetë nevoja, edhe për motive të luftës së kulluar ndërfetare, e cila tek ne zakonisht shtjellohet – fatmirësisht – nëpërmjet kafshimesh teatrale, shpesh histerike, por kurrë vdekjeprurëse.

Ndesh pastaj në personazhe si ky i mëposhtmi, edhe këta tipikë por të një lloji tjetër, të cilët edhe një artikull për një mozaik të një kishe duan ta përdorin si fole të rastit, për të lëshuar vezët e tyre anti-islamike:

Veç shëmtisë dhe mjerimit të këtyre komenteve, të cilat duhet të na shërbejnë para së gjithash si pasqyrë, më tërheq vëmendjen edhe fakti që ekstremizmi anti-ortodoks, ekstremizmi anti-grek dhe ekstremizmi anti-islamik vijnë e gjejnë aty njëri-tjetrin lirisht dhe me lehtësi, kinse nëpërmjet kundërvënies.

Siç e kemi thënë prej kohësh dhe do ta përsëritim, hapësirat e komenteve, të lëna pa moderimin e duhur, janë shndërruar në serra ku harliset faqeza fanatizmi dhe intoleranca egërshane.

Edhe një arsye tjetër për të ardhur keq; unë që s’jam as ortodoks, as i krishterë, sa gëzohem sinqerisht që Tiranës dhe Shqipërisë po i shtohet një vepër arti e kësaj natyre, aq edhe trishtohem që, pikërisht në rrjedhë të këtij informacioni, më duhet të përballem me gjirizin e freskët të opinionit të rrugës.

Tek e fundit, a nuk shërbejnë vetë katedralet dhe, në përgjithësi tempujt, edhe si strehë sado e përkohshme dhe e brishtë, ndaj elementeve, vrazhdësisë së botës, të përditshmes obsesive në gërrnjat e veta, tokësores si distraksion ndaj soditjes?

Nuk ka komente

  1. Xhaje, Pergezime per shkrimin, ben shume mire qe i fal kohen tende ketyre ceshtje te cilat duhen ngritur dhe sqaruar. Mund te mendohet se kemi te bejme me probleme margjinale apo te disa te rinjve margjinale, por ne fakt e verteta eshte se te gjitha keto komente dhe ata qe ndodhen prapa tyre jane simptoma te nje semundje te rende qe ka hedhur pertoke sistemin e edukimit dhe vlerave te shoqerise shqiptare. Nuk e kam fjalen per ndonje tolerance te madhe nderfetare te shkuar qe ka humbur, apo dicka tjeter por edhe disa vlera morale bazike, nje fare minimumi etik, si respekti ndaj kulturave te tjera apo mosdegradimi ne racizem ndaj fese dhe popujve te huaj edhe keto po fashiten.
    Per fat te keq keto keto lloj komentesh nuk jane edhe aq te izoluara sa do te deshironim. Kam pare i çuditur ne facebook se si miq te shkolluar ne universitetet qe mbahen si me te mirat ne Tirane qe sot jane avokate, inxhiniere apo arkitekte te bejne ftesa per t’ju bashkuar grupimeve te tipit « Bashkohu me ne nqs i urren serbet dhe greket » po aq te befasuese sa nje tjeter « Te mbeshtesim Fatos Nanon » nga e cila se kam marre veten akoma kaq shokuese ka qene jo edhe aq per merite te mesazhit vete sa sa per ate te derguesit.
    Ka nje problem te madh edukimi, qe duhet ndrequr menjehere. Pas rrezimit te komunizmit kemi 20 vjet qe kemi mesuar persosmerisht c’fare jane vlerat ekonomike, tani eshte koha qe te bejme tonat edhe disa vlera morale, si respekti, ndershemeria, vertetesia, mosnenshtrimi ndaj me te fortit etj.

    Thene kjo, dhe meqe jemi tek katedralje e re, gjendja ne KOASH paraqitet akoma me katran. Kisha qe po ndertohet eshte e vertete qe nga jashte jep pershtypjen e nje flamuri bardh e blu ne mes te Tiranes dhe nga ana tjeter edhe me i verberi, ai qe ka edhe veshtiresi te medha me degjimin, e di qe Kryepis-kopi yne i dashur pervecse per Zotin punon edhe per Atdheun (e vet) dhe per disa qarqe te tjera qe e financojne. Me shume kuriozitet do ta beja nje vizite per te pare Kishen kur do te mbaroje por nga ana tjeter megjithese jam i fese ortodokse, veshtire shume veshtire eshte te shkosh te lutesh ne ate ngrehin politike bardheblu

  2. Ke harruar nje hardhuce tjeter qe i beson horoskopit duke deklaruar “I besoj planeteve sepse ato ekzistojne”.

    Supa do dale e mire, tha

  3. Autori e merr si te mireqene se arti nuk ka si vihet ne diskutim, qofte edhe sepse ne Shqiperi ka shume vrazhdesi.

    Vetem se arti kishtar ne trojet shqiptare nuk ka qene ndonjehere i pashoqeruar nga synimet politike. Mjaft te shikojme me çfare kembengulje serbet mbrojne manastiret ne Kosove( e sa leke hedhin) edhe pse perreth shume manastireve s’ka kembe serbi. Ne thelb ato manastire e kisha pa besimtare jane per tu vene kyçin, sikunder u eshte vene kyçi nje numri te madh kishash ne Rome (ndonje edhe 5 minuta nga Vatikani).
    Megjithate ato sherbejne si keshtjella serbe ne territor armik dhe ndryshe nga kishat e manastiret, keshtjellat meremetohen gjithnje, mbahen ne efiçence te plote se kane funksion te rendesishem, keshtjellave nuk u vihet kyçi.

    Dihet se nen Bizantin kishat kishin rol kyç politik ne mbajtjen e deleve te Perendise nen autoritetin e Perandorit, pra kishat e epokes bizantine nuk mund te shihen vetem si vepra arti apo arkitektonike, edhe sot e kesaj dite ato kisha jane deshmi e sundimit bizantin, ato vete ishin mjet bizantin.

    E njejta gje mund te thuhet per kishat katolike dhe per xhamite e teqete.

    Keto ndertesa ne territoret shqiptare nuk jane ‘te pafajshme’ dhe arti i tyre nuk eshte ‘i pafajshem’.
    Keshtu qe ndersa pranohen se jane pjese e trashegimise, nuk eshte se duhet harruar se çfare roli negativ kane luajtur pergjate shekujve, nuk duhet harruar se te mirat prej tyre jane ku e ku inferiore ndaj demit qe na kane shkaktuar.

    Nuk eshte se ne jemi si ne Angli, ne s’kemi pasur ndonjehere kristianizem shqiptar, kemi pasur perpjekje, por asnjehere kristianizem shqiptar dhe as kisha mirefilli shqiptare.
    Kush e din si do mund te kish qene nje ndertese kishtare shqiptare, me artiste shqiptare qe prodhojne art duke u nisur nga nje veçanti fetare shqiptare ?

    E pra, meqe askush nuk e din ( se s’ka si ta dije), atehere edhe ndertesat fetare e arti i tyre, meqe s’kane asgje shqiptare nuk ka si te merren a priori si gjera ne vetvete te mira.
    Shpirti artistik kerkon artin, po kur vjen puna tek arti kishtar, shpirti artistik te mos ngaterrohet me punet politike, se arti fetar eshte edhe politike.

    Kemi 20 vjet qe shikojme stilet arkitektonike greke e artin grek ne gjithe kishat qe jane ndertuar gjate kesaj periudhe, keshtu qe dyshimi se keto kisha neser mund te perdoren si i perdor serbi te vetat ne Kosove eshte mese legjitim. E dime shume mire te gjithe se greku nuk i hedh parate ne keto kisha se eshte i mire, se kisha greke eshte pasqyrimi i deshires se Krishtit.
    Te mos behemi as naive e as idealiste keshtu kot sa per sport.

    Pastaj qe ky shqetesim i vjeter dhe mese real, shprehet ne menyra agresive, kjo ka te beje me shume me perqasjen e shqiptareve ndaj debateve publike, e njejta gjuhe gjendet edhe ne debatet politike apo ato sportive.

    Pastaj kur shqetesimi shfrytezohet per ti dhene peshe perçarjes fetare, kjo eshte pasoje se ciles nuk kemi ç’ti bejme, edhe pse ne permasa te vogla perçarja fetare ka per te ekzistuar gjithnje, rendesi ka qe te jete gjithnje nen kontroll e te mos i dale duarsh as shoqerise e as shtetit shqiptar.

    Besoj se shume nga ne ketu e dine, qe PAPA i ndjenji prapa bythes Mikelanxhelos kur ky merrej me Vatikanin, keshtu kane bere te gjithe prelatet dhe po njesoj do beje Janulla me artin e Dobronikeve, veçse Janulla nuk eshte njeri i Zotit sikunder tregon rrasa, po eshte njeri i Politikes, i asaj politike te vjeter shekullore greko-bizantine, nga e cila me shume kemi hequr se i kemi pare hajrin.

    1. Hyllin, mos e ngatërro fenë me kombësinë (të paktën ti mos e ngatërro). Të krishterët janë të krishterë, pavarësisht nëse grekë, filipinas, polakë, koreanë, skocezë apo meksikanë. Kjo s’ka të bëjë fare me atë tjetrën që, ndonjë komb modern, si grekët, kanë bërë të vetat disa forma shprehëse të krishterimit ortodoks në përgjithësi.

      1. Ne edhe mund të mos e ngatërrojmë fenë me kombësinë, por kur shenja e barazisë ndërmjet këtyre dy koncepteve është e sanksionuar me kushtetutë nga shteti fqinj, nuk kemi përse të mos marrim në konsideratë këtë ‘variabël’.

    2. Kush e din si do mund te kish qene nje ndertese kishtare shqiptare, me artiste shqiptare qe prodhojne art duke u nisur nga nje veçanti fetare shqiptare ?

      Per nder, une e kam nje ide. Kam pare disa fotografi te nje kishe katolike ne Kosove ku per pak sa nuk mu duk se shikoja muralet e Muzeut Historik te Krujes.

      Shih psh ikonen time ne WordPress. Eshte punim i nje artisti ne Toronto(Hytbi Tarelli me duket). Skene skenderbejane, por te jep ndjesi ikone.

  4. Kombi dhe feja jane gjera te ndryshme, megjithate bota ortodokse nuk i bindet shume dallimit. Kur thua qe je ortodoks duhet te thuash menjehere i ciles kishe. Meqe kjo eshte e detyrueshme, kur dikush thote se nga fetarisht eshte serbo-ortodoks te ka thene edhe kombesine, keshtu edhe bullgari, greku, rumuni e keshtu duhet te jete edhe per shqiptarin.
    Po te heqim vllehet dhe arvanitet, rregulli e kerkon qe kisha ortodokse perkon me kombesine.

    Tani, ndersa eshte e thjeshte te dallosh nje kishe serbe nga nje bullgare, nga nje ruse, nga nje greke etj e po ashtu relativisht e thjeshte te dallosh edhe artin kishtar, nuk kemi per fat te keq mundesi te dallojme nje kishe greke nga nje kishe shqiptare, sepse keto modelohen sipas kishave greke, po ashtu edhe arti kishtar sepse edhe ai eshte qartesisht nen ndikimin e atij grek.

    Pra ne kemi zyrtarisht nje kishe shqiptare, por nuk kemi as nje arkitekture shqiptare dhe as nje art kishtar te dallueshem si shqiptar. Kur ketyre mungesave i shtohet qe edhe kryepeshkopi nuk eshte shqiptar , i shtohet mungesa e fondeve shqiptare, atehere nuk eshte e veshtire te verehet se Kisha Shqiptare eshte e tille vetem sepse e ka liturgjine ne shqip. Edhe kete kane synuar ta zaptojne, por pati rezistence te forte.

    Keshtu dallimi i vetem midis Kishes se para 100 vjeteve me kete te sotmen eshte se liturgjia eshte ne shqip, gjithçka tjeter eshte nen kontrollin grek.
    Nga pikepamja e sovranitetit, meqe autoqefale do te thote sovrane, kisha shqiptare eshte ne gjendjen e shteteve euro-lindore gjate komunizmit, dmth me sovranitet te kufizuar.

    Mirepo gjeja me shqetesuese e arkitektures dhe artit kishtar grek eshte perdorimi ne te ardhmen i ketyre ndertesave nen shembullin serb. Dihet se serbet erdhen per here te pare ne Kosove ne fundshek 12, se para asaj kohe mund te kete pasur sllave te tjere po aq sa mund te kete pasur edhe ne territorin e Shqiperise(gje te sigurte s’ka), se ne Kosove ishte arkitektura e arti kishtar Bizantin e Bullgar, megjithate serbet nepermjet kishave e artit kishtar serb arriten shume shpejt ti japin Kosoves imazhin e nje vendi te banuar nga serbe dhe jo vetem kaq, por edhe me nje besim te patundur fetar, duke pare edhe dendesine e kishave dhe manastireve te modelit serb qe ja kalonin çdo territori serb.

    Cfaredo te kete pasur perpara ne Kosove, arber, bullgare(ne ka pasur sllave me siguri kane qene bullgare), vllehe apo ndoshta edhe greke, u asgjesua krejt, tashme Kosova brenda 2 shekujve nga pushtimi serb, paraqitej si djepi i serbise, ku kishte kisha e manastire serbe te pafundme.
    Po te me lejohet kjo pune vjen shume ere dhe gjithe struktura bazohet tek numri i madh i kishave dhe manastireve qe u ndertuan menjehere pas pushtimit te Kosoves.

    Keshtu edhe ne Shqiperi, sa me shume kjo mbushet me kisha e art kishtar grek aq me shume do krijohet imazhi i besimtareve te thekur ‘greke’ dhe dihet qe shpesh bota gjykon me ane te imazheve dhe klisheve sesa te dhenave ne terren.
    Pastaj po te fusim ne thes edhe çeshtjen e vetepercaktimit etnik, po te na dalin nja 400 mije minoritare (ne 800 000 ortodokse) atehere edhe keto Kisha e arte kishtare greke justifikohen si te ndertuara per besimtare greko-ortodokse te Shqiperise.

    Kemi te bejme me njerez qe e vrasin larg, ndertojne sot per te fituar mot.

    A krejt ndryshe do ishte çeshtja nese Kisha e madhe paraqet ndonje arkitekture kishtare shqiptare dhe dobroniket kane arritur nje ndergjegje e nivel artistik qe mund te quhen themeluesit e artit kishtar shqiptar.

    Ne kete rast gjithe zerat kunder do ishin thjesht zhurmues’. Po druaj se zhurma fsheh nje shqetesim real, dmth perseritjen per te kushedi te sajten here te te njejtit film.

    Une besoj se nese kishat e reja do identifikoheshin arkitektonisht si risi shqiptare dhe arti kishtar prape si risi shqiptare, atehere debati do ishte zero,ose katolike e myslymane do beheshin xheloze per kete gje dhe do gjenin kleçka.

  5. “Une besoj se nese kishat e reja do identifikoheshin arkitektonisht si risi shqiptare dhe arti kishtar prape si risi shqiptare, atehere debati do ishte zero,ose katolike e myslymane do beheshin xheloze per kete gje dhe do gjenin kleçka.”

    Dielli, i njejti diell, perendon andej nga ne e quajme lindje, dhe natyrisht ai lind kudo, edhe ne lindje.
    Vetem se emri i diellit ne gjuhe te ndryshme quhet ndryshe, nuk do te thote se jane po aq diej. Arti, arkitektura, kultura, jane diell, i pare nga individ, popuj, ashtu si ai/ajo/ata/ato jane e gjenden, pa ngaterruar faktin se kemi te bejme me diell.

    Eshte e ngushte, shume e ngushte kapelja shqiptare, qe kerkon ti futet, artit, arkitektures, kultures edhe ne se do qe ti gdhendesh cepat e gjitoneve/komshijve (vendeve). Arsyeja eshte e thjeshte, ajo (arsyeja) eshte ku do ku eshte njeriu, ashtu si arti, arkitektura jane atje ku njerzit jane, para, apo mbrapa emrave.

  6. Jam kurioz, a jane gazeta si Shekulli pergjegjese (moralisht) per komente racizmi e fobishe te larmishme, etj qe lihen ne faqen e tyre?

  7. Nuk e di se ç’do të shkruhej sot, nëse do bëhej një reçension i dytë i komenteve të shkrimit (mjaft të mirë) të Demos.
    Numri i komenteve nuk është shtuar kushedi se sa, në krahasim me reçensionin e parë, por është e pamundur që në reçensionin e dytë të mos përmendeshin komentet (e pafund) të ‘Poseidonit’ apo ndonjë tjetri që i mbante ison.
    Qënie vërtet të pashpresa…

    1. Nuk do të kishte ndryshuar shumë, Edrus. Siç e thashë më lart, ekstremet jo vetëm tërheqin njëri-tjetrin, por edhe kanë nevojë për njëri-tjetrin, që të legjitimohen.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: