MARIO CALIVÀ: ARBËRISHTJA NË NJË PËRMASË TJETËR

Elona Gjata interviston shkrimtarin dhe dramaturgun arbëresh Mario Calivà

1. Cila është marrëdhënia juaj me arbërishten? Sa i shpeshtë është kontakti juaj me atë? A është ajo gjuha e parë në të cilën shkruani? Gjuha në të cilën ju vjen frymëzimi?

Marrëdhënia jonë me gjuhën arbëreshe është shumë intime. Ndoshta nuk mund të flasim për një marrëdhënie reale sepse është një element që është pjesë e ndërgjegjes sonë. Pra, diçka më shumë. Një gjuhë e përdorur çdo ditë është një me përdoruesin, pasi gjithçka identifikohet dhe vendoset në dialektikë përmes termave të vetë gjuhës. Prandaj, gjuha shënon një rrugë që të çon në njohjen e botës. Për më tepër, çdo gjuhë na lejon të evokojmë gjëra që mungojnë në atë moment dhe të ndërtojmë arsyetime komplekse. Për këtë arsye, gjuha është e brendësuar, dhe për mendimin tim nuk flasim më për marrëdhënie, por për diçka më të thellë.

Për shumicën e arbëreshëve të Pianës, gjuha arbëreshe është gjuha e parë që dëgjohet, nëse e flet nëna. Personalisht shkruaj edhe arbërisht edhe italisht. Nëse frymëzimi është shkaktuar nga një fjalë italiane, atëherë produkti i përfunduar do të jetë në italisht. Por nëse frymëzimi është shkaktuar nga një fjalë në arbërisht, atëherë, ajo poezi apo ajo dramaturgji, do të jetë në gjuhën arbëreshe.

2. Duke iu referuar librit “Poezi Arbëreshe”, vërejmë se poezia juaj vjen te lexuesi përmes variantit arbërisht. A është kjo një mënyrë zgjedhjeje për të krijuar identitetin tuaj artistik përmes lëvrimit të arbërishtes? Apo është një zgjedhje për të vazhduar vijën e traditës së pararendësve tuaj si përfaqësues i brezit të ri?

Edhe njëra edhe tjetra. Të shkruarit në gjuhën arbëreshe për mua nuk është sforcim. Besoj se poeti që kompozon vargje nuk duhet të ndikohet nga një motiv që shkon përtej aktit krijues artistik. Por në rastin e poezive të shkruara në një gjuhë pothuajse të rrallë, si arbërishtja, mendoj se është e rëndësishme edhe çështja kulturore. Të gjitha poezitë (reale) në gjuhën arbëreshe kanë veçorinë e përfaqësimit dhe dhënies së formës dhe përmbajtjes së një kulture prej më shumë se pesë shekujsh të pranishme në Itali. Prandaj poeti arbëresh ka një përgjegjësi shtesë, pasi instrumenti i tij kryesor, fjala, është bija e një të shkuare, sfida kryesore e së cilës është të jetë e pranishme edhe në të ardhmen.

3. A ndiqni ju ndonjë model të arbërishtes në krijimtarinë tuaj, sa u përket autorëve të vjetër arbëreshë?

Sipas mendimit tim, modelet e së shkuarës janë shumë të rëndësishme nga pikëpamja e përdorimit të gjuhës së shkruar. Veprat që na kanë ardhur nga e kaluara ishin bija të kohës së tyre dhe në sytë e të paktëve që lexojnë letërsinë arbëreshe sot, ato mund të duken të vjetruara dhe pa forcë evokuese. Roli i poetit arbëresh të sotëm, mendoj se duhet të dijë të përdorë gjuhën arbëreshe për të përshkruar botën që e rrethon dhe për të dhënë një interpretim të ri që është bijë e shoqërisë së sotme. Në fakt, besoj fort në figurën e poetit, që luan edhe një rol social, që poezia të ketë vendin e duhur në çrregullsinë dhe entropinë e neomodernitetit.

4. Si bashkëveprojnë arbërishtja dhe italishtja në krijimitarinë tuaj? Në cilën gjuhë frymon më mirë poezia juaj lirike?

Pyetje e bukur! Nuk mund t’ju them me saktësi absolute. Por për një gjë jam i sigurt: prologu i secilës poezi është para-gjuhësor. Domethënë ka lindur përpara përvojës, gati transhendentale në kuptimin kantian. Mendoj se një dalje për para-gjuhësinë e jep zgjedhja e fjalës. Në atë moment poema fillon të ekzistojë dhe të ndërtohet. Poeti do të jetë në gjendje të përdorë të gjithë artin e tij kompozues dhe aftësinë e tij për të zgjedhur fjalorin, por poezia do të vazhdojë të jetë gjithmonë një kufizim, një pjesë që nuk mund të evokojë plotësisht mendimin ose shkakun e parë që shkaktoi një emocion specifik që më pas çoi drejt frymëzimit.

5. Cila është gjendja aktuale e arbërishtes në Itali? A është ajo gjuhë e gjallë në ambientet e jetës së përditshme apo mbetet veçse gjuhë e krijimtarisë artistike?

Për fat të mirë, në shumicën e komuniteteve arbëreshe në Itali, gjuha arbëreshe përdoret gjerësisht në jetën e përditshme. Sipas mendimit tim kjo është shumë e rëndësishme, sepse arbëreshët kanë mundësinë që ta përvetësojnë gjuhën që në fëmijëri. Sepse nëse një gjuhë përdoret për të përshkruar diçka ose një ngjarje që ndodh, ka shumë të ngjarë që po ajo gjuhë të frymëzojë një poet apo dramaturg të ri. Prandaj, arbëreshët, që në moshë të vogël, mësojnë të përdorin gjuhën dhe vetëm me përvojën e saj do të mund të kalojnë në një nivel tjetër në të ardhmen, që mund të jetë ai i kompozimit të vargjeve apo shkrimit të tregimeve.

6. A do të vazhdojë arbërishtja të jetë gjuhë e gjallë edhe për brezat e rinj, përtej kontributit artistik të saj?

Besoj se për brezat e rinj është shumë e rëndësishme të mbajnë dhe të flasin gjuhën e prindërve, apo të paraardhësve të tyre, sepse një komponent i madh i identitetit është vetë gjuha. Gjuha është  veshja e një populli, duke shërbyer kështu si shenjë e njohjes, e identifikimit. Mendoj se një mënyrë për mbrojtjen e gjuhës është lidhja e saj me gjuhët e artit. Një shembull është ai i përdorimit të teatrit të shkruar në gjuhën arbëreshe, i cili në këtë rast, jo më pak se elementët e tjerë të shfaqjes, del në skenë dhe bëhet protagonist. Në fakt, nga pikëpamja e identitetit, siç e thashë tashmë, gjuha përfaqëson një element thelbësor, i cili falë teatrit riafirmohet publikisht. Shumë i rëndësishëm do të ishte edhe zyrtarizimi i gjuhës arbëreshe. Falë saj mund të aktivizohen mekanizmat shtetërorë, si sigurimi i fondeve të nevojshme për të mbështetur aktivitetet kulturore që synojnë mbrojtjen. Në rastin italian është ligji 482 i vitit 1999, falë të cilit janë krijuar shumë projekte. Njohja zyrtare është shumë e rëndësishme, sepse kështu vazhdon mbrojtja e saj e njohur me ligj.

7. Cili do të jetë kontributi juaj për vazhdimësinë e gjuhës arbëreshe?

Sigurisht që do të jem gjithmonë në dispozicion për të dhënë kontributin tim modest për çështjen arbëreshe. Përfaqësuesit e brezave të rinj, që për fat të mirë vazhdojnë të shkruajnë në gjuhën arbëreshe, përfaqësojnë hallkën e një zinxhiri që shpresojmë të mos shkëputet. Sa për mua, shpresoj që frymëzimi të mos më braktisë dhe ta vazhdoj këtë rrugë.

8. Libri “Rrëmbyesi dhe ara”, është botuar në Prishtinë në gjuhën shqipe, madje në versionin e shqipes standarde. Pse kjo zgjedhje: një arbëresh që shkruan për lexuesin e tij “matanë detit” në gjuhën letrare shqipe, botuar në Prishtinë.

Besoj se shkëmbimi i veprave letrare mes arbëreshëve dhe shqiptarëve është një domosdoshmëri; i tillë është edhe në dialog edhe në shkëmbim artistik, ku dëshmohet vitaliteti letrar, kulturor, i një populli. Mendoj se, nëse një shqiptar që jeton në Tiranë, Prishtinë apo Shkup lexon atë që shkruaj unë, jam vërtetë i lumtur. Edhe pse jetojmë në anën tjetër të Adriatikut, rrënjët tona janë në Shqipëri dhe gjuha (e shkruar) e dëshmon këtë.

9. A keni ndonjë projekt letrar të ri për lexuesin tuaj?

Pas botimit të romanit “Bujtina në Tiranë”, që për fat po shënon njëfarë suksesi, mbarova së shkruari një dramë në vargje që trajton veshjen tradicionale të femrës arbëreshe. Teksti është i përkthyer edhe në italisht. Monologu “Nostalgjia” dhe përmbledhja me poezi “Poezi Arbëreshe” zgjojnë kureshtjen  jo vetëm të arbëreshëve apo shqiptarëve, por edhe shumë lexuesve të tjerë.

Meqenëse se kujtesa është e rëndësishme, pak ditë më parë përfundova së shkruari një libër tjetër që trajton zbarkimet e shqiptarëve në Itali, që ndodhën në fillim të viteve nëntëdhjetë. Libri u dha zë 22 njerëzve që kanë bërë rrugëtimin e shpresës, por që tashmë janë integruar mirë në Itali dhe përfaqësojnë një realitet të bukur.

10. Cili është mesazhi juaj për lexuesin tuaj “matanë detit”?

Mesazhi im është i thjeshtë: kërkoni gjithmonë dialog me vëllezërit tuaj arbëreshë, por edhe me popujt e tjerë. Gjë që nuk është e vështirë për shqiptarët, sepse ata nuk kanë qenë kurrë një popull racist. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, sepse populli i fshehu me çmimin e jetës së tyre. Më vjen keq kur dëgjoj se brezat e rinj po harrojnë gjuhën e prindërve, sidomos jashtë vendit. Mendoj se është shumë e rëndësishme të flasësh për paraardhësit, sepse një komponent i madh i identitetit, e përsëris, është pa dyshim gjuha. Nëse secili prej emigrantëve, sapo të mbërrijë në një vend të huaj, harron gjuhën dhe kulturën e vet, nuk mund të arrijë shkëmbimin ndërkulturor, i cili është shumë i rëndësishëm për njohjen e tjetrit. Edukimi në dialogun ndërkulturor është një armë kundër racizmit të përditshëm dhe institucional; dhe gjithashtu u shërben qytetarëve të shteteve të ndryshme që mirëpresin emigrantët.

shkurt 2022

Mario Calivà është shkrimtar, poet, dramaturg dhe fotograf arbëresh, i botuar në Itali, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin