BURSA E VIRTYTIT

Një rrenë mediatike gjysmë-sentimentale, e nxjerrë tani në dritë nga Panorama: letra e aktorit të mirënjohur Veli Rada, ku ai i qahej vajzës së vet të vogël se ish aq trokë, sa të mos ia blente dot një dhuratë për Krishtlindje, paskësh qenë një shaka, një sajim, një hoax.

Këtë e shpjeguan vetë të bijat e të ndjerit, të cilat janë në moshë të pjekur, rreth të dyzetave; duke shtuar edhe se i jati nuk kish gjë probleme financiare.

Suksesi i këtij lajmi pas gjase të rremë dhe histeria mediatike që e shoqëroi, kur të shumtët u ngritën në media dhe në rrjetet sociale për akuzuar shtetin dhe institucionet se po i lënë artistët të vdesin urie, nuk dëshmon vetëm naivitetin me të cilin i qaset publiku shqiptar informacionit që qarkullon në Internet (dhe që mediat ia përcjellin njëra-tjetrës dora-dorës).

Në fakt, lajmi për varfërinë e skajshme të këtij aktori të dashur nga publiku mund të ketë qenë i pavërtetë, por efekti i tij veç i pavërtetë nuk është. Suksesi i një hoax-i të tillë flet sa për mjeshtërinë e atyre që e sajuan, aq edhe për psikologjinë e publikut të mediave sot.

Duke filluar nga fakti që artisti dikur i mirënjohur që tani po vdes urie është një topos sentimental nga më të sprovuarit, një klishe kaq formidabël sa të përkufizojë kitsch-in etik po aq mirë sa edhe sivëllai i tij, i fëmijës nga një familje e varfër, por me një sëmundje të pashërueshme.

T’i kish ndodhur kjo fatkeqësi, reale ose e sajuar, një inxhinieri dikur të palodhur, një mësuesi ose një veterineri, vështirë se do të ngriheshin mediat sociale me flakëhedhëse kundër “qeverisë.”

Kur ndodhemi përballë fatkeqësisë së tjetrit, dhe aq më tepër kur ky tjetër është një personalitet i ekranit, një figurë e mirënjohur dhe simpatike, tundimi është i fortë për ta shfrytëzuar këtë moment dhe kompensuar për anonimitetin tonë ose edhe mirëqenien tonë prej filistinësh, duke shprehur haptazi dhe publikisht solidaritetin, ose duke u rreshtuar badihava përkrah së mirës.

Ia beh pastaj edhe një topos i dytë: që fatkeqësia e një artisti na jep sakaq të drejtën morale për të qortuar shtetin, qeverinë dhe institucionet, që nuk janë “kujdesur” për këtë të shkretë, por e kanë lënë në mëshirë të fatit (dhe tonën). Dhe kështu kemi një rast të ndihemi mirë dhe të kënaqur me veten, si ushtrues të virtytit të solidaritetit dhe empatisë, pa rrezikuar absolutisht asgjë.

Disa do ta quanin këtë hipokrizi; në kuptimin që artisti i vdekur urie na jep të gjithëve shansin të ushtrohemi me maskat që duam të mbajmë, teksa pretendojmë se problemet sociale duhen zgjidhur me metoda sentimentale.

Një prej të bijave të Veli Radës tha për Panoramën se i jati kish fituar titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca dhe merrte një pension mbi 500 mijë lekë (të vjetër) dhe se vazhdonte të fitonte mirë, përtej pensionit.

Kjo do të thotë edhe se të gjitha ato media, që iu bashkuan revoltës fërgëlluese për fatin e artistit, nuk ia kishin bërë as shërbimin elementar publikut të tyre: kontrollin e fakteve për të cilat raportuan. Kjo nuk është ndonjë gjë e re; pa çka se publiku, të cilit i serviren rregullisht gjepura, hamendje dhe teori kospirative të paqena, vazhdon t’u besojë atyre që dëgjon dhe që lexon. Një shpjegim për këtë çudi, do të ishte se njerëzit besojnë ato gjëra që do t’i dëshironin që të ndodhnin.

Nuk është as hera e parë, që mediat përgojojnë dikë, aq më tepër njeri të njohur dhe aq më tepër të sapovdekur; dhe nuk u hyn gjemb në këmbë. Nëse kjo ndodh në emër të lirisë së fjalës, atëherë le të themi se mediat po i shërbejnë kryesisht përdhosjes së kësaj lirie.

Nga ana tjetër, dhe pavarësisht nga arsyet e kësaj mungese profesionalizmi flagrante (kushedi është rasti për të folur dikur edhe për gazetarë të vdekur urie), një media që nuk u del zot informacioneve që përcjell, heq dorë nga përgjegjësia ndaj fjalës; dhe bashkë me të, edhe nga dinjiteti.

Le ta përmbledhim: një hoax që përgojon një artist të nderuar dhe, për më tepër, të sapo-ndarë nga jeta; media dhe rrjete sociale që e rimarrin këtë lajm dhe e amplifikojnë pa e verifikuar; një publik i etur për dokrra, që shpesh i përdor historitë sentimentale për të akumuluar kapital etik dhe për të marrë poza; dhe më në fund, riprodhimi i një topos-i të artistit dikur të madh për të cilin tani nuk kujtohet njeri dhe që vdes në varfëri, i cili – në analizë të fundit – veç i deformon dhe i dëmton raportet e krijuesve me institucionet, përfshi edhe ato të sigurimeve shoqërore; sepse sentimentalizon një problem që duhej adresuar me mjete racionale. Përndryshe, do të na duhej ta llogaritnim mëshirën si burim të së drejtave njerëzore elementare!

P.S. Vite më parë, kam marrë edhe unë pjesë në një fushatë të ngjashme në solidaritet me një artist të varfëruar, pa çka atëherë nuk bëhej fjalë për ndonjë hoax. Dua të them se, kur i kritikoj tani patologji të tilla të komunikimit masiv, nuk dua gjë të reklamoj imunitetin tim ndaj tyre; sikurse nuk dua që ta paraqit indiferencën si alternativë.

Nuk ka komente

  1. Pas nje kerkimi te shpejt ne internet dhe rrjetet sociale zbulova “materialin” origjinal qe eshte postuar ne blogun personal te nje personi me emrin Urim Gjata me 10 janar 2015. Po ta lexosh letren, qe eshte nje version me i gjate i asaj qe u percoll ne media si e Veli Rades, e kupton menjehere se vec me Veli Raden nuk ka te bej – duket se autor i saj eshte Ferdinand Veliu. Urim Gjata me date 12 qershor 2015 poston nje pjese te kesaj letre ne faqen e tij personale ne FB nga ku do te jete shperndare me gjere per te arritur deri ne faqet e mediave me serioze si MAPO e JAVA News.

    https://urimgjata.wordpress.com/2015/01/10/veli-rada-e-dashur-bija-imemos-u-trishto/

    Kjo leter eshte botuar fillimisht tek Rilindja Demokratike me date 26 dhjetor 2014 me titullin “Ditari i nje te papuni”
    http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=article&id=14911:ditari-i-nje-te-papuni&catid=45:editorials&Itemid=115

    Natyrisht kete leter te dhimbshme nuk e percjell askush cka tregon sa hipokrite jane vajtimet per artistin e vuajtur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin