LETËRSI PËR MYSAFIRËT

Këto ditë më qëlloi të lexoja dy romane shpinë më shpinë, L’ultima estate in città, nga Gianfranco Calligarich, dhe The Interim, nga Wolfgang Hilbig. Të parin e pata zgjedhur sepse ajo “città” në titull ishte Roma, dhe për Romën më kish marrë malli (e kam kaluar edhe unë një “ultima estate” atje dhe gjithnjë më merr malli); të dytin nuk e mbaj mend pse tamam, ndoshta ngaqë më tërhoqi statusi i protagonistit rrëfimtar, si një i ikur nga Gjermania Lindore, por i pambërritur plotësisht në Gjermaninë Perëndimore, në vitet e Luftës së Ftohtë. Por nuk e dija që një pjesë e romanit gjerman ishte vendosur në dy qytete ku kam qëndruar për ca kohë, dhe më shumë se një herë: në Mynih dhe në Nyremberg. Mendova që kur rrëfimtari është i vetmuar, marrëdhënia e tij me qytetin ku jeton merr përmasa hiperbolike – sepse është qyteti që edhe ia shton, edhe ia lehtëson vetminë. Protagonisti i romanit të Calligarich-it e përjeton Romën së brendshmi, duke bredhur, si bisha në kafaz, në zonën baroke – itineraret e tij janë njëfarësoj edhe ato të miat; bashkë me të, jam unë që ulem në bordurat e shatërvanëve në Piazza Navona dhe në trotuaret përbri kishës Santa Maria dei Miracoli, në Piazza del Popolo – minus shishen e konjakut. Jeta e tij, prej bohemi depresiv por të dashuruar, është jeta që kisha ëndërruar, kur vija rrotull, outsider, në Romën time, duke u pikëlluar për një jetë që nuk e kisha jetuar atje; mendimi që bëhet fjalë për të njëjtin qytet më ngjeth, sepse sikur më jep hak për deliret e mia të atëhershme. Përkundrazi, protagonisti i romanit “gjerman” nuk arrin dot ta jetojë Nyrembergun, por e përjeton si të ishte film në mos vitrinë dyqani a muzeu; sërish, njëlloj si unë, që e kam vizituar për pak kohë – vetëm dy herë – pa ia hequr dot qafe semiotikën; aq sa tani, pas kaq vitesh, e kam të pamundur ta risjell qytetin në mendje, përveçse në trajtat e një gravure të Albrecht Dürer-it. Kur ishim së fundi në Kaiserburg lart në kodër, muret e fortesës dhe traversat e drunjta na u panë të rreshkura nga tymrat e dimrit dhe menjëherë na u kujtua Winterfell, te Game of Thrones; do të jetë shenjë dashurie kjo, kur e lexon një peizazh urban si partiturë të një peizazhi tjetër. Gjithsesi, në Nyremberg nuk kam pasur kohë ta përjetoj mallin që kisha në Romë; përveçse që mbaj mend ta kem përfytyruar lagjen historike të qytetit si mjedisin – e imagjinuar – të një rinie “tjetër”; e kam parë veten të ulur nën hijen e pemës mu në Tiergärtnertor, duke pirë cigaren proverbiale, në kërkim solidaritetesh të heshtura me vetmitarë dhe endacakë të rastit. E kam ditur që qytetin barok atje e patën ngritur në këmbë rishtas, fill pas Luftës II, çfarë edhe ia shpjegon efektin e pashmangshëm Disneyland; por nuk jam ndier mirë në petkat e vizitorit, sa ç’jam ndier në rolin e një banori fantazmagorik të periferive të Europës, që rrëmon në plehrat e kujtesës, për të gjetur mbresa dhe imazhe të një jete që nuk e ka jetuar dot. Kjo më ka munduar veçanërisht në Romë, sepse nuk i përgjigjesha dot pyetjes pse xhanëm nuk e kisha kaluar rininë atje, i rrethuar nga déjà-vus, që janë edhe ato një formë torture; çdo përpjekje imja – në thelb patetike – për t’u bërë pjesë e qytetit, vetëm sa më jetërsonte edhe më tutje. Më kujtohet si kuturisesha herë pas here te shkallarja e Trinità dei Monti, në Piazza di Spagna, që në pranverë mbushej aq shumë me njerëz të ngeshëm, sa vinte dhe i ngjante një stadiumi të ngushtë, ku spektatorët nuk prisnin të shihnin asgjë, veç njëri-tjetrit; ulesha atje pak si mënjanë, por gjithnjë afër një grupi me kitarë, që luanin dhe këndonin shkëlqyeshëm ca këngë të Simon & Garfunkel që i dija. Mendoja se mund të kisha qenë edhe unë atje – edhe pse në fakt isha; por prania ime nuk ishte veçse dhimbje e një mungese të pariparueshme. Prandaj e prisja tani që Leo Gazzara – protagonisti i romanit të Calligarich-it – ta popullonte edhe ai hapësirën rrotull Trinità dei Monti (edhe ai, sa patetike kjo shprehje…); pa çka se Leoja veç zvarritej nga një tryezë në tjetrën dhe nga një shishe në tjetrën, si një aktor që e ka harruar se gjendet atje, në skenë, vetëm sa për të luajtur një rol; dhe prandaj nuk arrin ta përjetojë skenografinë si duhet. Shumë më trishtoi historia e asaj dashurie ashtu si vetëm një italian mund ta rrëfejë; i rritur e i mëkuar me romanin Tre shokë të Remarque-ut, mbetem përjetësisht i ndjeshëm, tejet i ndjeshëm, ndaj rrokullimave ekzistenciale. Më kujtoi dashurinë time për Romën, që mbetet edhe ajo një memorial i mallit. Dhe ashtu më shkoi mendja se mysafiri i një qyteti, madje edhe kur është vetëm vizitor për pak ditë, është gati, në mos për gjë tjetër, për t’i shijuar ndryshe rrëfimet që lidhen me rrugët, sheshet, ndërtesat, monumentet që ka parë; për të mos thënë që kjo është edhe arsyeja më e fortë, që do të përligjte ethet e disave prej nesh, për t’ua shëtitur qytetet të tjerëve. Turizmi si një lloj hyrjeje në letërsinë e huaj – çfarë rivelacioni!

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin