TË HESHTËSH, A TË MOS HESHTËSH, KJO ËSHTË DILEMA

nga Pëllumb Xhufi

Hyn me këmbë të rëndë i respektuari koleg, Prof. Giakoumis, në debatin tim me “enigmatikun” Tannhäuser mbi lëvizjet etnike në Dropullin tonë gjatë shekujve të mesjetës e të epokës moderne. Në shkrimin e tij “Riciklimi i së kaluarës”, fillimisht na shigjeton, mua dhe kolegun Prof. Ferit Duka, nëpërmjet titullit sarkastik të librit me autor medievistin amerikan Steven A. Epstein, “Pastërtia e humbur”, ku ky godet “mitin e pastërtisë etnike” me stampë nacionaliste e totalitare, kultivues të të cilit, sipas Giakoumis, janë edhe historianë si Xhufi e si Duka. Faji ynë i fundit është sepse kemi thënë në televizion, pra për publikun e gjerë, disa fakte historike, të cilat i kemi parashtruar gjerë e gjatë në botime akademike të kahershme. Prof. Giakoumi sheh aty difekte të qasjes e të metodës, prandaj e sheh me vend të na kujtojë dy parime bazë të historiografisë: parimin e këndvështrimeve të shumëfishta (multiple perspectives) dhe parimin e kritikës së burimeve (source criticism). Dihet, kritika për çështje të metodës është e rëndë e asgjesuese, sepse, nëse është me vend, të kthen në pikën zero. Për sa më përket, një historian si unë, që është një hap larg të 70-ave, nuk ka si të mos lëndohet nga goditja ekzistenciale e Prof. Giakoumit. Megjithatë, e pranoj atë kokulur, edhe pse në çështje të metodës kam parapëlqyer të mësoj nga mjeshtra të kalibrit të Marc Bloch e Henry Pirenne, Arnold Toynbee e Fernand Braudel, Alain Ducellier e Kenneth M. Setton. Këta u vunë të shkruajnë e të japin këshilla për metodën e të shkruarit histori në vitet e pleqërisë së thellë, pasi kishin shkruar e botuar vandaqe me libra e studime fondamentale.

Sa për fajësimin tonë, implicit e ndonjëherë edhe eksplicit, si zbatues të tezës nacionaliste mbi pastërtinë e përjetësinë e racës shqiptare edhe në zona minoritare si Dropulli, tezë e imponuar nga regjimi diktatorial, mosha dhe përvoja personale ma lejon, besoj, ti kujtoj diçka Prof. Giakoumis dhe eventualisht edhe misteriozit “Tannhäuser”, me të cilin ai ndan bindje e stil të njëjtë. Në Shqipëri, në vitet 1944-1990, historianëve nuk u lejohej aspak t’u qaseshin temave të nxehta, siç ishin ato që kishin të bënin me popullsitë minoritare, posaçërisht ato greke. Historia dhe realiteti i marrëdhënieve mes shqiptarëve e minoritarëve grekë ishte vërtet edhe në atë kohë optimal, siç është sot e gjithë ditën. Megjithatë, regjimi druhej se mos historia mund të nxirrte probleme, të ngacmonte ndonjë plagë të pambyllur (kujto ngjarjet e vitit 1914) dhe në këtë mënyrë rrezikonte të prishte “unitetin moralo-politik të popullit”. Nëse regjimi inkurajonte tezën e autoktonisë së shqiptarëve në trojet ku sot jetojnë, zonat minoritare, përkatësisht Dropulli, nuk përfshiheshin në objektin e një studimi të tillë. Përfundimet e tij mund të lëndonin sensibilitete të caktuara dhe kjo nuk i interesonte politikës së Partisë së Punës. Në këtë kuptim, kjo qasje e regjimit, më shumë se stigmën, do meritonte së paku mirëkuptimin e Prof. Giakoumis e të “Tannhäuserit”, që janë sot shprehës të sensibiliteteve në fjalë. Të jenë të qetë: regjimi komunist nuk ka pasur ndërmend t’i godasë, t’i depersonalizojë apo t’i asimilojë minoritarët, posaçërisht ata grekë. Sigurisht, i donte t’i kishte të vetët, në bindje e në ideal, por i donte të tillë si grekë, jo si të tjetërsuar.

Duke thënë këto, bëj çudi se si është e mundur që, të paktën Prof. Giakoumis, nuk ka arritur të pikasë genin nacionalist që ka karakterizuar dhe që është ende i gjallë sot në historiografinë greke, posaçërisht për problemet e autoktonisë e të “pastërtisë së gjakut e të racës”. Me siguri do gjente shumë lëndë për kritikë. Nuk kam ndërmend të mbush faqe të tëra me emra e citime historianësh grekë të vijës së parë të nacionalizmit dhe me idetë e tyre paranojake. Po përmend, në përfaqësi të tyre, vetëm njërin, Kostandin Vakalopoulos, historian bir historiani. Aty ku helenizmi e thërret, aty ku helenizmi ndjehet “i rrezikuar”, aty gjen Kostandinin. Artikulimet e tij nacionaliste, denigruese, ksenofobe ndaj shqiptarëve, maqedonëve, turqve e vllehëve janë bërë objekt i kritikave të ashpra jo vetëm të historianëve të huaj dhe të atyre grekë[1], por edhe të vetë Komitetit Grek të Helsinkit[2]. Për shembull, për të mos folur për marrinat e tij shqiptare, kujtoj se në një libër për lëvizjet çlirimtare në Maqedoni në vitet 1878-1894, ai e ndan atë vend arbitrarisht në një “Maqedoni të Veriut” dhe në një “Maqedoni të Jugut”, mu ashtu si në vitin 1913 politikani grek Venizellos e ndante arbitrarisht Epirin, në “Epir të Veriut” (Vorio-Epir) dhe “Epir të Jugut”[3]. Pasi shpik këtë ndarje, Vakalopoulos thotë se “Maqedonia e Jugut” është tërësisht greke, në gjuhë, kulturë e në ndjenja. “Maqedonia e Veriut”, tjerr më tej arsyetimin e vet ai, banohet edhe nga popullsi që flasin gjuhë të tjera, por pavarësisht kësaj të gjitha ato bashkohen “në ndjenjat e pastra greke”. Dhe pasi ka shpikur termin “Maqedoni e Veriut”, ai vijon me neologjizmat e veta, duke thënë se ai vend banohet, veç grekëve-grekë, edhe nga “grekë sllavofonë”, nga “grekë shqiptarofonë” dhe nga “grekë vllahofonë”[4]. Aty nga viti 2010 konstatoja se termi “Maqedoni e Veriut” i shpikur nga Vakalopoulos ishte adoptuar nga politika zyrtare e Athinës, e cila insistonte që shteti fqinj i veriut të pagëzohej e të njihej pikërisht me emrin “Maqedoni e Veriut” nga komuniteti ndërkombëtar[5]. Siç dimë, kërkesa u plotësua, dhe prej disa muajsh ne kemi një shtet me emrin “Maqedoni e Veriut”, mu ashtu siç e kishte paracaktuar histo-politikani Kostandin Vakalopoulos. Mbetet për të shpresuar që, mos o Zot, në të ardhmen Vakalopoulos të shkruaj ndonjë libër me titullin joshës “Lufta për Maqedoninë e Veriut”, (greq. Vorio Maqedonia), sipas modelit tashmë të eksperimentuar me “Vorio-Epirin”.

Por le t’i kthehemi thelbit të kritikës së Prof. Giakoumis. Për mospërputhje të asfarshme me të, nuk po i kthehem të dhënave historike, gjuhësore e etnografike për Dropullin, që nxisin idenë se midis shek. XVII-XVIII aty ka ndodhur një ndryshim në strukturën e popullsisë, që nuk është më ajo që na kishin njoftuar defterët osmanë të shek. XVI. Në një punim të vitit 2003, ai më kritikon për një kinse qasje aprioristike timen, për të nxjerrë me çdo kusht “autoktoninë absolute” të shqiptarëve në Epir, përkatësisht në Dropull. Dhe më ballafaqon me Prof. Eqrem Çabejn, i cili  fton studjuesit të flasin maturisht vetëm për një “autoktoni relative”[6]. Ja pra, që më bie në qafë kot. Ashtu si Giakoumi, edhe unë në një punimin tim mbi emigracionin shqiptar në Greqi gjatë mesjetës, mbroj fort pozicionin e Prof. Çabej. Dhe citoj saktësisht të njëjtin punim e të njëjtin paragraf të Profesorit, siç bën edhe Giakoumi. Veçse, për hir të së vërtetës, punimi im, të cilin ai e ka shfrytëzuar në mënyrë selektive, është botuar 10 vjet përpara punimit të tij[7]. Dhe jo vetëm e kam përqafuar, por dhe e kam realizuar në praktikë këtë qasje metodike, bashkë me qasjen tjetër të sugjeruar nga Giakoumis mbi “kritikën e burimeve”. Kështu kam bërë edhe kur u jam referuar dokumenteve osmane të shek. XVI, botuar nga Prof. Ferit Duka. Me emra të llojit Gjon, Nikë, Dedë, Pal, Mëhill, Lekë, Gjin, Llesh, etj., defterët osmanë na zbulojnë qartazi një popullsi mbizotëruese shqiptare në trevat e Dropullit e të Delvinë-Vurgut. Jam bashkuar me konstatimin e botuesit të këtij dokumentacioni, Prof. Duka, i cili ka evidentuar gjithashtu ekzistencën e ndonjë fshati me popullsi vllahe në krahinën e Dropullit. Kam konstatuar banorë jo-shqiptarë edhe në qytetin e Delvinës, ku krahas emrave tipikë shqiptarë, që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së tij në shek. XVI, shfaqen edhe banorë me emra, si Stamo, Miço, Menko, Petko, Vanko, Stojko etj. Veshja sllave e tyre, më ka shtyrë të shoh aty vllehë të ardhur nga zonat sllavofone të Prespës si blegtorë, që me kalimin e kohës humbën gjuhën e tyre dhe u helenizuan[8].

Ndoshta Prof. Giakoumi mendon se kam guxuar shumë, kur mbi bazën e një dokumenti të botuar nga ai vetë, kam hedhur idenë se banorët e Pogonit deri në mesin e shek. XIX flisnin gjuhën shqipe, të cilën do ta kenë humbur më vonë. Për ata që nuk e kanë ndjekur debatin tim me “Tannhäuser”, bëhet fjalë për një letër të Patrikut të Stambollit për metropolitin e Janinës, të cilit i bën me dije se banorët e 12 fshatrave të peshkopatës së Pogonianit i ishin ankuar atij për faktin se, në kundërshtim me traditën, atyre u ishte caktuar së fundi një prift që nuk e njihte shqipen, që ishte gjuha e vetme me të cilën ata mund të komunikonin. Në shkrimin e tij të datës 27 janar, botuar tek “Peizazhet e Fjalës”, Prof. Giakoumis thotë se, pasi u njoh me debatin në fjalë, e rilexoi edhe njëherë tekstin origjinal të letrës, dhe në këtë lexim të dytë ka korrigjuar disa pasaktësi që i kishin shpëtuar në leximin e parë. Emrin e fshatit “Kostenani” tani e lexon “Postenani”, atë të fshatit “Vlesova” tani e lexon “Vllasova” dhe emrin e lexuar më parë “Tzarinova”, tani e lexon “Tzarisova”. Kështu, sipas Giakoumis, bëhet fjalë për fshatrat Postenan, Lashovë e Çarshovë që janë në zonën e Përmetit, Kolonjës e Korçës, zona shqipfolëse si në shek. XIX, ashtu edhe tani. Pra nuk ndodhen në Pogon, e për rrjedhojë banorët e Pogonit nuk flisnin shqip atë kohë.

Më duhet të them, se nuk më bind ky rilexim i Prof. Giakoumis. Nuk e kam përgatitjen e tij në paleografinë greke, por do ta ftoja të shihte për herë të tretë, gërmën “P” fillestare tek fjala Pogonianes.  E pra, gërma fillestare e emrit të fshatit, që tani ai thotë se nuk duhet lexuar “Kostenani” por duhet lexuar “Postenani”, nuk ngjan fare me “P” fillestare të fjalës “Pogonianes” që përfaqëson një rast të sigurt të përdorimit të gërmës “p” e madhe. Nuk po zgjatem në leximin e emrave të dy fshatrave të tjerë, të cilat, gjithashtu, mund të lexohen ndryshe, si nga leximi i parë, ashtu edhe nga leximi i dytë i Giakoumit. Por po shtoj diçka nga historiku i kësaj peshkopate. Deri në shek. XVII peshkopata e Pogonianit (Pogoniani i Vjetër) kishte patur nën kujdes rreth 40 fshatra. Fillimisht qendra e saj ndodhej në manastirin e Kryeëngjëjve pranë fshatit Ostanica (Konicë), diçka më në lindje të fshatit Delvinaq. Manastiri ishte shpallur stavropegiak nga Patrikana e Stambollit, pra varej direkt prej saj e nuk i nënshtrohej autoritetit të mitropolitit të Janinës.  P. Aravantinos na mëson se banorët e Ostanicës e quanin manastirin “manastiri i Gurës”, nga fjala shqipe “gur”, sepse në fakt ngrihej mbi një shkëmb të lartë[9]. Jemi gjithnjë brenda kuadrit gjeografik të atij që quhej rëndom “Pogoniani i Vjetër”, që në kuptimin kishtar ishte bukur më i gjerë se krahina e Pogonit. Kjo e fundit kishte si qendër fshatin e përmendur Delvinaq, që Çelebiu në vitet 1670 na thotë se banohej “nga 400 familje të krishtera, që të gjitha shqiptare”. Pikërisht në atë kohë, pra në shek. XVII, peshkopata e Pogonianit u shkri. Rreth 30 fshatra të saj i kaluan peshkopatës së Drinopojës (Gjirokastrës). Në fillim të shek. XIX, qendra e vjetër e peshkopatës së “Pogonianit të Vjetër”, me vetëm 6 fshatra, u vu në varësi të mitropolisë së Korçës, e cila përfitoi nga ky ndryshim për të braktisur emërtimin e vjetër mitropoli “e Korçës dhe e Selasforit”, për t’u quajtur, për pak kohë, mitropoli “e Korçës dhe e Pogonianit”, me shpresë, ndoshta, për të aneksuar një ditë gjithë jurisdiksionin e dikurshëm të asaj peshkopate[10]. Atë kohë selia kishtare e Korçës kishte në varësi edhe gjithë fshatrat e Përmetit, deri në Tepelenë[11]. Dhe pikërisht në shek. XIX, kohë për të cilën bën fjalë dokumenti i botuar nga Prof. Giakoumis, emri ekstensiv kishtar “Pogoniani” ishte kthyer në vendin e origjinës, në Pogonin e ngushtë gjeografik, siç e tregon edhe fragmenti i hartës që po botojmë këtu poshtë, me autor një gjeograf grek të gjysmës së parë të shek. XIX, Kozma Thesproti. Emri i vjetër i peshkopatës “Pogoniani i Vjetër” i atribuohet aty krahinës së ngushtë të Pogonit, e cila në hartë vendoset menjëherë pas fshatrave të Zagorisë, në një linjë me to, rrëzë malit të Nemërçkës[12].

Mbi rastin e dokumentit në fjalë e të leximit të tij, mund të diskutohet edhe më tej. Por ajo çka përbën thelbin e tij është fakti se krerët e kishës greke, në rastin konkret metropoliti i Janinës, bënin kujdes të dërgonin prelatë e priftërinj gjithashtu grekë në fshatrat e krishtera shqiptare të Jugut. Dhe ky rast hap një linjë tjetër studimi mbi angazhimin kombëtarist të klerit grek në proceset asimiluese që kanë ndodhur në popullsitë shqiptare të Epirit. Për proceset në fjalë, që kanë ndodhur intensivisht në kohën e sundimit osman, kanë shkruar historianë e gjuhëtarë të njohur, mes tyre edhe Prof. Titos Jochalas, dishepull i të cilit Giakoumis thotë se është[13]. Në replikën e tij, “Riciklimi i së kaluarës”, Giakoumi i shmanget trajtimit të këtij prolemi të rëndësishëm për të kuptuar mobilitetin etnogjuhësor në arealin e Epirit në planin diakronik. Krahas shkollave greke të hapura nga Patrikana në fshatrat ortodokse shqiptare, për të cilat nuk po flasim në këtë shkrim, kleri grek ka luajtur, siç thashë, një rol të madh në këtë vështrim. Njihen tashmë predikimet e murgut Kozma Etoli (1776), apo të peshkopit grek Genadios të Delvinës (1736), që i nxisnin besimtarët të braktisnin gjuhën shqipe[14]. Po ashtu, është dëshmuar mjaft mirë veprimtaria kombëtariste e peshkopit të Gjirokastrës, i cili më 1879 nxirrte një qarkore kundër atyre që propagandonin gjuhën shqipe dhe çështjen shqiptare (ζήτημα ἀλβανικὸν)[15]. Është shkruar për veprimtarinë e metropolitit grek të Korçës, Fotit, i cili shkishëronte ata që mësonin gjuhën shqipe dhe kallëzonte tek valiu turk emrat e patriotëve dhe të kryengritësve shqiptarë. Së fundi, lidhur me këtë temë, doja të shtoja se mbeti një patriot i mirë grek edhe i dituri Anthim Aleksoudhi, kryepeshkopi grek i Beratit, botues i apasionuar i burimeve historike për atë trevë. Bindjet e tij helenocentrike e shtynin edhe atë “ të selektonte”, “të shkurtonte” e madje të “ndërhynte” në përmbajtjen e dokumenteve[16]. Akoma më shumë, na thotë H. Gelzer, titullin e kreut të kishës së Ohrit ai e jep në një formë qëllimisht të shkurtuar: “Kryepeshkop i Justinianës së Parë”. Por titulli i plotë i atij kryepeshkopi, qysh nga kohët e perandorit Justinian, shek. VI, ishte “Kryepeshkop i Justinianës së Parë dhe i gjithë Bullgarisë”[17]. Projeksioni nacionalist ndeshet në formën më agresive tek kreu i një peshkopate tjetër “fantomatike” si ajo e Pogonianit të messhekullit XIX. Bëhet fjalë për ”Peshkopatën e Drinopojës (Gjirokastrës), Pogonianit e Konicës”, e krijuar enkas pas Luftës II Botërore. Qysh titulli i saj shprehte hapur synimet territoriale ndaj Shqipërisë. Për disa dekada në krye të asaj kishe u vu i mirënjohuri Sebastianos, i cili për angazhimin e tij kombëtarist u shpërblye gjithashtu me një titull fantomatik: “Metropolit i Drinopojës, Pogonianit e Konicës”. Në vitin 1969, me gjuhë aspak të përshpirtshme, ky i vetëshpallur ethnark i bënte thirrje Kolonelëve të Athinës “të fusnin ushtrinë për t’i dhënë fund një herë e mirë atij aborti politik”[18]. Aborti politik ishte, sipas tij, Shqipëria.

© 2021, Pëllumb Xhufi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

 


 

[1] S. Troebst, në: Südost Forschungen, 51 (1992) 328; P. Kouparanis, në: Südost Forschungen, 44 (1985) 476. Më gjerësisht shih: S. Pesmazoglou,”La génèse eurocentrique de l’intollerance aux Balkans: le cas grec”, në: Bulletin de l’AIESEE, 26-27 (1996-1997), f. 217-224; R. Jenkins, Byzantium and Byzantinism, Univ. of Cincinnati, 1963; R. Clogg, A Cincese History of Greece, Cambridge, 1994, f. 2 e vijim.

[2] P. E. Dimitras, “Writing and Riwriting History in the Context of Balkan Nationalism”, në: Southeast European Politics, vol. I, nr. 1, October 2000, f. 51.

[3] K. Vakalopoulos,  O voreios ellenismos kata ten proime phase tou makedonikou agona (1878-1894), Tessalonike: Institut for Balkan Studies, 1983, f. 20-23.

[4] K. Vakalopoulos,  O voreios ellenismos…, 1983, f. 190

[5] P. Xhufi, Shekulli i Voskopojës, Tiranë: Toena, 2010, f. 29-30, shën. 29.

[6] K. Giakoumis, “Fourteenth-century Albanian Migration and the relative Aurochtony of the Albanians in Epeiros: the Case of Gjirokastër”, në: Byzantine and Modern Greek Studies 27 (2003) 173.

[7] P. Xhufi, “Albania Greca in the 14th–15th Centuries”, në: Studia Albanica 28, nr. 1-2, 1991, f. 76.

[8] P. Xhufi, Arbrit e Jonit, Tiranë: Onufri, 2016, f. 62-63.

[9] P. Aravantinou, Perigraphè tes Epeirou, vëll. III, Joannina: Etairea Epeirotikon Meleton, 1984, f. 162.

[10] Kozma Thesprotou-Athanasiou Psalida, Geographia Alvanias kai Epeirou, Ioannina: Etaireia Epeirotikon Meleton, 1964, f. 13, 97.

[11] Kozma Thesprotou-Athanasiou Psalida, Geographia Alvanias kai Epeirou, f. 16; P. Aravantinou, Perigraphè tes Epeirou, vëll. III,

[12] Kozma Thesprotou-Athanasiou Psalida, Geographia Alvanias kai Epeirou, (harta).

[13] T. Jochalas, Testi greco-albanesi editi ed inediti. Estratto dell’Annuario 1966-1967 del Centro Internazionale di Studi Albanesi, Palermo, 1967, f. 11.

[14] P. Xhufi, Dilemat e Arbrit, Tiranë: Pegi, 2006, f. 409-417.

[15] P. Xhufi, Dilemat e Arbrit, f. 451.

[16] Heinrich Gelzer, Der Patriarchat von Achrida. Geschichte und Urkunden, Leipzig: B. G. Teubner, 1902, f. 37.

[17] Heinrich Gelzer, Der Patriarchat von Achrida. Geschichte und Urkunden, Leipzig: B. G. Teubner, 1902, f. 38.

[18] Deklaratën e Sebastianos e kam lexuar në vjeshtën e vitit 1969, në një lajm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, versioni i rezervuar për funksionarët e lartë të shtetit komunist, i cili m’u tregua konfidencialisht nga një shok i imi i klasës, djalë i një drejtuesi të lartë të Ministrisë së Jashtme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin