Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

MANGËSI DHE MËKATE TË NJË MANUALI (II)

Në vijim, pjesa e dytë e shënimeve dhe komenteve të mia për kapitullin e shqipes në Manualin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Historike Indo-Europiane (Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics), një vepër madhore, disa-vëllimshe, të botuar në 2018 nga De Gruyter Mouton, e cila pretendon të jetë trajtimi më gjithëpërfshirës i indo-europianistikës në tërësi dhe i gjuhëve indo-europiane.

Relativisht pak vëmendje i kushtohet, në nënkapitullin përkatës, huazimeve të shqipes nga greqishtja e vjetër; për Matzinger-in, “këto huazime rezultuan nga kontaktet më të hershme mes grekëve – si kolonistë të rajoneve bregdetare të Adriatikut ose, më me gjasë, tregtarë në hinterlandin ballkanik – dhe proto-shqiptarëve, nga shekulli i 8-të p.e.s. e këtej. Ky është pozicioni tradicional i dijes albanologjike; por që nuk arrin të shpjegojë karakteristikën kryesore të këtyre huazimeve nga greqishtja e vjetër: numrin e tyre aq të vogël në shqipe. Në parim, ky numër i vogël mund të shpjegohet me argumentin (spekulativ) se shqipja e sotme është vazhdim i një dialekti të proto-shqipes që nuk ka pasur shumë kontakte me elementin grek të lashtë; në një kohë që dialektet e proto-shqipes që kanë qenë më të ekspozuara ndaj ndikimit grek të lashtë kanë humbur, ngaqë folësit e tyre janë asimiluar; sikurse mund të shpjegohet me argumentin tjetër (njëlloj spekulativ), se shqipja i ka marrë huazimet nga greqishtja e vjetër jo drejtpërdrejt nga kjo gjuhë, por me ndërmjetësinë e një gjuhe të tretë. Unë madje nuk do të lija jashtë as edhe një mundësi të tretë, që shqipja të ketë edhe një nënshtresë huazimesh shumë të vjetra nga greqishtja e vjetër, të cilat është vështirë të dallohen nga leksiku i trashëguar. Natyrisht, nuk mund të pritet nga një manual i këtij lloji, si ky për të cilin flasim, që t’u lërë vend spekulimeve të tilla; por nuk mund të pritet as likuidimi i marrëdhënieve leksikore të (proto)shqipes me greqishten e vjetër me një paragraf të vetëm me 12 rreshta.

Sërish, kjo qasje relativisht sipërfaqësore nuk është detyrimisht e pasaktë, por vetëm sa tregon që autori i nënkapitullit, Matzinger, nuk ka gjë të re për t’i shtuar dijes albanologjike standard, rreth kësaj teme përndryshe me rëndësi kritike për prehistorinë e shqipes dhe, me gjasë, edhe të greqishtes. Përkundrazi, i njëjti autor nuk nguron t’u japë lexuesve të manualit – si të mirëqenë – një hipotezë të formuluar prej atij vetë, rreth marrëdhënieve të shqipes me ilirishten. Shkruan:

Although it is widely believed that Albanian goes back to Illyrian or even Thracian, this view cannot be seriously upheld from the linguistic point of view (see Matzinger 2009). None of the ancient personal or local names ascribed to Illyrian are continued in Albanian without interruption (e.g. the place-name Shkodra is merely a loan from Latin Scodra). Consequently, Albanian cannot be regarded as an offspring of Illyrian or even Thracian but must be considered to be a modern continuation of some other undocumented Indo-European Balkan idiom. However, Albanian is closely related to Illyrian and also Messapic (a language spoken in Southern Italy in antiquity but originally of Balkan origin) […]

Shqip (nga A.V.): Edhe pse besohet gjerësisht që shqipja është vazhduese e ilirishtes ose edhe e trakishtes, ky qëndrim nuk mund të mbështetet seriozisht, nga pikëpamja gjuhësore (shih Matzinger 2009[1]). Asnjë nga emrat personalë ose të vendeve që i atribuohen ilirishtes nuk vazhdojnë në shqip pa ndërprerje (p.sh. toponimi Shkodra është thjesht huazim nga latinishtja Shkodra). Si pasojë, shqipja nuk mund të konsiderohet si e prejardhur nga ilirishtja dhe as nga trakishtja, por duhet të konsiderohet si vazhdim modern i ndonjë gjuhe tjetër ballkanike indo-europiane të padokumentuar. Megjithatë, shqipja është e lidhur ngushtë me ilirishten dhe gjithashtu me mesapishten (një gjuhë që flitej në Italinë e jugut në lashtësi, por origjinalisht me prejardhje ballkanike)…

Le ta zbërthejmë këtë pohim së bashku. Thuhet atje që shqipja është vazhduese e ilirishtes ose e trakishtes (por edhe dako-mizishtes, etj.), por kjo nuk mund të mbështetet nga pikëpamja gjuhësore, meqë, mes të tjerash, nuk ka prova gjuhësore të vijueshmërisë. Dhe meqë prova të tilla mungojnë, atëherë shqipja “u dashka konsideruar” si vazhdim i ndonjë gjuhe tjetër ballkanike indo-europiane të padokumentuar. Por a nuk ka një kontradiktë në këtë pohim? Nëse “gjuha” nga e cila rrjedh shqipja është e padokumentuar, dhe nëse edhe ilirishtja është në thelb e padokumentuar, atëherë pse u dashka shpikur një entitet i tretë, një gjuhë tjetër ballkanike, e ndryshme nga ilirishtja (dhe trakishtja) si para-ardhësja e shqipes? Çfarë avantazhi do t’i sillte gjuhëtarit dhe indo-europianistit kjo gjuhë e tretë, në raport me ilirishten ose trakishten, të cilat – edhe pse gjuhësisht nuk njihen, së paku dihet se janë folur në këto anë?

I njëjti autor, ka folur gjetiu për “një diferencë të pakapërcyeshme midis sistemeve fonologjike të ilirishtes dhe të proto-shqipes, e cila pengon në mënyrë absolute që të supozohet prejardhja e shqipes nga ilirishtja”[2], çfarë presupozon se ai niset në fakt nga një model, sado provizor, i sistemit fonologjik të ilirishtes, i ndërtuar në bazë të dëshmive onomastike; paçka se emrat ilirë, të njerëzve dhe të vendeve, nuk kanë vlerën e dëshmive mirëfilli gjuhësore – aq më tepër që një kulturë mund të adoptojë dhe të përdorë sistemin onomastik të një kulture tjetër. Por në qoftë kështu, nëse materiali onomastik i ilirishtes mjafton për të krijuar së paku një ide për pozicionin e saj brenda familjes indo-europiane, atëherë marrëdhëniet e birësisë së shqipes me ilirishten do të përjashtoheshin për arsye mirëfilli gjuhësore.

Prandaj çështja këtu është nëse vërtet e njohim aq mirë ilirishten si gjuhë indo-europiane, aq sa të përjashtojmë mundësinë që shqipja është vazhduesja e saj moderne?

Absence of evidence and evidence of absence…

Pohimi i Matzinger-it se “asnjë nga emrat personalë ose të vendeve të i atribuohen ilirishtes nuk vazhdojnë në shqip pa ndërprerje” i ka rrënjët te kundërshtimi sistematik që i ka bërë, ai autor, hipotezës së Çabejt se emrat e vendeve të njohura që nga lashtësia, si Shkodër, Durrës, Shkumbin, Ishëm, Vlorë, Sharr kanë evoluar sipas rregullsive fonetike të shqipes, çka do të provonte se ata emra, gjithnjë sipas Çabejt, kanë qenë gjithnjë në gojë të shqiptarëve dhe të paraardhësve të tyre, që nga lashtësia e hershme. Unë kam shkruar edhe më parë për kritikën që ia ka bërë Çabejt Matzinger-i (“Protoshqipja në Ballkan” dhe “Protoshqipja në Ballkan II”) dhe e ftoj lexuesin t’i hedhë një sy asaj trajtese, ndërsa këtu po mjaftohem vetëm të vë në dukje se emrat ilirë të vendeve kanë mbërritur në ditët tona nëpërmjet dokumentimit nga latinët, përkatësisht nga grekët, dhe në thelb ne sot nuk mund ta dimë si shqiptohej tamam prej ilirëve, për shembull, emri që latinët e kanë dhënë si Scodra; dhe prandaj transkriptimet latine dhe greke, të toponimeve dhe antroponimeve ilire, nuk mund të merren mirëfilli dhe pa vërtetim, si pasqyra besnike të mënyrës si i shqiptonin këto ilirët.

Edhe më e çuditshme është, në këtë mes, që pasi ka sjellë në tryezë një gjuhë të tretë si para-ardhësja e shqipes në Ballkan, Matzinger-i ngutet të shtojë: “Megjithatë, shqipja është e lidhur ngushtë (closely related) me ilirishten dhe gjithashtu me mesapishten.” Ç’do të thotë kjo “është e lidhur ngushtë”? Si mund të flasësh për lidhje të ngushta, fill mbasi ke shpjeguar se “[a]lthough it is widely believed that Albanian goes back to Illyrian or even Thracian, this view cannot be seriously upheld from the linguistic point of view”?

Gjetiu në Manual, te kapitulli kur trajtohet mesapishtja[3], lexuesit i thuhet se “çështja nëse mesapishtja është dialekt i ilirishtes, dhe aq më pak vetë ilirishtja, është një çështje që i përket historisë së dijes, dhe jo më korrente (autori i këtij kapitulli: Carlo de Simone).

Manuali i rezervon një kapitull më vete ilirishtes, ku gjithashtu përmbahen pohime që jo gjithnjë përkojnë me çfarë thuhet për ilirishten në kapitullin kushtuar shqipes. Që në hyrje të këtij kapitulli, autori – i njëjti De Simone i kapitullit të mesapishtes – e thotë shkoqur se:

Në bazë të gjendjes së tashme të dijes, duket e pamundur që të jepet një karakterizim i kënaqshëm i gjuhës “ilire” si entitet i përkufizueshëm gjuhësisht […]

Ky autor përmend pastaj disa emra të përveçëm ilirë dhe përsiat etimologjitë e tyre indo-europiane, sikurse flet edhe për hipotezën e zonave onomastike; por pa specifikuar tipare pozitive të ilirishtes, që do të lejonin ndonjë krahasim të saj me gjuhë simotra.

I ndodhur përballë pozicioneve të Matzinger-it, përkatësisht të De Simone-s për ilirishten, përdoruesi i Manualit do të përjetonte kështu pështjellim – i pari duket sikur e njeh atë gjuhë më mirë se i dyti.

Në fakt, qëndrimi pozitivist për ilirishten është karakteristik për qasjet e sotme dhe mjaft logjik, meqë nuk ka arsye shkencore pse të përdoret një entitet në thelb gjuhësisht i panjohur (ilirishtja), për të shpjeguar prejardhjen ose të shkuarën e hershme të një entiteti të njohur (shqipja); sikurse nuk ka arsye pse të përfshihet – me zor – një element i tretë si ilirishtja – në vijën relativisht të pandërprerë, që bashkon shqipen e periudhës historike me indo-europianishten.

Vetë termi, ilirishte, si “gjuhë e ilirëve”, i përket një rrafshi tjetër të dijes dhe atje duhet të mbetet, sa kohë që nuk kemi një gramatikë dhe një leksik të asaj gjuhe. Problemi me tekstin e Matzinger-it nuk është refuzimi prej tij i hipotezës ilire të shqipes, por përpjekja për të futur nga dritarja një hipotezë të ngjashme me atë që sapo u dëbua nga dera – supozimin e një “gjuhe të panjohur” në Ballkan, të ndryshme nga ilirishtja dhe trakishtja dhe dako-mizishtja dhe peonishtja dhe kushedi ç’tjetër, prej së cilës rridhka shqipja.

Për mua, nga pikëpamja metodologjike që ka zgjedhur ai autor, do të ishte më logjike të flitej thjesht për proto-shqipe, duke quajtur ashtu atë fazë gjuhësore të shqipes indo-europiane, në periudhën kur para-ardhësit indo-europianë të shqiptarëve të sotëm zbritën në Ballkan, së bashku me popuj të tjerë (grekët?) dhe pastaj hynë atje në kontakt me grekët dhe latinët, kontakt që mund të gjurmohet me mjete dhe metoda pozitive. E kam shkruar gjetiu (Cila autoktoni, cilët ilirë?), se hipoteza ilire për shqipen, sado e preferuar nga “albanologjia zyrtare” në Shqipëri dhe në Kosovë, shpesh sillet në kontekste ku diskutohet jo aq historia e gjuhës shqipe dhe statusi i saj brenda familjes gjuhësore indo-europiane, sa çështje të autoktonisë së shqiptarëve, të cilat i përkasin një paradigme tjetër të dijes.

(vijon)

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Vepra e referuar në Manual: Die Albaner als Nachkommen der Illyrer aus der Sicht der historischen Sprachwissenschaft. In: Oliver Jens Schmitt (ed.), Albanische Geschichte. Stand und Perspektiven der Forschung. Munich: Oldenbourg, 13−36.

[2] “L’autonomia linguistica dell’albanese emerge evidentemente dalla rappresentazione fonologica della toponomastica balcanico-occidentale (rispettivamente delle zone antiche illiriche oggi abitate dagli albanesi) continuata nell’albanese, che mostra una differenza insormontabile dei sistemi fonologici dell’illirico e del protoalbanese, e che per questo motivo impedisce assolutamente di assumere una discendenza dell’albanese dall’illirico.” Joachim Matzinger, Messapico, L’IDOMENEO Idomeneo (2015), n. 19, 57-66.

[3] Për pozicionet relativisht të vona të Matzinger-it ndaj mesapishtes lexoni edhe parashtresën time Mesapët jetimë; e kam të pamundur, në këtë moment, të thellohem në dallimet mes qasjeve të këtij dijetari dhe të Carlo de Simone-s, duke qenë ky i fundit autori referencë për studimet mesapike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin