JUNK

Kemi shkruar tashmë për një letër të stisur (hoax) që, kushedi pse, iu atribuua aktorit të ndjerë Veli Rada, e cila gënjeu të gjithë ata që janë të gatshëm të gënjehen nga banalitetet në media dhe në rrjete sociale, duke ngjallur rrëke të papërmbajtshme lotësh dhe stuhi kritikash kundër “qeverisë.”

Parrulla, e blogut tonë, shkoi edhe më tej dhe e ndoqi historinë e këtij mashtrimi që iu bë lexuesit, pas gjase deri në zanafillë.

Teksti i qarkulluar në mediat dhe në rrjetet sociale, me gjasë dora-dorës, konsiston në pak rreshta dhe pikërisht:

E dashur bija ime mos u trishto që këtë Krishtlindje s’të bleva dot dhuratë. Të më besosh nuk munda, sepse për herë të parë në jetën time nuk kam asnjë lek në portofol, madje nuk kam kujt t’i kërkoj borxh, sepse edhe të tjerët nuk kanë.

Të shikoja për çdo ditë, kur tek kalendari i varur në kuzhinë me duart e vogla shënoje ditët, duke pritur plot gëzim që të vinin festat, eh kjo festë,koha, ndali atë ditë, kur u adhurua djalli, ai që si do fëmijët, nënën, babanë, gruan, atdheun, Zotin. Ai që kurrë s’mendon, ai që na vret çdo ditë dhe nuk ndjen kurrë pendim. Do të mungojnë dhuratat këtë vit me kupto, por të paktën do të kemi shpresën!!!!

E dashur bija ime,mos u trishto…

Kështu e kanë botuar, mes të tjerash, Javanews dhe Shekulli; si dhe një numër mediash nga Kosova.

Parrulla zbuloi një version më të gjatë të kësaj letre, të botuar pas gjase për herë të parë në gazetën Rilindja Demokratike të datës 26 dhjetor 2014 (PDF këtu), me titull Ditari i një të papuni! dhe me autor Ferdinand Veliun.

Ky tekst, që ka formën e një skice letrare, nuk përmban asnjë referencë ndaj aktorit Veli Rada dhe as ndokujt tjetër.

Po e sjell të plotë në vijim, duke nënvizuar ato pasazhe të cilat u përdorën më pas nga mediat, në versionin e shkurtër të letrës:

E dashur bija ime mos u trishto që këtë Krishtlindje s’të bleva dot dhuratë. Të më besosh nuk munda, sepse për herë të parë në jetën time nuk kam asnjë lek në portofol, madje nuk kam kujt t’i kërkoj borxh, sepse edhe të tjerët nuk kanë. Të shikoja për çdo ditë, kur tek kalendari i varur në kuzhinë me duart e vogla shënoje ditët, duke pritur plot gëzim që të vinin festat, eh kjo festë. Tashmë jam i papunë, sepse kështu menduan disa, dhe pse gjithmonë jam përpjekur që në profesionin tim të isha më i mirë, dhe pse mundohesha që në punën time të mos kishte asnjë mangësi.., një ditë të bukur me diell më sollën përpara një fletë ku shkruhej se isha i pushuar. Ishte kaq qesharake “Mungesë performance”, kur korridoreve të institucionit kolegët pëshpërisnin gjithmonë nën zë, se isha më i miri, megjithatë askush nuk pyeti për mua, as për familjen time, më flakën si të isha një copë leckë e vjetër e pa vlerë. Atë ditë i mblodha gjërat e mia në një kuti të vjetër kartoni, i trazuar, i trishtuar, i revoltuar, kur dola jashtë institucionit ku punoja në kazanin e parë i hodha të gjitha përveç një korrnize që kishte foton tënde, duke buzëqeshur. Gjatë gjithë rrugës e shikoja buzëqeshjen tënde dhe për herë të parë atë ditë, ajo ëmbëlsi më vriste në shpirt dhe këmbët nuk më bënin që të nxitoja për tek ty. Çfarë të thosha?? Sa e sa herë vetëm vrapoja të lumturohesha kur të përqafoja, e lodhja e ditës së punës më ikte si me magji. Padrejtësisht ke hyrë edhe t’i tashmë tek problemet e mia, sepse t’i dëgjon, kupton, shikon. Këtë herë nuk ndodhi si në vitet e kaluara, kur t’i më porositje për dhuratën që të pëlqente të kishe dhe padyshim unë atë të zgjidhja. Dje erdhe tek poltrona, lehtë, më hodhe krahun e brishtë rreth qafës edhe më the; Baba këtë vit mos më bli asnjë dhuratë se nuk kam më vend te dhoma ngaqë janë shumë…!

Buzëqesha me fytyrë të qarë. Mallkova veten, mallkova qeverinë, iu luta Zotit, u përlota. Gjithmonë në një shtëpi ka vend për dhurata, sepse ato janë pjesë e lumturisë së fëmijëve. Unë e di, në kalendarin e varur në mur sot do të mungojë diçka, prandaj e shikoj se për herë të parë nuk të pëlqen ta heqësh dhe të më tregosh ditët. Bashkë kemi filluar ta urrejmë, unë më shumë.

E dashur bija ime. Kurrë se kisha menduar se një ditë do të endesha i papunë, sepse jam kujdesur shumë që kjo të mos më ndodhte, prandaj isha korrekt, punoja shumë, edhe jashtë orarit dhe pse askush s’më pagoi asnjëherë, megjithëse ma pasuronin civinë vetëm me kualifikime, që fatkeqësisht kurrë s’mu nevojitën. Sistemi që u ndërtua tani nuk i do të zotët, dhe drejtësinë ka muaj që kanë vjedhur, hipokritët, militantët, servilët, të paaftët, mediokrët. Kështu ndodh këtu, nuk fiton më merita, por politika. Nejse këto ja them vetes. Shumë herë del në televizion Kryeministri, ministrat, të cilët thonë kemi punësuar kaq dhe aq, kemi shpërndarë kaq e aq dhurata, kemi ndihmuar kaq dhe aq fëmijë, të pastrehë, invalidë, pensionistë. Ti i shikon lumturohesh, sepse kurrë nuk mendon që këta lloj monstrash të veshur shik dhe që flasin bukur të gënjejnë. Çfarë drame po ta them bija ime, ja këta bukuria e rreme më lanë sot të papunë dhe ty pa dhuratë për festë. Në bllokun tim të vogël, s’ka më shifra, plane pune, udhëtimesh, projekte, edhe ai është lodhur, sepse këto tre muaj ka qenë çdo ditë i strukur në xhepin e brendshëm, i harruar. Nuk po të shfajësohem, sepse e kam fajin vet, në atë ditë të keqe kaq shumë u gënjyem, besuam, ëndërruam dhe ngritëm padashje dhe veshëm me moral të keqen, ku ditë pas dite i doli boja, duke na u shfaqur ashtu siç ishte, e hidhur, pa ndjenja, e dhunshme.

Do të mungojnë dhuratat këtë fund viti. Sepse kështu urdhëruan, sepse kështu vendosën, për mua për ty dhe për mijëra të tjerë. Të më falësh bija ime, nëqoftëse sheh se nesër do të mungojë kalendari, ta dish, unë do ta kem hequr, ka ndalur koha, ndali atë ditë, kur u adhurua djalli, ai që si do fëmijët, nënën, babanë, gruan, atdheun, Zotin. Ai që kurrë s’mendon, ai që na vret çdo ditë dhe nuk ndjen kurrë pendim. Do të mungojnë dhuratat këtë vit me kupto, por të paktën do të kemi shpresën!!!!

Te kjo letër, autori rrëfen se e kanë pushuar nga puna “për mungesë performance”; se punon në një institucion ku të gjithë e konsideronin si “më të mirin”, se kur u largua i mblodhi sendet e veta në një kuti të vjetër kartoni… Por ky është profili i një nëpunësi, jo i një aktori. Dhe aq më tepër, i një nëpunësi me një vajzë të vogël, e cila para se t’ia jepte porosinë aq lotsjellëse për dhuratat e Krishtlindjes, i hodhi krahun e brishtë rreth qafës. Vështirë të mendosh se është fjala për ndonjë nga të bijat e të ndjerit Rada, tashmë gra në të dyzetat.

Personi që shkruan letrën ka edhe një CV, ka punuar shumë edhe jashtë orarit, dhe ka kryer një numër kualifikimesh që “kurrë s’iu nevojitën.” Në bllokun e tij të vogël ka pasur shifra, plane pune, udhëtimesh, projekte…

Skica e Veliut përshkruan – me nota sentimentale – dramën e dikujt që është pushuar nga puna për arsye politike dhe që nuk ka para t’i blejë së bijës së mitur një dhuratë për Krishtlindjen; edhe data e botimit në gazetë, 26 dhjetor, përkon me temën e skicës.

Misteri këtu doemos ka të bëjë me shndërrimin e saj nga krijim letrar në letër të një personi real; dhe që, sikurse e zbuloi Parrulla, ka ndodhur me botimin e tekstit nga Urim Gjata në blogun e vet, më datë 10 janar 2015 (kështu e identifikon Google); i cili tekst edhe këtu i atribuohet Ferdinand Veliut, por tashmë me një titull të ri:

titulli blog

Vështirë të marrësh me mend pse ka ndodhur kjo: vallë ta ketë ngatërruar z. Gjata mbiemrin e autorit Ferdinand Veliu me emrin e aktorit Veli Rada?

I njëjti Urim Gjata – besojmë – e ka nxjerrë pastaj shkrimin në fjalë në Facebook më 12 qershor 2015, duke e prezantuar si “letër të dhimbshme të artistit Veli Rada disa ditë para vdekjes”, por sërish pa e treguar burimin e saj.

Dhe pastaj nga FB shkrimi ka përfunduar i qarkulluar frenetikisht në rrjetet sociale dhe pastaj edhe në fund të pellgut, ose në faqet e gazetave në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat e kanë nxjerrë pa bërë as edhe verifikimin minimal të lajmit: një telefonatë familjes së të ndjerit Veli Rada. Me sa duket investigime të tilla i tejkalojnë mundësitë e kufizuara financiare të mediave në fjalë.

E frikshme edhe lista e faqeve që e kanë përcjellë “letrën” verbatim: panorama.com.al, javanews.al, kosovarja-ks.com, shekulli.com.al, time.ikub.al, fax.al, mapo.al, yllpress.com, albpress.org, civitas.al, tetovasot.com, newsbomb.al, opozita.com, gazetaexpress.com, botasot.info, zathur.net, botapress.info, ledexpres.net, portalionline.com, thealbanian.co.uk, syri.net, lajmpress.info, infosot.com, zeri.info, noa.al, lajmi.net, infoglobi.info, balkanweb.com, kosovarja.net, express.mk, topalbaniaradio.com, parajsa.com, kosova-sot.info, informacioneshqip.info, shkurteshqip.info, lajmiexpress.net, lajmifundit.al, albnews.al, paparazzi.al, gostivarisot.com, thashetheme.com, shqip.republika.mk, elbasani.tv, index.al, etj. (këtu më mbaroi durimi mua; por nuk rri dot pa shtuar se në një ekonomi tregu ideale, Ferdinand Veliu i RD-së do të ish bërë milioner duke i hedhur në gjyq mediat njërën pas tjetrës, për plagjiaturë).

Pa llogaritur mijërat e atyre që e kanë kaluar të njëjtin “lajm” dora-dorës në rrjetet sociale dhe dhjetëra mijëra të tjerët që kanë komentuar, për të shprehur zemëratën e tyre me institucionet, shtetin, qeverinë, sistemin…

Kësaj meseleje nuk ia nxjerr dot fundin; por vetë historia e transformimit të “letrës”, siç e rrëfyem më lart, është aq instruktive sa të mjaftojë për të treguar si janë katandisur mediat shqip në epokën e Internetit. Dikur “Zëri i popullit” dilte me katër faqe vetëm dhe njerëzit i qaseshin si fizikani ajsbergut, ose duke marrë me mend çfarë ish lënë jashtë; sot ka ardhur koha të pyesim, seriozisht, mos katërqind mijë faqe në ditë, që rimarrin njëra-tjetrën si labirint pasqyrash, janë më pak se katër të dikurshmet.

Nuk ka komente

  1. Pertej historise se Rades, eshte interesante te mesosh a eshte vertet Shqiperia ne kete gjendje sa edhe njerez me kualifikimin e personit ne fjale (perveç faktit se jemi ne shek. XXI), te kujtojne personazhet e nje libri qe na mbyste ne lot dikur, si personazhet e librit Zemra te E. De Amicis? A ka nje sistem social, nje mbrojtje nga papunesia, nje pagese te denje per kontributin dhe vitet e shkuara te punes?
    Apo mos duhet besuar se sistemi i ngritur aty injekton nje kulture te varferise, me qellim qe njerzit te zgjedhin nje kamp politik po qe se duan te mbijetojne?

  2. Shkruaje, Xha Xha, te “Bursa e virtytit” për historitë sentimentale që i grishin mediat si ariun mjalti. Gjezdisjet që paska pësuar teksit i F. Veliut të bën ta shohësh edhe si histeri sentimentale, kur mendon se grekët e lashtë quanin histeri shëtitjet e uterusit në trupin e femrës. Ashtu edhe letra e Veliut ka shëtitur në trupin e mediave shqiptare, ka shëtitur identitete, profesione, e deri mendjet e lexuesve që s’kanë pse të jenë më të rafinuar se mediat, përkundrazi. Shkurt, histori aq mitike dhe ideologjike sa ajo e histerisë së uterusit shëtitës. Në sa vende në perëndim të Uraleve mund të ndodh kjo? Cilët pretendentë për perëndimizim prodhojnë një gazetari hulumtuese kaq skarco? 99% e atyre që mbajnë frymën me shkronja gazetash duhet të kishin kërkuar dhe gjetur atë që gjeti Parrulla. Në mos, e kanë hallall të ngordhin të uritur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: