Reklama

FJALA E BUKUR SHQIP (II)

Lloje fjalësh të bukura

  1. Simbolizmi fonetik

Në vija të trasha, simbolizmin fonetik e kanë përkufizuar si marrëdhënia jo-arbitrare midis tingullit dhe kuptimit, siç shprehet në fjalët onomatopeike: bubullimë imiton njëfarësoj zhurmën e bubullimës, ndërsa cicërimë këngën e zogjve. Në këtë kontekst, pyetja nëse një fjalë mund të jetë e bukur duhet riformuluar kështu: a ka kombinime tingujsh, ose edhe tinguj të veçantë, që perceptohen si më të bukura se të tjerat? Me sa duket, po. Këtë mund ta shohim më qartë tek emrat e përveçëm që familjet zgjedhin për fëmijët, sidomos sa herë kur zgjedhja e emrit nuk ndikohet nga faktorë tradicionalë (feja, atdhetarizmi, historia) ose kulturorë; por edhe te preferencat brenda një arkivi emrash të caktuar – p.sh. emrat ilirë, që janë përndryshe krejt arbitrarë. Ka një prirje të përgjithshme për të parapëlqyer emra që përmbajnë likuidën l dhe dridhësen r, hundoren n dhe gjysmëzanoren j (Loela, Rea, Ledion); dhe grupe bashkëtingëlloresh me likuidë, si bl, pl, fl (Bleona, Pleurat, Flavio, Drilona) etj. Anasjelltas, bashkëtingëllore të caktuara, si likuida velare ll, ose grykorja h dhe palatalet q, gj duken si më pak të preferuara. Nuk më rezulton që simbolizmi fonetik në shqipe të jetë studiuar në rrafshin sinkronik, ose në marrëdhënie me estetikën e fjalës; dukuria lidhet edhe me sinestezinë, ose me aftësinë e tingujve të caktuar për të ngjallur asociacione jofonetike (p.sh. ngjyrat e tingujve). Kështu, shumë prej nesh do ta konsideronin të bukur fjalën flutur, përtej marrëdhënies së saj me insektin përkatës (dhe faktit që vetë flutura është shpesh e bukur); anasjelltas, shqipfolësit do të refuzojnë, si vetvetiu të shëmtuara, fjalë që përmbajnë palatale (q, gj), etj. Sërish, është e vështirë t’i kqyrësh fjalët jashtë asociacioneve kuptimore ose kulturore: shumë nga ne do ta quanin të pabukur një fjalë si kallaballëk për shkak të kushtëzimit ideologjik, meqë do të na dukej si turqizëm.

  1. Kompozitat

Shqipja është e pasur në kompozita – ose në fjalë të formuara nga dy (ose më shumë) tema; edhe pse nuk i përdor shumë. Kompozita të tipit metalpunues ose punëdhënës, që kanë natyrë përshkruese, priren të specializohen për nomenklatura terminologjike, p.sh. lista profesionesh, etj. Kategori të tjera kompozitash, si ato pronësoret[1], kanë natyrë më shprehëse dhe parapëlqehen në ligjërimin ekspresiv ose poetik. Jo të gjitha kompozitat pronësore janë fjalë – një pjesë e mirë e tyre nuk arrijnë të përfshihen në leksik dhe mbeten në statusin e figurave leksikore. Madje edhe fjalë tashmë të konsoliduara, si barkmadh ose qimebardhë, janë të tilla, fjalë, vetëm ngaqë shkruhen bashkë. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e kompozitave pronësore përmbajnë metafora – ndryshe nga qimebardhë, mbiemër që thjesht cilëson një kafshë nëpërmjet ngjyrës së qimes, një mbiemër si faqebardhë i referohet metaforës faqe e bardhë dhe nuk ka të bëjë drejtpërdrejt as me faqen e personit në fjalë, as me ngjyrën e saj. Mund të argumentohet se kompozitat pronësore, që themelohen mbi metafora, bartin veti estetike dhe janë të perceptueshme si “të bukura”, në atë masë që ligjërimi poetik është “i bukur.” Kriteri vlen, në vija të trasha, edhe për kompozita të tjera, p.sh. dëshiroret: shtojzovalle është fjalë “e bukur” sepse e përcjell kuptimin duke evokuar një imazh estetikisht të pëlqyeshëm, tërheqës, joshës. Një grup i ngjashëm kompozitash, janë ato të tipit bjerraditë ose rrokaqiell, të cilat kanë strukturë të ngjashme me ato të tipit metalprerës, rrobaqepës, por me rend të kundërt të gjymtyrëve; kam përshtypjen se shumë shqipfolësve një fjalë si rrokaqiell do t’u dukej më “e bukur” se qiellgërvishtëse; por modeli nuk është produktiv (të krahasohet me atë të italishtes, në fjalë si perdifiato, lavavetri, scorrimano, rompiscatole, etj.). Në çdo rast, estetika e kompozitave i referohet shijes me të cilën kombinohen fjalët: buzëburbuqe mund të na duket më e bukur se buzëgonxhe; buzëtrëndafile më e bukur se buzëzambake, etj.; dhe nëse estetika ka të bëjë vërtet me kombinimin, atëherë mund të na duhet të pyesim nëse jemi duke gjykuar bukurinë e fjalës, apo të togfjalëshit (tekstit) që i nënvendoset? Bjerraditë është dikush që e humb kohën kot, që e kalon ditën pa punë; ai që “e bjerr ditën”; sikurse rrokaqielli është një ndërtesë që “e rrok qiellin”; të dyja kompozitat vijnë si njëfjalësime togjesh metaforike, poetike, ose gjithsesi të figurshme.

  1. Neologjizmat

Neologjia është krijimi i vetëdijshëm i fjalëve të reja; ose më mirë, përpjekja për të krijuar fjalë të reja. Një fjalë nuk mjafton të krijohet – duhet edhe të pranohet nga folësit dhe të përdoret në ligjërim, për të fituar status leksikor. Poeti mund të sajojë, për nevoja letrare, një “fjalë” si buzëkaltër, por sa kohë që ky krijim nuk i kapërcen kufijtë e tekstit ku përdoret, është më shumë figurë leksikore, se fjalë. Megjithatë, ka shumë folk-gjuhëtarë që i përshëndetin rregullisht neologjizmat dhe i quajnë “fjalë të bukura shqipe”, sidomos kur këto vijnë nga autoritete të gjuhës, p.sh. shkrimtarë të njohur; dhe aq më tepër kur sugjerohen për të zëvendësuar “fjalë të huaja të panevojshme.” Mirëpo nuk duhet ngatërruar neologjia poetike, ose krijimi leksikor brenda tekstesh letrare, për efekte mirëfilli estetike, me neologjinë terminologjike, që ndërmerret nga specialistët që përpilojnë lista termash dhe, më në fund, me neologjinë e disa gjuhëtarëve të specializuar për zëvendësimin e fjalëve të huaja. E para mund madje pritet të orientohet për nga e bukura; e dyta jo. Neologjia poetike përfton “fjalë” që nuk kanë shumë shans të leksikalizohen, ose të përdoren jashtë teksteve burimore; ndërsa neologjia terminologjike dhe, shpesh, ajo puriste, si rregull mbështeten në modelin e kalkut, ose të përkthimit morfologjik: ferrovia > hekurudhë. Kalku mund të jetë i rregullt ose i parregullt, në kuptimin që të ndjekë modelet fjalëformuese të shqipes ose t’i thyejë ato; por disiplina, ose konformimi ndaj rregullave, nuk e bëjnë detyrimisht të bukur – njëlloj sikurse nuk ka gjë mirëfilli “të bukur” në procesin e zëvendësimit të një fjale të gjykuar si të huaj dhe të panevojshme. Ky proces mund të jetë praktik, i dobishëm, i dëshiruar, etj.; por i bukur nuk është.

  1. Fjalët e rralla

Ka nga ata prej nesh që gjithnjë i mirëpresin fjalët e rralla, duke e gjetur një fjalë si miradije[2] më “të bukur” se sinonimi i saj, më i shpeshtë, mirënjohje; ose një fjalë si tumir si më “të bukur” se sinonimi i saj, më i shpeshtë, miratoj. Arsyet pse një fjalë përdoret më shpesh se një tjetër me kuptim praktikisht të njëjtë nuk mund të trajtohen këtu; por është vetë sistemi leksikor që priret të mos i tolerojë sinonimet absolute, duke parapëlqyer fjalë të caktuara, ndaj barasvlerave të tyre. Përndryshe, nuk ka arsye mirëfilli leksikore pse mirënjohje të përdoret më shpesh se miradije.[3] Tani, kur një fjalë përdoret shpesh, ajo vjen duke e humbur “shkëlqimin”, ose formën e brendshme (mënyrën si e shpreh kuptimin); të paktë janë ata që, kur dëgjojnë ose kur përdorin mirënjohje mendojnë për përbërësit e saj, mirë dhe njohje si elemente të kuptimit; fjala u vjen “e përdorur”, ose krejt transparente. Përkundrazi, fjala më e rrallë miradije tërheq vëmendjen edhe me formën e vet, thotë “më shiko edhe mua, mendo për mua”, e cenon transparencën e ligjërimit, duke e ftuar tjetrin që ta perceptojë, çfarë është karakteristike për ligjërimin poetik. Kjo do të shpjegonte edhe pse shumë fjalë të rralla priremi t’i perceptojmë si “të bukura” – ngaqë ndalemi dhe i shohim si fjalë, në vend që t’i procesojmë shpejt e shpejt, si elemente të tekstit (sintagmës). Vetëm se fjala e rrallë është e tillë, e rrallë, ngaqë nuk përdoret dhe aq; nëse na pëlqen dhe fillojmë t’i bëjmë vend në ligjërim, atëherë nuk do të jetë më e rrallë, nuk do të tërheqë më vëmendjen dhe do t’i humbë edhe ato veti që e bënin “të bukur.” Çështje më vete përbën arsyeja që e shtyn dikë të përdorë fjalën e rrallë: e bën ngaqë ashtu “i vjen”, ose ngaqë nuk ka fjalë tjetër në dispozicion, ngaqë i duket më e përshtatshme për synimin që ka, apo e bën ngaqë kërkon të krijojë një “individualitet” gjuhësor (idiolekt) ose të tërheqë vëmendjen me ligjërimin e vet? Leksiku i shqipes nuk është aq i kodifikuar (i mbarështuar) sa t’i lejojë folësit përdorim preciz të fjalës së rrallë; ose sigurinë se një fjalë e rrallë që ai kërkon të përdorë, do të perceptohet si e tillë, e rrallë, edhe nga tjetri. Gjasat janë, përkundrazi, që fjala e rrallë për mua, të jetë e panjohur për tjetrin; dhe kjo krijon probleme në komunikim. Aq më tepër që, një fjalë e panjohur, nuk mund të jetë edhe “e bukur.” Të mos harrojmë, megjithatë, se shpesh përdorimi i një fjale të rrallë frymëzohet mirëfilli nga dëshira e përdoruesit për ta pasuruar shqipen, në kuptimin që dikush edhe shkruan, edhe na mëson si të shkruajmë dhe me ç’fjalë ta pasurojmë fjalorin; këtu bukuria e dëshirës dhe bukuria e fjalës vetë vijnë e ngatërrohen mes tyre.

  1. Fjalët e motivuara

Me “fjalë të motivuara” këtu kam parasysh ato fjalë që kanë strukturë morfologjike të tejdukshme, meqë janë të formuara me parashtesa dhe me prapashtesa, janë kompozita, ose janë fjalë të përngjitura; dhe si të tilla, mund të interpretohen vetvetiu. Fjalën mjek duhet ta dimë paraprakisht se ç’kuptim ka, meqë nuk ia nxjerrim dot kuptimin nga analiza fonologjike m-j-e-k; por fjalëve si mjekësi, mjekoj, mjekim, mjekues, mjekësor, etj. mund t’ua marrim me mend kuptimin të paktën përafërsisht, sa kohë që ua njohim pjesët përbërëse dhe e kemi një ide për funksionet e tyre (ose mund ta krijojmë atë ide nëpërmjet analogjisë, ose duke deduktuar funksionet e ndajshtesave nga fjalë të ngjashme). Shqipja ka një numër shumë të madh fjalësh të formuara me ndajshtesa (parashtesa, prapashtesa), madje disa prej këtyre janë gramatikalizuar, deri në atë shkallë sa, po të marrim p.sh. një folje përndryshe të panjohur, si ganoj, gjithnjë mund të formojmë fjalë të tjera si ganim, ganues, i ganueshëm, ganueshmëri e kështu me radhë. Duke qenë shqipja moderne gjuhë relativisht e re, përdoruesve të saj u është dashur të promovojnë një mori fjalësh të motivuara, për të plotësuar zbrazëtitë në leksik, që pjesërisht u krijuan edhe me ndërrimin e madh paradigmatik, pas shkëputjes nga Perandoria Osmane. Megjithatë, pasurimi i leksikut të një gjuhe nëpërmjet fjalëformimit mund të shihet edhe si iluzor – a nuk i përkasin fjalë si ganim, ganues, i ganueshëm, ganueshmëri çerdhes së foljes ganoj? Po aq e diskutueshme është edhe bindja, mjaft e përhapur mes folk-gjuhëtarëve, se fjala e motivuar është për t’u preferuar ndaj fjalës së pamotivuar; le të krahasojmë çoban dhe bari, me dhenar dhe delmer; dy të parat janë të pamotivueshme, dy të tjerat të motivueshme. Shqipfolësi mund ta lidhë mendërisht dhenarin me dhentë dhe delmerin me delet; pa shtuar pastaj që çoban është luftuar dhe luftohet si fjalë turqishte. Mirëpo njëlloj mund të argumentohet se bari është më precize, si fjalë; dhe çoban si fjalë e kulturës materiale i referohet një profesioni relativisht tradicional, të një Shqipërie “të harrueme”. Po ashtu, mishtar mund të jetë e motivueshme nëpërmjet temës mish-, ndryshe nga kasap; por kjo nuk e bën gjë më praktike si fjalë, dhe as më “të bukur”; aq më tepër që mishtar nuk i ka kuptimet e figurshme të kasap (“njeri vrastar, i egër; kirurg i paaftë”). Njëlloj i lëkundur është statusi i sinonimit therës, të cilin FGJSSH e jep si “ai që ther bagëti”, dhe më tej, edhe “xhelat”; kuptimi i kësaj therës për “kasap” hyn në konflikt me kuptimin e mbiemrit therës si në “dhembje therëse”. Dhe, meqë jemi në temë, le të kujtojmë se ndajshtesimi mbetet rruga kryesore për pasurimin e leksikut me fjalë të reja, krahas huazimit të drejtpërdrejtë dhe deri-diku kompozimit[4]; por duket sikur sot më të shumtat e fjalëve të reja me ndajshtesa, që i shtohen leksikut shqip sidomos në terminologji dhe në ligjërimin libror, janë kalke, për të cilat vlerësimi estetik as që vjen fare në vështrim. Që këtej edhe përfundimi se, shumë prej atyre që, kur sugjerojnë zëvendësime fjalësh të huaja, përmendin “fjalën e bukur shqip”, në fakt konsiderojnë “të bukur” vetë aktin e zëvendësimit, i cili – le ta themi – u jep edhe iluzionin e pushtetit ndaj gjuhës.

(vijon)

(c) 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kompozitat pronësore cilësojnë një tipar të diçkaje duke cilësuar tiparin e një pjese të saj – p.sh. zemërmirë është dikush që ka zemër të mirë; ose flokëverdhë është dikush që i ka flokët të verdhë.

[2] Kjo fjalë mund të ketë qenë në krye neologjizëm, por sot sikur perceptohet më tepër si e rrallë.

[3] Shqipja ka shumë çifte të tilla, të cilat do t’i quaja sinonime leksikografike, meqë fjalët vijnë e mblidhen bashkë në fjalorët; dhe sinonimia e tyre shpjegohet me përdorimin në koine leksikore të ndryshme, p.sh. miradije në Veri dhe mirënjohje në Jug. Në raste të tjera, këto janë fjalë që përdoren në dialekte të ndryshme, p.sh. nxjerr dhe kërrej, fut dhe kall, bie dhe sjell ose çoj dhe shpie, ose qumësht dhe tamël, të cilat kanë hyrë në kontakt mes tyre vetëm në shqipen e përbashkët.

[4] Nuk po marr parasysh këtu pasurimin kuptimor të fjalëve ekzistuese, p.sh. përdorimi i ruaj me kuptimin save, në terminologjinë kompjuterike; ose i fjalës skedar për file. Edhe këto janë kalke, por të një lloji tjetër nga kalket ndajshtesore.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: