Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

STATISTIKAT E BESIMIT

grafike te ndryshemProblemet e statistikave në Shqipëri i kemi ngritur prej kohësh në këtë hapësirë, duke e trajtuar çështjen nga pikëpamja e sasisë, cilësisë dhe e besueshmërisë. Të dhënat statistikore, që të jenë të vyeshme për publikun dhe politikën, duhet të jenë të shumta, cilësisht të vlefshme e, së fundi, të jenë të besueshme.

Në shkrimet e botuara në “Peizazhe të Fjalës” kohë më parë (Gishti i statistikësNumërim me gishta dhe Lost in Statistics) u trajtuan jo vetëm aspektet e mësipërme, por u shkua edhe më tej. Përsiatjet e mësipërme lindën pas debatit që pasoi rezultatet e censusit të fundit të popullsisë në Shqipëri. Megjithatë, u prekën disa çështje strukturore të statistikës shqiptare, që shkojnë përtej regjistrimit të popullsisë ose të dhënave të tjera specifike.

Shkrimi i Ermelinda Meksit, “Statistikat, si matës i zhvillimit”, me të drejtë vë theksin mbi rëndësinë e statistikave në Shqipëri:

Statistikat zyrtare janë të një rëndësie të veçantë, sepse u paraprijnë ndërtimit të strategjive të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Kjo ka ndodhur dhe ndodh rëndom në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Pa njohje të saktë të situatës aktuale, nuk mund të ndërtosh të ardhmen afatmesme dhe aq më tepër atë afatgjatë. Ka një gjykim, i cili merr vlerën e një “aksiome”: “Niveli i statistikave zyrtare tregon masën e zhvillimit të një vendi!”.

Më tej, prof. Ermelinda Meksi vë re se zhvillimi i sistemit statistikor nuk ka shkuar siç duhet në vendin tonë dhe se kritika na janë bërë edhe nga Bashkimi Europian:

Në këtë këndvështrim, zhvillimi i sistemit statistikor në Shqipëri, nuk ka ecur me shpejtësinë që kërkonin ritmet e zhvillimit të një vendi që aspiron anëtarësimin në BE. Kritika të drejtpërdrejta janë bërë në raportet e BE-së për sistemin statistikor në vend. Në çdo raport-progresi për Shqipërinë është theksuar: Nevoja për ndërtimin e një sistemi statistikor kombëtar të mbështetur në parimet themelore të statistikave të besueshme dhe cilësore, ndër të cilët i pari dhe më i rëndësishmi është ai i pavarësisë institucionale dhe profesionale të agjencive statistikore.

Në shkrimin e politikanes shqiptare kërkohet që instituti i statistikave të ketë pavarësi të garantuar me ligj e të respektuar në praktikë. Meksi e pranon se mungesën e të dhënave statistikore e ndjejnë të gjithë dhe ankohet për cilësinë e metodologjinë e statistikave të tregut të punës, të cilat “më shumë çorientojnë sesa japin një vlerësim të saktë”. Statistikat e çmimeve të konsumit, statistikat e ndërmarrjeve, statistikat monetare, janë për artikullshkruesen problematike. “Në tërësi – nënvizon Meksi – sistemi statistikor, kryesisht ai që lidhet me INSTAT-in, është i avashtë dhe pak aktiv”.

Diagnostikimet që i bën Ermelinda Meksi sëmundjeve të statistikave zyrtare shqiptare janë të sakta. Në cilësinë e ekonomistes dhe të politikanes në nivele të larta, madje me poste të rëndësishme qeveritare, Meksi e ka edhe më të lehtë për t’ia dalluar të metat sistemit statistikor. Megjithatë, lexuesi pret diçka më konkrete jo vetëm përsa i përket metodologjisë, ose aspekteve të tjera teknike të të dhënave, por për mënyrën se si duhet rritur besueshmëria e sistemit që përpunon të dhënat. Është e vërtetë se besueshmëria buron nga cilësia e të dhënave që i ofrohen publikut, por nuk duhet harruar se besueshmëria varet në thelb nga shkalla e pavarësisë që institutet e statistikës gëzojnë nga politika.

Aspekti sasior, cilësor dhe i besueshmërisë duhet të ecin përpara krah për krah, përndryshe të dhënat statistikore do të jenë gjithnjë të mangëta. Statistikat e shumta nuk kanë vlerë sikur të kenë cene nga ana cilësore, por edhe të dhënat e pakta, metodologjikisht të sakta, nuk është se hyjnë shumë në punë për realitetin kompleks të ekonomive dhe shoqërive moderne; sikurse të dhënat e vlefshme nga pikëpamja sasiore e cilësore nuk kanë vlerë në rast se nuk besohen fare nga qytetarët dhe përdoruesit e ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për sa kohë perceptohen si mbështetëse të versionin zyrtar të partisë së radhës.

E kështu, kthehemi tek domosdoshmëria e krijimit të institucioneve edhe në kuadrin e sistemit statistikor, ku besimi përbën pa dyshim një nga shtyllat kryesore.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Pa Komente

  1. Pishak, teme thelbesore. Edhe po ta reduktoj temen vetem per disa gjera me vijne ne mend disa hapa qe do te ishin te domosdoshem per saktesine dhe besueshmerine e statistikave, sidomos te atyre qe kane lidhje me te ardhurat, me pasurine dhe pasurimin e qytetareve te RSh, me sherbimet qe i garantohen çdo individi. Sepse i shoh statistikat si termometrin e matjes se jetes demokratike te nje vendi. Psh.1. pajisja me kod personal te çdo personi e aktiviteti. Pra kodi fiskal duhet te ishte pike e referimit per nisje, 2.berja ne menyre periodike e kontrolleve “te kryeqezuara”, dmth mundesia e ballafaqimit te te dhenave te deklaruara dhe te nxjerra nga kontrollet e mundshme, 3.berja publike e disa te dhenave per te cilat te behet vleresimi i veprimtarise politike: dmth premtimet ne fushate elektorale dhe sa mbahen keto premtime, duke dhene shifrat; dhe kjo gje te ishte kusht per jeten politike: a kemi menduar ndonje here nje ligj qe te perjashtoje nga jeta politike ate force politike qe moshtron zgjedhesin jo vetem me premtimet per zhvillim e angazhim por edhe per aelancen politike ku do te beje pjese?; 4.dhe do te kishim keshtu: sa perqind te me te pasurve shqiptare jane politikane? 5. dikush thoshte seper te njohur shoqerine duhet te ndjekesh rrugen nga e se si ecin parate. Pra le te perdorim statistikat per te gjetur prejardhjen e parave te atyre qe komandojne politikisht dhe ekonomikisht ne Shqiperi sot per ta ditur se me cilet kemi te bejme, nga i nxjerrin leket dhe se kush i paguan. Duke filluar nga gazetat, televizionet, institucionet fetare,,,

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin