NJË FIASKO E RAI3

Ndoqëm mbrëmë puntatën e parë të serialit televiziv Narcotica, të Rai3, e cila i kushtohej prodhimit, tregtisë dhe mafiave të drogës shqiptare; një formë e reality TV edhe pse me pretendime dokumentaristike.

Klikoni këtu për të shkuar te faqja e RAI-t.

Programi vinte si një kombinim, i qepur me penj të bardhë, i historive të vjetra të Lazaratit, përpjekjeve të drejtësisë dhe të forcave të rendit italiane për të kontrolluar prodhimin dhe shpërndarjen e hashashit në territorin e Shqipërisë, sekuencave në thelb pa lidhje nga trafiku i kokainës në një lumë në Kolombi, skenave ku policia shqiptare shkatërron plantacione të kanabisit dhe një epilogu të ngjitur kuturu nga një program tjetërlloj, ku flitet gjerësisht për plagën e gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut.

Një gjë që as kolazh nuk e quan dot.

Pjesët më pikante të këtij materiali, që kishin lidhje me shtrirjen kontinentale të mafias “shqiptare”, marrëdhëniet e kësaj me atë italiane dhe kontrollin e saj ndaj politikës në Shqipëri mbështeteshin ose në informacion të vjetër dhe të mirënjohur, ose në spekulime. Edhe pse programi merrte pamjen e një hetimi, në fakt nuk ishte veçse një produksion argëtues, që synonte t’i jepte publikut – italian – të njëtat klishe për drogën nga Shqipëria dhe trafikantët shqiptarë.

Këtë na e konfirmoi edhe pjesa e fundit e programit, që do të meritonte trajtim më vete, e fatit dramatik të fëmijëve të gjakmarrjes në disa zona të Veriut – por pa ndonjë lidhje të qartë me drogën. Nëse autorët synonin të ndriçonin ndonjë marrëdhënie mes kriminalitetit historik (tradicional) ndër shqiptarë, të sanksionuar nga kodi zakonor, dhe aktivitetit të sotëm të “mafias” shqiptare në lëmin e tregtisë së drogës, nuk e arritën dot.

Me interes do të kishin qenë edhe kontaktet e trafikantëve shqiptarë me ata kolombianë; por këto mbetën në nivelin spekulativ dhe shikuesve iu shërbyen pamje monotone të një lumi të turbullt dhe të shëmtuar, në anën tjetër të botës. Njëlloj me interes do të kish qenë edhe një zhbirim i rolit të grupeve kriminale shqiptare në trafikun e heroinës nga Lindja (Afganistani) nëpërmjet Turqisë – por ky vetëm sa u cek në një muhabet dhe mbeti në nivelin e llafeve.

Madje edhe një reportazh pa shumë pretendime, për Lazaratin e sotëm, disa vjet pas “bonifikimit” anti-drogë, do ta kish përligjur veten më mirë se kjo çorbë pa kripë.

Sot po flitet seriozisht për legalizimin e përdorimit të marijuanës, hashashit dhe nënprodukteve përkatëse; si masë të vetme për të paralizuar aktivitetin kriminal të grupeve që merren me trafikun e kësaj droge. Rregullimi dhe standardizimi i përpunimit të kanabisit në Shqipëri do të kish qenë një perspektivë për t’u shqyrtuar, në rrethanat kur vendi prodhon bimë të cilësisë së lartë – mund të fillohej, bie fjala, nga distilimi i standardizuar i vajit CBD, që sot ka treg të mrekullueshëm anembanë botës.

Por autorët e programit parapëlqyen të fokusohen në pamjet – aq qesharake – të punonjësve të policisë që iu vërsuleshin plantacioneve të kanabisit me drapër dhe kosë, si të ishin aksionistët e dikushëm të shpyllëzimit. Një shikuesi të arsyeshëm nuk do t’i shpëtonte lidhja mes këtij shpërdorimi të punonjësve të rendit dhe demotivimit të tyre, në luftën kundër trafikut të drogave të lehta.

Për ne që jemi shkëputur prej vitesh nga konsumi i gazetarisë televizive të RAI-t, ky program ishte zhgënjim që mund edhe ta kishim shmangur; por edhe provë se ky lloj televizioni nuk ka shanse të luajë ndonjë rol sadopak pozitiv, në ekspozimin e kriminalitetit real dhe të polenizimit të tij të kryqëzuar me regjimet politike të korruptuara, në Europë dhe gjetiu.

Trafiku i drogës – veçanërisht i drogave “të rënda” – është shqetësim serioz i rendit publik anembanë Europës dhe më tej. Fuqizimi i mafias shqiptare në atë kontekst meriton vëmendje shumë-disiplinore, përfshi edhe nga gazetaria investigative. Por programe si ky të RAI3 nuk i shërbejnë aq luftës këtij trafiku, sa shndërrimit të tij në argëtim për publikun përtac të televizionit.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi nga media të tjera – kundërvajtësit do të përndiqen ligjërisht.

Shënim: programi mund të ndiqet falas online, në këtë link; mjafton një regjistrim i thjeshtë si përdorues i sajtit.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: