NË KËRKIM TË NGUSHËLLIMIT

Shpesh më qëllon të pyes, në biseda por edhe veten, se ç’shanse do të kishte sot një gjeni – të themi një Mozart ose një Einstein – sikur të lindte mes shqiptarëve.

Pyetja mund të tingëllojë naive: gjeniu varet gjithnjë edhe nga rrethanat, sociale dhe kulturore. Një Mozart nuk mund ta kultivojë talentin e vet, në qoftë se jeton në një botë ku i vetmi instrument muzikor është tupani. Einstein-i nuk mund të joshet nga misteret e kohës, në qoftë se jeton në një kulturë ku ende nuk është shpikur teknologjia e orës.

E kështu me radhë. Natyrisht, shembujt më lart, qëllimisht të skajshëm, nuk vlejnë për shoqërinë shqiptare – së cilës nuk i mungojnë as instrumentet muzikore, as orët gjithfarësh.

Çfarë i mungon, përkundrazi, janë mundësitë.

Tek e fundit, edhe Mozarti u bë i tillë në një epokë kur muzika europiane po gatitej të përjetonte periudhën e vet të artë; sikurse Einstein-i hyri në skenë pikërisht në kohën e zbulimeve të mëdha në fizikën teorike.

Të transpozuara në kontekstin shqiptar, këto problematika sugjerojnë se në shoqërinë shqiptare sot mungojnë kushtet e përshtatshme për zbulim dhe kultivim të talenteve të mirëfillta në art dhe në shkencë.

Entuziastët e neoliberizmit të shpjegojnë se kjo shurdhëri, e shoqëruar me kakofoninë e mass mediave dhe të Internetit, vjen ngaqë shqiptarët ende presin që shteti, ose një institucion tjetër çfarëdo, t’u dalë zot dhe të kujdeset për ta, njëlloj siç bënte regjimi paternalist i kulturës totalitare.

I cili regjim kish ngritur në këmbë dhe ushqente një sistem subvencionimi të rregullt për krijuesit – që nga shkrimtarët te valltarët; duke u dhënë këtyre kohën dhe sigurinë e nevojshme materiale, që t’i realizonin talentet e tyre.

Edhe pse subvenciononte pikërisht atë elitë prej së cilës priste mbështetje dhe kremtim, sistemi në fjalë së paku ia arriti të krijojë një terren ku aktorët e skenës kulturore të mund të konkurronin mes tyre: romancierët të shkruanin romane, poetët të shkruanin poezi, dramaturgët të shkruanin drama, regjisorët të vinin në skenë drama dhe të xhironin filma, aktorët të luanin para publikut, kompozitorët të kompozonin këngë dhe simfoni, e kështu me radhë.

Të gjitha këto krijime dhe performanca pritej që të mishëronin ideologjinë e regjimit totalitar dhe t’i shërbenin këtij regjimi; por brenda këtij makro-konteksti, përpunohej edhe nevoja e vijueshme për talente dhe për shkëlqim.

Shumë krijues të asaj kohe ankoheshin, dhe disa ishin përnjëmend të bindur, se sikur regjimi “t’i linte” të bënin ashtu siç donin, do të kishin shkëlqyer shumë më tepër; dhe në fakt, arritjet më të mira të periudhës, që i kanë rezistuar deri edhe ndërrimit të epokave, i detyrohen presionit konstant ndaj limiteve ideologjikisht të imponuara: një roman me pak ekzistencializëm ose surrealizëm, një pikturë me pak kubizëm, një simfoni me pak atonalizëm…

Asgjë e tillë nuk ndodhi; dhe, në fakt, kur krejt elita kulturore u la të krijonte dhe të shprehej lirisht pas vitit 1990, i vetmi akt i saj që do të mbahet mend ishte dalja nga skena, ose zhdukja.

Për arsye ekonomike? Ngaqë krijuesve u munguan subvencionet publike? Ngaqë publiku u lejua edhe ai që t’u kushtohej “arteve” të tjera, më pak elitare? Ngaqë erdhi e mungoi frika; ose, alternativisht, tabutë për t’u sfiduar, qoftë edhe nëpërmjet alegorive?

Pa u zgjatur në përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, do të shtoja një faktor që, brenda argumentit të këtij shkrimi, më duket më i rëndësishëm: heshtja erdhi ngaqë kultura elitare pushoi së funksionuari si sistem; çka do të thotë se krijuesve u mungoi terreni për t’u matur mes tyre, ose konkurrenca – jo thjesht si luftë mes vëllezërish, por edhe si formë komunikimi.

Kjo e rrëzon menjëherë tezën e neoliberistëve, se kultura e vjetër, e cila mbahej artificialisht në këmbë, e rekrutuar siç ishte nga ideologjia, nuk i mbijetoi dot përballjes me tregun dhe filozofinë e tregut. Në lëmin e kulturës filozofia e tregut nuk do të thotë që të fitojë ai që shet më shumë; por vetëm e vetëm që krijuesve t’u garantohen mundësitë për të konkurruar lirisht mes tyre, për të fituar vëmendjen dhe simpatinë e publikut.

Një kompozitor i muzikës së filmave ose i muzikës orkestrale nuk ka asnjë shans që ta shprehë talentin e vet unik, në qoftë se kultura nuk ka më interes të prodhojë filma (ose kur regjisorët detyrohen të marrin në punë kompozitorë të huaj); dhe as për muzikë të re orkestrale. Një këngëtare me zë të mrekullueshëm, por e shëmtuar dhe me trup të pahijshëm, nuk ka asnjë shans që të dalë në ato skena ku kërkohet sex appeal dhe lakuriqësi. Një koreograf nuk ka asnjë shans që të krijojë në fushën e vet, në qoftë se nuk vihet në skenë asnjë balet përveç Giselle.

Të gjitha këto talente, që janë edhe produkti më i çmuar i një shoqërie dhe të tilla që të përkufizojnë epokën përkatëse, nuk heshtin ngaqë i kanë humbur betejat kompetitive ose të tregut; por thjesht ngaqë kompeticioni nuk ekziston më.

mozartkugel-bestyetMozarti shqiptar hipotetik i shekullit XXI mund të ketë vërtet në dispozicion një piano dhe një mësues solfezhi; por nuk gjen dot as dikë që ta mbështetë në gjakimet e tij krijuese, as publikun që t’ia ndjekë dhe t’ia admirojë këto krijime dhe as kritikët a kolegët që t’ia vlerësojnë veprën dhe ta nxitin të krijojë më tej e më mirë.

E madhe do të ishte fatkeqësia, për këtë Mozart që nuk shkëlqeu dot; por edhe më e madhe do të ishte humbja, për një kulturë të rrezikuar nga shterpësia, si kjo jona sot.

Tek e fundit, Mozartët dhe Einstein-ët stokastikë do t’ia dalin që t’i shfrytëzojnë ndryshe dhuntitë e tyre intelektuale dhe krijuese; por vetë kultura nuk mund t’ia lejojë dot vetes që, për një kohë të gjatë, të shpërdorojë talentin statistikor që ka në gjirin e vet.

Një tjetër vulgarizim, në mos keqkuptim, i mekanizmit të tregut në kulturë ka të bëje drejtpërdrejt me idenë se talenti do të shkojë atje ku është paraja. Tek e fundit, me këtë hipotezë janë rrekur të shpjegojnë edhe pse mendjet më të ndritura të shkencës amerikane, fizikanë teorikë dhe specialistë gjithfarësh të modelimit kompjuterik, janë katandisur të punojnë për firmat e investimeve, në Wall Street.

Edhe kjo temë do të kërkonte trajtim më vete; meqë unë nuk besoj se paraja e madhe mund ta blejë talentin, sikurse nuk besoj se talenti mund ta shuajë etjen me para. Por, nëse është kështu, të paktën mund të marrim me mend se në Shqipëri talentet kulturës dhe dijes po ia thith politika, edhe kur nuk ia thith krimi; sepse këto janë të vetmet fusha ku konkurrenca është reale dhe paratë fitohen me thasë.

Dhe atëherë do të thoshim: jemi shndërruar në vend të botës së tretë, një kulturë parazitare që nginjet e majmet me fast food-in e rrjeteve globale të argëtimit; por të paktën klasën politike e kemi me IQ të lartë; në kuptimin që Mozartët dhe Einstein-ët tanë kanë çarë rrugë drejt Parlamentit, Ekzekutivit dhe institucioneve të tjera të shtetit.

Dhe kështu argumenti do të bëhej, doemos, vetë-mposhtës.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: