MAGAZINAT PA INVENTAR

Folëm këto ditë edhe rreth sinonimisë absolute – në kontekstin e diskutimit për lukthin; disa e konsiderojnë këtë si pasuri të gjuhës, ose e shumta, e likuidojnë problemin me një “ç’të keqe ka” – por kaq nuk mjafton; sepse sinonimia absolute, si rregull, mund të krijojë pështjellim.

Të marrim fjalën vozit, e cila në Kosovë përdoret me kuptimin “të ngasësh (makinën)”, së bashku me vozitës, e cila shënjon drejtuesin e mjetit. Kjo çerdhe fjalësh, në Shqipëri, përdoret me kuptimin tjetër, “ngas barkën me lopata (rrema)”; dhe në fakt, Fjalori i 1984-ës, që kam përpara, e konsideron si fjalë bisedore dhe kuptimin “ngas makinën” as që e ka fare. Por këto mangësi të Fjalorit tani mësuam si t’i neutralizojmë.

Gjithsesi, me kuptimin “ngas makinën”, fjala vozit konoton Kosovën, si gjeografi gjuhësore, duke iu referuar shqipes që flitet atje – njëlloj si fjala lift, për “ashensor”, konoton Britaninë e Madhe, për amerikanin (që i thotë ashensorit elevator).

Në Shqipëri, deri para 20 vjetësh, nuk kishte vozitës, por shoferë – meqë të ngisje makinën nuk mund të ishte veçse profesion. Sot punët kanë ndryshuar, dhe po ndihet nevoja për një fjalë të përshtatshme për driver – meqë drejtues i mjetit tingëllon tepër burokratike, librore; ndërsa vozitës disi krahinore; ndërkohë që folja ngas nuk ofrohet lehtë si temë për një nomen agentis (ngarës?). Dhe kështu, shqipja e Tiranës ka mbetur pa një fjalë neutrale, standard, për driver – edhe pse ka përpjekje për të përdorur vozitës, fjalë që ndokujt mund t’i duket edhe e shëmtuar, ose t’i kujtojë vozën, që me këtë fushë tematike nuk ka punë fare. Natyrisht, fajin këtu e ka, sidomos, fjala shofer, e cila ishte ngulitur mirë në shqipe; por që tani nuk mund të përdoret më, sepse shoferi është, para së gjithash, ai që e nget makinën si profesion dhe për llogari të dikujt tjetër.

Punë të ngatërruara. Si rregull, gjuha nuk i toleron sinonimet absolute prandaj, me kalimin e kohës, gjithnjë do të diferencojë mes tyre – siç ka ndodhur, me shqipen në Shqipëri, midis fjalëve kokë dhe krye, të cilat kanë krijuar fushat e tyre të përdorimit, ku kokë përdoret më shumë për të shënuar pjesën e trupit dhe selinë e mendjes, etj.; ndërsa krye për pozicionin fillestar të dikujt ose të diçkaje, edhe në hapësirë edhe në kohë. Pikërisht zhvillime të tilla e pasurojnë leksikun – në dallim nga dukuria “magazinë pa inventar”, që e ndesh rëndom në fjalorët dhe që disa, gabimisht, e konsiderojnë si provë të pasurisë leksikore.

Për mua, prania e shumtë e sinonimeve absolute në leksik vetëm sa dëshmon që shqipja i ka kapërcyer vetëm shumë vonë kufijtë e të folmeve dhe krahinave; dhe kështu nuk ka pasur mundësi të diferencojë midis fjalëve me kuptim të njëjtë, që krejt papritur e gjetën veten të përdorura krah për krah, në të njëjtat kontekste.

Të marrim dy folje sinonime absolute, si shkoj dhe vete; dallimi mes këtyre, tradicionalisht, ka qenë se vete është më tepër e toskërishtes. Më parë, kush thoshte shkoj, nuk do të thoshte vete – por sot kjo ka ndryshuar – unë, p.sh. i përdor të dyja lirisht, por nuk jam në gjendje të them se pse përdora njërën dhe jo tjetrën, për një kontekst të caktuar.

Në fakt, shkoj dhe vete janë takuar së bashku që nga momenti kur shqipja u bë gjuhë e një shteti; dhe, më saktë akoma, kur bartës të gegnishtes dhe të toskërishtes filluan të jetojnë së bashku në Tiranë. Kjo përzierje dialektesh nga gjeografi të ndryshme ka ndodhur që prej një shekulli me shqipen në Shqipëri; por përgjithësisht jo me shqipen në Kosovë përveçse në nivelin libror ose shkollor – prandaj këtu kemi, besoj, jo vetëm shkakun e konflikteve tona gjuhësore, por kushedi edhe çelësin për zgjidhjen e tyre.

Për fat të keq, leksiku i shqipes standard është i mbushur me sinonime të tilla, leksikografike, që përndryshe përjashtojnë njëri-tjetrin, në kuptimin që ku përdoret njëri, nuk përdoret tjetri. E përsërit, kjo është shenjë e prapambetjes dhe e varfërisë leksikore; sepse një gjuhë e përpunuar ka pasur kohë të diferencojë mes këtyre sinonimeve – në kuptim, në sfera përdorimi, në stil dhe në regjistër.

Të vazhdojmë me foljet: qes dhe kall nuk është se janë krejt dialektore; por përndryshe nuk ka arsye pse të përdoren, në vend të nxjerr dhe fut, përveçse për ta ngjyrosur ligjërimin gjeografikisht; në kuptimin që, kur konteksti është neutral, personi që përdor foljen qes do të identifikohet edhe si “personi që përdor foljen qes” (dhe le të mos filloj me kërrej). Ndërkohë, në rastin e mbyt dhe vras, diferencimi është kryer disi, meqë mbyt tani përdoret zakonisht për të shënjuar vrasjen ose vdekjen me asfiksim; dhe kjo përbën pasurim të mirëfilltë të leksikut.

Disi më ndryshe është puna me dysorë të tjerë si zhyt dhe kredh; ose mbetem dhe ngelem; ose mih dhe gërmoj; ose hyj dhe futem; ose rrëfej dhe kallëzoj (khs. me mollois, e cila është haptazi margjinale). A janë këto pasuri e shqipes? Nuk janë, sa kohë që nuk janë diferencuar mes tyre – pse unë s’kam asnjë arsye të them kredh, sa kohë që mund të them zhyt.

Te komedia “Prefekti”, mjaft popullore në Shqipërinë e rinisë sime, ka një moment kur gruaja e Qazim Mulletit (të cilën e luante Behije Çela) i kthehet këtij dhe i thotë: “ku u qelle kshu tina?”, duke përdorur foljen qellem, me kuptimin “vonohem”; por unë nuk e dija këtë fjalë atëherë, dhe gabimisht kujtoja se Behija e pyeste të shoqin se ku ishte qethur; dhe kjo më dukej, në vetvete, shumë qesharake.

Në fakt, këtë folje të Tiranës nuk dëgjoj ta përdorin shumë – pse duket ta ketë mundur tashmë vonohem. A ka humbur gjë shqipja nga kjo? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me një pyetje tjetër: a ka nevojë shqipja për dy folje me kuptimin “vonohem”? Vetëm në qoftë se do të kish ndonjë mundësi diferencimi: kështu, kam përshtypjen se vetëm përdorimi prej Nolit (te Marathonomaku) e shpëtoi foljen rend, si të stilit të lartë ose solemn, nga konkurrenca vdekjeprurëse e vrapoj. Vend për një parantezë: letërsia mund t’i rehabilitojë shumë nga këto fjalë, përndryshe të narkotizuara – dhe të mos harrojmë se Noli e bëri këtë edhe me orientalizmat (syrgjyn, bajrak, etj.).

U mjaftova deri tani me shembuj foljesh; por përndryshe leksiku i shqipes ende nuk e ka bërë kalimin nga “magazina pa inventar” drejt leksikut të organizuar të një gjuhe moderne që i shërben një kulture moderne; dhe ku diferencimet mes sinonimeve nuk janë më gjeografike, si në kohën e “Turkut”, por kuptimore dhe stilistike, si në një kulturë të përpunuar.

Për të dalë nga foljet, le të marrim, sa për diskutim, dysorin zog dhe shpend. Kështu, me intuitë, zog i referohet një krijese më të vogël se shpendi – kështu trumcaku është zog, por mjellma shpend; e megjithatë, mund të gjenden plot raste kur shqiponja quhet zog. Por këtu diferencimi vepron; dhe mund të thuhet, pa ngurrim, se zog dhe shpend e pasurojnë shqipen.

Përkundrazi, gjalpë dhe tëlyn (tëlyen, e shkruan Fjalori) është shembull i një sinonimie e cila nuk ka çuar gjëkundi; sepse nuk ka arsye që këto dy fjalë të bashkëjetojnë – prandaj edhe tëlyn pas gjase do të përdoret në shqipen standard, nëse do të përdoret, për të karakterizuar një personazh ose një krahinë të caktuar.

Nuk ka komente

  1. Mendoj se sinonimia absolute brenda nje sistemi nuk ekziston. Sado te aferta te jene dy sinonime, nuk jane kurre absolutisht te njejta, por dallohen ne mos ne kuptime denotative, ne ngjyrime, ne regjistra stilistikore, ne perhapje, deri edhe ne vlera prozodike. Dy elemente me vlera absolutisht te njejta nuk mund te ekzistojne ne nje sistem gjuhesor. Diferencimi ndodh automatikisht ne momentin qe zgjedhim te perdorim njerin ne vend te tjetrit. Sinonimet veçse e pasurojne gjuhen, nuk ka sesi ta varferojne ate.

    1. Dakord, në parim. Por (1) ka shumë folës të cilët nuk janë të vetëdijshëm për diferencat; të cilat nuk janë pjesë, si të thuash, e kompetencës së tyre leksikore; dhe shpesh, t’i njohësh këto diferenca do të thotë të kesh kompletuar formimin kulturor brenda asaj gjuhe; dhe (2) shumë nga këto sinonime, të cilat bëhen bashkë në fjalor, nuk kanë qenë pjesë e një sistemi, por e sistemeve të ndryshme; shqipja ka qenë e copëtuar në të folme, sipas gjeografisë; ndryshe i thoshin kunadhes në Vermosh, ndryshe në Konispol. Tani, kur ti i merr këto dy fjalë dhe i vë në fjalor, vëren se ke dy fjalë për kunadhen – po a të duhen vërtet? Po sikur të kesh njëzet? Njëzet emra për kunadhen? Pasuri është kjo? Mundet, por për koleksionistët vetëm dhe hartuesit e fjalorëve krahinorë – përndryshe, nuk i sjell gjë gjuhës. Madje pështjellon, në qoftë se dikush fillon t’i futë këto fjalë në përdorim – mendo një libër për fëmijë, një përrallë, ku kunadhja thërritet me emra të ndryshme: kaos total. Këtë kam parasysh unë.

  2. Kam pershtypjen se duhet bere nje dallim midis nevojave zyrtare dhe nevojave jozyrtare.
    Nqs do flasim per nevoja zyrtare qendron parimi 1 fjale – 1 kuptim. Nqs do flasim per jozyrtaret atehere nuk kuptohet mire se perse duhet te shkruaj shkoj ne vend te vete apo llafi qe bie shpendi i Tunes ne vend te zogu i Tunes.
    Tani, parimi 1 fjale-1kuptim eshte kerkuar historikisht nga gjuhetaret, por pa ndonje sukses te dallueshem, per te mos thene se eshte deshtuar kudo e kurdo. Nga ana tjeter me eshte e veshtire te besoj tek fjaloret 500 mije- 1 milion fjalesh te anglishtes pa gjetur brenda te njejten fjale me te njejtin kuptim, me prejardhje njehere nga latinofrengjishtja,pastaj nga anglogjermanishtja e me tej nga keltishtja, e pse jo nga danovikingishtja (apo ç’soj e sorrollop, ka banuar andej).
    Nuk e di se si ia kane bere ata ne fjaloret e tyre, por nqs e kane tkurrur fjalorin zyrtar per hir te parimit 1 fjale – 1 kuptim, atehere do te kene hequr picirr te papare.

    Duke pare racionalitetin e madh qe gezon shqipja prej gramatikes, besoj se do te ngurtesohej shume sikur te praktikohej me urdher nga lart parimi 1 fjale-1 kuptim, Njefare lirie leksikore e sintaksore me duket e domosdoshme qe te mos flasim robotisht. Mandej, racionaliteti i ka me shume hijeshi nje gjuhe ne gramatike, meqe gramatika eshte logjika e gjuhes.
    Meqe jemi ende tek lukthi, nqs gramatika eshte truri i gjuhes, atehere leksiku eshte lukthi, e lukthi ekziston per te tretur jo per te menduar, dmth i tret leksiku, hem lukthin e hem stomakun.

  3. Sinonimia absolute, ose e përkryer, praktikisht nuk ekziston. Edhe në rastet kur mund ta verifikojmë praninë e saj, me siguri është me karakter të përkohshëm. Me kalimin e kohës, dhe me rritjen e përdorimit, sinonimet absolute anojnë të largohen mes tyre. Fjalët kërkojnë të specializohen në përdorime të ndryshme, çka do të thotë se përpiqen të mbijetojnë qoftë duke u pigmentuar me ngjyra të ndryshme konotative.

    Që të jenë sinonime të përkryera dy fjalë duhet të paraqiten të barasvlershme në shumë nivele: duhet të denotojnë e të konotojnë të njëjtë gjë, në të gjitha kontekstet; madje duhet të jenë binjake edhe në planin gramatikor. Kjo situatë vështirë të verifikohet në natyrën e gjuhës, ku fjalët janë funksionale, pra janë të lidhura me përdorimin. Edhe fjalë në pamje të parë sinonime absolute si rrugë/xhade, fytyrë/surrat, vajzë/gocë/çikë/çupë/cucë; djalë/çun; mbulesë/kuvertë, dyqan/shitore, shoh/shikoj, etj. nuk janë njëlloj në përdorim, meqë mund të ndryshojnë në regjistër, ngjyrime stilistikore, kuptime, e kështu me radhë. Kur në një tekst lexojmë “cucë” nuk e lexojmë thjesht fjalën nga kuptimi, por edhe nga ngjyrimi krahinor që përcjell automatikisht.

    Kur trajtojmë çështjen e pasurimit të gjuhës shqipe, e këtu futet edhe çështja e sinonimisë, harrojmë gabimisht rëndësinë e përdorimit. Për fat të keq, përfshirë ithtarët e koleksionimit leksikografik, shumëkush nuk bindet se fjalët legjitimohen në përdorim, ku marrin edhe specializime të ndryshme. Mirëpo përdorimi i fjalëve kërkon këllqe kolektive e institucionale, sepse ka të bëjë me kulturën në përgjithësi, ose me palestrat ku praktikohet shqipja si media, shkolla, letërsia, etj.

    Me fjalë të thjeshta, e ndoshta duke mëkatuar me konceptin evolucionist, fjalët paraqiten shpeshherë si muskuj e organe, që atrofizohen në rast se nuk përdoren. Kështu ndodh në sistemin gjuhësor. Ndërkohë që mjedisi kulturor u jep mundësinë fjalëve të evoluojnë në drejtime të ndryshme, duke e pasuruar gjuhën. Përndryshe, do të kemi albume filatelike të mrekullueshme, ose arkiva plot me numizmatikë përrallore, por nuk do të na duhet fare në përditshmërinë tonë. Pra për jetën.

  4. 1. Për “Maratonomakun” e Nolit, diku kam lexuar që për një kohë të gjatë autori në versionet e ndryshme të poezisë (dhe çfarë Poezie!) kishte mbajtur fjalën “qift”, për “petrit”. Në mendjen e Nolit, pra, duhej të ishte: “Qift, or Maratonomak!” dhe vetëm në fund vendosi të përdorë fjalën “petrit”, me përhapje më të gjerë.
    2. Nganjëherë i përdorim sinonimet sipas një ideje krejt personale, sipas historisë sonë gjuhësore, si e përdornin atë fjalë të caktuar në familje. Për shembull, “avitem” dhe “afrohem”. Për mua “avitem” është: afrohem ngadalë, por nuk e di sa e vërtetë është kjo, shkoj, kur i thonë, me sensacione, bile nuk e kam hapur kurrë fjalorin ta kontrolloj, sepse ky është kuptimi që i kam dhënë unë në mendjen time.

  5. Unë nuk e kisha fjalën jo për sinonimet në përgjithësi, por për sinonimet absolute.

    Argumentet që u sollën këtu, se sinonimet absolute nuk mund të ekzistojnë, janë të sakta, kur zbatohen ndaj një sistemi gjuhësor të qëndrueshëm dhe natyral – p.sh. e folmja e një krahine kompakte ose e një qyteti të madh.

    Por ato argumente nuk vlejnë, kur është fjala për sisteme artificiale, si standardi.

    Standardi mbështetet mbi të folmet reale, të njerëzve, por kërkon të ngrihet “mbi” to, duke përftuar një sistem të përbashkët për popullsinë e një kombi (ose të një shteti).

    Gjithçka specifike, për standardin, është artificiale – edhe në fonetikë, edhe në gramatikë, edhe në leksik. Artificiale jo në kuptimin “e keqe”, por në kuptimin se nuk ka ardhur natyrshëm.

    Për shembull, në standardin e sotëm të shqipes bashkëjetojnë forma me temë foljore, si mësuar dhe mësues, të cilat përndryshe nuk bashkëjetojnë në realitet – njëra është e toskërishtes, tjetra e gegërishtes.

    Problemet fillojnë kur standardi fillon dhe bëhet realitet – ose përdoret si të ishte gjuhë e natyrshme.

    Në leksik mund të gjenden – në fjalorët – me qindra shembuj fjalësh të padiferencuara mes tyre, të cilat paraqiten si sinonime absolute.

    Këto sinonime janë të tilla në gjuhë, jo në ligjërim (në kuptimin Saussurean) – dhe janë bërë kështu në momentin që dikush i ka përfshirë në fjalor.

    Problemi me to është kur fillojnë të përdoren, në bazë të sistemimit që i është bërë leksikut në fjalor.

    Si shembull sinonimesh absolute, unë solla vete dhe shkoj: dy folje të përdorimit të dendur, që përkojnë mes tyre deri edhe në frazeologji – jo tërësisht, në masë mbresëlënëse.

    Por ka edhe të tjera kështu: krahasoni çoj dhe shpie, ose sjell dhe bie, ose fut dhe shtie, ose nxjerr dhe qes, për ta kuptuar shtrirjen e dukurisë.

    Janë folje elementare, të tabanit të leksikut – por diferencimi aty është çështje subjektive; përndryshe, unë kam të drejtë t’i marr si sinonime praktikisht absolute ose të ndërkëmbyeshme, në masë shumë të madhe.

    Në një sistem funksional, vete dhe shkoj nuk do të ekzistonin dot kështu si i ka shqipja. Fakti që ekzistojnë në shqipen standard tregojnë se kjo e fundit nuk e ka përfunduar fazën e vet të ngjizjes – por është ende duke tretur dhe përpunuar elemente që ka marrë nga të folme të ndryshme.

    1. Xhaxha, më lindi një pyetje që po ia bëj edhe vetes. Po sikur forma të tilla sinonimie absolute si shembujt që solle më sipër (vete/shkoj, çoj/shpie, sjell/bie, fut/shtie) t’i shërbejnë ligjëruesit për të shmangur përsëritjen e fjalës? Në këtë rast diferencimi do të ishte minimal, natyrisht me karakter stilistik e me funksionalitet kryesisht intratekstual. Teorikisht, nuk mund të flisnim për sinonime absolute, të cilat duhet të përkojnë në çdo nivel, por gjithsesi jemi afër zeros absolute të sinonimisë.

      1. Nuk besoj se ato shërbejnë për ndonjë gjë – thjesht janë nënprodukt i një procesi integrues. Diçka e ngjashme ndodh kur dy njerëz – të dashuruar – vendosin të jetojnë së bashku; teksa sjellin secili librat e vet në shtëpinë e re, do të ketë patjetër tituj që do të përkojnë – pa çka se me edicione të ndryshme, ose në gjuhë të ndryshme.

        Sa për shembujt që solla më lart; unë vetë përdor lirisht edhe çoj edhe shpie; por këtë të dytën, shpie, e përdor kur komunikoj me nënën time, ndërsa çoj e trajtoj si asnjanëse, ose të paktën si informale (bisedore). Ndërkohë, te sjell dhe bie, e dyta më tingëllon paksa më arkaike, njëlloj si te zhys dhe kredh; ndërsa te nxjerr dhe qes, e dyta paksa më dialektore (edhe pse jo aq dialektore sa kërrej); i njëjti dallim, në vija shumë të trasha, midis fut dhe kall (shtie).

        Proceset e diferencimit leksikor të materialeve dialektore në standard ende nuk kanë përfunduar, prandaj edhe përshtypjet subjektive të njërit dhe të tjetrit nuk vlejnë shumë, megjithatë.

      2. Keta shembuj, sikurse gjithe kategoria e foljeve ne pergjithesi, nuk jane sinonime absolute, sepse perveç dallimeve ne strukturen kuptimore, dallojne ne leksematike.

        Problemi qe shtron Xha xhai ka te beje kryesisht me emra konkrete dhe monosemantike qe vijne nga dialekte te ndryshme.
        Gjithsesi mendoj se kodifikimi dhe perfshirja e tyre ne fjalor eshte e domosdoshme. Funksioni primar i fjaloreve nuk eshte t’u jape qytetarine e standardit fjaleve, as te sugjeroje perdorimin a mosperdorimin e tyre, por te shpjegoje kuptimin, ne menyre qe ata qe nuk e dine, ta mesojne. Zakonisht e hapim fjalorin per te gjetur nje fjale qe nuk njohim, jo per te verifikuar perkatesine e saj ne standard.

        1. Më poshtë po përshkruaj një problem të ngjashëm, por këtë herë që ka të bëjë me kulturën materiale.

          Kush merret me bletari, e ka zakonisht një emër për bletën e re që lëshon, ose që ka lëshuar së voni.

          Tani, te Fjalori i M. Elezit, gjej për këtë lloj blete sinonimet e mëposhtme: rrëshem, errshin, hershem, luzmë, reshëm, shemë, shqem, shqemëz, viliki.

          Autori shton: “e zëvendësojnë plotësisht fjalën sllave krinë.”

          Mirëpo fjalët e sjella nga Elezi janë kryesisht fjalë krahinore – dhe larmia e tyre tregon vetëm se krahinat përkatëse nuk kanë komunikuar shumë.

          Problemi është nëse këto lloj sinonimesh e pasurojnë vërtet gjuhën apo jo.

          Po ashtu, për tartabikun, M. Elezi sjell sinonimet e mëposhtme: pulinë, çimç, çimërr, çimkë, kiç, polikë, pultí, stenicë.

          Edhe një herë: përtej nevojës për koleksionim dhe një fjalori krahinor të mbarë shqipes, çfarë i sjellin leksikut këto sinonime, sa kohë që mbeten të padiferencuara?

          Ja edhe një shembull nga foljet – për vyshket (bari), Elezi sjell sinonimet e mëposhtme: figullohet, fikohet, fiktohet, kuritet, paritet, përfiket, përfiktohet, përthahet, pështymet, pigullohet (pikullohet), pingullet, jegullohet, sabitet.

          Tani, le të përfytyrojmë – si eksperiment mendor – sikur unë të shtoja, te ky varg sinonimesh fjalët e mëposhtme: veshkullohet, vyshkthet, përverdhet, shtërvyllet, shpërfiket, verdhnohet, përngrydhet, prendzohet, shkërthndezet, çngallitet, mavridhet, lëmekset, shkëndellet, shpërkndellet, lmenkshtohet.

          Në dallim nga ato të Elezit, që janë mbledhur në fjalorët ose drejtpërdrejt në popull, këto të mijat i krijova unë tani. Por, në thelb, sikur të mos ua kisha thënë unë këtë, por t’i kisha paraqitur si fjalë të rralla, që m’i ka thënë një rapsod në upstate NY, a do të kishit arsye të mos më besonit?

          Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, shanset janë që përdoruesi të mos jetë ndeshur kurrë më parë me këto fjalë; dhe të mos ua ketë nevojën ndonjëherë.

          Dhe kjo për mua përbën problem – çka nuk do të thotë se fjalët duhet “lënë jashtë”, siç druhen madje alarmohen disa; por do të thotë që duhet gjetur mënyra e përshtatshme për t’i përfshirë në leksik në mënyrë funksionale, jo ornamentale.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: