RRUGËTIMI DISTOPIAN I LIGJIT TONË ELEKTORAL

Nga Altin Zaloshnja

Rruga është e gjatë, pyjeve enden kaçakë, hajdutë, bisha të egra…

Në krye të çdo katër vjetëve Teatri i Absurdit me reformën zgjedhore në Shqipëri, i përngjan një shfaqjeje pa shije të cilën populli detyrohet ta shikojë me zor dhe pa u pyetur, dubluar me zërin e disa figurantëve tejet të dëmshëm, në Këshilla Politikë ku serviret verbërisht butaforia e porositur nga shefat e tyre.

Në këtë produksion të keq që vazhdimësisht reklamohet si gjetje e re, ndërkohë që ka të njëjtin skenar të lodhur e paturpësisht të plagjiarizuar, mbrapa perdes luajnë dy-tre aktorë të konsumuar me mandatin e liderit, pikërisht ata të cilët ndihmuan që “show” i herës së fundit të dështonte plotësisht.

Personazhe përtej tragjikes e komikes, ata në vetvete janë arsyeja e krijimit dhe ekzistimit të kësaj rrokopuje, ndërkohë që rreken të tregojnë se kulari periodik elektoral i shtrënguar prej tyre në grykën e vullnetit të popullit, nuk është gjë tjetër por veçse mënyra më e mirë dhe e vetme, sesi mund të lodrohet në këtë lloj skene.

Në anën tjetër të kësaj plateje fatkeqësisht gjendet populli, i dërrmuar nga hallet e një përditshmërie të pashpresë, ngjyrë gri, ndërtuar dhe stimuluar prej këtyre karaktereve groteske, që nuk dinë të ndalen në turravrapin e tyre për ta bërë sa më të shëmtuar realitetin.

Me tinëzinë dhe paturpësinë karakteristike, ky soj politikanësh duket që janë të bindur që shoqëria shqiptare nuk ka kapacitetin e mjaftueshëm për t’i kuptuar skemat e tyre të nëndheshme, dhe nuk gjen forcë që të reagojë për t’u përballur me to.

E vetmja gjë që potencialisht mund t’i shqetësojë (kai’her’ vaktit), është presioni i faktorëve jashtë fuqisë së tyre kontrolluese, ndonëse të regjur siç janë në praktika ekstensive mashtrimi, shpesh’herë arrijnë të humbin gjurmët dhe të çorientojnë ata që me ose pa dashje, kanë marrë përsipër të jenë garancia e një procesi zgjedhor, të destinuar për të dështuar që nga fillimi.

Vendosmëria diabolike për të refuzuar dhe mosaprovuar një ligj elektoral të drejtë e të ndershëm, tentimi permanent për ta uzurpuar dhe manipuluar atë, justifikimi pa turp se “edhe këtë radhë nuk kishim kohë ta bënim” nuk janë veçse kurthet që ata i ngrenë atdheut në çdo mundësi që u jepet duke shtuar kontributin e tyre personal në listën e gjatë të pengesave që ky popull tradicionalisht ka përjetuar në histori.

Kjo nuk është as hera e parë dhe as hera e vetme që këta njerëz dhe forcat politike që ata përfaqësojnë kanë komplotuar së bashku, duke qenë kështu arsyeja kryesore që ky tranzicion i lodhur, vazhdon të zgjatojë pambarimisht.

Në Prill të vitit 2008, brenda një nate Sali Berisha dhe Edi Rama, asokohe krerët përkatës të partive të tyre (de facto edhe sot), në makutërinë për pushtet u dakordësuan për një ligj elektoral që institucionalizoi grabitjen, duke gërmuar akoma më thellë në gropën e dëmit katastrofik që po i bëhej demokracisë edhe ashtu jo-funksionale shqiptare.

Që të jemi të qartë, historikisht mënyrat dhe metodat e zgjedhjeve në këtë vend kanë prodhuar transformim të vullnetit të popullit në shumicën e herëve në mënyrë flagrante e disa më pak, gjith’her’ në favor të palëve që ishin në pushtet.

Duke filluar që nga Dhjetori i vitit 1945, kur shqiptarët forcërisht dhe pa asnjë mundësi tjetër u detyruan për të votuar vetëm për kandidatët e të ashtuquajturit Front Demokratik, për të vazhduar me terrin stalinist 45-vjeçar të gulagut “të lumtur” që votonte gjithmonë 99.99%, për të shkuar më tutje me futjen e dorës dhe mbushjen e kutive të votimit në zgjedhjet e “lira dhe të ndershme” të 26 Majit 1996 (shqiptari i madh Abas Ermenji e quajti diktator qesharak autorin e atij krimi elektoral) dhe për të mbërritur tek parlamenti i Dushkut në zgjedhjet e vitit 2001, tendenca grabitëse bolshevike e partisë mëmë, ka qenë gjithmonë prezente dhe është transmetuar pothuajse gjenetikisht tek bijëzat e saj në pluralizëm.

Por ajo që ndodhi me ligjin elektoral të vitit 2008-të dhe e veçanta më e madhe e tij, është futja e devijimit të vullnetit elektoral të popullit në një hulli të ligjshme, d.m.th. ndërtimi i një sistemi ku tashmë janë të legalizuara padrejtësitë që dy partitë e mëdha me mentalitet neokomunist, bëjnë për interesin e tyre në kurriz të shqiptarëve dhe demokracisë shumë të ëndërruar, por vështirë të provuar prej tyre.

Një shembull “par excellence” në ngjashmëri me ligjin elektoral që ju imponua zgjedhësve shqiptarë në 2008-ën, do ishte përpjekja që aktualisht Rama po bën për të formalizuar paratë e botës se errët shqiptare në ekonominë e vendit, pa patur as brerjen më të vogël të ndërgjegjes se në pjesën më të madhe të tyre ato janë rezultat i veprimtarive monstruoze kriminale, në bazë të parimit që “n.q.s. sot është e legalizuar, dikur duhet të ketë qenë e lejuar”.

Po të futen në sitë dhe t’u behet një analizë aspekteve të ndryshme të ligjit elektoral të 2008-ës, lehtësisht mund të konstatohet se:

Së pari, interesat e kundërta për pushtet të individëve që e formuluan marrëveshjen, nuk i penguan aspak ata që ta nënshkruanin këtë pakt mefistofelian dhe kjo është tregues i qartë i mungesës së skrupujve njerëzorë, moralë dhe personalë, i njërës palë për të arritur tek pushteti me çdo mënyrë, dhe i palës tjetër për ta mbajtur atë me çdo kusht.

Së dyti, fuqia që si rezultat i atij rakordimi dhe për rrjedhojë si pasojë e tij u jepet individëve në krye të partive është e frikshme dhe e pashoqe, e pakrahasuar me pothuajse asnjë sistem tjetër politik në botën demokratike.

Nëpërmjet atij veprimi u sanksionua që liderët e dy forcave të mëdha do të ishin regjisoret, vet’nominatorët, juri-përcaktoret, ata që do mbanin Oskarin e Artë ndër duar dhe do vendosin se kush nominohet në çdo cikël zgjedhjesh.

Me fjalë të tjera u krijua një sistem oruellian, ku pushteti i vërtetë varet nga qenia në krye të partisë dhe kur kjo fuqi të dhurohet në pjatë ose është e pamerituar, atëherë udhëheqësi manekin i partisë (a thua vallë ka të tillë në Arnautistan?) mund të vendosë në krye të listave këdo që i buzëqesh atij më tepër, kuptohet gjithmonë në konsultim të plotë nëpërmjet tekstesh, telefonatash apo bisedash “tete-a-tete” me bacën apo bablokun primordial të partisë.

Së treti, duke shtrënguar dhe ngucur me shumë djallëzi sistemin, të dyja palët gjithashtu siguruan njëra-tjetrën që sidoqë të ndodhte në vazhdim, partitë e tyre respektive do e kishin të garantuar qenien në politikë si forca të para politike dhe arritën që me anë të atij akti përfundimisht të vendosnin hegjemoninë e tyre dualiste, brenda një sistemi që teorikisht supozohej të ishte multipartiak.

Pra jo vetëm u garantohej liderëve përkatës plotfuqishmëria e sundimit, por duke kufizuar dukshëm hapësirën për të tjerët, thithej gjithë oksigjeni i nevojshëm ndaj çdo lëvizjeje alternative, që mund të kishte potencialin për të tronditur pozitën dominuese të tyre në spektrin politik shqiptar.

N.q.s. dikush do kishte ende ndonjë dyshim për ADN-në ideologjike të dy partive kryesore shqiptare (komuniste vs. antikomuniste), ky ligj elektoral që ato “kërryen” atëherë së bashku, është pasqyra më e qartë dhe reflektuese e gjenezës, ngjizjes dhe mentalitetit leninist të tyre.

Sepse në thelbin i atij ligji në vetvete, pik’sëpari mbizotëron ideja e mbylljes së shtigjeve të konkurrencës së ndershme, duke e stisur sistemin në një mënyrë të tillë që gjithçka të rrotullohet rreth orbitës së përcaktuar prej partive të mëdha.

Dualizëm partiak në fakt mund të ketë, Shtetet e Bashkuara kanë një sistem të tillë, por kjo ndodh sepse kushtetuta i bashkon në mënyrë universale bindjet e qytetarëve mbi të drejtat dhe liritë themelore të tyre ndërkohë që ideologjia i ndan nga pikëpamje të tjera, por në asnjë mënyrë nuk ndodh që partia Republikane ose Demokrate të ndërtojnë së bashku një mekanizëm që qëllimisht frenon konkurrimin e palëve të treta.

Së katërti, koalicionet artificiale që nëpërmjet ligjit të vitit 2008-të u lejuan e në vazhdim u krijuan, në asnjë moment nuk kanë përfaqësuar vullnetin real të popullit, ato kanë shërbyer si një fshesë që grumbullon kartonë të pamerituar në parlament, me anë të një formule që rrit arbitrarisht peshën e partive pa peshë, të cilat n.q.s. do garonin të vetme në votime, vështirë se do të kalonin cilindo prag minimal zgjedhor.

Këto parti të drejtuara përsa nuk mbahet mend nga të njëjtët individë, e kanë kthyer në art vegjetimin sipas modelit klientelist, duke përfaqësuar një elektorat që ekziston vetëm në fantazinë e tyre, ndërkohë që për shkak të formulës korruptive të koalicioneve i ngazëllohen mundësisë për të qenë rishtas në parlamentin shqiptar, dhe për të ofruar gëzueshëm aty kontributin e tyre “unik”, nga njëra legjislaturë në tjetrën.

Ç’është më e rrezikshme, precedenti i tyre mund të shërbejë si vitrinë eksperience për partitë e së nesërmes, që n.q.s. nuk kanë këllqe të forta për të rezistuar përtej një cikli zgjedhjesh, do hedhin sytë nga kjo mënyrë gjallimi dhe s’do i përmbaheshin tundimit për t’u bërë shtojcë me logo nën hyqmin e njërës prej partive të mëdha, duke shtuar numrin e shushunjave politike lavjerrëse, të krijuara prej këtij dualiteti politik asfiksues.

Së pesti, sistemi elektoral Rajonal Proporcional me lista të mbyllura – a.k.a. sistemi spanjoll – që ju imponua zgjedhësve nga ky ligj ishte një tjetër shkelje flagrante që i shërben idesë së vjetër të ndarjes dhe kantonizimit të Shqipërisë duke frymëzuar kështu rritjen e ndasive krahinore (Veriu me PD-në, Jugu me PS-në) që disa politikanë tribalë shqiptarë, nuk kanë aspak turp t’i fryjnë dhe t’i nxisin herë pas herë në mënyrë banale dhe tërësisht antikombëtare.

Rajonali Proporcional dhe për më tepër me lista të mbyllura mbase mund t’i vijë për shtat një shteti si Spanja me problemet që trashëgon në një sërë komunitetesh autonome (Katalonja, Territori Bask, Galicia), por nuk ka absolutisht në të asnjë element përqasjeje, që i shërben kohezionit nacional që duhet të ketë një Republike Unitare siç është Shqipëria.

Logjikisht, ligji elektoral për të cilin Shqipëria ka nevojë duhet të jetë e kundërta e atij Rajonal Proporcional, pra një ligj që ofron bashkimin jo për shkakun se një krahinë po përpiqet të largohet prej trungut siç mund të jetë tendenca në Spanjë, por sepse pikërisht kjo do shërbente si forcë për rritjen e sensit të përkatësisë që të gjithë shqiptarët pa përjashtim duhet të kenë në zhvillimin dhe progresin e çdo ane, këndi dhe cepi të atdheut të tyre.

Sa më sipër, janë të gjitha arsye të shtuara pse sistemi duhet t’u ofrojë zgjedhësve mundësinë për të votuar kandidatët më të mirë në rang kombëtar pavarësisht vendit ku ata jetojnë/votojnë, cilësi që përmbushen në të gjitha aspektet nga një ligj Proporcional Kombëtar me lista 100% të hapura, ku gjithashtu është garantuar edhe zbatimi i detyrimit gjinor prej 33%.

Së gjashti, struktura e emërimit dhe funksionimit të komisioneve të votimit, duke filluar që nga baza deri në majën e hierarkisë, që kontrollohet plotësisht nga dy partitë kryesore me pjesëmarrjen e forcës se tretë që ushqehet me llokma korrupsioni duke kërcyer malenaken ndërmjet tyre, krijon kushte për të gjitha llojet e mundshme të manipulimeve në kurriz të partive të vogla ose të reja që nuk kanë anëtarë me të drejtë votimi në komisione.

Dhe shumë shpesh ka ndodhur që si rezultat i marrëveshjeve të pista ndërmjet anëtarëve partiakë të qendrave të votimit (jo të gjithë, kuptohet) vota që përfaqësojnë vullnetin elektoral të mijëra njerëzve, janë ndarë ose pjesëtuar duke u kaluar në llogari dhe numëruar në favor të njërës parti ose tjetrës në një vjedhje të pastër elektorale, fakt që sjell nevojën urgjente për ndryshimin apolitik të procesit, duke filluar që nga komisioni i qendrës së votimit, për të kaluar tek ai Zonal dhe përfunduar tek ai Qendror.

Së shtati dhe e fundit, lënia me dashje jashtë sistemit e qytetarëve shqiptarë që jetojnë larg atdheut, duke ju mohuar mundësinë e votimit (në rrëfim të plotë, autori është njëri prej tyre), dhe mosveprimi total deri më sot për inkuadrimin e këtij grupi njerëzish në procesin elektoral, në kundërshtim të plotë me kontributin shpirtëror dhe material që ata i japin atdheut dhe mirëqenies së tij, bëhet për të mbyllur rrugët e përfshirjes dhe përfaqësimit të atij grupi njerëzish që jetojnë pa patur nevojë për t’i bërë hosanna regjimit të radhës, dhe si të tillë në shumicën e tyre absolute janë të pavarur dhe nuk mund të blihen nga politika.

Eliminimi i mundësisë për të votuar ose për t’u zgjedhur brenda ose jashtë suazave partiake të këtij numri të konsiderueshëm bashkëkombësish, është një tjetër paturpësi mosmirënjohëse e politikës shqiptare, ndaj atyre që në çdo ditë të veçantë të vitit i japin një paraqitje dinjitoze atdheut kudo ku janë, punojnë e jetojnë duke lenë mbresa nga më të mirat për të qenit shqiptar, sepse të gjithë këta individë që e duan Shqipërinë në mënyrë pothuajse romantike, në asnjë rast nuk kanë kërkuar dhe kërkojnë përfitim personal në kurriz të saj.

Kjo do ishte pak a shumë analiza e dëmit që ajo natë fatzezë Prilli e vitit 2008-të i ka sjellë Shqipërisë dhe demokracisë së saj edhe ashtu super të brishtë dhe dy fajtorët kryesore të kësaj mynxyre elektorale me emër, firmë dhe vulë janë Sali Berisha dhe Edvin Rama të pasuar nga e gjithë skota e ronxhobonxhove të atij parlamenti, që votoi nën yshtjen dhe diktatin e tyre.

Tani le të bëjmë “fast forward” tek situata sot, sepse në fund të fundit qëllimi nuk është vetëm analiza e historisë retrospektive, por edhe ofrimi i sinqertë i një modeli të drejtë zgjedhor të cilin pa asnjë dyshim dhe pas gjithë kësaj kohe, shqiptarët duhet të meritojnë sot.

Me 5 qershor 2020, me anë të përpjekjes së radhës për ta kontrolluar ligjin zgjedhor u firmos një marrëveshje tjetër që s’është gjë tjetër veçse vazhdim i dhunimit të vullnetit të zgjedhësve, për llogari të interesave meskine të liderëve partiakë.

Ambasadorët nën vëzhgimin dhe me shtytjen e të cilëve u formësua kjo marrëveshje, në atë moment lanë përshtypjen sikur nuk i shqetëson fort sabotimi i mundësisë nga partitë pjesëmarrëse në tavolinë për të patur një ligj zgjedhor të drejtë, kusht i cili është vendosur në letër, nga vetë qeveritë që ata përfaqësojnë.

Kuptohet të lodhur siç janë nga zullumet e politikanëve të padenjë shqiptarë donin ta përfundonin këtë punë sa më shpejt dhe ndofta me dëshirën për të ndihmuar (sipas idesë së tyre), gjithsesi fakt ngelet që në 5 qershorin e sponsorizuar dhe monitoruar prej tyre, janë shkelur me të dyja këmbët parimet për të cilat organizatat përkatëse që shërbejnë si rojtarë uniformë të procesit (OSBE/ODHIR), insistonin fort që duheshin përmbushur.

Gjithsesi dua të besoj e shpresoj, që të paktën ambasadorja e Shteteve të Bashkuara që personalisht me lë përshtypjen e një gruaje të aftë që duke përfaqësuar vendin e saj ka për zemër interesat e Shqipërisë dhe jo të politikanëve të saj, do shkojë përtej asaj marrëveshje duke insistuar që pika fondamentale të saj të ndryshohen në mënyrë që të ravijëzohet formati për një ligj elektoral të denjë.

Fakt është, që nuk ka asnjë lloj ndryshimi reformator në atë që është firmosur më 5 qershor, përkundrazi me insistimin e partisë Demokratike dhe bylykbashit të saj (njërit prej skuthave më negativë të atij realiteti, që e njeh në mënyrë qelizore strukturën e ligjit zgjedhor dhe e përdor njohurinë për të legjitimuar grabitjen elektorale) sistemi u ngurtësua më tepër, duke mbajtur pothuajse të gjitha karakteristikat që trashëgoi nga ai i vjetri.

Sipas 5 qershorit komisionet nuk janë depolitizuar, listat nuk janë hapur, kryetarët pavarësisht farsave në bazën e partisë do t’i kontrollojnë ato edhe më tutje, Proporcionali Rajonal vazhdon të ekzistojë, koalicionet do të ngelen, kryetarët e partive klienteliste dhe ndofta të tjerë nga shpura e tyre me gjasë do të jenë prapë në parlament, ndërsa për emigrantët nuk është e qartë a do mund të votojnë apo jo.

Dhe pyetja normale që mund të shtrohet është përse partia Demokratike që kreu aktin ekstrem të daljes nga parlamenti duke u ankuar për votat e vjedhura nga sistemi, që premtoi ndryshimin e tij me të gjitha mënyrat, që organizoi të paktën nëntë demonstrata shumica e të cilave ishte e dhunshme, që ndezi dhe hodhi disa qindra molotovë, që premtoi me zërin dhe figurën e liderit nganjëherë të ngjirur nga përdorimi i epërm i kordave zanore që sistemi do ndryshojë me hir ose pahir, sot kur i jepet mundësia refuzon ta bëjë këtë?

A mund të jenë arsyet sepse lideri ka dalë zbuluar, sepse mbas stofit dhe buzëqeshjes prej teritali nuk mund të fshihet përgjithmonë, sepse ai asnjëherë realisht nuk e dëshironte. ndryshimin e ligjit elektoral, sepse premtimet e djeshme të gënjeshtërta pa zemër ishin të destinuara të shndërroheshin në lojëra të sotshme pa maskë?

Nga ana tjetër është Rama që ka filluar të kuptojë se toka po i rrëshqet nën këmbë, sepse bota dhe liderët e saj nuk janë më të magjepsur nga shakatë e kripura (të Duces) dhe ekzibicionizmit delirant të tij, se marrëzia e prishjes së teatrit në mes të epidemisë e në mes të natës ngjalli një kundërshti të paparë kombëtare dhe ndërkombëtare, se menaxhimi i situatës COVID-19 nga një mbyllje drastike në një hapje pa duar po provon i dështuar, se P-të në fuqi të tretë me tenderë të fryrë e të paracaktuar për të njëjtin klient radhazi, nuk mund të jenë mënyra sesi zhvillohet një ekonomi.

Meqenëse e kupton që kupa është mbushur dhe ka kohë që po derdhet, po përpiqet këto ditë të flasë për një formulë të re elektorale, por pa e ndryshuar rrënjësisht atë, thjesht duke hequr kinkalerinë e koalicioneve dhe duke hapur 66% listat (për momentin, përqindja që thotë sot mund të ndryshojë prapë nesër) sepse ndjen që aleanca e luleve që thonë se një ditë do të çelin, mundet potencialisht t’i bashkëngjitet një rrebeshi popullor që voton Kundër tij dhe jo Pro tyre.

Gjithsesi, n.q.s. 5 qershori që u votua siç ishte, do mbetet kështu pa ndonjë ndryshim drastik në ndonjë votim pasardhës, në realitet do e thellojë degradimin e përgjithshëm të sistemit dhe do hapë dritare të reja abuzimi për politikanët shqiptarë që të aftë siç janë në artet e zeza të nënkuptimit, do marrin për të mijtën herë mesazhin se mund të vazhdojnë së bëri politikë me metodat e tyre të vjetra, për sa kohë që janë në gjendje që t’i shesin si suksese përpara faktorit ndërkombëtar, mbrapshtitë e tyre.

Se cfarë mund të ndodhë është e vështirë për t’u parashikuar, sepse nën presion ata mund t’i ndryshojnë nga 35 deri në 80 grade qëndrimet, por dyshoj më tepër, sepse historia ka provuar se ajo që politikanët shqiptarë nuk do e bënin kurrë me dëshire do ishte krijimi i një sistemi të paanshëm ku të gjitha forcat do të konkurronin ndershmërisht dhe do të merrnin ekzaktësisht numrat që do u jepnin votuesit.

Më poshtë po jap disa pika në bazë të cilave mund të hidhen themelet e një ligji elektoral solid, që po u zbatua me drejtësi në praktikë do mund t’i shërbente vendit për shumë kohë:

1)Sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura dhe me një prag përfaqësimi të arsyeshëm (2-5 %, dhe mund të negociohet brenda atyre numrave).

2) Sistemi duhet të ofrojë lista të hapura, ku votat e zgjedhësve vendosin për renditjen e një kandidati në listën partiake që hyn në parlament.

3) Administrata Elektorale duhet të jetë e depolitizuar në të gjithë strukturën e saj, nga kupola deri në fund.

4) Koalicionet partiake parimisht nuk duhet të lejohen, çdo parti duhet të marrë vende në Parlament, bazuar në numrin e votave që merr vetëm nga kandidatët e saj por n.q.s. pranohen (si mundësi për kompromis) një kandidat/e duhet ta kalojë pragun elektoral vetëm nën siglën e partisë së tij/saj.

5) Qytetarëve shqiptarë qe jetojnë jashtë vendit duhet t’u krijohet mundësia të votojnë në vendet ku kanë rezidencën dhe t’u jepet një përqindje e vendeve në Parlament, bazuar në numrin e përgjithshëm e votuesve që përfaqësojnë.

6) 1/3 e kandidateve nga listat e një partie që garon, duhet të jenë femra.

7) Të lejohen kandidatët e pavarur në rang vendi që arrijnë të marrin një numër të caktuar firmash mbështetësish unikë, dhe të caktohet një prag përfaqësimi për ta (natyrisht, më i ulët se i partive)

Këto janë disa pika të cilat mund të shërbenin si pikënisje për një sistem elektoral koherent që do i bënte mirë kombit shqiptar dhe meqenëse jemi tek kombi nuk duhet lënë pa përmendur fakti që Kosova (sikundër shumë shtete demokratike në Evropë) ka një sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura, me anë të cilit zhvillohen zgjedhje drejta dhe të ndershme, ku çdo forcë politike, pavarësisht aleancave paraprake merr atë që i japin zgjedhësit dhe në fund nuk ka llogje për ndryshimin e imagjinuar të vullnetit të votuesve.

Por realizmi të kthen me këmbë në tokë dhe është e vështirë të imagjinosh një skenar, ku liderët kryesorë politikë shqiptarë të ngarkuar siç e kanë ndërgjegjen me manovra bizantine, etje për pushtet dhe shpërfillje totale të asaj që është e drejtë, të përpiqen në mënyrë të vullnetshme për të bërë atë që duhet.

N.q.s. ata nuk ndryshojnë (nuk është e pritshme që të ndryshojnë) atëhere është momenti që forcat pozitive brenda kombit shqiptar, shoqëria civile n.q.s. ekziston dhe të gjithë ata që ja duan të mirën atij vendi ngado që ndodhen ta marrin vetë në dorë fatin e vendit të tyre dhe të kërkojnë fuqimisht ndryshimin e sistemit, u pëlqen ose jo partive uzurpatore në politikë.

Pyetja shtrohet a është i ndërgjegjësuar sa duhet qytetari shqiptar që të kundërshtojë padrejtësitë ndaj interesave të tij, sepse sa më shumë që shtohen dinakëritë e politikës aq më tepër njerëzit besojnë se “vendi nuk bëhet më” e aq më shumë do vazhdoje largimi fizikisht prej tij, ndërsa ata që mbeten do i largohen konceptit të bashkëveprimit publik, dhe për rrjedhojë në jetët e tyre do të jenë akoma më të painteresuar për rrumpallën që ju bëjnë peshqesh çdo javë politikanët.

Dikur mbreti Solomon që zotëronte një zgjuarsi supreme dhe ishte njohës deri në thelb i “gjësë” që quhet natyrë njerëzore shprehej: “Drejtësia e ekzalton një komb, kurse mëkati është turp për çdo popull”.

Shqiptarët duhet të kuptojnë se përsa kohë vazhdojnë me jetë të jetuara pa integritet, me vendime personale që nuk kanë asnjë lloj skrupulli moral, me përçmim total ndaj ligjit përsa kohë që mund të “kapin” diçka, me një mjedis qe gëlon nga kriminelët, trafikantët e zuzarët e të gjitha llojeve, me gjykatës që shesin drejtësinë, me oligarkë që mufaten prej konkurrencës së padrejtë, me politikanë që mashtrojnë vazhdimisht, nuk do ketë dritë në fund të tunelit dhe situata nga shumë keq do shkojë shumë mos më keq.

Në të kundërt n.q.s. fillojnë të kuptojnë dhe veprojnë bazuar në përkushtimin dhe kujdesin për qenien tjetër njerëzore, ndershmërinë në jetën personale, dinjitetin që çdo individ duhet të ketë në jetë, paqen e të jetuarit me integritet, të qenit të vërtetë edhe atëherë kur askush nuk po shikon, respektin për natyrën që i rrethon, trajtimin human ndaj kafshëve, atëherë mund të presin e kërkojnë një kualitet e ambient jete të ndryshëm nga tollovia e sotshme dhe mund të kërkojnë një nivel politikanësh që kujdesen për kombin e tyre.

Urimi është që një ditë të jetë kështu për shqiptarët, që mbas Natës së dhimbjes së gjatë, në Agim të vijë gëzimi.

(c) 2020, Altin Zaloshnja. Të gjitha të drejtat të rezervuara. (c) 2020 Peizazhe të fjalës, për versionin e botuar të tekstit. Ndalohet rreptësisht kopjimi nga palë të treta.

Rreth Autorit

Altin Zaloshnja është drejtues i Departamentit të Studimeve Sociale në UALC (Utica Community Schools) ne Sterling Heights, Michigan dhe jep lëndët e Qeverisjes, Historisë Moderne Amerikane dhe Historisë Botërore.

Author Archive Page

19 Komente

  1. Ndjesia ime per 5 qershorin ishte se ambasadorja Kim doli si i thone popullorce e menderosur, se ajo marreveshje ishte kryekeput tallje. Po Kimja e meriton se sa here flet me ngjan me Lali Erin, duket se flet vetem per kalamajte dhe te harxhon kohen kot.

    Pavaresisht se do perseritem, them se nuk mund te behet asnje analize dhe nuk mund te jepet asnje propozim, pa sqaruar me pare, nese partite e vogla dhe/ose te reja jane mire apo keq. Pastaj rrjedhimisht, nqs jane mire do te propozohet proporcionali kombetar me prag te vogel ose pa prag fare, nqs jane keq do propozohet mazhoritari.

    Eshte e qarte qe perfaqesimi do te shkoje natyrshem tek pesha e partive te vogla dhe jo te pesha e deputeteve te pavarur.

    Proporcionali spanjoll kishte si nje nga objektivat kryesore nenshtrimin e partive te vogla dhe ia arriti, Rama i shkaterroi gjithe partite e vogla te majta, ndersa Berisha i mblodhi rreth vetes duke i futur te gjithe kryetaret e partive te djathta tek lista e vet ( gje qe solli nje c’interesim relativ te kryetareve te partive te vogla per vota).

    Deshtim ishte si fuqia me e madhe e partive te vogla para 2008 e deshtim modeli pas 2008, me partite e vogla te asgjesuara ose thuajse.

    Deshtimi i takon demokracise parlamentare dhe eshte jo vetem shqiptar por mbareeuropian, Italia duket si vend i coroditur, Greqia kolapsin e zbuti duke risjelle bijte e eterve ( te keqen e demokracise), Gjermania e ka kthyer Grosse Koalition ose koalicionin e madh e te turpshem, ne dicka te zakonshme e te moralshme.

    Pastaj keta shyqyr qe kane kodin zgjedhor qe te kene per cfare te bejne sikur zihen per 1 vit, se problem eshte edhe gjetja e motiveve per te mbushur gazetat e televizionet me ”politike”.
    Pastaj si tek nje komendi e viteve 2000, jane edhe njerezit qe duhen mbajtur me lajme, do u bjere te fiket pa dozen e lajmeve.

  2. Dies, nuk shikoj ndonje ndryshim esencial ndermjet asaj qe mendon ti dhe asaj qe kam thene une. Ligji i 2008-es u be me qellimin e eliminimit te partive te tjera qe ekzistonin ne te dy krahet respektive te spektrit politik. Si PS-ja ashtu dhe PD-ja ishin thellesisht te interesuara per kete. Ne planin afatgjate mendoj se goditjen me te madhe e ka marre e Djathta Reale, per pranine e se ciles gjithmone gjithmone ka patur nje nevoje uleritese ne politiken shqiptare, qe asnjehere nuk eshte plotesuar si duhet.

    Gjithsesi cfare ndodhi me ate ndryshim kushtetues, tregon shkallen e larte te sofistikimit politik (po aq sa edhe diabolik) te dy partive te medha. Ligji ne vetvete nuk eshte levizje prej diletantesh. Me ate u groposen te gjitha opozitat e mundshme, sistemi u dualizua dhe perfundimisht ju hap rruge klientelizmit Nard Ndokist qe shohim sot.

    Per ambasadoren e ShBA-se vazhdoj te mendoj qe qellimin e ka patur pozitiv, por eshte e veshtire te navigosh mes lukunise se ujqerve, qe perbehet nga politikanet shqiptare. Nderkohe qe ambasadoret evropiane duken teresisht te kapitulluar nga vete fakti qe pranuan nje marreveshje ne kundershtim me ate qe kerkonte OSBE-ODHIR-i. Kjo le te kuptosh qe nuk kane me force per te ndikuar mbi situaten dhe jane aty sa per fasade, qe ti japin nje tis demokratik meselese, dhe me vone te thone qe Shqiperia e meriton celjen e kapitujve te pare te negociatave.

    Perfundimisht, nqs nuk zgjohet populli ose kushdo qe quhet popull sot, ky lloj filmi do vazhdoje per nje kohe te gjate.

    Faleminderit per komentin!

    1. Populli nuk zgjohet vete, per 5 shekuj gjume u deshen 3 breza rilindasish dhe dy luftera ballkanike. Problemi eshte se pas 45 vjetesh diktature, u opiumizua edhe per keto 30 vjet, me teorine e hapave permiresues te ngadalte, por te pandalshem drejt se pashmangshmes demokraci. Ja psh cdo pale zgjedhje quhet me e mire se parardheset, gje qe konfirmohet edhe nga te huajt ( meqe ra llafi, ata nuk kerkuan ndryshim te proporcionalit rajonal).

      Nismja thurje, erdhi e u identitifkua me teorine se ndryshimi i sistemit elektoral do ndryshoje politiken. Ne rast se nuk eshte naivitet eshte propagande.
      Megjithate, pa nje sistem elektoral qe te mundesoje partite e reja, ketu nuk ka per te ndryshuar asgje edhe pasi te na kete mbire qiparisi dy pashe siper, thjesht cdo pale zgjedhje do te jene me te mira sesa te meparshmet, me garanci nderkombetare.

    1. Alba, mazhoritari i paster ka mangesi strukturale dhe nuk mendoj qe eshte i duhuri per Shqiperine, sidomos ne kete moment.

      E para, e drejton fokusin e zgjedhesve vetem ne nje nje zone te vetme, qe kthehet ne nje rreth vicioz elektoral, te mbyllur.

      E dyta (ne varesi te kandidatit qe zgjedhin) partite i largohen pergjegjesise per menyren sesi kane qeverisur apo si jane sjelle ne opozite. A) Mund te caktojne nje kandidant me reputacion qe te mbulojne mekatet e te shkuares. B) Mund te caktojne te fortin e zones qe me ane te bandave te tij, do perpiqet ta ndryshoje vullnetin e zgjedhesve. Ne luften ndermjet A-se dhe B-se, si rregull ne Shqiperi fiton B-ja, dhe kthehemi prape tek diskutimi i hershem, per nje parlament te mbushur me kriminele.

      E treta, mazhoritari i paster e copezon me teper se Rajonali Proporcional hapesiren e zgjedhesve per tu shprehur per nje problem ne nivel kombetar, duke mos i dhene mundesi (ose duke i hequr interesin) nje votuesi te thote fjalen e tij, per cfare ndodh ne nje zone tjeter. Shqiperise i nevojitet kohezion nacional, dhe te gjithe duhet ta ndjejne veten te perfshire, per ate qe po ndodh ndodh me atdheun e tyre, ne cdo cep te tij.

      E katerta, mazhoritari mund te fitohet lehtesisht ne nje zone dhe shume vota “do shkonin dem”, sepse nje kandidat mund ta fitoje nje zone me nje vote te vetme me teper ose me 3.000 te tilla. Ne rastin e fundit, sistemi praktikisht do nxirrte jashte loje 2.999 vota.

      E pesta, me mazhoritar te paster nje parti mund te fitoje zgjedhjet, por te kete shume me pak vota ne rang kombetar sesa kundershtari, dicka e ngjashme me ate cfare ka ndodhur ne USA ne disa cikle zgjedhjesh (viti 2000, viti 2016). Nje parti ka fituar me mbi 2.000.000 vota ne nje shtet (Kalifornia) dhe ka humbur me 6.000 vota ne nje shtet tjeter (Iowa) dhe ne totalin perfundimtar, partia humbese ka patur 2.500.000 vota me teper ne rang kombetar. Po e sjell thjesht si shembull numrash, sepse ne USA, sistemi eshte konsoliduar qe ne fillimet e veta, ka dy faza te percaktuara qarte dhe zgjedhjet fitohen me kolegj elektoral, dhe per me teper ekziston nje tradite demokratike tradite qe i mungon plotesisht Shqiperese.

      Dhe ne fund, e vetma menyre sesi mazhoritari edhe mund te konsiderohej ne Shqiperi do ishte nje sistem miks, midis tij (mazhoritarit) dhe Proporcionalit Kombetar, qe pastaj do kerkonte percaktimin e perqindjeve te njerit apo tjetrit ne kete sistem miks.

      Per kushtet qe eshte Shqiperia, per te pare realisht sa vota ka cdo parti dhe per te respektuar cdo vote Proporcionali Kombetar me lista te hapura, eshte zgjidhja e duhur!

      1. ‘..E pesta, me mazhoritar te paster nje parti mund te fitoje zgjedhjet, por te kete shume me pak vota ne rang kombetar sesa kundershtari, dicka e ngjashme me ate cfare ka ndodhur ne USA ne disa cikle zgjedhjesh (viti 2000, viti 2016). Nje parti ka fituar me mbi 2.000.000 vota ne nje shtet (Kalifornia) dhe ka humbur me 6.000 vota ne nje shtet tjeter (Iowa) dhe ne totalin perfundimtar, partia humbese ka patur 2.500.000 vota me teper ne rang kombetar…”

        Keto jane zgjedhje presidenciale .SHBA kane sistem me electoral college.Ky sistem eshte bere i tille sepse vendi eshte bashkim shtetesh dhe ne kete menyre nje shtet si psh Wyoming me 500 mije banore te mos neperkembet nga shtetet e medha si psh California.

        “E dyta (ne varesi te kandidatit qe zgjedhin) partite i largohen pergjegjesise per menyren sesi kane qeverisur apo si jane sjelle ne opozite. A) Mund te caktojne nje kandidant me reputacion qe te mbulojne mekatet e te shkuares. B) Mund te caktojne te fortin e zones qe me ane te bandave te tij, do perpiqet ta ndryshoje vullnetin e zgjedhesve. Ne luften ndermjet A-se dhe B-se, si rregull ne Shqiperi fiton B-ja, dhe kthehemi prape tek diskutimi i hershem, per nje parlament te mbushur me kriminele..”

        Pika B ka ndodhur ne Shqiperi edhe me kete sistem qe kemi .Mark Froku psh .Ne menyren si e shtroni ju duhen partite te mendojne per te zgjedhur njerezit e duhur pasi zgjedhesi nuk eshte i afte menderisht te gjykoje vete mbi cilesine e kandidatit .Me fjale te tjera Rama , Meta ,Basha jane te vetmit qe kane inteligjencen per te percaktuar se kush duhet te perfaqesoje popullin i cili nuk ka zgjidhje vecse te zgjedhe cfare i servirin keta .Kush na garanton se nuk do te kemi parti politike te financuar nga aktivitet kriminal ?Nje sistem mazhoritar ku biografia e kandidateve ti behet e njohur publikut, me primaries , me debate etj sherben me mire per filtrimin e kandidateve .
        Edhe me sistemin mazhoritar kandidatet gjykohen nga perkatesia partiake.Kujtoj zgjedhjet e 1992 kur disa figura me eksperience qeverisje te PPSH humben ndaj disa njerezve anonime emrat e te cileve si kishte degjuar kush .Muhamet Kapllani psh humbi ndaj nje mesuesi fiskulture .Duket absurde por persa kohe zgjedhja eshte bere me vullnet te lire duhet respektuar dhe leri turmat ashtu si individet te vjelin frutet apo te paguajne pasojat e vendimeve te tyre .

        1. Alba, nuk ka fare diference ndermjet citimit tend per kolegjin elektoral ne SHBA dhe asaj qe mendoj une, pervec faktit qe Wyoming nuk ishte ekzistonte fare ne ate kohe dhe u be shtet 102 vjet mbas ratifikimit te kushtetutes. Megjithate edhe per Wyoming vlen si fakt, eterit themelues si vizionare qe ishin dhe duke pare ne distance, gjeten nje mekanizem balancimi, ne menyre qe cdo shtet ekzistues ose i ardhshem te kishte peshen e tij ne sistemin elektoral.

          Por gjerat gjithashtu ndryshuan edhe me vone, me shtysen e Eres Progresive (fund shek.19, fillim i shek. 20-te) u fut sistemi i zgjedhjeve paraprake (primaries), ndersa me kalimin e amendamentit 17-te (viti 1913), u garantua qe senatoret do zgjidheshin me votim te drejtperdrejte nga gjithe votuesit e nje shteti, dhe jo me nga legjislatura e tij. Te dyja keto levizje e kane permiresuar ne menyre thelbesore, sistemin elektoral ne USA.

          Persa i perket mazhoritarit ne Shqiperi, per arsyet qe kam shpjeguar me lart, nuk eshte sisemi i duhur te pakten per momentin ne Shqiperi. E para, prape deputetet e mazhoritarit do caktohen perseri apriori nga kryetari i partise (ne cdo sistem ne fakt). E dyta ky sistem e “copezon” interesin e votuesve, vetem ne nje zone dhe nuk u jep atyre mundesine te mendojne per interesat e te gjithe bashkekombesve te tyre. Ne gjykimin tim krijon feude dhe potencialisht me shume perplasje midis kandidateve dhe grupeve mbeshtese te tyre ne ate zone. Kjo potencialisht mund te sjelle me shume hapesira per transformim te votes (presion, blerje, premtime, shtyse familiare) etc. Nqs. Shqiperia do kishte primary sic sygjeron ti, teorikisht mund te ishte ndryshe, por a mendon se eshte e mundur qe Shqiperia te suportoje nje cikel me dy faza zgjedhjesh, duke kaluar nga lufta brenda llojit tek lufta kunder kundershtareve politike? Jam skeptik!

          Sa i perket Muhamet Kapllanit, ai meritonte te humbte ne ato zgjedhje (ne mos gaboj perballe Albert Karriqit). Ne vitet e fundit te diktatures, kur ishte zv.minister i Jashtem, ai ishte spoksmeni qe justifikonte dhe lustronte krimet makabre te rregjimit neper bote. Sa per kujtese, me qindra djem shqiptare jane vrare ne kufi te ato kohe, nderkohe qe Kapllani shetiste duke proklamuar virtytet e sistemit. Nuk them qe ka qene vrases, si kriminelet e tjere, por nga niveli moral nuk eshte larg prej tyre. Ne njeri me ndergjegje, do refuzonte ate qe bente ai. Dhe nuk eshte i vetem, ata si ai mbushen falangat e dy partive neokomuniste qe u krijuan me pas.

  3. Po lexoja nje material mbi gjendjen ekonomike-politike ne Shqiperi gjate viteve 30. Shume i ngjashem me sot. Ne nje ane intelektualet e paket qe intelektualizojne shume, e ne tjetren feudalet me para shume, ne mes gjindja me syte nga intelektualet, e gojen ne cicen e patroneve, shtet apo bejlere.

    Nuk ka rendesi cfare sistemi zgjedhor eshte, mobilizimi i zgjedhesve behet vetem nepermjet lidhjeve klienteliste. Perendimoret kane modelet e tyre, e nese do mendojme si ata, kuptohen: e rendesishme eshte premtimi i rotacionit, brenda dhe jashte partive ne sistem, rregullat demokratike te lojes. Jo loja ne vetvete.

    Sistemi aktual eshte me i miri i mundshem, sepse nuk krijon agallare neper zona elektorale, por i lidh keta ne qerren e partise. Vertet kemi te forte partie, por kjo eshte pasoje e mendesise, jo e sistemit. Sistemi krijon shtysa per demokratizimin e partive, e per pasoje te pushtetit. Nese nuk jane te afte te krijojne fraksione, ta kthejne partine nga keshtjelle, ne anije qe leviz sipas forcave te brendshme, atehere status quo-ja eshte me e deshirueshme sesa rremujat qe mund te sjelle nje sistem tjeter qe nuk e njohim.

    1. DurimPak, sistemi qe eshte sot, nuk eshte absolutisht me i miri dhe aspak nuk krijon shtysa per demokratizmin e partive. Nqs. ka nje gje qe ky sistem me te vertete ben, eshte qe krijon shtysa per te kunderten. Dhe eshte fakt, jo opinion, qe lideret e partive kane kontroll total mbi to, pa asnje lloj demokratizimi te brendshem. Sistemi Spanoll per Shqiperine, eshte si te hash hambuger nga “lopa e cmendur”, dhe sa me shume ta provosh aq me shume rreshket menderisht. Per analogjine me vitet 30-te, mund te kesh te drejte, per shkakun se u bllokua per nja 450 vjet + 75 te tjera, ky popull akoma ka nevoje te rritet ne aspektin e bashkepunimit per interesin e perbashket publik.

  4. Ju thoni:
    “Ne planin afatgjate mendoj se goditjen me te madhe e ka marre e Djathta Reale, per pranine e se ciles gjithmone gjithmone ka patur nje nevoje uleritese ne politiken shqiptare, qe asnjehere nuk eshte plotesuar si duhet.”

    Ç’nënkuptoni me “të Djathtë Reale”? Mendoni se në Shqipëri ndërkaq ka një të majtë “reale”?

    1. Pulsar, me te Djathte Reale kuptoj ate pjese te popullsise shqipare qe ka qene e persekutuar ne menyren me brutale nga komunizmi, sikunder edhe te gjithe ata qe nuk pajtoheshin ideologjikisht me ate sistem, por ne njefare menyre jetonin jetet e tyre me integritet, pa u bere vegla ose duartrokites. Kjo pjese e popullsise mendoj qe eshte me e zhgenjyera prej pasojave te tranzicionit shqiptar.

      Ndeshkimi per krimet e se kaluares nuk u be kurre, e drejta e prones se grabitur u mohua me ligjin 7501, sekretare partie/ministra/udheheqes rinie (te gjithe komuniste komuniste) u shnderruan ne politikane demokracie, persekuroret e djeshem u kthyen administratore te drejtesise se sotshme, pasuria e vendit ra ne duart e nje klase thellesisht te korruptuar dhe pa skrupuj.

      Per shkak te mashtrimit komunisto-tribal Berishian, kjo pjese e popullsise u la mbrapa (dhe anash) me dashje, duke u krijuar sistemi qe eshte sot. Nuk mendoj qe Shqiperia do ece ndonjehere perpara, pa u ballafaquar me te shkuaren. Nje katarsis i krimeve dhe grabitjeve (atyre me makabre) eshte i domosdoshem per te ecur perpara, perndryshe do rrethrrotullohemi pa fund. Ka menyra si behet kjo, me ndeshkim (ligjor ose moral) dhe amnisti ne varesi te krimeve te kryera, jetojne ose jo autoret e tyre. Dhe ketu perfshihen edhe te gjitha krimet makabre kunder njeriut politike apo ordinere, qe kane ndodhur ne 45 vjet diktature dhe 30 vjet rrumpallizem.

      Sa i perket te Majtes Reale ne Shqiperi, personalisht mendoj se eshte gjalle tek dy partite qe bejne ligje elektorale dhe rrotacion pushteti mes vetes. Gjithsesi, e Majta ne Shqiperi per shkak te tradites kriminale, eshte veshtire qe te paraqitet ne nje forme te re, ka shume lumenj qe duhet ta lajne e shume pagezime qe ta ndryshojne. Por sic mund ta kuptosh, une nuk jam mbeshtetes i saj dhe nuk kam kohe te humb per te imagjinuar reformimin e saj.

      1. I nderuari Z. Zaloshnja, respekt dhe pergezimet e mia per dhenien ne menyren më koncize te mundshme dhe sidomos shume te sakte te percaktimit te asaj qe do te kishte qene e “djathta reale” ne politiken shqiptare. Thenia juaj ne kete koment:

        “Per shkak te mashtrimit komunisto-tribal Berishian, kjo pjese e popullsise u la mbrapa (dhe anash) me dashje, duke u krijuar sistemi qe eshte sot.”

        pershkruan saktesisht ate qe ndodhi ne te vertete ne Shqiperi. Shume prej nesh qe hyme ne kategorine “te gjithe ata qe nuk pajtoheshin ideologjikisht me ate sistem, por ne njefare menyre jetonin jetet e tyre me integritet, pa u bere vegla ose duartrokites” se pari u perdorem per te mbushur rruget, gje qe ne ate kohe e beme me shume gezim dhe entuziazem pa kuptuar ne kohe qe po na mashtronin dhe kontributi jone I metejshem u neglizhua dhe nuk u pranua.
        Mbas gjitheckaje qe ka ndodhur ne Shqiperi nga 1944 e deri sot, eshte e veshtire qe ne politiken shqiptare te dallohen forca te djathta apo te majta te mirefillta ne kuptimin klasik te ketyre percaktimeve. Mua politika e sotme shqiptare me duket me shume si nje bashkesi bandash hajdutesh dhe sharlatanesh qe ndarjen e prejes qe zene naten sebashku ta paraqesin si politikeberje diten. Fatkeqesisht nuk pres ndryshime te dobishme per nje kohe te gjate.

        1. Faleminderit per komentin, Duledupicard. E vertete, eshte veshtire ti ndash, ideologjia e tyre kryesore eshte grabitja e asaj qe s’u perket, ndersa pushteti eshte mjeti per te arritur aty. Gjithsesi edhe ne keto kushte mendoj, qe vullneti i njerezve qe duan ndryshim per mire, nqs kanalizohet si duhet mund ta beje akoma diferencen. Por eshte dicka qe kerkon nje grup njerezish me vizion, sakrifica dhe perkushtim. Shume e veshtire, por jo e pamundur!

          Pershendetje dhe kalofsh mire!

      2. E kuptoj fare mirë zemërimin tënd. Dua vetëm (të) të kujtoj që në Shqipëri, menjëherë pas ’90, ka ekzistuar një frymë e djathtë, shprehur jo vetëm në njerëzit që më së pari iu afruan Partisë së re Demokratike, por edhe në krijimin e Partisë Republikane, Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, botime të ish të burgorsurve politikë etj.
        Vetëm se kam frikë se “në politikanë demokracie” u kthyen shumë shpejt jo vetëm figura të ish-regjimit, por edhe përfaqësues të zgjedhur, ose të vetëzgjedhur, të asaj pjese të popullatës që ishte persekutuar. Vrulli i së djathtës humbi në ethen për pasurim personal.
        Ajo çfarë, me miratimin e të gjitha palëve, ndodhi me pronat dhe ish-pronarët, mund të konsiderohet virtualisht e pariparueshme: vetëm një rishqyrtim i titujve do të bllokonte për vite me radhë gjykatat, edhe sikur të hamendësonim që kuadri ligjor dhe aktorët në lojë do të tregoheshin krejt të ndershëm dhe bashkëpunues.

        Nga ana tjetër, ti ke të drejtë, asnjë shoqëri nuk mbroth dot pa instanca llogaridhënieje. Ndaj pyeta ç’nënkupton me të djathtë reale. Ndoshta një parti që kërkon ligje më të rrepta për korrupsionin? Që promovon shqiptarizmën? Më pak taksa dhe më pak shtet? Një parti që të ngrihet “për” një ide të djathtë, e jo si kundërvënie ndaj një të majte? E majtë e cila, po të më pyesësh mua, nuk ekziston — Shqipërinë e qeverisin grupime klienteliste, pa platforma të vërteta politike; politikani vetë është një aktor&rregullator i tregut të lirë që shpërndan(!) me mirëkuptimin e shoqërisë paratë e taksapaguesve. Kur të ndryshojnë kushtet “e mirëkuptimit” atëherë, ndoshta, do të pritej një lëvizje në drejtimin e dëshiruar.

        Distopitë janë situata komplekse. Dua shumë, jashtëzakonisht shumë, të jem gabim, por them se ‘vetëm’ rishikimi i ligjit elektoral nuk do të ndryshojë asgjë thelbësore.

        1. Eshte e vertete, ndryshimi i ligjit elektoral nuk mund ti ndryshoje gjerat ne menyre thelbesore, por mund te merret si nje pikenisje drejt ndryshimit. Mund te jete si fillimi i asaj rruges se pashkelur ne poezi, qe kur e merr ben te gjithe diferencen.

          Levizje te mireformuluar te Djathte, nuk ka patur gjate ketyre 30 vjeteve ne Shqiperi, partia Republikane jo e jo, ne fakt ajo parti eshte krijese ramiziste. As partite tradicionale (Legaliteti, Balli) nuk arriten ta bejne ate sepse ishin shume te atrofizuara, ndonese personalisht mendoj qe Dekalogu i Ballit Kombetar (programi, jo ajo qe ndodhi ne praktike gjate luftes), eshte formulimi politik me mbreselenes i cdo partie politike shqiptare ndonjehere ne histori.

          Me te Djathte reale, mund te kuptosh nje sistem vlerash qe vepron si rregullator ne shoqeri, ku patjeter jane vendosmeria per zbatimin e njellojte dhe uniform te ligjit, ndeshkimi shembullor i krimit dhe korrupsionit dhe patjeter katarsis dhe ndarje me te kaluaren. Nje ideologji qe promovon atdheun, pa tentuar te urreje te tjeret. Ka nje variant jo te larget ne kohe te kesaj te Djathte dhe quhej “Konservatorizem me Zemer”. Pra balancon kujdesion per njerezit, njekohesisht duke u dhene te kuptojne qe ata pergjegjes per veprimet e tyre.

          Ka edhe shume nocione te tjera, por shkon gjate dhe nuk mund te thuhen te gjitha ketu.

          Faleminderit per komentin!

  5. ‘..E pesta, me mazhoritar te paster nje parti mund te fitoje zgjedhjet, por te kete shume me pak vota ne rang kombetar sesa kundershtari, dicka e ngjashme me ate cfare ka ndodhur ne USA ….

    Kjo eshte ceshtje optikash.
    Zgjedhjet ne nje sistem mazhoritar i fiton partia qe ka me shume deputete dhe jo partia qe fiton me shume vota ne rang kombetar.
    Ne sistem mazhoritar nuk ka vote per partine.
    Eshte interesante se sa thelle eshte rrenjosur ne kokat e njerezve partia jo vetem si koncept por edhe si kut.

    1. Nuk qendron problemi tek rrenjosja apo zgjedhja per partine. Mazhoritari ne vetvete ka probleme te medha: nuk konsiderohen te gjitha votat ne rang kombetar, potencialisht konflikti qe krijohet ne nje zone mund te jete me i madh dhe me pasoja, krijon feude etc. Proporcionali Kombetar me lista te hapura eshte shume me i drejte ne kushtet aktuale te Shqiperise. Gjithsesi nqs. nje pjese e madhe e popullsise e pelqen mazhoritarin, mund te krijohet nje sistem miks (Proporcional Kombetar + Mazhoritar) ku perqindja e ndarjes se votave mes dy sistemeve te reflektoje nje ndarje te drejte.

      1. Mbase per ty nuk perben problem zgjedhja per partine, per mua shume. Megjithate, sic thashe edhe me lart, eshte ceshtje optikash.
        Ne nje nivel me te ulet diskutimi, verej me keqardhje qe shumica e shkrimeve qe lexoj per ceshtjet e zgjedhjeve ne Shqiperi kane shume pak informacion konkret per defektet e sistemit zgjedhor aktual dhe shume kritike te pergjithshme per sistemin politik.
        Kjo, nuk eshte domosdoshmerisht dicka e keqe por mua si ndjekes jo shume i devotshem i proceseve ne Shqiperi nuk me ndihmon shume nga ana e informacionit.
        Do doja te mesoja me shume se ku konkretisht mund te riparohet sistemi, se keshtu “keto nuse nuk na bejne, t’u themi djemve ti lene “ eshte gjeja me e kollajte per te thene por cfare na vyen?

        1. Vende, ke keqkuptuar pergjigjen. Nuk thashe “perben” por “qendron”, qe po te zevendesohen si fjale ne ate kontekst, kuptimi mund te dale i ndryshem. Ne fakt po i pergjigjesha komentit tend te pare dhe ajo qe doja te thosha, eshte se rrenjosja ose zgjedhja per nje parti, nuk eshte ajo qe krijon problemet ne vetvete. Problemet krijohen sepse sistemi, eshte i shtrember qe ne pikenisje dhe eshte ndertuar me qellim qe te favorizoje dy pale te caktuara (partite e medha). Ne shkrim permenden hollesisht defektet e sistemit aktual dhe gjithashtu ofrohen zgjidhje, qe mund ta balancojne sistemin ne menyre pozitive, nqs merren parasysh. Riparimi ekziston, por per kete duhet vullnet politik dhe politikane qe kane sensin e te drejtes. Ky i fundit nuk ekziston si koncept per ta, dhe pasojat jane keto qe dihen. Gjithses nuk mendoj se ndryshimi i sistemit elektoral eshte ai qe do transformoje jeten e njerezve ne menyre magjike, por mund te jete nje pikenisje per te ecuar drejt kahut te duhur ne politikeberje.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: