SCOPAESTHESIA

Publiku është ende sot i fiksuar të gjejë mes vedi apo në institucionet qeverisëse ish-bashkëpunëtorë apo punonjës të Sigurimit të Shtetit. Ende sot ka një lloj magjepsjeje me shërbimin sekret, siç edhe u vu re nga vëmendja që mori largimi i Visho Ajazit, ish-kryetar i Shërbimit Informativ Shqiptar; nga rëndësia që ligjdhënësit i dhanë krijimit të Autoritetit të Dosjeve; apo çelja e muzeut Shtëpia e Gjetheve. Të vëmendshëm jemi sot edhe për përgjimet e policisë italiane, ndërsa përgjime apo akuza për përgjime të SHIK janë publikuar shpesh në media, kryesisht për të dëmtuar kundërshtarë politikë. Jo pak herë gazetarë e studiues të përfshirë në këtë gallatë konspirative, sikur edhe autori i shkrimit, i janë futur ethshëm punës për të zbuluar sekretet e “shtetit të thellë” (deep state) apo pasuritë e oligarkëve e politikanëvë të korruptuar.

Shumë pjesë dosjesh të Sigurimit janë publikuar në media, edhe pse në kundërshtim të ligjit, e ca më keq të papërpunuara shkencërisht, me mllefe e ngjyrime të theksuara emocionale apo sensancionale. Në këto trajtime disa pretendojnë se mbikëqyrja e Sigurimit të Shtetit ka qenë tepër invazive, arbitrare apo aspak profesionale. Disa mendojnë se ajo ka qenë pjesë e konflikteve të brendshme, pa ndonjë rezultat pozitiv për sigurinë e shtetit apo të rendit. Pak ceket se Sigurimi i Shtetit ishte “arma” e Partisë së Punës dhe i shërbente kësaj në radhë të parë. Shumë më pak dalin në pah teknikat e mbikëqyrjes, sidomos kur analizohen format e vëzhgimit apo bashkëpunëtorët, strehuesit etj. sipas hierarkisë së organeve të punëve të brendshme.

Për këdo që informohet kryesisht nga media mbi çështjen e mbikëqyrjes apo spiunazhit, mendon se ka pasur një sistem për mbikëqyrjen e gjithkujt nga gjithkush dhe se çdo informacion, sado personal apo aspak relevant për çështje të sigurisë, ishte pjesë e raporteve të Sigurimit të Shtetit apo dosjeve. Por kur analizohet veprimtaria e organeve të sigurimit si një instrument i diktaturës, nuk mund të lihet pa prekur roli i këtyre shërbimeve në demokraci, apo përdorimi i metodave analitike të inteligjencës nga shoqëria civile.

Sigurimi i atëhershëm do ta kishte zili të kishte format e sotme të survejimit: nëpërmjet telefonit, internetit, regjistrime ambientale, vëzhgime satelitore dhe gjurmime me bojra speciale, apo regjistrime me kamera që identifikojnë fytyrat. Ata do të gëzoheshin të kishin një Facebook apo të përdornin programe kompjuterike si XkeyScore apo Palantir, që përdorin edhe “machine learning” për të identifikuar persona me rrezikshmëri të lartë apo kategorizuar llojet e komunikimit sipas rëndësisë.

P.sh. Palantir është një program që shkëlqen në gjetjen e lidhjeve ndërmjet të dhënave të ndryshme të përmasave gjigande informacioni duke thithur çdo të dhënë (regjistrime telefonash, adresa internet, transaksione financiare, emra, biseda, të dhëna mbi udhëtimet etj.) dhe vizualizuar ato sipas interesit të analistit. Në këtë mënyrë është zgjidhur problemi kryesor në epokën e Big Data, mbingarkimi me të dhënat. Palantir ndihmon në të gjitha aspektet e inteligjencës, nga ato strategjike e operacionale, deri në veprimet taktike.

Edhe Sigurimi i Shtetit, apo Stasi në Gjermani, kanë përdorur metoda të Analizës së Rrjeteve Sociale sikur Palantir, por Palantir, apo të tjera programe që nuk i kemi dëgjuar, arrijnë të përpunojnë e kombinojnë informacione nga çdo burim i mundshëm. P.sh. një rrjet social i vizatuar nga Stasi duket si një lojë fëmijësh përpara çfarë mund të bëjnë sot programet si Palantir.

Stasi – Social Network Analysis

Imagjinoj se për Sigurimin e Shtetit puna e krijimit të rrjetit të mbikëqyrjes ka qenë e mundimshme. Sigurimi i Shtetit duhet të vlerësonte paraprakisht nëse personi kishte lidhje të mjaftueshme me personat e interesit apo bënte pjesë në një rreth të gjerë miqësor. Sot kjo realizohet me tre klikime nëpërmjet Facebook apo Gmail. Më pas Sigurimi duhet të përpiqej t’i rekrutonte ata nëpërmjet metodave të dhunës apo shpërblimit edhe për informacione aspak relevante, çfarë nuk është medoemos e nevojshme sot. Mjaft të ndjekësh dikë në Facebook për të parë nëse përbën rrezik. Veç kësaj, Sigurimi nuk mund të mbikëqyrte çdo lidhje të objektit në vëzhgim për të vlerësuar intensitetin dhe llojin e lidhjes, sikur është e mundur sot nëpërmjet rrjeteve virtuale sociale.

 

Rrjeti social në Facebook

P.sh. nga analiza e rrjetit të mbikëqyrjes së një intelektuali shumë të njohur, del se bashkëpunëtorët e Sigurimit kishin në vëzhgim 10 lidhje nga rreth 200 lidhje direkte apo indirekte. Një pjesë e vëzhgimit realizohej nëpërmjet personave që ishin gjithësesi në mbikëqyrje nga Sigurimi. Më tej, Sigurimi kishte rrezik të “digjte” disa prej bashkëpunëtorëve të përfshirë në rrjetin e mbikëqyrjes, pasi i përdorte ata edhe për objekte të tjera vëzhgimi. Edhe pse Sigurimi kishte mundësi të kryq-ekzaminonte informacionin nëpërmjet raporteve nga personat e tjerë të mbikëqyrur, ky duhet të ketë qenë një proces i lodhshëm administrativ për vetë natyrën e organizimit kompartamental të shërbimeve (marrja e autorizimit apo kufizimet operative). Ilustrimi më poshtë tregon rrjetin e vëzhgimit të intelektualit, çfarë dëshmon edhe për rrezikshmërinë që paraqiste ky person për Sigurimin (shoqërohej me persona nën vëzhgim, kishte familjarë të ekzekutuar, të arratisur e miq në burg). Mbajtja e sekretit duket edhe problematike për faktin e përfshirjes së një numri të madh personash, p.sh. për rastin ishin përfshirë gjatë kësaj periudhe 12 oficerë të sigurimit dhe rreth 10-11 bashkëpunëtorë.

Intelektual i mbikëqyrur nga Sigurimi i Shtetit

Tanimë edhe media apo studentët po përdorin metoda të ngjashme për të zbuluar lidhjet korruptive apo nepotike në administratën publike. Këto metoda janë përdorur në përpjekje të ngjashme për të nxjerrë në pah lidhjet nepotike në sistemin e drejtësisë, sektorin e Ministrisë së Jashtme etj. A janë edhe këto studime të motivuara nga i njëjti zell mbikëqyrës, apo nga ndonjë pamundësi për t’i zgjidhur këto shkelje të etikës në institucionet përkatëse?

P.sh. një grup studentësh kanë analizuar lidhjet nepotike në disa fakultete të Universitetit të Tiranës. Numri i lidhjeve nepotike është shqetësues në fakultetet e Drejtësisë edhe të Shkencave të Natyrës. Por në analizë nuk merret parasysh numri total i pedagogëve në këtë fakultet, procesi i riprodhimit të elitave apo klasave të profesionistëve, tregu relativisht i vogël, dhe prekariteti i tregut të punës për femrat. Në këtë mënyrë, syri selektiv lë vend për të dëshiruar, së paku në aspektin metodologjik. Gjithashtu, vetëm kur ato vërehen në një grafik, si më poshtë, vihet në dukje përmasa e kësaj situate.

Rrjeti nepotik në UT, sipas Nisma Thurrje 2017

 

3 Komente

  1. Rreziku islamik, ai terrorist, etj.-etj., dhe ja, nje vend si Shqiperia harxhon qindra milione euro per paisje te sofistikuara! Ne nje kohe qe nje diskutim i hapur ne shkolla, media e shoqeri mbi fene dhe prejardhjen e saj, do ti kursente keto para, teksa do i sqaronte njerezit se si njeriu i ka shpikur fete!

    1. diskutime ka nga projekte kunder dhunes dhe radikalizmit, madje ne gjykimin me shume se c’duhet, dhe dyshoj per efikasitetin e metodave pedagogjike sa kohe qe radikalizimi shihet i izoluar ne perjetimin e fese.

      Sa i perket metodave te mbikeqyrjes, keto nepermjet Palantir jane eficiente, se gjejne personat me probabilitet te larte radikalizimi duke perpunuar miliarda kembimesh informacioni e lidhjesh ne kohe reale, pa bere objekt vezhgimi cdokend.

      1. Po, tashme terrorizmi islamik ka ndikuar ne ngritjen e nje klase te re survejuese dhe specialistesh, si dhe te nje industrie te tere prodhimi mjetesh te sofistikuara te pergjimit dhe perndjekjes! Papunesia po ulet! Pa llogaritur pastaj ate, qe edhe politikanet kane me se te merren! Rrofte terrorizmi islamik, sepse na hapi vende pune!..

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin