NJË FILM MBI DJALLIN DHE REVOLUCIONIN

nga Nevis Isaj

Përsiatje për filmin Ratatouille

Ndryshe nga kritiku A.O. Scott i NYT që e gjykonte filmin Ratatouille si “një nearly perfect piece of popular art”, pasi e pashë për të disatën herë, vendosa ta lexoj dhe t’i qasem atij nga një pozicion më kritik dhe më dekonstruktiv. Duke përdorur si pikënisje dy nga veprat më klasike të kanonit të letërsisë europiane “Paradise Lost” të John Milton-it dhe tragjedinë “Faust” të J.W. Von Goethe-s, do përpiqem të argumentoj se më shumë se një vepër ngashëryese mbi fuqinë e miqësisë, filmi në fakt është historia e miut Remy, si figura e vetë Djallit, që nëpërmjet një serie manipulimesh të hallkës më të dobët të restorantit (Linguinit) arrin ta kthejë rendin e krijuar natyrshëm përmbys. Ky rend i formuar në kohë, nëpërmjet punës dhe asociimit të lirë të personazheve me invidiualitet të veçantë, detyrohet që deri në fund të filmit t’i bëjë vend një kolektivi minjsh të parazitojë mbi kurrizin (apo tavanin) e restorantit.

Në veprat e Milton-it dhe Goethe-s, figura e Djallit na vjen respektivisht në formën e Satanait dhe Mefistofelit. Të dy këta personazhe, me anë të yshtjeve të parezistueshme, i apelojnë vanitetit dhe egos së Evës dhe Faustit, të cilët të shtyrë nga kurioziteti dhe dëshirat për të ditur e pasur, pa iu nënshtruar paraprakisht vështirësive të ndërlidhura me rritjen morale gjatë odisesë klasike plot pengesa, ia shesin shpirtin Djallit, me qëllim e pasojë arritjen e suksesit të lehtë e lavdisë së përkohshme. Thënë kjo, ngritja e paraleleve midis figurës së Linguinit e Remy-t nga njëra anë, dhe Faustit e Mefistofelit (Evës e Satanait) nga ana tjetër, nuk është e vështirë, paçka se filmi mundohet të na sugjerojë se marrëdhënia midis të dyve ishte e pashmangshme, në sajë të ndërthurjes së rrethanave. Këtu filmi propozon idenë se liria e personazheve për të zgjedhur vetë në çdo moment, u shpërbëka përballë fatalitetit të zinxhirit të ngjarjeve. Linguini na prezantohet si një i ri veçanërisht i pasigurtë, i paaftë dhe jo kurajoz – mu si një makaronë e squllur. Tregon dëshirë për t’u përfshirë në punë (paçka se në mënyrë hezituese) dhe nuk i shtrëngon kurrë dhëmbët për të marrë nën kontroll situatën, duke u bërë kështu viktima perfekte e Djallit. Në fakt, Remy nuk ngurron dhe me nuhatjen e mprehtë prej brejtësi pikas mundësinë për të ekzekutuar planin, duke ofruar paktin faustian të shkëmbimit të vullnetit të lirë të njeriut (Linguinit) për famën, emrin, dhe suksesin e ngritur mbi hiçin. Megjithëse kontrolli i Remy-t ndaj Linguinit është i qartë gjatë gjithë filmit, dhe veçanërisht në fragmentet e stërvitjes e koordinimit të të dyve, më poshtë do të trajtoj shkurtimisht disa skena që më duken përfaqësuese të idesë së Remy-t si Djalli.

Nën dritën e zbehtë të llampadarëve dhe nën mugëtirën e mjegullës buzë Senës, i përkulur në gjunjë e me kujdes të madh, Linguini liron Remyn nga kavanozi. Fillimisht, miu tenton të arratiset, vetëm për t’u kthyer pas do çastesh për t’u bashkuar me Linguinin në aventurën e tyre të paralajmëruar. Në Lindje, figura e Xhindit si një farë shpirti apo demoni është po aq e njohur sa dhe historia e Aladinit ne Perëndim. Siç dihet, mjaftojnë disa fërkime të llambës për çlirimin e Xhindit, të gatshëm për të plotësuar tre dëshira për zotëruesin e llambës. Kjo referencë është pikërisht ajo që më vjen në mendje nga skena gati mistike e fiksuar në foton më lart, ku, respektivisht, kavanozi është llamba, Remy Xhindi, dhe Linguini Aladini, ose personi i ngërthyer në kurthin e dëshirave që duket se duhet të plotësohen me çdo kusht. Misteri që i mvishet skenës falë dritës së zbehtë, mjegullës, hijeve e errësirës së mbrëmjes, dhe vetmisë së dy personazheve të pashoqëruar, forcojnë idenë se një akti i fshehtë dhe i ndaluar (gati një ritual) është duke ndodhur. Megjithatë një ndryshim nga historia e Aladinit duket të jetë raporti i ndërsjelltë i pushtetit, ku Aladini ishte urdhërues i Xhindit, ndërsa Linguini skllav i Remy-t.

 

Pritshmëritë fillestare që kisha për trajtimin e ushqimit në një film me lajtmotiv gatimin mbetën të papërmbushura. Nëse bëjmë një krahasim të rastit me serialin e animuar japonez “Shokugeki no Soma” (Luftëra të Ushqimit), ku çdo episod tregon me detaje, jo vetëm përbërësit e recetave inovative, por edhe mënyrat specifike të trajtimit, gatimit, dhe kombinimit të tyre – aq sa do të ishte i lehtë replikimi në realitet – shohim se te Ratatouille ka pak, ose aspak, informacion mbi gatimin. Kjo vjen qartë në skenën e supës, në të cilën Remy shfaqet në një kërcim delirant, ku duket sikur copëza të çdo përbërësi që i del përpara rëndom, të jenë të mira mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e çorbës alkimike, që si me magji arrin të shndërrohet në ar të lëngshëm. Sytë e tij të perënduar në një mënyrë nonshalante flasin për një dehje vanitoze gjatë gatimit, që në kushtet e një restoranti me pesë yje do të binte ndesh me disiplinën e kërkuar për sukses. Është pikërisht ky tipar prej alkimisti i Remy-t, që pa na sqaruar fillimisht procesin e saktë, formulën e suksesit, punën reale, na treguaka ndërkaq se mjaftuaka vetëm një dëshirë e madhe, dhe një kërcim e mantra prej shamani për ta shndërruar hiçin në ar.

Për të ilustruar më tutje idenë e Remy-t si një manipulator par excellence, skena në foton më lart vjen në ndihmë në mënyrë eksplicite. Shoku, frika, dhe mosbesimi, që lënë stafin e restorantit gojëhapur, mund të lexohen si një reagim i natyrshëm ndaj shfaqjes fizike aq të pabesueshme të një shejtani, apo kontrollit të tij mbi dikë tjetër. Gjesti tipik i abrakadabrës me duart prej magjistari të ngritura lart, dhe Remy mbi kokën e Linguinit, teksa tërheq fijet e flokëve të tij si një marionetist i regjur, duket të jenë provë e mjaftueshme për të detyruar stafin të largohet i zhgënjyer.

Leximi i filmit si një përshkrim i revolucionit, më erdhi duke e parë restorantin e Gusteau-së si njëfarë mikrokozmosi të një shoqërie çfarëdo. Nën dritën e emancipimit të thellë progresiv të kohëve të fundit në ShBA, dhe më gjerë në Perëndim, rashë pre e tundimit të gjetjes së paraleleve midis teorive kritike progresiste dhe karikaturave që na serviren me anë të personazheve të thjeshtëzuar në film. Në krye të restorantit/ shoqërisë ndodhet Gusteau: pronari i sipërmarrjes, kapitalisti, burri i bardhë, patriarku, Zoti. Të punësuarit aty janë individë të pavarur, që përfaqësojnë diversitetin e natyrshëm në shoqëri, që nëpërmjet negociimit të vazhdueshëm të interesave dhe ndryshimeve arrijnë një bashkëjetesë harmonike. Qasja feministe në film shpërfaqet kur personazhet gra janë të përfaqësuara në mënyrë të limituar vetëm nga dy karaktere. Ose si Renata, nëna e Linguinit, e cila na vjen e vdekur dhe vetëm si gruaja që Gusteau la shtatzënë me Linguinin, duke krijuar këtu një paralele me aristokratin/ kapitalistin që shkon në shtrat me të punësuarën viktimë. Ose si Colette, që në një hakërrim perpetual, na tregon egërsisht muskujt dhe thikat aq të nevojshme për një grua, për t’ia dalë mbanë në restorantin/ shoqërinë shtypëse, pavarësisht se asnjë nga të punësuarit e tjerë nuk duket veçanërisht diskriminues.

 

Më tutje, filmi tregon se recetat e Gusteau-së, të regjistruara në librin e tij të famshëm, janë receta popullore franceze, ose ndoshta përshtatje të tyre të krijuara nga ai vetë. Pra, janë një produkt kulturor dhe rezultat i një kohe dhe eksperience relativisht të gjatë. Filmi e bën të vështirë, ose të pamundur, të kuptuarit e aftësisë apo kontributit të Remy-t në këtë mes, për aq kohë sa pas vjedhjes së librit, asnjë nga recetat e tij nuk na vjen me emër apo me detaje, dhe për aq kohë sa pjata më e hatashme e tij nuk është e atij vetë, por gatimi më tipik i vetë fshatrave francezë. Duket se përveç dëshirës për të gatuar dhe për të ngrënë, Remy nuk ofron asgjë reale për restorantin. Ose ndoshta po.

Pasi të gjithë largohen të zhgënjyer nga kuzhina, pas pranimit të së vërtetës nga Linguini, Remy propozon si zgjidhje përballë “dështimit” të rendit ekzistues në restorant, koordinimin perfekt të kolektivit uniform të minjve, ku çdo individualitet i pararendësve sakrifikohet për hir të funksionimit të makinerisë gatuese, si një paralelizëm i shtetit post-revolucionar, me në krye vetë Remy-n, si diktatori triumfues, që pasi e përmbysi vetë restorantin pas manipulimit të Linguinit, na vjen në shpëtim duke shtyrë përpara makinerinë dhe duke frymëzuar kolektivin e tundur plot ressentiment gishtin tregues.

Në skenën e fundit, restoranti filmohet nga lart, nga perspektiva e kolonisë së minjve – të vendosur tashmë mbi tavan – që në vend të plehrave ushqehen me pjatat e restorantit e recetat popullore. Me vendosjen e Remy-t në krye të punëve, pas nxjerrjes së restorantit nga meseleja, ushqimi duket të jetë më i bollshëm, dhe falë leksionit në moralitet, tanimë ndahet dhe me grupin e shoqërisë më pak fatlum: minjtë. Në vend të “Anyone can cook”, “Liberté, égalité, fraternité” mund të brohoritet lehtësisht. Revolucioni i Remy-t ishte i suksesshëm!

(c) 2021, Nevis Isaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin