DHUNA QË SJELL KËNGA

Me Rubber Soul, të vitit 1965, Beatles-at për herë të parë regjistruan një album në studio pa detyrime kontraktuale të bashkëlidhura për koncerte, dalje në radio a në film; ky ishte edhe i dyti album i tyre që përmbante vetëm material origjinal, gjithë duke shënuar një kthesë muzikore në historinë e pop-it dhe duke paralajmëruar revolucionin estetik që do të shfaqej i plotë me albumet Revolver (1966) dhe Sgt. Peppers (1967). Megjithatë, Run for Your Life, kënga që e mbyll albumin do të tingëllonte më shumë si mbetje a jehonë intertekstuale e qasjeve të mëhershme të katërshes nga Liverpool-i (hollësi për historinë e këngës këtu), dhe me kalimin e viteve do të tërhiqte vëmendjen për zemërimin xheloz që dukej se përcillte teksti, dhe veçanërisht vargjet më poshtë:

Well, I’d rather see you dead, little girl
Than to be with another man
You better keep your head, little girl
Or I won’t know where I am

You better run for your life if you can, little girl
Hide your head in the sand, little girl
Catch you with another man
That’s the end, little girl.

Pati nga ata që i dëgjuan këto rreshta si kërcënim prej “unit lirik” ndaj vajzës (“little girl”), për shkak të xhelozisë. Në tekst përvijohet trekëndëshi standard i çiftit dhe i një të treti (“another man”), i cili përfton dhunë – që këtej edhe ftesa që i bëhet vajzës të vrapojë, “për të shpëtuar kokën”.

Historianët biografikë të albumit e kanë shpjeguar zemërimin e këngës me gjendjen shpirtërore të Lennon-it vetë (“wicked guy”), i cili atë kohë kish probleme me të shoqen, Cynthia; Paul McCartney, në një intervistë shumë vjet më vonë, ka thënë se ai që “runs for his life” është John-i vetë, në rolin e një burri të martuar.

Këta i referohen edhe një interviste të John-it, ku ky mes të tjerash thotë:

I used to be cruel to my woman, and physically—any woman. I was a hitter. I couldn’t express myself and I hit … (Sheff, The Playboy Interview with John Lennon & Yoko Ono.)

Për të vazhduar pastaj kështu:

That is why I am always on about peace, you see. It is the most violent people who go for love and peace.… Everything’s the opposite.… I am a violent man who has learned not to be violent and regrets his violence.

Çfarë e kanë kryq-referuar pastaj edhe me këto vargje nga kënga Getting Better (e cila i atribuohet dyshes Lennon-McCartney):

I used to be cruel to my woman,
I beat her, and kept her apart from the things that she loved.
Man, I was mean but I’m changing my scene,
And I’m doing the best that I can.[1]

Por kritikë të tjerë më pak biografikisht të orientuar, menjëherë e patën vënë re citimin, në tekst, nga një këngë e Elvis Presley-t, e vitit 1955, Baby Let’s Play House, të kompozuar dhe të kënduar më parë nga Arthur Gunter, ku gjendeshin edhe vargjet më poshtë:

Now listen to me, baby
Try to understand
I’d rather see you dead, little girl
Than to be with another man.

Kishte pastaj të tjerë që i gjetën këto vargje te një këngë edhe më e vjetër nga Buddy Holly (e titulluar sërish Baby Let’s Play House), çfarë lë të kuptohet se citime të tilla shëtisnin nga një këngë në tjetrën, duke shënjuar më shumë zhanrin, se gjendjen shpirtërore të autorit të tekstit.[2] Vetë Lennon-i pat thënë se i kish “marrë” ato fjalë nga një “këngë e vjetër blues”, si për të shpjeguar se këto tekste i shërbenin përkatësisë, jo individualitetit të kësaj apo asaj kënge: karakteristikë e artit folk, të bazuar në oralitetin.

Para se të përfundonte në Rubber Soul, dhuna e xhelozisë ish stilizuar tashmë në klishe. Çfarë edhe i hap vend pyetjes se kush i thotë fjalët “I’d rather see you dead, little girl/Than to be with another man”: John Lennon-i vetë, zhanri të cilit ato fjalë i përkasin, apo kodi i atij zhanri? Po kur më qëllon që ta këndoj unë këngën, a mund të jenë ato fjalë të miat ose, më mirë, a mund t’i bëj unë ato njëfarësoj të miat? Dhe kur i them fjalët, a jam duke kanalizuar dhunën sado të stilizuar, apo vetëm e thjesht zhanrin blues?

Për shkak të formave të ngrira që përmban, gjuha shpesh na “detyron” të themi gjëra që nuk i kishim çuar në mend: kur i kërcënohemi dikujt se “të shklyej më dysh”, nuk është se kemi vërtet ndërmend të veprojmë ashtu, dhe as ia përfytyrojmë efektin. Shprehjen “I’d rather see you dead, little girl…” dëgjuesit e pop-it britanik në vitet 1960 me gjasë do ta interpretonin si një homazh ndaj blues-it dhe trishtimit zemërak, që shoqëron xhelozinë; jo si të impulseve vrastare të Lennon-it autor, ase të subjektit që u nënvendoset vargjeve.

Një përkthim i mundshëm shqip i titullit të këngës, Run for Your Life, do të ishte: “Gjej vrimë të futesh” (“Gjej vrimë e futu”), shprehje frazeologjike e cila nënkupton miun ose ndonjë shtazë tjetër të vogël e frikacake – edhe pse folësit shqip sot nuk mendojnë zakonisht për miun, kur e përdorin. Edhe këtu, literalizimi mund t’u shërbejë leksikologëve dhe historianëve të leksikut, jo analizës funksionale të ligjërimit.

Natyrisht, gjithë ky elaborim i tanishëm për një këngë të albumit Rubber Soul mund të tingëllojë i çuditshëm, në mos pedant, sa kohë që sot mund të qëllojë të ndezësh radion dhe të dëgjosh të këndohet rapper-in Esham të këndojë kështu (Ex-Girlfriend, 2003):

“I used to love her, too bad I had to put a slug through her/Dumped her body in the trash like I never knew her/Blood runnin down the gutter into the sewer/Her body stunk for weeks like horse manure.”

Really? Jemi larguar shumë, po vërtet shumë, jo vetëm nga pafajësia e I Wanna Hold Your Hand, e Beatles-ve të hershëm, por edhe nga xhelozia vrastare e Run for Your Life, megjithë përkimin tematik të vajzës që tradhton dhe që e paguan/do ta paguajë këtë me kokë.

Diskografinë e Esham-it e kanë quajtur “acid rap”: fuzion të ritmeve hip-hop dhe teksteve death metal; por nuk ka nevojë t’i njohësh këto zhanre (unë nuk i njoh) për të identifikuar, te vargjet më lart, citime nga romanet policore hardcore, serialet televizive amerikane të krimit, tabloidët e metropoleve, filmat horror dhe stripat vizatimorë; dhe, për këtë arsye, një stilizim të dhunës jo aq të ndryshëm nga ai i blues-it të Lennon-it.

Sërish mund të pyetet: kush flet? Rapper-i Esham si person juridik? Apo rapper-i Esham si autori i tekstit?

Këngën e Lennon-it herë pas here e kritikojnë për mizogjini; të njëjtat kritika ia bëjnë edhe teksteve të shumë këngëve rap, të cilat nuk i ndan dot – pavarësisht nga analizat mirëfilli formale – nga dhuna që ka kapluar sot mjediset ku krijohet dhe riprodhohet ky zhanër muzikor. Pa qenë nevoja të shpjegohet se këto tekste “pasqyrojnë” realitetin, mund të ndalemi dhe të themi se edhe dhuna reale, edhe ajo që vjen e stilizuar në ligjërimin e rapper-ëve, kanë të njëjtën origjinë.

Çfarë ka ndryshuar sot, në krahasim me gjashtëdhjetë vjet më parë, është se hiper-realizmi i filmit televiziv, ose pornografia e dhunës, e ka kloroformizuar imagjinatën dhe njëfarësoj po i detyron “poetët” e rrugës – në kuptimin e gjerë të kësaj fjale – të flasin duke evokuar dhe pastaj kombinuar mes tyre klishe vizuale, të cilat përftojnë pastaj intertekstualitetin e tyre.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për t’u vënë re se Getting Better nis me një përshkrim të dhunës proverbiale, të cilën e përjetonin fëmijët e sistemit shkollor në Britaninë e Madhe,

I used to get mad at my school,
The teacher who taught me weren’t cool.
Holding me down,
Turning me round,
Filling me up with your rules.

siç e njohim më mirë nga skenat e filmit The Wall, dhe veçanërisht nga videoja e Another Brick in the Wall, II dhe kënga paraprijëse The Happiest Days of Our Lives:

When we grew up and went to school
There were certain teachers who would
Hurt the children any way they could
By pouring their derision
Upon anything we did
And exposing every weakness
However carefully hidden by the kids
But in the town it was well known
When they got home at night, their fat and
Psychopathic wives would thrash them
Within inches of their lives.

Për t’u kthyer tani te Beatles-at, te Getting Better, e vitit 1967 (nga albumi Sg. Peppers) rishfaqet edhe imazhi i dikujt që fsheh kokën në rërë:

Me used to be angry young man,
Me hiding me head in the sand.
You gave me the word,
I finally heard,
I’m doing the best that I can.

[2] Për t’u shënuar se edhe sintagma little girl është klishe e kulturës muzikore blues dhe shfaqet rëndom në këngët e atij zhanri – që nga Little Girl Blue te Little Girl Blues.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin