Në muhabetet që bëhen kafeneve të Tiranës, SPAK-u ka zënë vend si heroi mitologjik, që do të “na” shpëtojë nga e keqja” – dhe që tani u kërcënohet si shpagim të gjithë atyre që, deri dje, ishin protagonistë të jetës publike dhe politike në Shqipëri. Asaj jete prej së cilës njeriu i rrugës ndihej i përjashtuar. Po i vjen radha edhe atij është fjalia e ditës.
Kur nuk ka futboll dhe “Kuvend”, televizorët e kafeneve japin lajme të njëpasnjëshme për përndjekje, marrje në pyetje, thirrje në gjykatë dhe arrestime të zyrtarëve. Rrëzimi i elitave, atyre në pushtet dhe atyre ekonomike, po ndiqet si të ishte spektakël edhe ngushëllues edhe argëtues. Tirana ka deri edhe kryebashkiakun e vet në qeli, një spektakël brenda spektaklit, që kërkon t’ia shkatërrojë reputacionin një politikani i cili mu përmes spektaklit u bë nga më popullorët në vend.
Nuk mjafton vetëm vënia e drejtësisë në vend – duhet edhe që kjo të ndiqet nga publiku. Nga një publik që kërkon asgjësimin e figurave dhe duartroket rëniet. Politikanë që janë rrëzuar më herët, si Saimir Tahiri dhe Ilir Beqja, tani janë harruar – madje shumica e klientëve të kafeneve as që e di se ku janë e ç’po bëjnë. Si njerëz dikur me pushtet, këta nuk ekzistojnë më: i kanë dëbuar nga skena.
Drejtësia gjithnjë ka qenë e lidhur me spektaklin, që në kohë të lashta – sepse “populli” ka nevojë ta shohë dhe ta shijojë procesin e rrëzimit të statujave. Këtë e shembëllzon bukur dënimi me vdekje, që deri pak shekuj më parë shfaqej në një shesh kryesor të qytetit, ku qindra, në mos mijëra njerëz ndiqnin asgjësimin fizik të së dënuarit. Sot dënimin me vdekje fizike e ka zëvendësuar burgu, ose “heqja e lirisë” – por në atë masë që liria është thelbi i jetës së njeriut, edhe dënimi me burg, kur sjell shkatërrimin e reputacionit, funksionon si një lloj dënimi me vdekje simbolik.
Në të kaluarën, dënimin me vdekje e shpallte një gjykatë, por e vinte në jetë ai profesionist që njihej si ekzekutori ose xhelati. Tradicionalisht, xhelatët ishin figura të përbuzura ose të urryera, edhe pse u dhuronin turmave spektakël. “Xhelati mund të ketë qenë shpata e mbretit,” shkruan Foucault-i (te Discipline and punish), “por ai edhe trashëgonte poshtërsinë (infamy) e keqbërësit që kish ekzekutuar.” E megjithatë, një filozof si Joseph de Maistre e konsideronte xhelatin si kolona ku mbështetej rendi publik: “Krejt madhështia, krejt pushteti, krejt nënshtrimi ndaj autoritetit mbështetet te xhelati,” shkruante ai, te Dialogët e Shën Petersburgut. “Ai është tmerri dhe hallka lidhëse e shoqërisë njerëzore. Po ta heqësh këtë agjent të pakuptueshëm nga bota, menjëherë rendi do t’ia lërë vendin kaosit, fronat do të përmbysen dhe shoqëria do të zhduket.”
Për Foucault-in (vep. cit.) xhelati, si një nga aktorët kryesorë në skenën e ekzekutimit publik, shërbente si instrument i pushtetit sovran të monarkut; por me kalimin e kohës ai u tërhoq nga skena, teksa edhe vetë ndëshkimi i krimit iu besua ekspertëve dhe institucioneve të posaçme si burgu.
Megjithatë, paralelisht me zbehjen e spektaklit të drejtpërdrejtë të ndëshkimit, argëtimin e publikut e morën përsipër mass mediat, të cilat kronikat e krimit i vunë në qendër të misionit të vet informativ. Nëse sistemi hetimor, gjyqësor dhe penal e ka zëvendësuar dënimin e djeshëm me vdekje duke e sublimuar, mediat sot i mundësojnë “popullit” që ta ndjekë spektaklin e ekzekutimit simbolik të një keqbërësi a krimineli në mënyrë të ndërmjetësuar. Aq më mirë sikur të jetë fjala për njerëz që deri dje “bënin ligjin”.
Xhelatë vërtet nuk ka më, por funksioni i xhelatit ushtrohet nga një sistem anonim, me të cilin publiku identifikohet më lehtë.
Arsyeja për këtë ruajtje të ritualit është që qytetarët të shohin “me sytë e tyre” dhe të binden se ata që vënë në rrezik rendin publik do të dëbohen nga jeta publike. Duke i kushtuar vëmendje totale proceseve të drejtësisë, mass mediat rikrijojnë sheshin e djeshëm publik ku “viheshin në skenë” dënimet me vdekje.
Njëlloj si xhelati i De Maistre-it, që ishte kolona ku mbështetej rendi publik, informacioni i mediatizuar për veprimtarinë e organeve të rendit dhe të drejtësisë i shërben sot një qëllimi të ngjashëm: ruajtjes së pushtetit dhe të autoritetit të institucioneve dhe të rendit kushtetues. Dhe në këtë kontekst kaq të mediatizuar, performativiteti i drejtësisë ka më rëndësi se funksionimi i saj në praktikë; spektakli i ndëshkimit të fajtorit ka më rëndësi se ndëshkimi vetë.
Ajo çfarë sheh “shoqëria civile e kafeneve” te njerëzit me pushtet nuk është aq imoraliteti i pasurimit dhe i vjedhjes së fondeve publike apo riciklimi i parave të krimit; por pandëshkueshmëria (impuniteti), ose privilegji i të qenit imun ndaj po atij ligji, që vepron mbi njeriun e thjeshtë: me fjalë të tjera, licenca për të shkelur ligjin (ironike që shprehja “ai bën ligjin” i referohet kujt abuzon lirisht me ligjin). Sa kohë që vjedhja, qoftë edhe e milionave, nuk është krim i dhunshëm si vrasja, njeriu në kafene do ta përbuzë, por zakonisht vetëm në atë masë që ndihet i pafuqishëm për ta kryer ai vetë. Spektakli i ndëshkimit publik të korrupsionit dhe shpërdorimeve të detyrës duket sikur e vë në vend këtë padrejtësi.
Në Perandorinë Osmane, roli i xhelatit i besohej krye-kopshtarit të sulltanit (bostanxhibashi), atij që kish në ngarkim një personel mijëra-vetësh që, përveçse kujdeseshin për kopshtet perandorake, kishin në ngarkim edhe doganat dhe disa funksione të policisë. Bostanxhinjtë kishin uniformën e tyre karakteristike, me qeleshe të kuqe, dhe shfaqja e tyre në rrugët e Stambollit pritej me tmerr dhe panik. Ekzekutimin e zyrtarëve të lartë e kryente bostanxhibashi vetë, ndërsa për fajtorët më pak të rëndësishëm merreshin kopshtarët e rangjeve më të ulëta.
Duket e çuditshme kjo pranëvënie e funksionit të xhelatit me atë të kopshtarit; edhe pse metafora e atij që kujdeset për kopshtin, mes të tjerash edhe duke e pastruar nga barërat e këqia, të bën të mendosh se edhe ky xhelat kopshtar mirëmban shëndetin social, duke qëruar elementet e padëshiruara, për t’i ndihmuar bimët – ato të dëshiruarat – të këndellen e të shkëlqejnë nën diell. Ashtu nuk është larg xhelatit të De Maistre-it, sa kohë që po ta heqësh kopshtarin nga skena, kopshti do të mbushet me gjithfarë bimësh të paftuara, do ta humbasë principin e rregullt dhe do të pushojë së kumtuari harmoni estetike, filozofike dhe social-terapeutike.
SPAK-u, natyrisht, nuk ekzekuton njeri; por tremb ngjashëm me edhe bostanxhinjtë e sulltanit dikur. Dhe duke trembur, u ngjall entuziazëm dhe shpresë klientëve të kafeneve; të cilët nuk është se përfitojnë gjë drejtpërdrejt nga dekapitimi i elitave.
SPAK-u as torturon njeri – por torturën, sado minimale, nuk e mban dot jashtë procesit hetimor: nga presioni psikologjik, te paraburgimi dhe kërcënimi me shkatërrim reputacioni për personin e hetuar. Nëse sistemin penal në tërësinë e vet e marrim si formë të sublimuar të dënimit me vdekje, atëherë edhe stresin psikologjik mund ta shohim si formë të sublimuar të torturës së djeshme. Nga rastet e fundit të bujshme, të personaliteteve politike që kanë përfunduar në fokusin e SPAK-ut, ia vlen të përmendet ai i kryebashkiakut të Tiranës, z. Erion Veliaj, i cili rregullisht është ankuar për “torturën” e paraburgimit, duke e denoncuar si shkelje të normave procedurale.
Gjatë spektaklit teatral të ekzekutimit publik në fund të Mesjetës dhe në fillimet e Kohës së Re, siç përshkruhet nga Foucault-i te Discipline and Punish tortura e të dënuarit para ekzekutimit, nga ana e xhelatit dhe ndihmësve të tij, ishte pjesë integrale e shfaqjes. Kjo lloj torture me funksion tjetër nga tortura që i bëhej një të dyshuari për krim për ta detyruar ta pranonte fajin, kish për synim të prodhonte dhimbjen dhe vuajtjen e keqbërësit si pjesë e ndëshkimit, përtej vetë dënimit me vdekje; por edhe për spektakël. Me gjasë, thjesht dënimi me vdekje nuk mjaftonte, për të përligjur “çmimin e biletës”. Vetë prerjen e kokës, si ndërprerje brutale të jetës së të dënuarit, Foucault-i e quan “shkalla zero e torturës” – edhe pse vetë pritja e ekzekutimit ishte ajo vetë një lloj torture, sado që larg skenës dhe syve të publikut.
Kalimi në modernitet dhe tani në bashkëkohësi vërtet i ka sublimuar efektet dhe përjetimet e procesit hetimor dhe ndëshkimor, por populli që shijon spektaklin e ndëshkimit të një keqbërësi (qoftë edhe thjesht të pandehur) ka nevojë ta shohë këtë duke vuajtur, për ta përmbyllur eksperiencën e shpagimit. Mjaft të lexosh ankimin nga z. Veliaj, për “mbylljen në kafaz metalik” dhe të reflektosh për metaforën e kafazit të përdorur prej tij, për t’u bindur se ai e ndien veten të ndëshkuar që pa u shpallur fajtor nga ndonjë gjykatë. Duke iu referuar disa praktikave dhe precedentëve të GJEDNJ, Veliaj citon se “vendosja e të pandehurit në një kafaz është trajtim degradues, poshtërues” dhe se “një kafaz hekuri krijon menjëherë perceptimin se i akuzuari është një “kriminel i rrezikshëm”. Në fakt, kemi të bëjmë me një ekzekutim publik të sublimuar dhe të ngadalshëm të një figure publike të njohur si kryebashkiaku i Tiranës, i cili u ofrohet kafeneve si spektakël njëherazi ngushëllues dhe zbavitës. Kjo provon edhe se nevoja kushtetuese dhe politike për ndëshkimin e korrupsionit të elitave nuk është e njëjta gjë, me spektaklin mass-mediatik të këtij ndëshkimi.
Disa hallka të procesit të dhënies së drejtësisë duhet të jenë publike – për shembull, gjyqi. Por publiciteti selektiv që u jepet hallkave të tjera të procesit prej mediave, nga arrestimi te paraburgimi dhe bërja publike e dokumenteve hetimore, e shndërrojnë edhe publikun vetë në faktor të procesit hetimor dhe ndëshkimor. Nëse në kohën e ekzekutimeve publike publiku merrte pjesë aktivisht në torturën dhe vrasjen e sanksionuar të keqbërësit, tani – që klima rrethanore ka ndryshuar rrënjësisht – publiku merr pjesë në poshtërimin dhe asgjësimin e një figure publike, ndonjëherë të zgjedhur me votat e po atyre që tani duartrokasin; dhe efekti frikësues dhe edukativ i spektaklit të drejtësisë humb terren, përballë argëtimit të turmës.
SPAK-u është instrument kyç i shtetit të së drejtës, sa kohë që veprimtaria e tij i brendashkruhet po asaj së drejte. Pikërisht ngaqë korrupsioni i elitave në pushtet është rreziku më i madh për rendin publik në Shqipëri, shkelja e normave procedurale të sanksionuara nga i njëjti rend publik e vë në rrezik suksesin e kësaj përpjekjeje të guximshme për t’i shëruar themelet e shtetit. Një mënyrë si mund të shmanget ky rrezik katastrofik është duke mbajtur parasysh, me përparësi, se kushtetuta vërtet e përcakton që në krye se “[s]ovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit” (Neni 2), por publiku i krijuar, i mirëmbajtur dhe i riprodhuar prej mass mediave, përfshi këtu edhe mediat sociale, nuk është i njëjtë me popullin; dhe as me publiken në rrënjë të fjalës republikë.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Flux. Kjo ese vjen nga substack-u MENDITIME, ku është botuar fillimisht.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Sot mësova një fjalë të re, që me shumë mundësi do ta përdor te poezia e rradhës, Bostanxhibash…
SPAK-u, Xhelati (të cilin unë e imagjinoj të maskuar), Populli… Dyshoj se Orwell, në të vërtetë ka qenë një shqiptar, i cili në tentativë për t’u arratisur nga RPSH drejt perëndimit, ngatërroi kthesë dhe përfundoi në të shkuarën… 1984 shpjegon gjithçka ka ndodhur dhe po ndodh.
kryesoja është të flitet, e ndoshta shtohet numri i shpirtrave në letargji që zgjohen… ndoshta…
Je duke thene qe SPAK eshte duke ushtruar tejkalim te te drejtave ligjore, qe nuk eshte e vertete.
Je duke thene qe kompetencat e SPAK si e drejte ligjore jane tejkalime te parimeve baze te jurispundences dhe kjo eshte e vertete.
Je duke thene qe reforma ne drejtesi ishte teresisht ne tejkalim te parimeve baze te jurispundences dhe kjo eshte e vertete.
Je duke thene qe reforma ne drejtesi eshte nje deshtim total dhe kjo eshte e vertete.