KONSERVATORIZMI AMERIKAN PAS TRUMPIT – IDENTITET APO IDE?

nga dr. Ernest Nasto

Shumë ujë ka rrjedhur e vazhdon të rrjedhë nën urat e plasaritura të sistemit politik amerikan prej zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit saqë ato duket sikur i përkasin tashmë një të kaluare të largët. Ish-presidenti Trump refuzoi njohjen e rezultatit te zgjedhjeve, ndërmori një sërë hapash pa precedent për ta përmbysur atë dhe nuk mori pjesë në përurimin e Joe Biden. Institucionet e demokracisë amerikane u përballën me një sfidë të rëndë dhe e vërteta është se rezistuan, të paktën formalisht. Megjithatë shumë pyetje po shtrohen rreth pasojave të mundshme afatgjata të kësaj tronditjeje e për të ardhmen e asaj demokracie.

  1. Përçarja e vendit dhe retorika trumpiane

Dihet se suksesi dhe mbijetesa e një sistemi të qeverisjes demokratike bazohen në një kontratë të pashkruar mes të gjitha palëve pjesëmarrëse e që gëzon detyrimisht besimin e tyre. Dhe ato varen në rradhë të parë nga qendrimi i palës humbëse, jo vetëm në Amerikë, por në të gjitha vendet me demokraci funksionale. Partitë e kandidatët futen në lojë, pra në zgjedhje, duke konsideruar se një humbje eventuale pikërisht e tillë është, pra eventuale, dhe jo e përhershme e as e patolerueshme. Pala e humbur pranon rezultatin, nxjerr përfundimet përkatëse, ndryshon idetë apo koalicionet e pastaj përqendrohet në zgjedhjet e ardhshme duke shpresuar për paraqitje më të mirë. Kështu edhe në fushatat e kaluara në SHBA idetë dhe politikat janë kontestuar me të madhe, shpesh me retorikë tepër të ashpër, për të mos thëne të egër. Megjithatë humbja s’është barazuar pothuajse kurrë me asgjësimin politik: rezultati mund të ketë qenë me rëndësi vendimtare, por jo ekzistenciale.

Për fat të keq në vitet e fundit kjo ka ndryshuar mjaft, e bile në mënyrë të përshpejtuar me daljen e dukurisë Trump në zgjedhjet e 2016, për të arritur në shkallë të papara gjatë mandatit të tij e sidomos pas zgjedhjeve të fundit. Kur Kongresi po shqyrtonte shkarkimin e tij në fund të 2019 presidenti u shpreh se nëse demokratët do të kishin sukses në përpjekjet e tyre, vendi do pësonte “një frakturë si ajo e Luftës Civile”, bile “të pashërueshme”. Ndërsa në qershorin e kaluar në Orlando ai u shpreh se “kundërshtarët tanë radikalë demokratë drejtohen nga urrejtja, paragjykimi dhe zemërimi…ata duan t’ju shkatërrojnë dhe ata duan të shkatërrojnë vendin tonë”.

Pikerisht ky ka qenë e vazhdon të jetë thelbi i mesazhit trumpian për mbështetësit e tij: nga njera anë Amerika e tyre, Amerika normale, ndërsa nga ana tjetër humnera. Dhe vetëm ai, shpëtimtari, është në gjendje ta ndalojë përpirjen prej saj.

Mirëpo problemi më i madh s’është kjo retorikë në vetvete, se sa fakti që ajo shpreh atmosferën politike të kohës. Gjatë 25 viteve të fundit ndarja ndërmjet zonave të kuqe e blu të vendit (përkatësisht konservatore/republikane dhe liberale/demokrate) janë bërë shumë më të thella, me demokratët të përqendruar kryesisht në qytete dhe periferi të afërta, ndërsa republikanët në periferitë e largëta dhe zonat rurale. Kuptimplotë është edhe ajo që në vitet ‘60 vetëm 5 përqind e demokratëve dhe republikanëve shpreheshin kundër martesës së fëmijëve të tyre me një simpatizant të partisë tjetër, por këtë përgjigje e japin 35 përqind e republikanëve dhe 45 përqind e demokratëve, shifra shumë më të larta krahasuar me kundërshtimin mbi baza racore apo fetare. Një ndarje kaq e theksuar gjeografike e politike pasqyrohet detyrimisht edhe në Kongres, ku dikur mjaft ligje votoheshin nga të dy partitë dhe pragmatizmi merrte shpesh përparësi ndaj ideologjisë. Ndërkaq në ditet tona ideologjia është “në plan të parë”, me vijën ndarëse mes palëve praktikisht të pakalueshme, me rënien e theksuar të besimit të amerikanëve tek institucionet e tek njeri-tjetri, dhe me skajet e të dy partive, e djathta në Texas dhe e majta në California, që flasin hapur për shkëputje. Partizanët e secilit krah janë gjithmonë e më tepër të prirur të dehumanizojnë “ata” të krahut tjetër, dhe dihet se dehumanizimin pak e ndan nga justifikimi i dhunës fizike ndaj kundërshtarit. Kjo e fundit ka mbetur ende e kufizuar, shumë më e rrallë se në disa periudha tensioni të kaluara, por s’ka dyshim se tërë kjo retorikë krijon kushte për provokime e për dhunë të hapur, siç e treguan ngjarjet e 6 janarit në Capitol Hill.

  1. Shkaqet e ndarjes dhe reagimet e GOP

Shkaqet për një zemërim e urrejtje të tillë janë të shumta e këtu mund të veçohen në radhë të parë presionet e globalizimit, me rënien e vazhdueshme të sektorit prodhues dhe të punësimit në të. E po ashtu rritja e theksuar e pabarazisë ekonomike, humbja e besimit të publikut tek burimet tradicionale të informacionit ku mediat sociale u ofrojnë platforma publike pikëpamjeve të skajshme e lloj-lloj konspiracioneve, zhvendosjet gjeografike që përmendëm, si edhe provokimet haptazi demagogjike të vetë ish-presidentit nga megafoni ende i fuqishëm (por gjithmonë e më pak i justifikueshëm) i udhëheqësit të “Botës së Lirë”.

Të gjithë këta faktorë kanë pjesën e tyre në tablo, por ndikimi primar duket se vjen nga ndryshimet demografike, sepse Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një lloj tranzicioni të pa provuar kurrë më parë nga një demokraci e pasur e tipit perëndimor. Grupi historikisht mbizotërues i popullsisë, të bardhët me prejardhje anglo-saksone dhe besim protestant (të njohur me siglën WASP), po zvogëlohet me shpejtësi, e si rrjedhim po humbet edhe ndikimin politik të deritanishëm. Popullsia e bardhë pritet të kalojë numerikisht në pakicë brenda 25-30 viteve të ardhshme, ndërsa pakicat e deritanishme po kërkojnë intensivisht të drejta dhe barazi praktike në të gjitha fushat. Tensionet që rrjedhin nga kjo janë të dukshme, sepse 2/3 e punëtorëve të bardhe shpreheshin më 2016 se zgjedhjet e atij viti ishin “shansi i fundit për të ndaluar rënien e Amerikës”, apo se ata ndjeheshin “të diskriminuar në vendin e tyre” për shkak të ideve politike apo besimit fetar. Këto shqetësime u shfrytëzuan sa mjeshtërisht aq edhe mjerisht nga kandidati, më pas presidenti, Trump tek i cili këto shtresa panë heroin dhe mbrojtësin e tyre.

Studiues të ndryshëm kanë vërejtur e argumentuar që prej fillimit të viteve 2000 ndikimin e madh të ndryshimeve demografike në raportet mes dy partive. Pakësimi numerik i të bardhëve dhe përqafimi i liberalizmit prej femrave e të rinjve dukej se do te përuronte së shpejti një “epokë të re progresive”(1) me rrezikun e kthimit të republikanëve në pakicë të përhershme. Kjo u vërtetua me gjasë me dy mandatet Obama, e megjithatë zgjedhjet e 2016 dëshmuan prirjën e kundërt, dhe aspak të afërmendshme, të konsolidimit të pozicioneve konservatore tek punëtorët dhe zonat rurale.

Por tashti shumë konservatorë, duke vëzhguar prirjet demografike, kanë arritur në përfundimin se viti 2016 ishte thjesht përjashtim. Me rënien e vazhdueshme të simpative republikane ndër të rinjtë ata mendojnë se e ardhmja e GOP s’është fort inkurajuese dhe ndiejnë qartë se kultura e shoqërisë është kthyer tashmë kundër tyre. Ajo kulturë dënon sot konservatorët për pikëpamje që deri dje ishin krejt të zakonshme, siç dëshmohet nga mediat sociale. Dhe rreziku më i madh për demokracinë amerikane është pikërisht humbja e besimit prej së djathtës në fitore të mundshme në zgjedhje të ardhshme, jo vetëm në nivel presidencial, por edhe në nivel të përfaqësimit në dy dhomat e Kongresit.

Pas disfatës së Romney-t më 2012 republikanët filluan në fakt të bënin përpjekje për tërheqjen e masave të zgjedhësve me ngjyrë, duke u mbështetur tek përvojat më të mira të politikave konservatore. Por me fitoren e Trump më 2016 ato pothuaj shteruan, dhe krejt strategjia e partisë iu bashkangjit retorikës trumpiane(2). Ajo braktisi objektivat për të zgjeruar bazën, për të fituar mendjet dhe zemrat e grupeve të reja të elektoratit, duke i konsideruar ato të humbura e duke u përqendruar kësisoj vetëm tek shumëfishimi i pengesave ndaj pjesëmarrjes së tyre në votime.

Një strategji e tillë jo vetëm që s’përputhet me logjikën e shëndoshë (të luftosh me demografinë është marrëzi, ka thënë dikur një njeri i shquar), por ajo nuk ndjek as rregullat më elementare të demokracisë, e as historinë e partive politike amerikane, sigurisht edhe të republikanëve. Dihet se koalicionet politike s’mund të jenë të pandryshuara, ato duhet të rikrijohen vazhdimisht për t’iu përshtatur realiteteve të reja. Procese të tilla kanë qenë sipas rastit, edhe graduale e normale, edhe me tensione e retorikë të ashpër, por rrallë kanë venë në dyshim vetë dobinë e procesit demokratik.

Kjo vlen padyshim edhe për të djathtën, sepse një konservatorizëm i bazuar tek idetë është i aftë të rivalizojë me sukses me liberalizmin apo progresivizmin, duke iu përshtatur kushteve në terren e duke fituar simpatizantë të rinj në çdo brez që vjen në skenë. Nga ana tjetër, nëse konservatorizmi bazohet thjesht tek identiteti, qoftë ai etnik, fetar apo çfarëdo tjetër, procesi kompleks i ndërtimit e rindërtimit të koalicioneve kthehet në aritmetikë të thjeshtë e ashtu ndeshet herët a vonë me pengesën e pakapërcyeshme të ndryshimeve demografike.

Në një pozicion të tillë gjendet sot e djathta amerikane, e përfshirë nga pasojat e gabimit strategjik të përqafimit të trumpizmit, që lejoi bazën e republikanëve të tkurret vetëm tek ata që përqafonin me entuziazëm politikat dhe veprimet e “udhëheqësit të dashur”, duke konsideruar gjithkënd tjetër si të padenjë, nëmos si armik të Amerikës. Dhe këtu e kemi fjalën për ata të cilëve ish-presidenti u kushtoi vëmendje në mënyrë të ndërgjegjshme, jo tek ata që thjesht votuan për të për arsye praktike nga më të ndryshmet. Qysh me hyrjen e tij në skenën politike amerikane Trump nuk reshti së konfirmuari frikën e të bardhëve se demografia është drejtuar qartazi kundër tyre, frikë që mbajti gjallë edhe përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të fundit, duke sfiduar të gjitha normat e demokracisë amerikane. Si e tillë është pikërisht kjo frikë që përbën kërcënimin më të rrezikshëm për atë demokraci, sepse kur një grup që ka qenë historikisht mbizotërues dhe ka pasur në dorë pushtetin, të lartpërmendurit WASP, beson se rënia e tij është e pashmangshme dhe se bota po i shkatërrohet para syve, ai do të luftojë me çdo kusht për ta ruajtur atë. Dhe ishte pikërisht kjo frikë që u shpreh në mënyrën më të qartë e më destruktive në ngjarjet e 6 janarit në Capitol Hill.

  1. Rëndësia e lojës politike të drejtë dhe e ruajtjes së besimit

Një parim i njohur i shkencës politike është se suksesi dhe jetëgjatësia e institucioneve demokratike sigurohet jo vetëm kur ato janë te paanshme, pra kur loja është e drejtë, por sidomos kur ato perceptohen nga publiku si të tilla. Institucionet u sigurojnë të gjitha forcave politike pjesëmarrëse shanse të barabarta për fitore të herëpashershme nëse ato respektojnë rregullat e lojës, d.m.th. nëse arrijnë të marrin përkrahjen e elektoratit për idetë e tyre. Por po aq e rëndësishme është edhe ajo tjetra: që humbja në një sistem demokratik të jetë e preferueshme ndaj dobësimit, për të mos thëne eliminimit, të vetë sistemit.

Pikërisht këtu qëndron tashti rreziku më i madh për sistemin amerikan: që konservatorët, pavarësisht nga kontrolli mbi Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin për 4 vjet, mbi Dhomën e Përfaqësuesve në gjysmën e parë të presidencës Trump, si dhe mbi mjaft legjislatura të shteteve, po humbasin besimin në aftësinë e tyre për të fituar zgjedhje në të ardhmen. E ç’është më shqetësuese, një numër i konsiderueshëm janë të bindur se humbjet do të çojnë në shkatërrimin e tyre. Historia e Amerikës ofron shembuj të ndryshëm të prirjeve të tilla, dhe analizat e situatës para Luftës Civile kanë treguar se humbja e besimit që thamë ishte faktori më kryesor i degjenerimit të demokracisë në mesin e shekullit XIX. Kriza të tilla besimi kanë pasur natyrisht edhe vende të tjera, ku për t’u theksuar janë shembujt e Europës Perëndimore, sepse ndryshimi ndërmjet vendeve ku demokracia mbijetoi dhe atyre ku ajo pësoi disfatë s’ishte aspak forca dhe karakteri i së majtës (apo përgjithësisht i forcave që shtynin për demokratizim më të madh). Përkundrazi, faktori kryesor ishte forca e qendrës së djathtë, sepse ajo është në gjendje t’u mbyllë rrugën radikalëve që kërkojnë shembjen e sistemit. Rëndësia e këtij faktori ishte po aq e madhe edhe në vitet e pasluftës, kur qendra e djathtë, pas disfatës së fashizmit, mundësoi rilindjen spektakolare të ideve konservatore të njohur me emrin demokraci kristiane (3).

Shënojmë këtu në parantezë se edhe e majta është po aq e prekshme nga impulset autoritare, dhe dihet se disa nga katastrofat më të mëdha njerëzore të shekullit XX ishin rezultat i regjimeve totalitare të majta. Por janë partitë e krahut të djathtë ato që zakonisht përbëhen nga njerëz me pushtet dhe status brenda një shoqërie të caktuar: biznesmenë të mëdhenj e të vegjël, oficerë të ushtrisë e të forcave të rendit, gjykatës, guvernatorë, etj, nga besnikëria dhe mbështetja e të cilëve varet edhe qendrueshmeria e sistemit. Nëse grupet që tradicionalisht kanë gëzuar pozita të privilegjuara (pra konservatorët), shohin të ardhme për veten e tyre në një shoqëri më demokratike, ata do t’i përkrahin ndryshimet përkatëse. Dhe e kundërta, nëse ato grupe besojnë se politikat zgjedhore do t’i përjashtojnë përgjithmonë nga qeverisja, atëherë ka më shumë të ngjarë të hedhin poshtë vetë demokracinë.

  1. Shembuj historikë

Ndërkaq për Shtetet e Bashkuara është inkurajues fakti që ato kanë pasur edhe në të kaluarën raste  transformimesh të thella, dhe përkufizimet e grupit mbizotërues, pra kush përfshihet apo jo në të, kanë qenë objekt debatesh pafund. Historia e tyre na ofron disa shembuj të kapërcimit me sukses të tensioneve të tilla, megjithëse në një rast ato përfunduan me shembje të sistemit.

Ai rast ishte Lufta Civile, që mund të cilësohet si disfata më e madhe e një demokracie në shekullin XIX (si ajo e demokracisë gjermane në shekullin XX, paçka se me pasoja jo aq katastrofike). Ajo erdhi si rezultat i anktheve të votuesve të bardhë që po shihnin rënien e fuqisë së tyre brenda një sistemi politik nën presionin e vazhdueshëm të demografisë.

Në republikën e hershme amerikane shtetet e Jugut skllavopronar mbizotëronin pushtetin politik, pavarësisht se popullsia e tyre, duke përfshirë edhe skllevërit, ishte vetëm gjysma e asaj të Veriut. Nga Jugu vinin shumica dërrmuese e presidentëve dhe sekretarëve të shtetit deri më 1860, ato shtete kishin shumicën edhe në Kongres, ndërsa politika në nivelin federal karakterizohej nga aleancat e kundëraleancat e një morie grupesh me interesa ndër-sektoriale, pra si në Veriun industrial ashtu edhe në Jugun e plantacioneve të pambukut. Por kur shtetet e Veriut, ekonomia e të cilave mbështetej tek puna me mëditje, e braktisën zyrtarisht skllavërinë, dhe më pas përqafuan zgjerimin drejt perëndimit, filluan të dilnin në pah kontradiktat mes tyre dhe Jugut, ku baza e pasurisë ishte puna e skllevërve zezakë. Nga mesi i shekullit XIX demografia ishte qartë në anën e shteteve të lira, sepse popullsia po zgjerohej me shpejtësi, sidomos nga masat e imigrantëve që punësoheshin në fabrikat e Veriut dhe vendoseshin në fermat e Perëndimit të Mesëm. Kjo ilustrohet me faktin se më 1860, para shpërthimit të konfliktit, të lindurit jashtë vendit përbënin 19 përqind të popullsisë së Veriut, por vetëm 4 përqind të asaj të Jugut.

Dinamika e re u ndje fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve, institucioni më demokratik i sistemit amerikan, dhe përgjigjja e Jugut ishte thjesht përjashtimi nga debati i diskutimeve rreth skllavërisë: prej 1836 deri më1845 rregullorja ndalonte shqyrtimin e çdo peticioni ku përmendej sado tërthorazi “institucioni i veçantë”. Kjo tregon se politikanët jugorë e kuptuan që tendencat demografike po favorizonin Veriun dhe filluan ta konsideronin veten si viktima persekutimi, ndërsa sistemin demokratik si kërcënimin më të madh ndaj tyre. Për të ruajtur me çdo kusht pozitat e deriatëhershme ata iu drejtuan gjykatave të niveleve të ndryshme e deri në Gjykatën e Lartë (me shumicë gjyqtarësh jugorë) duke arritur mjaft suksese. Aq e rëndë ishte atmosfera në dy dhomat e Kongresit, sa anëtarët vinin shpesh të armatosur e në disa raste grindjet përfundonin edhe në dhunë fizike(4).

Mirepo Jugu e teproi me kompleksin e persekutimit: ligji mbi Skllevërit e Arratisur (Fugitive Slave Act) i vitit 1850 detyronte autoritetet e Veriut të arrestonin e të kthenin mbrapsht zezakët e arratisur prej plantacioneve, e bile të ndëshkonin edhe strehuesit e tyre. Kështu pamjet e oficerëve të armatosur që bastisnin shtëpitë, për të gjetur të ikurit e për t’i çuar përsëri drejt skllavërisë, ndërgjegjësuan e revoltuan shumë veriorë, duke shtuar përkrahjen e tyre për nxjerrjen jashtë ligjit të atij sistemi. Miratimi i ligjit në fjalë tregoi se politikanët jugorë e kishin humbur tashmë shpresën për t’i bindur veriorët për drejtësinë morale të pozitës së tyre me anë të proceseve demokratike dhe mekanizmave zgjedhore. Ata preferuan të përdornin kështu forcën shtrënguese të qeverisë federale dhe lloj-lloj masash bllokuese për të detyruar Veriun të mbështeste skllavërinë, braktisje kjo e demokracisë prej jugorëve që do rezultonte shkatërrimtare për kauzën e tyre.

Në mënyre të ngjashme në ditët tona partia republikane po vazhdon t’u drejtohet kryesisht votuesve të bardhë kristianë, e kjo ishte krejt e dukshme në katër vitet e Trump. Mirëpo ajo betejë është e humbur qysh në fillim, për arsye të problemit demografik që thamë. Kolegji Zgjedhor, Gjykata e Lartë, apo edhe Senati (nëse ndërron prapë duar më 2022) mund ta vonojnë disfatën finale përkohësisht, por jo ta shmangin përfundimisht.

Përpjekje të tilla për të ruajtur pushtetin me detyrim e jo me bindje kanë nxjerrë përsëri në pah rrezikun që në sisteme demokratike, një parti politike të identifikohet me tipare trashëgimie të përbashkët historike (pra tipare identitare), e jo me një tërësi vlerash e idealesh. Dhe përsëri një identifikim i tillë po jep rezultate të kundërta, siç ilustrohet nga çështja delikate e imigracionit. Kështu, para hyrjes së Trump në garën presidenciale më 2015 vetëm çereku i amerikanëve shpreheshin për rritjen e imigracionit legal, por sot më se një e treta janë të këtij mendimi. Kjo vështirësoi miratimin e mjaft propozimeve konkrete të administratës së tij, megjithë anët pozitive të shumë syresh, gjë që dëshmon sërishmi inefektivitetin e konservatorizmit identitar ndaj atij të bazuar në idetë. Nën presionin e trumpizmit republikanët u gjendën të mbërthyer në një rreth vicioz: nga njera anë ai radikalizoi maksimalisht kundërshtarët, duke ushqyer njëkohësisht lloj-lloj frikërash tek baza e tij për kolaps total të sistemit. Por nga ana tjetër identifikimi i tepruar i asaj baze me personin e Trump, dhe toksiciteti i tij, vështirësuan përpjekjet e së djathtës për t’u shtrirë tek votuesit e pavendosur, siç u vërtetua nga rezultati i garës presidenciale.

  1. Ndryshim nëpërmjet ideve, jo identitetit

E megjithatë historia politike amerikane ofron shembuj të shumtë se si e djathta mund ta ndreqë këtë situatë. Një numër grupimesh politike të rëndësishme, duke parë ndryshimet në shoqëri si të pafavorshme për ta e duke iu trembur fort asaj çka mund të vinte më pas, janë përpjekur ta ruajnë pushtetin duke anashkaluar, bile edhe duke shkelur hapur parimet demokratike. Ato përpjekje s’kanë pasur sukses dhe grupet në fjalë kanë mundur të mbijetojnë për bukuri në kushtet e reja. Kjo ka ndodhur p.sh. në fillimet e republikës me federalistët të cilët më 1798 arritën deri në miratimin e ligjeve që penalizonin edhe kritikën ndaj administratës (Alien and Sedition Acts). Po ashtu demokratët e periudhës pas Luftës Civile mundën të kufizojnë me lloj-lloj mënyrash të drejtën e votës për zezakët, ndërsa republikanët progresistë u përpoqën të largonin votuesit imigrantë nga organet e qeverisjes lokale. Secili prej këtyre grupeve refuzoi kësisoj demokracinë popullore nga frika se do të humbasë në votime dhe duke menduar se humbja do të thoshte shkatërrim përfundimtar. Por në secilin rast demokracia doli fituese, dhe ç’është më e rëndësishmja, pa efekte tragjike mbi palën humbëse.

Periudha rreth Luftës së Parë Botërore na jep një tjetër shembull kuptimplotë, kur ardhja e imigrantëve të panumërt, veçanërisht nga Europa Lindore e Jugore, bëri që protestantët e bardhë të ndiheshin të kërcënuar. Kjo rezultoi në masat për kontrollin e zakoneve dhe mënyrave të sjelljes së këtyre popullatave të reja në vitet e njohura si periudha e Ndalimit (Prohibition) 1920-1933, në arrestimin dhe dëbimin e  qindra radikalëve (kryesisht italianë), në rimëkëmbjen e Ku Klux Klan në shkalle tashmë kombëtare me miliona anëtarë e me marshime të hapura përmes Uashingtonit, si dhe në miratimin e ligjeve të reja shtrënguese ndaj imigracionit.

Por angazhimi i fortë i demokratëve të presidentit Wilson në këtë rezistencë s’pati asnjë sukses, sepse vetëm 8 vjet pas largimit të tij ata u detyruan të pajtohen me kushtet e reja duke emëruar një katolik, Al Smith, si kandidat në zgjedhjet e vitit 1928. Kjo ishte sfidë e hapur ndaj forcave konservatore e nativiste brenda partisë, sepse përkrahësit e Smith ishin kryesisht gratë që sapo kishin fituar të drejtën e votës, dhe pakicat etnike të qyteteve në industrializim të shpejtë. Demokratët vërtet e humbën atë garë, por fituan pesë të tjera rresht, një nga periudhat më të gjata të mbizotërimit të njërës parti në historinë amerikane. Demografia u mësoi kështu, sado me vonesë, se mënyra më e efektshme për të arritur objektivat e dëshiruara s’ishte lënia e imigrantëve jashtë partisë, por përkundrazi integrimi i plotë i tyre.

E djathta amerikane ndodhet sot përpara dilemash të ngjashme dhe nga reagimi i saj varet së tepërmi e ardhmja e vetë sistemit. Ajo mund të vendosë të pranojë disa humbje në fushën e betejës zgjedhore dhe pastaj të përpiqet të fitojë mbështetës të rinj nëpërmjet argumentimit të ideve bazë të konservatorizmit. Nëse ajo përqafon këtë opsion dhe eliminon përkatësinë racore apo fetare si parim të saj organizues, atëherë ajo do të mbijetojë me sukses, tronditjet e tanishme do të ndreqen dhe perspektivat e saj do të përmirësohen, ashtu si ato të demokratëve në vitet 1920. Kjo do të jetë edhe garancia më e mirë për vazhdimësinë e procesit demokratik amerikan. Por nëse qendra e djathtë stepet prej ndryshimeve demografike duke mos toleruar asnjë mundësi humbjeje, atëherë s’i mbetet tjetër veç t’i bashkohet trumpizmit dhe së djathtës ekstreme të rrënjosur në etno-nacionalizëm. Ajo do të përballet kësisoj me tkurrjen e vazhdueshme të numrit të votuesve të saj, duke rrezikuar të humbasë besimin te demokracia e të ringjallë disa kapituj jo fort të këndshëm të së kaluarës.

Këto alternativa u paraqitën e u kodifikuan krahas njëra-tjetrës në dekadën e kaluar, gjë që tregon se drejtuesit republikanë kanë qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për to, duke i shqyrtuar e diskutuar me hollësi. Siç e përmendëm më lart, pas humbjes së thellë të Mitt Romney-t më 2012 Komiteti Kombëtar Republikan arriti në përfundimin se nëse vazhdonte të njejtën rrugë, partia ishte e destinuar të kthehej në grupim politik minoritar e të humbiste çdo ndikim në përcaktimin e fateve të vendit. Raporti i botuar në vitin 2013 i bënte thirrje GOP të shumëfishonte punën dhe përpjekjet me pakicat zezake, hispanike, me amerikanët vendas (indianët), me gratë dhe të rinjtë. Meqë ato grupe përbënin gati tre të katërtat e votave më 2012, raporti paralajmëronte disfatë edhe në zgjedhjet e ardhshme, nëse trajtimi i këtij problemi s’do të konsiderohej me seriozitetin më të madh. Ishte pra një përkufizim i partisë republikane, dhe i të djathtës në përgjithësi, i bazuar tek idetë konservatore, që kërkonte shtrirje drejt grupeve të reja, theksimin e vlerave të përbashkëta dhe rindërtimin e partisë si një organizatë të aftë të fitonte shumicë votash në betejat e ardhshme.

Mirëpo s’ishin vetëm pragmatistët që reaguan ndaj panikut. Me daljen e Trump si kandidati republikan në zgjedhjet e vitit 2016 publicisti i njohur konservator Michael Anton botoi një sprovë ku sintetizohej qartë një mbështetje e ndryshme e së djathtës për atë kandidat të pazakonshëm, një mbështetje mbi baza krejtësisht identitare. Autori deklaronte se ato zgjedhje ishin një përleshje për jetë a vdekje ndërmjet dy projekteve politike kundërshtare, duke ftuar konservatorët ose të votonin masivisht për Trump për të pasur “një shans mbijetese”, ose të rrezikonin shpartallimin përfundimtar. Thirrja e tij e dëshpëruar i bënte jehonë të zymtë analizës demografike të raportit të mëparshem: Anton vërente se konservatorët ishin ndodhur në anën humbëse që prej vitit 1988 nga vërshimi i pandërprerë i imigrantëve nga Bota e Tretë. Demokratët ndodheshin sipas tij në pragun e fitores së pakthyeshme dhe arritjes së shumicës së përhershme, që do shoqërohej doemos me eliminimin e çdo rezistence të së djathtës. Ndryshe nga dokumenti i 2013, sprova e Anton ishte një përcaktim i partisë republikane si mbrojtëse e “një populli dhe qytetërimi” të kërcënuar për vdekje nga diversiteti dhe multikulturalizmi. Rrjedhimisht ai quante përpjekjet për zgjerim koalicionesh si dorëzim te hapur ndaj kundërshtarit, dhe paralajmëronte konservatorët se humbja do të sillte përndjekje hakmarrëse kundër çdo rezistence apo disidence të tyre, bile edhe nga ana fizike.

Dihet se cili prej këtyre versioneve mbizotëroi në zgjedhjet e atij viti: rreth 63 milion amerikanë i panë ato vërtet si shansin e fundit të mbijetesës. Flamurtarët e parimeve klasike konservatore e republikane u mposhtën nga një kandidat pa asnjë përvojë politike apo qeverisjeje dhe që përbuzte haptazi proceset demokratike. Në vend që t’i drejtohej një elektorati divers, Donald Trump e rriti bazën republikane duke e thelluar e jo duke e zgjeruar, duke premtuar t’i mbrojë zgjedhësit e tij nga një kulturë dhe një politikë që po kthehej kundër tyre. Dhe ai i qendroi besnik kësaj taktike gjatë gjithe katër viteve të presidencës së tij.

  1. Ideja amerikane dhe e ardhmja e partisë republikane

Tashti që ajo presidencë i përket së kaluarës, dilema e republikanëve është rikthyer, por duke kërkuar zgjidhje tepër urgjente, siç po shihet nga zhvillimet qysh prej zgjedhjeve të 3 nëntorit. A do të shkojnë ata me vizionin e vitit 2013, kur drejtuesit e tyre konstatuan qartë perspektivën dhe nxitën veprimtarët të çojnë “idealet, filozofinë dhe parimet” konservatore tek rrethe të gjera votuesish, pavarësisht nga prejardhja etnike? Apo do të vazhdojnë të mbeten të mbërthyer në darën e trumpizmit që i zhvendos ato ideale në plan të dytë, duke nxjerrë si parim bazë identitetin etnik e fetar? Fatkeqësisht java e fundit e janarit, sidomos takimi i shefit republikan në Kongres, Kevin McCarthy, me ish-presidentin në Mar-a-Lago tregojnë se gjasat më të mëdha janë për variantin e dytë.

E megjithatë duhet theksuar se idetë konservatore në trashëgiminë politike të Amerikës, pra preferenca për  vazhdimësinë, skepticizmi i kujdesshëm e konstruktiv ndaj ndryshimeve të shpejta, dhe respekti i thellë ndaj traditave e institucioneve, përbëjnë themelin e nevojshëm për ripërtëritjen e së djathtës. Kjo sepse Amerika gjatë historisë ka qenë njëkohësisht vendi i ndryshimeve të vazhdueshme po aq sa edhe i besnikërisë së fortë ndaj traditave. Kjo duket sidomos në faktin se çdo valë e re imigracioni e ka ndryshuar kulturën e saj, por vetë imigrantët kanë mundur të përqafojnë e të përçojnë në brezat pasardhës shumë nga traditat e saj më themelore. Kështu masat e imigrantëve katolikë, hebrej, bile dhe myslimanë, besime këto të organizuara mbi parime të forta hierarkike, përqafuan në praktikë tiparet protestante të administrimit të bashkësive të tyre, duke e zhvendosur autoritetin nga katedra tek pjestarët e bashkësive në fjalë. Ata që vinin pa ndonjë kualifikim mundën të hapin biznese e të bëhen pak nga pak edhe sipërmarrës. Të ardhurit nga shoqëri europiane me tradita të theksuara elitiste u bënë më barazimtarë, por kryesorja është se të gjithë u bënë në fund të fundit amerikanë.

Duke i pranuar imigrantët dhe duke i nxitur të përqafojnë idealet themeluese të vendit, elitat amerikane mundën të shmangin konflikte të thella si ato të përjetuara nga shoqëritë europiane. Vërtet ka pasur edhe periudha tensionesh tepër të thella, por kultura mbizotëruese e ka ripërkufizuar vetveten herë pas here, duke zgjeruar kufijtë e saj e duke përfshirë masa të mëdha të një popullsie në vazhdimisht në ndryshim. Në fillimet e Shteteve të Bashkuara shumica e amerikanëve ishin anglezë, të bardhë dhe protestantë. Por pak nga pak “anglezët” u bënë “anglo-saksonë” duke përfshirë edhe të ardhurit nga pjesë të tjera të ishujve britanikë si Skocia apo Uellsi, pavarësisht se secili prej këtyre grupeve etnike e konsideron veten si krejt të ndryshëm nga të tjerët. Edhe raca e bardhë u përkufizua disa herë, duke përjashtuar fillimisht me vendosmëri hebrenjtë dhe irlandezët (për të mos folur për italianet e grekët), por pastaj duke u zgjeruar dhe përfshirë krejt grupet etnike europiane. Kjo ndodhi edhe me përkatësinë fetare: kategoria “kristian” përfshiu gradualisht katolikët e mjaft grupe protestante dikur të injoruara, ndërsa zbutja e qendrimit ndaj hebrejve çoi në formulimin e konceptit “tradita judeo-kristiane”. Qenia amerikan kësisoj ka ndryshuar shpesh në histori, por konstante ka mbetur ideja amerikane e lirisë dhe barazisë njerëzore, ideja e Amerikës si vendi i mundësive të pakufizuara për gjithkënd.

Forca tërheqëse e asaj ideje dëshmohet mirë nga fakti se ajo është përqafuar me vendosmëri edhe prej kritikëve të shumtë të sistemit amerikan, pra prej atyre që kanë protestuar më po aq vendosmëri ndaj aspekteve të ndryshme të zbatimit praktik të saj. Deklarata e Pavarësisë ka qenë mbështetja dhe frymëzimi i veprimtarëve të lëvizjes gati 80 vjeçare për të drejtën e votës për gratë (5), i atyre të lëvizjes kundër diskriminimit racial të kryesuar nga Martin Luther King në vitet ‘60 dhe i atyre të të drejtave për personat gay në vitet ‘70. Dhe periudhat e këtyre lëvizjeve s’kanë qenë aspak kohëra “normale”, por të mbushura me tensione të ashpra politike e shoqërore, të shprehura me gjuhë apokaliptike nga kundërshtarët e tyre. E gjitha kjo tregon se Shtetet e Bashkuara kanë vërtet një traditë të fortë radikale, por përsëri lëvizjet e tyre më të suksesshme shoqërore kanë adoptuar përgjithësisht gjuhën e konservatorizmit, duke i konsideruar thirrjet për ndryshim si shprehje të idealeve themeluese të Amerikës e jo si shkëputje prej tyre.

Ngjashëm edhe sot një numër i madh konservatorësh po i ripohojnë bindjet e tyre, duke besuar se mund të fitojnë përkrahës të rinj në grupet shoqërore që vazhdojnë të injorohen nga trumpizmi. Ata s’janë të gatshëm të braktisin parimet morale thjesht për t’iu përshtatur prirjes së tanishme në GOP, duke mos hequr dorë nga shpresa për të mbizotëruar në betejat e ardhshme zgjedhore e për ta rimarrë lëvizjen e tyre, në mos partinë, nga një ish-president dhe një frymë e bazuar në mesazhin ndaj votuesve se Amerika po kthehet kundër tyre. Një shenjë inkurajuese e kësaj prirjeje është edhe rritja e ndikimit të grupimeve të konservatorëve tradicionalë, si Lincoln Project, apo të atyre kristiane evangjelike si Not Our Faith, etj (6).

Ajo çka është në lojë në këtë betejë brenda së djathtës shkon mjaft përtej  rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Votuesit republikanë, përkatësisht konservatorë, duhet të binden siç thamë se zgjedhjet demokratike vazhdojnë t’u ofrojnë rrugën më të mirë e më të qendrueshme drejt fitores, se ata munden të përparojnë edhe kur vendi sa vjen e diversifikohet, dhe se edhe në rast humbjeje të drejtat e tyre themelore do vazhdojnë të mbrohen vendosmërisht. Nëse kjo nuk ndodh, trumpizmi do të mbetet ende gjatë një element tepër i rëndësishëm i peizazhit politik amerikan, gjë që nuk paralajmëron asnjë të mirë për të ardhmen e demokracisë më të fuqishme të botës.

(c) 2021, Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

=====

1) vitet 1896-1916 njihen në historinë e SHBA si epoka progresive për shkak të veprimtarisë intensive për reforma sociale me synim të trajtimit të problemeve të shkaktuara nga dukuritë e reja masive si industrializimi, urbanizimi, imigracioni e korrupsioni.

2) shih edhe https://peizazhe.com/2018/08/30/konservatorizem-apo-trumpizem/

3) shih edhe https://www.flasshqip.ca/opinione/kolumnist/4946-partia-republikane-pas-donald-trump-nje-riperteritje-demokristiane-nga-ernest-nasto

4) në maj të vitit 1856 kongresmeni i South Carolina-s Preston Brooks hyri në Senat dhe rrahu rëndë me bastun senatorin e Massachusetts Charles Sumner, derisa bastuni iu thye. Zgjedhësit e Brooks jo vetëm që s’e dënuan këtë veprim, por përkundrazi i dërguan Brooks qindra bastune me postë në shenjë përkrahjeje e inkurajimi. Pikërisht ky reagim i zgjedhësve jugorë konsiderohet si fillimi i vërtetë i Luftës Civile, pavarësisht se për shkëputjen formale të Jugut dhe kalimin në konflikt të armatosur do të duheshin edhe 5 vjet të tjera.

5) gratë amerikane fituan të drejtën e votës më 1920.

6) ndikimi i grupimeve si Not Our Faith, Vote Common Good etj, bëri që pjesa e besimtarëve evangjelikë që votuan për Trump të binte nga 81 në 76 përqind ndërmjet 2016 dhe 2020 ndërsa pjesa në favor të kandidaturës demokrate u rrit me 7 përqind.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin