GJUHËS NUK I GJENDET NËNA

Në ligjërimin albanologjik, dhe jo vetëm në kontekste divulgative, dëgjon shprehjen “shqipja është bijë e ilirishtes”, sikurse dëgjon që “frëngjishtja është bijë e latinishtes”, ose – anasjellas – që “ilirishtja është nëna e shqipes”; bëhet fjalë për një metaforë, e cila lë të kuptohet se një gjuhë “ka lindur” një tjetër, ose një gjuhë “ka dalë” nga një tjetër, siç del fëmija nga nëna; sikurse lë të parakuptohet se “nëna” e një gjuhe i paraprin “bijës”, pra duke vendosur edhe një lloj kronologjie primitive.[1] Askush nuk e merr këtë metaforë literalisht, por përgjithësisht mbahet si e mirëqenë që një gjuhë të rrjedhë nga një gjuhë tjetër, e mëparshme; edhe pse kufiri i saktë kronologjik mes tyre, ose – të themi – ku mbaron latinishtja e ku fillon frëngjishtja, nuk përcaktohet dot (në fakt, nuk ekziston). Për shqipen, disa argumentojnë se është formuar si e tillë, si shqipe, dikur në mesjetën e hershme, në kohën e shpërbërjes së Perandorisë Romake ose të dyndjeve barbare dhe gjithsesi në periudhën mu para kontakteve me sllavishten; dhe këtë ndonjëherë e ilustrojnë me kristalizimin e disa karakteristikave fonetike ose gramatikore, siç mund të jetë shfaqja e nyjës së pasme, ose e së kryerës analitike (e tipit kam mësuar), ose e paranyjëzimit të disa mbiemrave dhe përemrave, ose e rotacizmit në toskërishte, etj.; dhe se çfarë ishte më parë ilirishte u bë më pas shqipe (ky arsyetim natyrisht parakupton edhe se shqipja është vazhduese e ilirishtes). E kështu me radhë.[2]

Saussure-i e hedh këtë koncept poshtë kategorikisht. “Nuk ka gjuhë bija dhe gjuhë nëna,” thotë ai, “nuk ka asgjëkundi dhe nuk ka pasur kurrë. Përkundrazi, ka në çdo rajon të globit një gjendje gjuhësore që shndërrohet ngadalë, nga java në javë, nga muaji në muaj, nga viti në vit dhe nga shekulli në shekull… por nuk pasur kurrë asgjëkundi lindje të një gjuhe të re nga një gjuhë e mëparshme.”

Po atëherë si ta arsyetojmë, pyet ai, ligjërimin për lindjen dhe vdekjen e gjuhëve?

Të fillojmë nga vdekja. “Një gjuhë nuk mund të vdesë natyrshëm. Mund të vdesë vetëm nga një vdekje e dhunshme… duke u asgjësuar me forcë, nga një shkak krejt i jashtëm ndaj fakteve të gjuhës. Për shembull, nga shfarosja totale e popullit që e flet… ose nga imponimi i një gjuhe të re për shkak të një sundimi politik, por edhe të një epërsie në qytetërim[3]; dhe shpesh, falë pranisë së një gjuhe të shkruar që imponohet nëpërmjet shkollës, nëpërmjet kishës, nga administrata… dhe përmes të gjitha xhadeve të jetës publike dhe private. Kështu ka ndodhur me keltishten e Galisë, që u zëvendësua nga frëngjishtja… Por këto nuk janë shkaqe gjuhësore. Nuk ndodh kurrë që një gjuhë të vdesë për shkaqe të brendshme, pasi të ketë arritur në stacionin e fundit. Në vetvete, gjuha nuk mund të vdesë, në kuptimin që nuk ka asnjë arsye që transmetimi i saj të ndërpritet, për ndonjë arsye që ka të bëjë me organizimin e saj.”

Pastaj Saussure-i i kthehet një citati që gjen te një vepër e njohur gjuhësore e atyre viteve: “Gjuha lind, rritet, rrëgjohet dhe vdes, si çdo organizëm” dhe e tregon me gisht, si provë të një mendësie të përhapur edhe mes gjuhëtarëve, dhe që çon drejtpërdrejt te konceptimi i gjuhësisë si shkencë natyrore. “Jo,” thotë ai, “gjuha nuk është organizëm, nuk është një bimësi që ekziston pavarësisht nga njeriu, nuk ka një jetë të vetën që të parakuptojë një lindje dhe një vdekje. Nga fraza e cituar, asgjë nuk qëndron: gjuha nuk është qenie e organizuar, nuk vdes vetvetiu, nuk rrëgjohet, nuk rritet, në kuptimin që nuk është se kalon përmes një fëmijërie, një moshe të pjekur dhe një pleqërie dhe, më në fund, nuk lind.”

“Kurrë nuk është vënë re në faqen e dheut,” vazhdon Saussure-i, “lindja e një gjuhe të re[4]… dhe kjo për dy arsye: askush nuk e dëshiron këtë, sepse çdo popull është tërësisht i kënaqur me gjuhën e vet amtare; dhe pastaj, edhe sikur të donte kush të sillte një gjuhë të re, masat nuk do ta përqafonin këtë nismë, sepse nuk do të hiqnin dorë nga gjuha me të cilën ishin mësuar.”

Por nëse një gjuhë nuk është parë gjëkundi të lindë, atëherë ç’kuptim do të kish të flitej për moshën e gjuhës?” thotë ai. “Edhe këtu, duhet të sqarohemi për çfarë po flasim. Ka një konfuzion të madh me përdorimin e mbiemrit e vjetër, në raport me gjuhët… Në fakt, të gjitha gjuhët që fliten, në të njëjtën epokë, kanë të njëjtën moshë, sepse i referohen së njëjtës së shkuar… Po të duam, mund të nisemi që nga origjina e parë e gjuhës; por pa shkuar aq thellë, le të themi se çdo gjuhë indo-europiane që flitet aktualisht ka ekzaktësisht të njëjtën moshë, në raport me kohën kur flitej indo-europianishtja primitive.”

Saussure-i më tej shpjegon se mund të quajmë të vjetra gjuhë të vdekura, si galishtja, fenikishtja, etj., të cilat janë çrrënjosur (extirpés). Dhe më në fund, shpjegon ai, mund të themi se një gjuhë është më e vjetër se një tjetër, në kuptimin paradoksal që është ruajtur më mirë; p.sh. “greqishtja është gjuhë më e vjetër se latinishtja në epokën kur fliteshin të dyja, sepse i pat qëndruar më afër modelit primitiv indo-europian.”[5]

Arsyetimet më lart shkojnë më thellë se ç’mund të duket. Në fakt, pyetje të tilla se “nga ka ardhur shqipja”, apo “sa e vjetër është shqipja” mund të tingëllojnë, për shumë të interesuar, si çështje nga më themeloret të albanologjisë gjuhësore; prandaj sot e kësaj dite duhet guxim intelektual, për t’i vënë në dyshim dhe aq më tepër për t’i diskredituar si jo-shkencore. Vetë hipoteza e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja mbështetet mbi metaforën e gjuhës bijë dhe të gjuhës nënë, të cilën Saussure-i e nxjerr si të papërshtatshme – edhe pse kjo thjesht do të thotë se, kur flasim për historinë e shqipes në lashtësi, termi “ilirishte” është konvencional[6], dhe duhet marrë thjesht si sinonim i termit “shqipe e hershme” (kjo për ata që e mbrojnë hipotezën ilire). Çfarë do të thotë edhe se, në atë masë që shqipja është gjuhë indo-europiane, ka pasur gjithnjë një vijueshmëri, të paktën nga hershmëria e indo-europianishtes së përbashkët, te shqipja që flitet sot, në kuptimin që një sasi nënash u kanë mësuar fëmijëve të njëjtën gjuhë që atyre u patën mësuar nënat e tyre; nuk ka pasur, pra, ndërprerje të amtarísë në gjuhë. Kjo nuk e përjashton diferencimin – ose atë që ndodh kur, edhe pse nënat janë të bindura se po u mësojnë bijave gjuhën e nënave të tyre, kjo shpie, brez pas brezi, në përftimin e gjuhëve aq të ndryshme mes tyre, sa armenishtja dhe portugalishtja, sa për të sjellë një shembull; ose dinamikën e raporteve mes ndryshimit gjuhësor dhe identitetit. Saussure-i, në pasazhet që kam sjellë më lart, kërkon të provojë se modeli biologjik për gjuhën si organizëm nuk mund të mbrohet; argumentet e tij nuk tregojnë, megjithatë, ç’model duhet ndjekur pikërisht, për të përshkruar një sistem gjuhësor në diakroni.

 

© 2021-2024 Peizazhe të fjalës™ për dhënien në shqip. Sa më lart është një përmbledhje e zgjeruar, por jo përkthim i plotë i një pasazhi nga Première conférence a l’Université de Genève, novembre 1891, nxjerrë nga vëllimi Écrits de linguistique générale, Éditions Gallimard 2002 (f. 153-156).

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Më kujtohet që, në leksionet e gramatikës historike të shqipes, Shaban Demiraj gjithnjë kujdesej që ta rrethonte termin “nëna e shqipes” me thonjëza zanore, për të lënë të kuptohej se ishte fjala thjesht për një ekspedient, ose për emrin (thjesht konvencional) të një faze (më) të hershme të shqipes.

[2] Kjo nuk ka lidhje me faktin e njohur që, në periudha të caktuara, një gjuhë ndryshon më shpejt se në periudha të tjera; çfarë mund të lidhet ose jo me faktorë historikë, të tillë si përzierja e popullsisë, asimilimi i një populli tjetër, humbja e shkrimit ose adoptimi, etj.

[3] Shembull i një zhdukjeje jo të dhunshme do të ishte ai i etruskishtes në Itali.

[4] Te një pasazh që unë e kam lënë jashtë kësaj përmbledhjeje, Saussure-i diskuton edhe statusin e gjuhëve artificiale, si volapük-u ose esperantoja, të cilat kanë, në fakt, datëlindje.

[5] Indo-europianistët gjykojnë se shqipja – edhe në fonologji edhe në gramatikë, pa folur për leksikun – është treguar goxha inovuese në ecurinë dhe transformimet e veta, në raport me indo-europianishten primitive; ashtu, duke ndjekur modelin përkufizimor të Saussure-it më lart, do të na duhej ta quanim “gjuhë e re” (në krahasim, p.sh., me lituanishten).

[6] Në fakt, ata që i japin peshë të madhe hipotezës ilire, e bëjnë këtë për arsye të vijueshmërisë gjeografike të popullit folës (autoktonia), jo për arsye mirëfilli gjuhësore; aq më tepër që ilirishtja nuk njihet pothuajse fare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin