TOKË E XANUN

nga Gresa Hasa

Me konceptin e pronës jam njohur për herë të parë nga Razija. Unë isha gjashtë vjeç, ndërsa fqinja ime Razija diçka te 100 vjeç, pothuajse mosha ku duhet të ketë mbërritur sot. Nuk kishte kaluar shumë që kur bombat dhe tanket e ’97-ës i kishin hapur rrugë një tjetër lloji degradimi të vendit, atij që ta merr jetën më ngadalë e më butë se një AK 47 e shkrepur për qejf nga ballkoni (rasti e thërret) i Fatosit (i cili pasionin për lodrat e vdekjes e zbuloi vetëm pasi la leshtë te Sudja). Në Tiranën e atyre viteve nuk kishte shumë mjedise për fëmijët, sepse garnizonet e para të kapitalizmit dhe gjithë ç’kishte mbetur nga keqkuptimi për demokracinë, nuk i përfshinin të vegjlit në planet e tyre. Prandaj oborret e lagjeve ose hyrjet e pallatit, me vetëm pak imagjinatë dhe çapkënllëk, shndërroheshin në kështjella imagjinare, kontinente, ishuj a oqeane ku ne luftonim me guxim për të mposhtur përbindëshat prej kartoni që kacavirreshin të dielave në mëngjes nga ekrani i Italia Uno-s, ose çdo krijesë tjetër të tmerrshme së cilës do t’i jepte jetë çiltërsia e fëmijës. Por lufta është angazhim serioz; zakonisht kërkon punë në grup dhe kur komradët mungonin, unë merrja një top të verdhë që ime ëmë e kishte blerë me ulje te tregu çam dhe shkoja të bëja pasa te muri qendror i banesës tonë. Mund të shpreh me bindje se për mua përplasja sistematike dhe me zhdërvjelltësi e topit në mur ishte aktiviteti më shplodhës dhe intim. Gjatë atyre rrahjeve të njëpasnjëshme, mendoja gjëra, një pjesë englendisëse, një pjesë të çuditshme fare, disa krejt absurde dhe të tjera ose tejet të mençura për perceptimin tim atëherë, ose krejt idiote. Megjithatë, bëhet fjalë për një proces të atillë përfshirës ku synimi kryesor nuk ishte thjesht goditja e murit me top. Sigurisht, një gjë të tillë Razija nuk e mësoi dot kurrë. Fill sapo unë përvishja mëngët dhe merrja topin në dorë, fytyra e saj e imët me vetullat në pozicion sulmi mbinte në dritaren e katit të parë. Razija kishte një fytyrë kërcënuese por që e parë nga poshtë lart dukej pafundësisht qesharake, aq sa të provokonte për të mos hequr dorë nga loja. Në tri rrahjet e para të topit, Razija s’bëzante. Ajo thjesht i ngulte sytë njëherë te sfera, pastaj tek unë me të atillë vëmendje sa vështirë se dikush ndonjëherë do të ketë fatin të begeniset nga një spektator i këtij kalibri. Porse kur unë ua merrja dorën akrobacive të lojës, Razija e ngjeshte kokën në hapësirën midis dy kangjellave të hekurta dhe gati sikur do të kërcente vrik jashtë tyre, më pëshpëriste qetë dhe ashpër: “Do të ta çaj topin! Hiqmu nga rruga ime!”. Unë nuk e kuptoja se pse Razija për çdo herë fantazonte të më çante topin dhe mbi të gjitha se pse e konsideronte rrugën e një pallati me 18 familje të sajën. ‘‘Mu po m’fle çuni gjumë, surrati jot vje e m’bo zhurmë këtu. Do t’i jap flokët n’dorë o pis kalamo!‘‘. Harrova t’ju informoj se çuni gjumash i Razijes ishte një burrë 40 vjeç për të cilin Razija iu ankohej grave të pallatit se i kishte “mbetur në derë”. Ҫuni i Razijes nuk më kërcënonte me shkulje flokësh, as me çarje topi. Ai s’më fliste me gojë. Madje, as që m’i hidhte sytë! Kam përshtypjen se sa herë që ndesheshim në oborr, nuk më vinte re hiç. Për shembull, përshëndeste fqinjët e tjerë ose i këpuste ndonjë batutë me të cilën qeshte pastaj vetë, por mua s’ma fërshëllente. Kisha arritur në përfundimin se kësisoj nuk e dëgjonte as topin tim në murin e kuzhinës së tyre. Ama Razija kishte një shqisë akustike të jashtëzakonshme (sidomos për moshën). Jo vetëm që më dëgjonte mua akoma pa filluar lojën, mundësisht teksa isha ende në sheshpushimin e katit të tretë, por gjithashtu dëgjonte tri blloqe banesash më tutje sherrin e Vjollcës me të vjehrrën, dramë me disa akte, të cilën ua molloiste pastaj plot pathos grave të pallatit. Pata filluar të besoja se Razija gëzonte fuqi të mbinatyrshme, të cilave unë s’u shpëtoja dot… Njëherë më zuri mat kur kisha futur kokën te bahçja e pallatit – se e konsideronte edhe atë të vetën – dhe lëshoja tinguj përqeshës. M’u avit andej nga se prisja dhe më flakëriti një shpullë spektakolare, që më skuqi faqen dhe bëri të më dilnin xixa nga sytë. Rrallë ndodh që njeriu të vërë mend nga dhuna. Kjo veç sa i bën gjërat më keq. Kështu edhe marrëdhënia ime me Razijen. Gjatë një vere të plotë, përkatësisht ndërmjet orës katër me gjashtë, unë do shkoja të luaja me top poshtë dritares së kuzhinës së saj, nga ku ajo do të më kërcënonte pa pushim, dhe, kur të shihte se kërcënimet s’po i pinin ujë, do të dilte nga shtëpia për të m’u kanosur me papuçe në dorë. Dhe kështu përfundonim duke u sjellë rrotull pallatit, me Razijen që vraponte pas meje dhe mua që mbrohesha, me luzma fjalësh të pahijshme. Ishte kulmi i shpartallimit të mërzisë për një ditë të nxehtë korriku dhe pa kalamaj të tjerë në lagje.

Kam përshtypjen se, me rrëzimin e diktaturës, ishin të shumtë ata që e kuptuan gabim muhabetin e pronës (njëlloj si Razija) dhe shumë hapësira publike i përvetësuan duke i shpallur të tyret. Kujtesa nuk më ndihmon me ndonjë imazh të kioskave radhitur anash Lanës, por besoj se shumëkush i mban ato mend mirë dhe në detaje. Pushteti i betonit dhe karagjozllëkut sot e trajton publiken si hapësirë të kapshme, ku mund të shkatërrojë dhe të ndërtojë sipas qejfit, ose për inat të atij që shkatërronte dhe ndërtonte dje për inat të paraardhësit të vet. Është një rreth vicioz shkatërrim-ndërtimi, që s’nxjerr gjë në dritë. Nuk e di se kush është më keq: Razija e fëmijërisë time, a pushtetarët e sotshëm që i ngjajnë Razijes por ndryshe nga ajo kanë mundësinë ta konkretizojnë dhe ta shpien idenë e pronës publike private deri atje ku s’mban më. Ndoshta këta burra dhe gra të politikës dhe parave janë më keq se Razija ime. Ndoshta Razija me pak talent, fat dhe dinakëri do të ishte njëra prej tyre.

2 Komente

  1. Bukur Gresa!

    Të gjithë kemi patur nga një Razije në lagje ama.

    Në lagjen time ne kishim Gonen. Unë i takoj ca kohërave të tjera, kur hapësirat publike ishin prej vërteti pronë e kalamajve të lagjes / rrugës / oborrit. Kalldrëmet e rrugicave që nuk janë më në Tiranë fërkoheshin mirë e mirë nëpër gjunjët e mi të cilët i kisha vazhdimisht copë-copë nga të rrëzuarit mbi gardhe, gjysmë mure (se s’ma mbante domosdo të kapërceja mure të plota) apo hekura dritaresh. E pra Gonia, që me familjen e saj me kryefamiljar officer sapo kish ardhur në Tiranë nga një prej qyteteve të vogla të militarizuara të Shqipërisë, mendonte që oborri i pallatit i takonte në fakt burrit të saj, tashmë ushtarak në pension, që ky të dilte për t’u shëllyer në diell me brekë kambriku të bardha borë. Burri i Gones, porsi çuni i Razijes tënde, na vinte re ne kalamajtë e lagjes po aq sa ç’vinte re mizat e uthullës që vinin vërdallë me shumicë prej duhmës së alkoolit që avullonte nga rrushi që fermentohej në vozat e bahçes së komshiut ngjitur. Gonia pra, me vigjilencë të përsosur, rrudhte vetullat dhe cepat e buzëve në përgjim të kundravajtjeve të kalamajve dhe rregullisht çante topat tanë dhe na lagte me zorrën e ujit që dilte nga lëfyti i lavamanit të banjës së ngushtë të apartamentit socialist të katit të parë.

    Ishim shumë kalamaj asokohe dhe të rrriturit, për hir të politikës së fqinjësisë së mirë, nuk u morën kurrë me Gonen, borxhet e së cilës në familjet e pallatit për shkak të topave të çarë, akumuloheshin progresivisht në libërthin tonë të vogël të zi. E në marazin e pafuqisë që kishim si kalamaj për ta bërë zap, i ngritëm një këngë të cilën e këndonim me qejf rrugëve të lagjes, të kujdessshëm që të mos e këndonim asnjëherë poshtë dritares së saj, me tmerrin se në vend të topave prej llastiku do të ishin fytet tanë nën thikën me teh të mpirë nga sirtari me enë gjithashtu socialiste të Gones.

    1. Hahaha! Më rregulloi ditën Gonia! Razija paçka se edhe ajo me papuçe socialiste, kishte megjithatë një mendësi shumë avantgarde (dhe të gabuar) për “gjënë e saj”.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: