UNË TË DEGJENEROJ

Në gjuhën shqipe të sotme (standard), folja degjeneroj përdoret me kuptimin “zvetënohem”, dhe më tej “humbas cilësitë pozitive të llojit”; njëlloj si edhe forma pësore-vetvetore degjenerohem dhe po ashtu edhe mbiemri i degjeneruar.

Është huazim relativisht i ri nga gjuhët neolatine (it. degenerare), pa ndonjë ndryshim kuptimi; edhe pse do të ketë pasur përdorime specifike në kohët kur diskursi fashist në lidhje me racën dhe pastërtinë racore përcillej me bujë edhe në trojet shqiptare.

Sinonime të saj janë degradoj (degradohem), keqësoj (keqësohem), rrëgjohem, katandis(em), e të tjera; gjithnjë sipas kuptimit bazë të keqësimit të diçkaje për shkak të bjerrjes së cilësive pozitive.

Fjalori i Shqipes së Sotme (2006) e jep foljen degjeneroj edhe si kalimtare, edhe si jokalimtare; por me pak përjashtime, e paraqet si të përdorur vetëm në vetën e tretë, njëjës dhe shumës; në përgjithësi, dallimi në përdorim midis degjeneroj dhe degjenerohem nuk është i qartë. Të krahasohet: Pse ka degjeneruar kështu? me Pse është degjeneruar kështu?

Duke qenë kështu norma, të habitin në vështrim të parë disa përdorime, përndryshe të shpeshta, të foljes degjeneroj në ndërtime kalimtare, me kuptimin e ri “poshtëroj, fyej, shkatërroj, lëndoj rëndë, përbalt, përdhos, fëlliq, përul, shkarëzej, telendis, zhburrëroj,” siç duket nga këta shembuj të nxjerrë nga mediat:

Kur do m’i japësh atletet? Milioneri degjeneron Erik Fullanin.

Noisy degjeneron Encën.

Arjan Çani degjeneron këngëtaren live në emision.

Kompozitori Lalo degjeneron keq Mirela Kumbaron.

Këngëtari shqiptar degjeneron ish-të dashurën.

Kur femra të degjeneron.

Julian Deda degjeneron Jolezën.

Deputetja degjeneron: Rama në ëndërr sheh Vuçiçin.

Vlonjati degjeneron ish të dashurën.

Fjolla Morina e degjeneron Alketa Vejsiun.

Ben Blushi degjeneron qeverinë, i detyron të dalin nga Parlamenti.

Vajza nga Tirana degjeneron djalin.

Edi Rama degjeneron totalisht Ben Blushin.

Drini Zeqo degjeneron Top Channel.

Deputeti i LSI Spahiu degjeneron deputetin e PS…

Ish-deputeti i PD-së degjeneron policin.

Mesila Doda degjeneron ministren Nikolla.

Maniaku ngacmon seksualisht 21 vjeçarin në autobus, i riu e degjeneron.

Erjoni: Alma kthehu. Ajo e degjeneron në rrjet.

Vlonjati i kërkon të dashurës ta bëjnë treshe, por ajo e degjeneron.

Berisha degjeneron Ramën.

Bajerni degjeneron keq Hamburgun.

Këta shembuj, dhe plot të tjerë që gjenden lehtë, dëshmojnë për një kuptim rrënjësisht të ri të foljes degjeneroj – e cila tanimë nuk shënjon një ndryshim (keqësim) të një gjendjeje a karakteristike, ose diçka që ndodh, por një veprim të qëllimshëm që zakonisht ia bën një person një tjetri, për ta poshtëruar në sytë e të tjerëve (ky kusht i fundit ka rëndësi kritike).

Meqë këtë kuptim nuk e kam gjetur dot në gjuhë të tjera, dyshoj se ka lindur brenda shqipes; dhe pikërisht shqipes së mediave.

Preskriptivistët këtu do të thonin, me gjasë, se përdorimi është jonormativ, meqë ndeshet vetëm në habitate specifike të shqipes bisedore të mediave dhe të rrjeteve sociale; duke shënjuar një zhvillim kuptimor që nuk ndjek rregullsitë e pranuara të shqipes. Kushedi edhe do të shtonin që shqipja i ka fjalët për përdorimin e ri (“poshtëron, fyen, lëndon rëndë, etj.”), prandaj ky kuptim i ri është jo vetëm i parregullt, por edhe i panevojshëm.

Për mua këtu, gjithsesi, ka interes të kuptoj se pse ka nisur të përdoret kështu folja degjeneroj – ose për ç’nevojë; sa kohë që përdoruesit e saj i kanë në dispozicion sinonimet ekzistuese. Dhe këtu nuk mund të mjaftohem me shpjegimin se ky përdorim i detyrohet thjesht dëshirës për të përdorur fjalë “të huaja” ose për t’u treguar me kulturë perëndimore ose bartës i një trendi të caktuar. Gjithnjë besoj se ata që e përdorin degjeneroj me kuptimin “fyej rëndë” e kanë një arsye për këtë.

Dhe në fakt, nga shembujt që kam mundur të mbledh, më del se degjeneroj, me kuptimin “fyej rëndë, përbalt, poshtëroj” përdoret për të shënjuar një sulm, sharje, fyerje a përbaltje spektakulare, të kryer në publik, zakonisht para kamerave në emisione live ose në reality shows, ku marrëdhëniet ndërpersonale – ku hyn edhe fyerja a përbaltja – janë gjithnjë edhe pjesë e një performance për të tretin, i cili mund të jetë publiku televiziv ose edhe surrogati i këtij publiku në studio.

Jo rrallë, këto “degjenerime” mund të vijnë të skriptuara, me synimin për të futur një element konflikti në një emision dhe për të tërhequr audiencën.

Brenda kontekst ku ndodh, “degjenerimi” ende nuk është leksikisht i tillë; pse mbetet akoma fyerje, poshtërim, sharje; dhe degjenerimi fillon atëherë kur ky incident, i vërtetë a i trukuar qoftë, i përcillet publikut me një video, ose si lajm në kronikat e “showbiz-it”, ose si thashethem klik-joshës. Kjo mund të shpjegojë deri-diku edhe pse foljen degjeneroj, si folje kalimtare me këtë kuptim të ri, e ndesh zakonisht në vetën e tretë, degjeneron; meqë ajo gjendet gjithnjë brenda diskursit përshkrues a shoqërues të një pale të tretë (p.sh. medias), e cila ia përcjell incidentin publikut, duke i thënë “shih çfarë po ndodh, zbavitu.”

Vitet e fundit, për shkak të një sinergjie prirjesh gjithfarësh në televizion dhe në rrjetet sociale, janë shtuar në qarkullim video-klipet e nxjerra nga emisionet televizive të tipit talk show ose reality show, ose edhe videot amatoriale a të rinxjerra nga xhirimet e kamerave të vëzhgimit, të cilat video përmbajnë zënka, përplasje ndonjëherë edhe fizike, provokime të kalimtarëve (candid camera), përplasje makinash, rrëzime njerëzish në ujë ose në akull dhe lloj-lloj aksidentesh dhe incidentesh në të cilat viktimat poshtërohen ose vihen në pozita poshtëruese a të padëshirueshme.

Arsyet pse tërhiqemi pas pamjeve të tilla nuk janë të lehta për t’u kuptuar; por duhet të kenë të bëjnë me një nevojë tonën primordiale, që të mësojmë nga situata ku të tjerët si ne vihen në rrezik. Kështu mund të shpjegohet pse një video ku këngëtares i këputet rripi i fustanit dhe i del gjiri përjashta shihet shumë më tepër se videoja ku këngëtarja thjesht performon këngën. Këtë e dinë mirë edhe të gjithë ata regjisorë dhe producentë, që i kërkojnë këngëtares ta lirojë pak rripin para se të dalë në skenë.

Në televizionet italiane është bërë i njohur tashmë kritiku i artit Vittorio Sgarbi, për zënkat që provokon kur është ftuar në debate ose edhe thjesht biseda televizive; sidomos kur, pa pritur e pa kujtuar, vihet të “degjenerojë” të ftuarit e tjerë, duke i sulmuar si injorantë, të trashë, të pagdhendur, inkompetentë, e kështu me radhë. Kaq është përsëritur ky fenomen, sa teleshikuesit tashmë presin “degjenerimin” e radhës, sa herë që e shohin Sgarbin mes mysafirëve në një studio debati.

Me gjasë, ky “degjenerim” – në kuptimin e poshtërimit publik të tjetrit – është kristalizuar tashmë si përftesë mediatike, e cila synon dhe ndonjëherë siguron angazhimin e një publiku pa pretendime, ose trashëgimtar të sehirxhnjve të djeshëm, të cilët mblidheshin për të parë, me durim, si do ta ngrinte karrocieri nga toka kalin e rrëzuar, ose si po ziheshin dy gra rome, në tregun e mbathjeve të përdorura.

Kur ka nevojë për diçka të re, gjuha përdor atë material që ka në dispozicion; dhe në rastin tonë, duket se thjesht ia ka ndryshuar natyrën një foljeje nga jokalimtare (mesore) në kalimtare dhe ia ka kufizuar përdorimin në vetën e tretë, duke e specializuar në diskursin narrativ (diegjetik).

Çfarë ka ndodhur (po ndodh) me foljen degjeneroj ka interes kryesisht ngaqë procesi ende nuk ka përfunduar; në kuptimin që studiuesi mund ta filmojë live.

10 Comments

  1. Burimin e ka tek injoranca, ose tek dukuria e analfabetizmit funksional, fillimisht ne gojen e “te forteve” te lagjes, pastaj ne gojen e grave me sjellje te lirshme ne publik dhe me pas ka hyre ne gjuhen e mediave, si ndjekese e zellshme e “trendit modernizues” te demokrazise qe, ndryshe nga gjithe bota, Shqiperise i fillon nga vulgu”…

  2. Kapërcimi i “degjenerimit” (apo degjenerimi i “degjenerimit” 🙂 ) mund të ketë ardhur vërtetë nga mënyra e diskursit publik në Shqipëri – sidomos atij politik në TV – i cili rregullisht degjeneron dhe komentohet pastaj me “biseda degjeneroi ne sherr” apo “diskutimi degjeneroi në sharje dhe fyerje mes pjesëmarrësve” etj, fenomen ky që ndodh aq shpesh në TV shqiptare, sa degjenerimi i diskursit është, në fakt, rregulli dhe jo përjashtimi. Prej këtej, kapërcimi bëhet kollaj nga “diskutimi degjeneroi” te “filani degjeneroi fistekun”, gjatë diskutimit apo përplasjes.

    Nga shembujt më sipër, mua “të degjeneroj” më duket si varianti modern i të bërit tjetrit “leckë”: “e bëra tjetrin leckë fare”, “e bëri tjetrën leckë para të gjithëve” etj.

  3. Si nje shembull te devijimit te fjaleve apo shprehjeve te ndryshme nga kuptimi origjinal, po tregoj nje histori te shkurter nga e kaluara pak a shume e larget.

    Shkonim me sherbim ne nje rreth verior, por makina dhe shoferi ishin te nje ndermarrjeje me te cilen ne kishim bashkepunim. Shoferi ishte rom dhe nje e dy kur qeshte i shtonte asaj qe thoshte nje “divertiment sempre”. Une e pyeta cfare dmth kjo, e ai m’u pergjigj “gjarper i eger”. I thashe se kuptimi i kesaj shprehje ishte krejt tjeter e ai m’u pergjigj se ku merrja vesh une, kete pune atij ia kishte shpiguar K.F (inicialet nuk jane reale), nje nga te “fortet” e rralle te asaj kohe.

    Desha te them, pa asnje pretendim special, se ndoshta keto lloj devijimesh fillojne nga goja e ndonje personazhi qe peshon diku per dicka dhe pastaj perhapen dhe zene vend. Ne mbeshtetje te kesaj po kujtoj ketu (megjithese jo ne kuptim te devijimit te kuptimit, por thjesht te repetivitetit qe mund te marre dicka vetem sepse thuhet nga ndonje i “forte”). Kur dikush “i forte” i atribuoi Shvejkut thenien: “C’me duhet mua kush jam une” dhe pastaj per nuk e di sa kohe u be e modes qe shume personazhe te politikes ta rimerrnin kete shprehje dhe t’ia veshnin Shvejkut. Mjafton ta lexosh “Shvejkun” per ta verifikuar qe Shvejku kerkund dhe as nje here nuk e ka thene kete shprehje.

    1. Shumë e vërtetë, një pjesë e ndryshimeve që ndodhin në gjuhë, dhe jo vetëm leksikore por edhe fonetike, e kanë burimin te idiolekti i ndonjë personi ose zhargoni i një grupi me prestigj të veçantë.

      Nga ana tjetër, jo çdo idiolekt a zhargon me prestigj lë gjurmë – sepse gjurma varet edhe nga nevoja që ka komuniteti, në atë moment, për një modifikim gjuhësor të caktuar.

      Për shembull, ti mund të jesh shkrimtar kombëtar dhe të shpikësh fjalë të reja që ty të bëjnë punë në tekstet, por që këto fjalë të hyjnë në përdorim, duhet që përdoruesit të kenë nevojë për to.

      Origjina e një ndryshimi gjuhësor mund të jetë triviale – por nëse ai pranohet apo jo, kjo ka gjithnjë arsye strukturore; që në leksik zakonisht do të thotë se për një fjalë a kuptim të ri po ndihet nevoja.

      Përndryshe, një arsye strukturore madhore, që vepron në kushte normale, ose ku nuk ka interferenca nga një gjuhë tjetër, është ekonomia gjuhësore, ose parimi i konservimit të energjisë në të folur (që vepron derisa bie ndesh me nevojën për t’u kuptuar nga tjetri).

  4. Falemnderit qe e solle kete ide ketu! Dukuri shume interesante, dhe qe nuk e kisha rastisur, sido qe nga shembujt duket se ka marre dhene. Nga trajtimi yt, duket sikur ti mendon qe “degjeneroj” ne kete kuptim nuk eshte me folja e dikurshme, jo vec nga natyra e vet gramatikore (diateze e tranzitivitet), por edhe kuptimin e vet; pra nuk do te thote me thjesht “te poshteroj e fyej”, dhe as “te poshteroj e fyej publikisht”, por “te poshteroj e fyej publikisht ne prani mediash”. Ne kete kuptim kemi nje njesi krejt te re qe hyn ne gjuhe me funksionalitetin, krenarine dhe pafajesine e cfaredo njesie tjeter leksikore. E, prapeseprape, sinjalizon ekzistencen e “felliqesise” manipuluese dhe vulgarizuese te mediave moderne qe ti shpjegon kur jep kontekstin social, kulturor e teknologjik te perdorimit.

    Gjeja me interesante ne shkrim per mua eshte ekzaminimi i mundesise qe deshira e forte per te konformuar me paturpesine e shtytjeve te paskrupullta mediatike, te kete qene arsyeja e ketij shnderrimi gramatikor te foljes. Nuk e di sa mund te jete keshtu, por eshte interesante te vezhgohet. Sic thua edhe ti, procesi eshte ne zhvillim e i paperfunduar. Ndryshime gramatikore (jo ato kuptimore) te kesaj natyre qe mua me benin shume pershtypje dikur kane qene ato qe hyne ne mediat shqiptare nga perdorimet e kosovarishtes mediatike, qe vete ose i kishin zhvillime te brendshme origjinale, ose pasqyrime te natyres gramatikore te te njejtave folje ne serbo-kroatisht. Ia vlen te shihet nese edhe ky perdorim vjen a jo prej shqipes perdorur prej mediave kosovare.

    Gjithsesi eshte nje zhvillim jo i panatyrshem ne gjuhe. Ve re ne fjaline e pare qe une perdor: “kete nuk e kisha rastisur”. Ndjesia ime eshte se me pare eshte perdorur “nuk rastis/ nuk me kish rastisur” etj, ndersa une e perdor si aktive kalimtare pa elementin themelor kuptimor te pesimit. Perdorimi aktiv tranzitiv eshte me i vonshem sipas meje, dhe do ishte me i sakte i perdorur me foljen “has” si “nuk e kisha hasur”.

    E fundit, “te degjeneroj” mua me duket shume afer me “te marr erezin”, vecse me elementin mediatik qe ti diskuton me lart.

  5. “Te degjeneroj“ dhe “E degjeneroi fare“ perdoreshin shpesh ne gjuhen e konfliktit te rruges ne vitet 90-te dhe ne ate forme kuptimore qe permenden komentuesit e mesiperm.
    Me gjasa degjenerimi ne perdorim dhe kuptim kishte filluar si proces vite me pare. Mbaj mend qe keto lloj shprehjesh perdoreshin shpesh ne kontekstin social, dmth degjenerimi behej dhe merrte peshe ne publik. Qe ketej edhe kalimi i natyrshem nga perdorimi ne rruge tek mediat rrugace ne ditet tona.

  6. Ky perdorim besoj se e ka prejardhjen te zhargoni rinor i Tiranes i ketyre njezet viteve te fundit prej nga ka hyre ne gjuhen e mediave pikerisht nga gazetare te rinj qe e perdorin natyrshem ne gjuhen e tyre te folur ne shprehje te tipit: “E pe se ç’i beri? E degjeneroi fare” ne kuptimin “i nxori bojen, e turperoi”. Eshte nje nga rravgimet e gjuhes se shtypit te sotem, shprehje e injorances dhe e kultures se ulet gjuhesore te gazetareve, por edhe e prirjes se disa mediave te tipit tabloid per te qene sa me afer gjuhes popullore.
    Sa here qe shkoj ne Shqiperi me qellon te degjoj shprehje qe nuk i kam degjuar me pare dhe qe ndonjehere i has edhe ne gjuhen e shtypit. Si p.sh. shprehja “i hap telefonin dikujt” ne kuptimin “i pergjigjem nje telefonate ne celular”. Mbaj mend qe kur isha nxenes ne tetevjeçare mesuesi i letersise kritikonte perdorimin e foljeve “hap” dhe “mbyll” ne kuptimin “ndez ose fik nje pajisje elektrike ose elektronike: hap driten, radion etj.” – Dera hapet, ndersa drita ndizet, – thoshte mesuesi. Sot pas dhjetera vjetesh keto perdorime nuk ndihen me si te gabuara.
    Po ashtu me ka bere pershtypje keto kohet e fundit perdorimi kalimtar i foljes “telefonoj” qe dikur perdorej vetem si jokalimtare: “i telefonoj dikujt”, ndersa sot gjithmone e me shpesh perdoret si “telefonoj dike”.
    Perdorime te tjera tipike te gjuhes se shtypit qe nuk i gelltis dot jane folja “ekzekutoj” me kuptimin “vras dike” (nusja e ekzekutoi vjehrren me sopate) dhe folja “konsumoj” me kuptimin “ha” ose “pi”. E keqja eshte se keto te fundit mund te ndjekin nje rruge te perkundert me ate te “degjeneroj”, d.m.th. nga gjuha e shtypit te hyjne ne gjuhen e folur. Heren e fundit qe shkova vetem ne Tirane me erdhi ne shtepi fqinja me nje pjate me byrek. Ndoshta per t’u dukur sa me intelektuale me pyeti “a e konsumon byrekun”? 🙂

  7. Fenomen i perjetshem me gjuhe-n/t! Ne rastin e “degjenerimit” do thoja se dikur perdorej kjo fjale me shume ne vetvetore, per vete apo dike tjeter, p,sh, “u degjenerova fare”, “u degjenerua fare”, qe do te thoshte u diskretitova vete apo u diskretitua ai tjetri vete. Ndersa ne vetore (p.sh. e degjeneroi) nuk para perdorej, pasi kishte duket kuptim te rende! Sot kjo fjale ka perdorim te gjere pasi perdoret per cdo rast nga kosovaret, leksiku i te cilve eshte me i varfer nga ai i Shqiperise. Besoj se sot gjinden ne Shqiperi 500 mije (ne vere ndoshta deri 1 milion) kosovare, ndaj dhe gjuha e Shqiperise ka marre mjaft tipare te tyre. Ky ndikim tek gjuha shqipe nga kosovaret dhe gjuhetaret e Kosoves ndihet deri tek fjalore te ndryshem dhe tek perkthimet e googles. P.sh. nje here, tek une kerkoja perkthimet e fjales “vershon”, me dilnin perkthimet e fjales “sulmon”, “hidhet mbi armikun”, gje qe binte menjehere ne sy se vinte nga perkthyes kosovare te hershem ne perendim, te cilet nuk e dine se me pare kjo fjale ka kuptimin e renies dhe rrembimit te ujit, pastaj kuptimet e tjera, si ato te luftes, etj.

  8. Nje shkalafitje e tillë fjalësh, në dukje skandaloze (ose gjuhësisht jo korrekt) mund te ndodhe edhe duke rinovuar dhe sublimuar gjuhen artistikisht.
    Ky eshte rasti i nje poeti te veçante, gjenial, veçanësitë e gjuhës së të cilit më kujtoi forma « të degjeneroj ». Eshtë fjala për Gherasim Luca-n, poet i madh me origjinë rumune, por që veprën e tij madhore poetike e ka në frëngjisht. Ishte mik i Paul Celan-it dhe Tristan Tzara-s.

    Nëse në shqip folja degjeneroj shihet ndonjëherë edhe në forme kalimtare (pra logjikisht kalon pa shume tronditje), absurditeti i përdorimit të fjalëve te Luca shkon deri atje ku nuk e përfytyron dot, por tamam kjo e shtyu filozofin Gilles Deleuze të thotë se ai e rinovoi poezinë dhe e shpuri gjuhën në limitet e saj shprehëse.

    Këtu po sjell origjinalin e disa vargjeve të tij dhe shënimet e mia anash tyre nuk janë përkthim mirëfilli por ca shenja gjuhësore për të krijuar një ide për këtë poet që më entuziazmon shumë.

    Gjithsesi çdo tentative për përkthim të mirë do të qe e dështuar po qe se publiku shqiptar nuk do të kishte më parë një përvojë disi më të avancuar “shkalafitjeje gjuhësore” të tipit unë të degjeneroj.

    Sikundër edhe miku i tij P. Celan edhe G. Luca vdiq duke u hedhur në Sene.

    Vargjet janë marrë nga poema La fin du Monde
    ……..

    Tu glisses Je te cuisse (ti rrëshqet, unë të kofshë)
    je te caresse Je te frissonne (unë të përkëdhel, unë të fërgëllon)
    Tu m’enjambes (ti më kalëron)
    Tu m’insupportable (ti më padurueshme)
    ….
    Tu me vertige (ti më marramendje)
    tu m’extase (ti më dalldi)
    tu me passionnément (ti më pasionisht)
    …..
    je t’amazone (unë t’amazon) (kujdes, jo amazonoj)
    je te jarretelle (unë të zharrete (mbajtëse e çorapeve te gratë), (por jo te mberthej çorapet)
    je te bas (unë të çorap) (kujdes, jo te vesh çorapet)
    je te Bach (unë të Bah (Johan Sebastian))
    oui je te (po, unë të)
    Bach pour clavecin sein (Bah për klaviçembël gji) (mbase gjinjte e bollshme te nje gruaje i duket si tastiere klaviçembole)
    et je te tremblante (dhe unë të drithëron) (pra, jo te dridheroj)

    Një njohëse e mirë e leterisë Patricia Bonnard), u ul tani vonë dhe për qejfin e saj shkruajti një vjershë sipas stilit të mësipërm të G. Luca-s.

    Po jua sjell këtu:

    Je te page et te feuille (unë të faqe e të fletë) (jo te faqos e te shfletoj)
    Je te vers et te strophe (unë të varg e të strofë)
    Tu me prose et me chapitre (ti më prozë e më kapitull)
    Je te journal intimement (unë të ditar intimisht)
    Tu me livres passionnément (ti më libër me pasion)

    Shpresoj se nuk jam shumë larg temes por gjithçka filloi me unë të degjeneroj

  9. Mos ndoshta është zhvilluar nga fjala fyese e viteve ’80 “degjeneratë”?

Comments are closed.