MANGËSI DHE MËKATE TË NJË MANUALI (I)

Këto kohë kam shfletuar Manualin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Historike Indo-Europiane (Handbook of Comparative and Historical Indo-European Linguistics), një vepër madhore, disa-vëllimshe, të botuar në 2018 nga De Gruyter Mouton, e cila pretendon të jetë trajtimi më gjithëpërfshirës i indo-europianistikës në tërësi dhe i gjuhëve indo-europiane, i cili kombinon gjerësinë e një enciklopedie me thellësinë e studimeve monografike për gjuhët individuale. Manuali është vepër kolektive, me rreth 120 autorë nga 22 vende të ndryshme, me redaktorë Jared Klein, Brian Joseph dhe Matthias Fritz.

Vepra të tilla kanë meritën që t’u ofrojnë referencë konsistente studiuesve të panumërt të gjuhëve indo-europiane anembanë botës, jo vetëm me trajtimet përkatëse, por edhe me sugjerimet bibliografike – në mënyrë që t’i ndihmojnë edhe të gjejnë “gjuhë” të përbashkët mes tyre, çfarë ka rëndësi kritike për një disiplinë në thelb krahasuese, siç është indo-europianistika. Si të tilla, ato pritet të përfaqësojnë edhe një përmbledhje të rezultateve më të reja në kërkimin shkencor teorik dhe të historisë së gjuhëve indo-europiane individuale, në bazë të përmirësimeve metodologjike dhe të njohjes së zgjeruar të këtyre gjuhëve.

Unë isha veçanërisht kureshtar të shihja si ishte trajtuar shqipja në vëllimin e tretë të këtij manuali, ku kapitulli XV (ff. 1716-1816) ndalet, mes të tjerash në dokumentimin e shqipes dhe traditën e shkrimit shqip (Aleksandër Rusakov), fonologjinë e shqipes (Michiel de Vaan), morfologjinë e shqipes (Joachim Matzinger dhe Stefan Schumacher), sintaksën e shqipes (Brian D. Joseph), leksikun e shqipes (Joachim Matzinger), dialektologjinë e shqipes (Matthew C. Curtis) dhe evolucionin e shqipes (Bardhyl Demiraj). Është për t’u supozuar se një shumicë studentësh dhe studiuesish do t’i referohen këtij kapitulli gjerësisht tash e tutje, për të krijuar një ide për shqipen si gjuhë indo-europiane, strukturën e saj diakronike dhe karakteristikat e saj kryesore. Nga kjo pikëpamje, përshtypja ime është se shqipja në Manual është trajtuar në mënyrë relativisht kompetente por sipërfaqësore.

Këtë do ta ilustroj në vijim, duke filluar me nënkapitullin për leksikun e shqipes hartuar nga Joachim Matzinger, meqë çështjet e trajtuara atje edhe i njoh më mirë. Autori, që është studiues i njohur edhe i historisë së shqipes edhe i filologjisë shqipe, ankohet se punën në lëmin e leksikologjisë shqipe e vështirëson “mungesa totale” e çdo kodifikimi përfshirës të leksikut të shqipes deri më tash. Edhe Fjalori i vitit 1980, thotë ai, “nuk e mbulon krejt leksikun e shqipes” dhe “Elementet jo-konveniente për ideologjinë komuniste – kjo përfshin edhe format dialektore – janë lënë qëllimisht jashtë.” Kjo kritikë qëndron vetëm pjesërisht, sa kohë që nuk merr parasysh synimet normative të atij fjalori.

Lidhur me fondin e trashëguar të leksikut të shqipes, Matzinger vëren se “shqipja ka humbur një pjesë të madhe të fondit leksikor indo-europian të trashëguar”; “elementet e trashëguara nuk janë dhe aq të shumta (“are not very numerous at all”), në një kohë që huazimet janë tejet të shumta (“extremely numerous”). Ky gjykim tingëllon sipërfaqësor. Për numrin e fjalëve të trashëguara të shqipes, autori i referohet veprës Etymologische Forschungen të Bardhyl Demirajt, e cila “përmban rreth 572 lema”, edhe pse kjo vepër nuk duket të pretendojë të jetë ndonjë listë shteruese e elementit të trashëguar të shqipes, por vetëm një listë etimologjish të shqipes ku autori Demiraj sjell kontributet e veta në kërkimin etimologjik; në një kohë që numri i elementit të trashëguar ka gjasa të jetë mjaft më i madh.

Sa për pohimin e dytë, se fjalët e huazuara të shqipes janë tejet të shumta (“extremely numerous”) këtu lexuesit me siguri do t’i lindë pyetja se ku e bazon Matzinger këtë pohim – në fjalorët apo në tekstet (dhe ligjërimin) shqip? E kanë vënë tashmë në dukje se një pjesë e madhe e studimeve albanologjike të traditës, për arsye të njohura historike, janë mbështetur në të folmet periferike të shqipes, si ato të ngulimeve, të cilat nuk vlejnë si modele të shqipes në përgjithësi dhe sidomos të leksikut të saj – p.sh. greqizmat dhe italianizmat e panumërta të së folmeve të arvanitëve dhe të arbëreshëve. Më tej, tekstet e shkruara shqip të traditës, duke filluar nga ato më të hershmet, nuk vlejnë as ato për ta modeluar strukturën diakronike të leksikut të shqipes, sepse autorët e tyre kanë qenë të detyruar të huazojnë e të kalkojnë nga gjuhë të tjera për të mbushur zgavrat e leksikut të tyre në fjalë të gjuhës së shkrimit – huazimi masiv vërehet tipikisht në tekstet e letërsisë shqipe me alfabet arab (të ashtuquajtur të “bejtexhinjve”) të cilat përmbajnë një numër të madh orientalizmash që, përndryshe, nuk rezulton të jenë përdorur në ligjërimin e folur shqip. Gabimi në pohimin se shqipja është e tejmbushur me huazime – që nuk është aq i Matzinger-it sa i një tradite të tërë studimesh historike-leksikore – i ka rrënjët në natyrën e burimeve që janë përdorur nga studiuesit; dhe sidomos, në atë që leksiku i teksteve të shkruara është përdorur, lirisht, si bazë për statistikat.

Sërish Matzinger-i:

Është tipar karakteristik i gjuhës shqipe që të jetë e hapur ndaj huazimeve prej burimeve të ndryshme.

Si duhet kuptuar ky pohim, që gjendet mu në hyrje të nëndarjes kushtuar huazimeve të shqipes? Të jetë vërtet shqipja, si gjuhë, e hapur ndaj huazimeve; dhe t’u bëjë sistemi leksikor i shqipes huazimeve më pak rezistencë, se sistemi i gjuhëve të tjera, mesatarisht? Nëse është kështu, kjo duhet argumentuar. Përndryshe, huazimeve u vihet gardh nga politikat puriste dhe institucionet e përpunimit të gjuhës së shkruar të një entiteti politik – për shembull një shteti – çfarë nuk lidhet shumë me gjuhën. Përkundrazi, një gjuhë u hapet lirisht huazimeve, kur ka nevojë për fjalë, por nuk i ka instrumentet për t’i gjetur e nxjerrë këto fjalë brenda vetes – çfarë lidhet sërish me institucionet. Një rrethanë tjetër, kur një gjuhë do të rezultonte “e ngarkuar” në huazime, do të ishte ai i një situate të kontaktit intensiv deri në përzierje gjuhësh, siç e kanë përsiatur disa dijetarë për huazimet latine të shqipes, edhe pse këtu pastaj do të duhej diskutuar mundësia e një kreolizimi të proto-shqipes, të cilin nuk kam dëgjuar ta përsiatë kush seriozisht. Të gjitha këto duhen argumentuar dhe/ose të paktën sqaruar. Huazimi nuk është gjithnjë dhe as si rregull proces mirëfilli gjuhësor, siç mund të jetë palatalizimi ose fiksimi i theksit; ka huazime që lidhen me tregun, ekonominë dhe shkëmbimet materiale-kulturore dhe që provojnë se gjuha marrëse ka qenë e pranishme në tregjet shumëgjuhëshe; ka huazime që hyjnë nëpërmjet administratës dhe marrëdhënieve të folësve me autoritetet; ka huazime që i përkasin fillimisht ligjërimit të shkruar dhe lidhen me zhvillimin kulturor. Ndaj cilave huazime është/ka qenë e hapur shqipja? Ja një pyetje që në Manual nuk merr përgjigje. Për këtë arsye, pohimi më lart mbetet sipërfaqësor dhe më shumë i trazon ujërat se i kthjellon.

Në këtë kontekst, është vendi edhe për një objeksion tjetër, me natyrë metodologjike. Kush merr të studiojë strukturën historike të leksikut të një gjuhe, i bazuar në një fjalor etimologjik, në fakt është duke nxjerrë rezultate statistikore për fjalësin e atij fjalori, jo për gjuhën përkatëse – sepse brenda një fjalori të tillë, fjala xhephane (huazim nga turqishtja) ka po aq vlerë statistikore sa edhe fjala punë (e fondit indo-europian); në kuptimin që për një fjalor që përmban vetëm këto dy fjalë, do të thoshim se 50% e fjalësit përbëhet nga huazime nga turqishtja, dhe 50% nga fjalë të fondit vendës. Mirëpo gjuha shqipe është diçka e ndryshme nga fjalësit e fjalorëve të saj etimologjikë, dhe kjo jo vetëm ngaqë shumë huazime kanë hyrë dhe kanë dalë në periferitë gjeografike, dhe vetëm sa janë regjistruar prej studiuesve por nuk përdoren më dhe as dihet si e sa janë përdorur; por edhe ngaqë gjuha është entitet dinamik, ku fjalët nuk ekzistojnë si sende të renditura në raft, por marrin pjesë dhe mbahen të gjalla në formulimin dhe shkëmbimin e thënieve.

Po të shohim, për shembull, një fjalor të shqipes me lemat të renditura jo alfabetikisht, por sipas dendurisë së përdorimit në tekstet jo të specializuara, me siguri do të nxirrnim përfundime të tjera, për raportin mes fjalëve vendëse dhe huazimeve, duke qenë të parat detyrimisht më të shumta. Më tej, siç e vëren edhe Matzinger-i vetë, [shumë] huazime në shqipe “janë integruar përsosur” në mënyrë tillë që, “në një nivel mirëfilli sinkronik diferencat mes komponenteve të trashëguara dhe atyre të huazuara nuk mund të pikasen”. Për mua, ky pohim vlen për pjesën më të vjetër të huazimeve – por jo për pjesën më të re, si huazimet nga sllavishtja, greqishtja dhe turqishtja në epokën e re dhe huazimet moderne nga gjuhët neolatine dhe anglishtja. Mbase këtë do ta ndriçonte më mirë një hulumtim masiv i llojit epi-linguistik dhe folk-linguistik, i cili të maste vetëdijen e folësve për statusin diakronik të fjalëve të caktuara dhe të shihte ç’mendojnë këta folës për “prejardhjen” e atyre fjalëve – përshtypja ime është se shqipfolësi mesatar manifeston intuitë të spikatur, kur vjen fjala për “fjalën e huaj”, që nuk varet plotësisht as nga preokupimet puriste, as nga bilinguizmi, por ka lidhje edhe me karakteristikat fonologjike (fonetike, prozodike) “të huaja” të disa huazimeve. Një faktor i tretë që duhet marrë parasysh, është numri i madh i neologjizmave që përdoren në shqipen e sotme, të cilat e ulin edhe më tej dendurinë relative të huazimeve në përdorim; dhe këtu besoj se duhen përfshirë edhe fjalëformimet e morfologjizuara, nëpërmjet ndajshtesash të cilat u bashkëngjiten temave automatikisht (p.sh. duke krijuar emra veprimi nga foljet) dhe sidomos – këtë dua ta theksoj – fjalët e formuara natyrshëm brenda shqipes, me prapashtesa të gramatikalizuara, por nga tema të huazuara, nuk ka arsye pse të identifikohen dhe të trajtohen si huazime (p.sh. folja mërzit mund të jetë huazim nga një gjuhë sllave, por emri mërzi dhe mbiemri i mërzitur nuk janë huazime nga sllavishtja; nder është huazim nga latinishtja, por nderoj dhe nderim jo, etj.).

Në këtë kontekst, nuk e kuptoj mirë as pohimin e mëposhtëm nga Matzinger:

The only productive prefixal derivation to be found e.g. in the pastoral handbook of Gjon Buzuku (“Missal” of 1555) is the nominal word negation built with the prefix pā- ‘un-, in-’ (Modern Albanian pa-), cf. (i) besuom ‘faithful’ → (i) pābesuom ‘incredulous’.

Ngaqë te Buzuku gjendet një numër formimesh parashtesore, të cilat i vënë në dukje edhe autorët e cituar Xhuvani-Çabej, te monografia e tyre për parashtesat e shqipes. Me gjasë, autori flet për një formant që i ka rezultuar produktiv brenda ligjëratës së shkruar të Buzukut – por unë nuk di si do të mund të përcaktohej, për një fjalë çfarëdo brenda tekstit të Mesharit, nëse është krijim i Buzukut apo thjesht përdorim i këtij autori; dhe kjo sepse Meshari është libri i parë shqip; dhe po të duam, mund të luajmë edhe këtu me përqindjet e neologjisë, sipas dëshirës.

Në përgjithësi, për një studiues që kërkon të kuptojë raportin mes fjalëve vendëse dhe fjalëve të huazuara në leksikun e shqipes, okurrencat e fjalëve në një korpus përfaqësues duhet të jenë tregues më i besueshëm se përqindjet e nxjerra duke numëruar fjalët në fjalorët, dhe aq më e vërtetë është kjo, në rastin e shqipes dhe të fjalorëve të saj, etimologjikë dhe jo-etimologjikë. Më duket, pra, metodologjikisht e pambrojtshme, që analizat statistikore të fjalorëve (etimologjikë) të ekstrapolohen si përfundime për strukturën historike të leksikut të shqipes.

(vijon)

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Tw gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin