KY TEMPULL I KEQPËRDORUR

nga Ajkuna Dakli

Para disa vitesh morëm pjesë në një ceremoni të organizuar nga Ambasada jonë me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze në një nga sallat e National Gallery në Ottawa. Ishte një koncert simfonik, që u pasua nga një pritje për të ftuarit. Koncerti na shijoi shumë, po në fund, kur u luajt Himni i Flamurit, m’u mbushën sytë me lot. U ndjeva në siklet dhe pak e habitur me veten, sepse nuk më pëlqejnë deliret emocionale dhe as vuaj nga ndonjë patriotizëm i tepruar. Por, që të jem e sinqertë, më pati ndodhur edhe herë të tjera ky impuls emocional kur dëgjoja Himnin, a ndonjë këngë popullore që më lidhte me vendlindjen në tërësi, ose me dikë të dashur në vendlindje.

E solla ndërmend ngjarjen këto ditë kur u festua përvjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe desha të futem pak më në thelb të konceptit të atdheut dhe atdhedashurisë.

Kur erdha këtej dhe ndeshja në bashkatdhetarë, u shmangesha bisedave me temë “më mirë këtej apo andej”, që amplifikonin dashur padashur dilemën që përtypja përditë me vete në atë kohë. Po në të vërtetë, ajo që më trazonte ishte njëlloj ekstremizmi në qëndrimin ndaj atdheut, një paaftësi për ta perceptuar ikjen nga atdheu në mënyrë racionale dhe organike, si proces jetësor, dhe njëlloj patetizmi që lëkundej nga fajësimi i atdheut për gjithë telashet, në një adhurim idealistik total me lot e psherëtima.

Kam vënë re se, ndonëse e njësojmë me vendin gjeografik, ne shqiptarët e perceptojmë atdheun pothuaj si palë të tretë, të cilit, përpos tipareve fizike (O malet e Shqipërisë, e ju o lisat e gjatë, fushat e gjera me lule …) , i veshim edhe tipare frymori, duke bërë të mundur kësisoj t’i ngarkojmë përgjegjësitë ose meritat për të gjitha arritjet ose dështimet, kudo qofshin brenda apo jashtë tij.

Përballja prej kohësh me dilemën e ikjes bën që për ne lidhja me atdheun të jetë vështirë dhe e ndërlikuar dhe të mos perifrazohet lehtë, e as të shprehet dot vetëm me një ndjenjë specifike.

Në të vërtetë, atdheu, megjithëse përkufizohet si vend gjeografik, përmban në vetvete përmasa të tjera që lidhen me qenien fizike në një vend gjeografik: gjuha, kultura, tradita, klima, lidhjet familjare e shoqërore, që përbëjnë një pjesë të madhe të asaj që jemi. Të pranosh apo ta mohosh atdheun do të thotë të pranosh apo ta mohosh këtë pjesë të vetes.

Koncepti i krenarisë për origjinën ka të bëjë me respektin për veten dhe grupin të cilin i përket. Kjo nuk lë vend për të marrë mbi supe meritat ose fajet e anëtarëve të tjerë të grupit dhe për t’i quajtur ato kolektive.

Me gjithë globalizimin dhe lëvizjen masive të njerëzve, që ka sjellë si rrjedhojë konceptin e qytetarit të botës, praktikisht çdo individ ka një status fizik dhe politik të banorit të një vendi të caktuar, me të cilin e lidhin të drejta dhe detyrime, si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ana ekonomike, aty ku jeton, punon, dhe paguan taksa. Ka si rrjedhojë edhe një status social të lidhur me vendin në fjalë.

Në këtë kuptim, më shumë se vend gjeografik, atdheu është një status social që lidhet me këtë vend gjeografik dhe marrëdhënia me atë grup shoqëror me të cilin një individ e ndan këtë status. Sa më e shëndetshme të jetë kjo lidhje, aq më mirë i shërben ajo qoftë individit, qoftë edhe grupit shoqëror me të cilin ai e ndan këtë status social.

Marrëdhëniet me atdheun jo rrallë janë të keqkuptuara ose të keqpërdorura. Po përmend këtu rastin e luftërave ku ushtarët vriten në dhè të huaj në emër të atdheut, paçka se lufta në fjalë mund të mos u shërbejë interesave të tij.

Për shqiptarët këto marrëdhënie kanë qenë edhe më të ndërlikuara. Brezave që jetuan diktaturën, atdhedashuria iu ngjesh në grykë me forcë, ndërkohë që kufijtë e atdheut u mbyllën po me forcë për të mbrojtur atdheun. Kjo politikë absurde kultivoi një qëndrim të skajshëm ndaj atdheut, mohim total ose idealizim absolut të tij.

Pas diktaturës, ndryshimi i madh i realitetit nga pritshmëria, bjerrja e shpresës për ndryshime të mëdha të shpejta dhe largimi masiv i shqiptarëve jo vetëm që nuk i zbuti, po i theksoi këto dy qëndrime të skajshme që sot i ndeshim rëndom: Njëri skaj që shan shqiptarët, e i fut të gjithë në një thes (dhe përjashton sigurisht veten), duke rënë kështu në një sofizëm të kulluar; skaji tjetër u mëshon teorive se çdo gjë e përparuar në botë e paska origjinën, në një farë mënyre, të lidhur me Shqipërinë ose shqiptarët.

Ndaj emigrantëve shqiptarë, atyre që vendosën të largohen duke i shkëputur kësisoj në njëfarë mënyre lidhjet me atdheun, mbahet i njëjti qëndrim i skajshëm. Ose përligjen, përgëzohen dhe shihen në njëfarë mënyre me zili për mundësinë ose zgjedhjen, ose fajësohen heshtur ose hapur, ndërkohë që rrëfehen e shpërndahen në rrjet histori të tipit “filani u kthye, sepse në Shqipëri jetohet shumë më mirë”.

Para disa javësh lexova në rrjet mbi vendimin e Ministrisë së Arsimit për të kënduar Himnin e Flamurit një herë në javë në shkollat publike në Shqipëri, si edhe debatin që e shoqëroi: si nxitje për atdhedashurinë versus nxitje të nacionalizmit.

Të kënduarit e Himnit në shkolla është një praktikë që ndiqet rëndom në botë. Në shkollat publike të Kanadasë, për shembull, këndohet gjithashtu Himni çdo mëngjes. Është pjesë e përpjekjes për t’i edukuar të rinjtë me patriotizëm, pa kaluar sigurisht në nacionalizëm, gjë që arrihet duke u mëshuar vlerave të multikulturalizmit.

Për ata që jetojnë në Shqipëri, marrëdhënia me atdheun është koherente dhe e ndërsjellë. Edukimi i patriotizmit do t’i shërbejë si grupit, dhe individit. Nëse çdo individ jep kontributin e tij për ndryshim, kjo do të sjellë edhe ndryshimin e shoqërisë dhe, si rrjedhojë, edhe ndryshimin e statusit të tij social.

Shqipëria është e bukur. E mendova këtë sivjet në verë, pasi pata rastin të shëtis kryq e tërthor, nga Himara deri në Valbonë, e nga Durrësi deri në Korçë.

Natyrisht çdo vend ka bukuritë e tij natyrore, po nuk besoj se haset shpesh, në një sipërfaqe aq të vogël, ajo larmi ngjyrash dhe relievi, bluja e thellë e Jonit, e gjelbra e gjallë e maleve të Jugut, ngjyrat e buta të luginës së Shkumbinit, e kaltra e qetë e liqenit të Ohrit, pamjet përrallore të luginës së Valbonës, grija e kthjellët e majave të thepisura të maleve anës liqenit në të gjelbër të thellë të Fierzës, madhështia e grykëderdhjes së Bunës dhe ngjyra e artë e fushave të perëndimit. Nëse shton historinë, që shtrihet në disa mijëvjeçarë, klimën e butë, mundësitë për turizëm dhe ditët me diell, nuk do të ishte e vështirë ta doje një vend si Shqipëria nëse do të ishte e mirëqeverisur.

Po kur shëtit në Shqipëri, nuk është vështirë të kuptosh se shqiptarët nuk janë të lidhur me atdheun e tyre, nuk e shikojnë si gjë të vetën, për të cilën duhet të kujdesen, ta mirëmbajnë, ta mbrojnë dhe ta ndryshojnë për mirë.

Kjo ndodh sepse në përgjithësi, në Shqipëri, individit nuk i ofrohet ai status social që do të arrinte të krijonte një lidhje të fortë të tij me atdheun.

Atdhedashuria nuk edukohet as me ode, as me himne dhe as me përralla se si vetë perënditë paskëshin qenë me origjinë shqiptare.

Të rrish a të ikësh është sigurisht një vendim vetjak, që varet nga rrethana e zgjedhje personale. Kur ikja bëhet fenomen masiv, për klanin qeverisës duhet të bien tinguj kambanash se diçka nuk shkon mirë.

Këto kambana në Shqipëri kanë rënë me kohë, po duket se klasa politike e ka patur një vesh shurdh e një sy qorr. A është kjo e qëllimshme – më pak qytetarë të shkolluar do të thotë më pak oponentë potencialë – apo thjesht një mungesë vëmendjeje, koha do ta tregojë.

Sidoqoftë, të kënduarit e Himnit në shkollat publike në Shqipëri, ndonëse bëhet me qëllimin e mirë, nuk ka gjasa të nxisë ndonjë lloj patriotizmi nëse kushtet e jetesës nuk ndryshojnë dhe motivet që i shtyjnë dhjetëra të rinj të largohen nga vendi, mbeten materiale.
Ndërsa frika për nxitjen e nacionalizmit është e kotë për sa kohë që shumica e të rinjve shqiptarë nuk arrijnë as të krijojnë një lidhje afektive me atdheun.

Ajo çka do t’i mbante të lidhur pas vendit këta fëmijë, të cilëve u mësojmë të këndojnë Himnin, do të ishin reformat politike në dobi të vendit dhe të së ardhmes së tyre, një strategji afatgjatë që do t’u krijonte jo vetëm kushte të mira për shkollim dhe punësim, po do të synonte edhe krijimin e një atmosfere që do të rikthente besimin te ekzistenca e një shteti ligjor dhe klase politike (lexo këtu: në pozitë dhe opozitë), që ka në fokus prosperitetin e vendit dhe nxitjen e një mentaliteti shoqëror të shëndoshë.

Pavarësisht nga fushata e shfrenuar mediatike se po punon për ndryshim, deri më sot klasa politike, as pozita dhe as opozita, nuk ka treguar asnjë shenjë se ka vënë interesat e vendit para interesave të saj të momentit, dhe se e ka dëshirën apo vizionin a aftësinë të sjellë ndonjë ndryshim pozitiv.

Në këtë situatë, për ata që ikin, Himni do të mbetet vetëm një belbëzim ceremonial, reminishencë e largët e vendit që lanë. Për ata që do të mbeten në Shqipëri, një oshtimë kori në stadiume kur luan kombëtarja.

Ndërsa për ne, që zgjodhëm të largohemi, atdheu i të parëve mbetet pjesë e jona dhe mënyra se si e shohim atdheun është mënyra si e shohim veten.
Të qenët të ndërgjegjshëm për origjinën, kulturën, traditën gjuhën etj., na bën të jemi të ndërgjegjshëm për identitetin tonë, por çdo mohim ose glorifikim i atdheut të të parëve është i pavend. Lidhja me të është tashmë emocionale dhe rudimentare dhe, duke qenë prej kaq kohësh pjesë e një tjetër grupi shoqëror, të gjitha arritjet a dështimet nuk mund t’ia atribuojmë askujt tjetër veç vetes.

Për ne, atdheu i të parëve, është tashmë ai vend i bukur që vendosëm ta lëmë përgjithnjë, e që thellë-thellë, për mirë a për keq, na sëmbon gjithnjë. Fjala e fundit që, kur të vijë çasti i mbramë, do ta themi në gjuhën tonë.

(c) 2023 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Kopertina: Photo by Monique Snijder on Unsplash

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin