FOTO ÇASTI

nga Klest Dubali

Dal shëtitje rrugëve të Tiranës, pasdite, për të shijuar e marrë kënaqësi të cilën ecja në këtë qytet, këtë stinë, ma ka dhënë përherë. Kjo kënaqësi shtohet edhe si pasojë e disa muajve jo të lehtë, të çuditshëm, krejt të pazakontë, të shkaktuar prej situatës së mbylljes nga rreziku i Covid-19. Ndoshta edhe prej kësaj, duket sikur ndryshe nga herët e kaluara, shqisat punojnë me kapacitet të plotë për të marrë prej realitetit të “jashtëm” çdo detaj, çdo kënd të qytetit që i ka munguar shikimit, çdo aromë që vjen nga pemët e blirit e të jargavanëve. Duket sikur po e rizbuloj Tiranën, me gjallërinë që e karakterizon në verë.

Teksa kaloj pranë Tajvanit dhe lë pas urën, me shfaqet para një burrë, me një aparat fotografik varur në qafë. “Hajde një foto çasti!”, “Në sekondë fotoja!”. Njerëzit kalojnë shpenguar, pa i kushtuar shumë vëmendje, ecin, nxitojnë, flasin. Unë gjithashtu. Megjithatë, kushedi pse kësaj here mendimi përqendrohet pikërisht tek fotografi e me shoqëron një pjesë të rrugës teksa eci.

Dikur çaste nga jeta e shumë familjeve të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera, janë fiksuar në objektivin e këtyre fotografëve. Me mijëra foto ndodhen sot nëpër korniza, nëpër sirtarë e albume, ku familjet pozojnë në qendrën e qytetit, apo fëmijët hipur në makina apo motorë të vegjël. Bashkë me ta, ruhet edhe ajo pjesëz e historisë së qytetit, në ato kënde të vogla të fotografisë mund të shquash hapësira të ndryshme të qendrës së Tiranës në fillimvitet ’90, që shërbejnë qoftë edhe për të vënë në punë kujtesën, që rrjedh më pas natyrshëm me kujtime personale të cilat secili i ka në mendjen e tij. Pavarësisht kësaj, këtë herë fotografi, më tepër se kujtesën historike, tjetër gjë më sjell në mendje.

Mendoj sesi teknologjia ndikon kaq shumë në jetën e njeriut, shpesh edhe pa e vënë re këtë ndikim. Sesi disa gjëra të vogla, që i marrim të mirëqena, ndryshojnë pjesë të botës tonë personale, të kujtimeve, të gjerave që lidhën ngushtë me veten. “Zhdukja” e këtyre fotografëve, e bashkë me ta, aparateve fotografike nëpër shtëpi, do të sjellë edhe zhdukjen e albumeve fotografike, të këtyre dritareve kaq interesante të kujtesës. Mund të duket si nostalgji, si melakolizëm i tepruar, si “old school” kjo gjë… mbase. Mund të jetë edhe kështu.

E megjithatë, disa pasoja janë reale tashmë. Me miliona fotografi hidhen çdo ditë në botën virtuale, nëpër rrjete sociale postohet me shumë se kurrë, foto, video të një cilësie të lartë. Duket sikur koncepti i fotografisë ka ndryshuar, tashmë ajo bëhet për një rrjet virtual, për t’iu “falur” hapësirës së pafund të gigabyte-ve e jo atyre pak faqeve të albumit të shtëpisë. Ngjan sikur fotografia e ka humbur funksionin “intim”, e ka dalë dalë nëpër “botë”.

E teksa i afrohem qendrës së qytetit, më rikthehet vëmendja tek realiteti i përditshëm. Ashtu siç fotografia dilte në çast, ashtu edhe mendimi përshkoi një çast trurin, për t’u larguar më pas po aq shpejt.

© 2020, Klest Dubali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Shqipja thotë “dal në fotografi”, “ke dalë shumë mirë (në fotografi)” etj., duke përdorur foljen DAL, e cila si kuptim themelor ka “kaloj nga një vend brenda te një vend jashtë”; ekuivalent kauzativ i DAL është NXJERR (QIT), me kuptimin “bëj të dalë”, dhe që gjithashtu përdoret në shprehje “nxjerr në fotografi” etj. Ky përdorim i DAL, sipas vektorit kuptimor BRENDA/JASHTË, ndeshet edhe në “dal në dritare (penxhere)”, “dal në televizor”, “dal në film”, etj.; ku kalimi BRENDA > JASHTË shërben edhe për të përcjellë kuptimin SHFAQEM, DUKEM – siç duket qartë te “dal në dritare”, ku dikush i SHFAQET botës përjashta, duke zënë vend te një hapësirë liminale, siç është dritarja, nga e cila edhe SHEH edhe SHIHET. Fotografia – të paktën ajo e dikurshmja, që ta bënte një fotograf në rrugë ose në studio – konstituohet si shfaqje ose paraqitje për TJETRIN; jemi ende shumë larg nga praktika dhe koncepti i SELFIE-t. Edhe albumet familjare, ku vendoseshin foto të tilla zakonisht të nxjerra nga fotografë profesionistë dhe të stampuara në letër të posaçme, ishin një lloj EKSPOZITE e familjes, që i tregohej një mysafiri, të afërmi ose edhe vetes, për të freskuar kujtimet.

    Në Tiranën time – në vitet 1960-1980 – ka pasur gjithnjë fotografë rrugëve; që zakonisht gjëmonin familjet me kalamaj, ose çiftet e reja; dhe vizitorët nga rrethet. Vendi i preferuar për fotografi ishte te “Skënderbeu” (më parë te “Stalini”) dhe parku i thelluar midis ministrive; unë kam me dhjetëra foto të tilla, në albumet e familjes; te parku më çonte zakonisht gjyshja. Fotografi të jepte një dëftesë, dhe pas dy-tre ditësh shkoje i merrje fotot te një dyqan. Zakonisht kishin cilësi shumë të keqe – dhe sot duken të vogla si pulla poste. Me dhjetëra mijëra të moshës sime do të kenë foto te parku mes ministrive; kjo, jo ngaqë vendi ishte më i miri, ose më i përshtatshmi, por ngaqë atje rrinin fotografët (në dimër ashtu mbroheshin edhe nga era). Mbaj mend që fotografët ishin jo rrallë të dehur. Nëse doje foto më të mira, shkoje dhe i bëje në studio – ku të vendosnin te një skenë dhe të ndriçonin bukur.

    Një tjetër lloj fotoje, ishte ajo në grup; bëhej zakonisht në shkollë, ose në festa familjare, etj. Shkollat kishin edhe një praktikë që e quanin “polifoto” – ku vinin portretet dhe emrat e nxënësve të një brezi. Foto grupi bëhen sot e kësaj dite – për të sanksionuar evente. Herën e fundit kemi bërë një të tillë te një konferencë albanologjike në Pogradec. Janë një kombinim i SHFAQJES (appearance) me PJESËMARRJEN (isha edhe unë). E njëjta gjë vlen edhe për dasmat dhe evente të tjera të ngjashme. Ky ishte funksioni REGJISTRUES i fotografisë, një lloj praktike gati burokratike; fotoja ndërmjetësonte kalimin nga përditshmëria në “histori” ose të paktën në memorie – dhe kjo e afron(te) me dokumentet e shkruara. Kujtoj këtu edhe fotot për letërnjoftime dhe pasaporta, si suport i identitetit personal.

    1. Për t’u kthyer te fotografitë e atyre viteve – ato që t’i shkrepnin në rrugë dhe në parqe “fotografët”: zejtarë, jo artistë. Roli i tyre ishte të rregullonin fokusin, ndriçimin, kuadrin, e shumta të thoshin “zogu, zogu”, që ti të shikoje drejt nga kamera; por jo më shumë se aq. Mua më kanë fotografuar shumë kur isha fëmijë – gjyshi im jetonte larg, në NYC, dhe donte që ime më t’i dërgonte fotot e nipit dhe të mbesës çdo javë. Mund të komunikoje vetëm me letra: nëna ime foli për herë të parë në telefon me të atin kur ai mbërriti në Itali, rrugës për riatdhesim, 30 vjet pas ndarjes së madhe. Por në vitet 1950, shqiptarët e qyteteve filluan të zbulojnë, ose më mirë të “shpikin” fëmijën: vdekshmëria foshnjore ish ulur, antibiotikët nuk lejonin më vdekje nga infeksionet, vaksinat po aplikoheshin në masë; dhe “fëmija” u shndërrua në kategori sociale. Ndryshe nga më parë, kur ishte thjesht një gojë për t’u ushqyer dhe për t’u rritur shpejt e shpejt. Pjesë e këtij “zbulimi” të fëmijës ishte edhe fotografimi: jo aq për ta fiksuar ekzistencën në celuloid, madje as edhe aq për mbajtur një “kronikë” të familjes, sa për ta ruajtur të pandryshuar mbresën nga një qenie, fëmija, që ndryshonte dita-ditës. Të krahasohet kjo me ato pak fotografi fëmijësh që ruhen në fototekat, nga periudha para Luftës II: fëmijët aty janë si të rritur në miniaturë, “burravogla”. Përkundrazi, qytetet në Shqipëri, nga vitet 1950 e këtej, erdhën duke u mbushur me fëmijë – dhe kjo pa e zënë fare në gojë politikën e nxitjes së lindjeve, që ndiqte regjimi. Konsultoret, karrocat e nënave të reja, biberonët, vaksinat, çerdhet, kopshtet, festa e 1 qershorit: të gjitha këto lajmëronin konsolidimin e një kategorie të re në skenën sidomos urbane – FËMIJËT. Fotografia artizanale e mundësoi këtë zhvillim social, duke i dhënë fëmijës vetë vërtetësi, ashtu si vetëm fotografia mund ta japë. Edhe në fotot familjare, të rriturit filluan të zgjedhin që të fotografohen me fëmijët – të tyret ose të së afërmve: kur i shoh tani fotot që kam dalë me xhaxhallarët, tezen, kushërinj të tjerë, pyes se kush certifikon dhe kush certifikohet në këto foto: kush është protagonist dhe kush figurant?

  2. Mua me shkon mendja te kotesia e teknologjise. Me miliarda dollare, miliona ore te gjenive te matematikes, fizikes, inxhinierise dhe logjistikes jane shpenzuar qe Zaho, une dhe Kseliandra, sikur miliarda te tjere, te kemi nje fotografi qe nuk do e shohim me, vec atyre ne banjo, teposhte ne gremine per selfie etj.

    Cudi qe nuk i ka vajt mendja te vendoset nje date skadence ne keto fotot. Me duket se e ka google photo kur ta fut ne arkive. Ky sherbimi cloud do te jetoj me gjate se une me duket, ishim mesuar me ca produkte te google qe zgjasnin 3 vjete.

  3. Unë kam një kujtim shumë të çmuar nga Foto Çasti. Dikush më kërkon miqësi në FB para ca kohe. Më shkruan se kishte qenë fotograf ambulant nga mesi i viteve 90. Kishte një foto të prindërve të mi – foto çasti – ende të pashpërndarë. Në atë kohë telefoni celular nuk funksiononte si sot. Prindërit ose kishin harruar ta tërhiqnin tek studioja përkatëse, ose nuk kishin ardhur të nesërmen sërish tek vendi i caktuar.

    Miku i ri, ish-fotografi, ma dërgoi kopjen e fotos.

    Ishte një dhuratë krejt e papritur. Në sfond ish-Qendra Ndërkombëtare Kulturës, në atë kohë vend tërheqës për kujtime të tilla. Me sa duket poli magnetik i Foto Çasti Tiranës ishte shpërngulur nga Sheshi Skënderbej tek Ish-Piramida, dhe pikërisht pas rënies së “piramidave”.

    Ja aty edhe prindërit e mi, të paqmë dhe të qeshur. Nëna me një tufë mimoza në dorë. Ishte data 14 shkurt 1998.

    Babai ndërroi jetë 5 vjet më vonë…Ai çast i kapur në foto ka për mua vlerë të jashtëzakonshme sot. Barthes ka një shkrim shumë të famshëm për këtë temë, La chambre claire.

    Sa për foton, ende nuk e kam marrë në dorë fizikisht…Ja edhe një tjetër pasojë e pandemisë…?

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: