VLERA STATISTIKORE E JETËS

nga Shkëlqim Çela

Për konceptin e vlerës së jetës statistikore (VJS) kam shkruar përpara kohëve të “Covid-it”. Pandemia që erdhi më pas, e solli VJS-në në tryezat e mendimit dhe ushtrimit të pushtetit dhe marrjes së vendimeve zbatuese të këtij të fundit, edhe më fuqishëm se më parë, si çdo rast i jashtëzakonshëm dhe kusht kufitar që nxjerr më mirë në pah si punojnë mekanizmat e një sistemi. Përveç aktualitetit, Jeta Statistikore dhe VJS e lidhur me të, është një koncept që meriton të ndërfutet në mendimin shqiptar.

Sa e ka vlerën jeta? A ka sasi monetare që të barabitet me jetën njerëzore? Pyetja është në kufijtë e retorikes, përgjigjja e menjëhershme është “jo”-ja emocionale, nuk ka vlerë monetare të barabitet me një jetë njeriu. Dhe natyrisht ashtu është, për faktin e thjeshtë që vlera monetare është një mjet për një qëllim, dhe ky qëllim është jeta njerëzore. Vetëm se në sa më lart, vdekja (që domethënë edhe jeta) merret e mirëqenë, si e ndodhur, ose si e sigurt që do të ndodhë në një kohë të afërt. Ndërkaq, në përditshmërinë (lexo jetën) tonë, vdekja nuk është e tillë, ajo është thellësisht një gjasë, kërcënuese si shpatë Demokleu, por e pandodhur (ende) si çdo kërcënim. Dhe me gjasën, papritur, njerëzit fillojnë të negociojnë, gjë që nuk e bëjnë me ngjarjen e sigurt, sepse gjasa ka detyrimisht edhe vdekje, edhe jetë, njëkohësisht; ajo është macja e vërtetë e Shrëdingerit, konceptuale, të cilën njerëzit duan me përdhunë mendore ta kthejnë në kafshën e prekshme shtëpiake, që për ta ka një emër, një pamje, shkon te mjeku veteriner dhe kërkon ushqim e pastrim të kutisë për jashtëqitje herë pas here. Një mace që, natyrisht, nuk mund të jetë hëm e gjallë e hëm jo. Për një termodinamikë tekanjoze të mendimit, kalimi nga e prekshmja në koncept është më i pavolitshëm dhe i pavetishëm se e anasjellta. Dhe kjo, meqë ra fjala, shpjegon veçanësinë e mitit, fuqinë dhe rëndësinë e tij, si diçka që veç të tjerash, ndodh rrallë dhe kundër rrymës së përditshmërisë. Për t’i qëndruar krahasimit, njerëzit duan mace të përdorshme dhe të dobishme, për ta përkëdhelur, lozur dhe prekur, madje edhe kur ajo zhduket, duan t’ia mbajnë buzëqeshjen në ajër, në hologramën e parë të pastërpikur me pahun e mitologjisë, fantazmave dhe shtrigërive me kazanë që vlojnë një fauna të tërë magjish. Një mace e atillë e prekshme, “jetësore”, ka edhe një çmim, sa kushtoi ushqimi, sa vizita e doktorit, etj. Për të mund të thuhet se është e kushtueshme (high maintenance). Macet figurative apo shkencore janë të pahonepshme, përsa kohë ato nuk janë bërë bestytni, të zeza dhe që të presin rrugën. Si karaktere bestyte pastaj, macet (e zeza) nuk kanë çmim. Paraja vdes tek ato. Janë të gjitha fatale, të ardhura nga kohët kur paraja nuk ishte shpikur ende. Ky dyzim haset edhe te jeta dhe vdekja e njeriut. Vlerësimi (kuantifikimi) i jetës konceptuale njerëzore, pra jo i jetës së gjitonit të përveçëm, Afrimit, Shabanit, Amarildos, apo Lej Fengut, por i jetës njerëzore si të tillë, si tregues i bashkësisë së të gjallëve dhe jo i individit, e përsëris sepse është themelore: si tregues i bashkësisë dhe jo i individit, është në të vërtetë diçka që çdokush mund ta bëjë sikur edhe në mënyrë të pavullnetshme dhe në përditshmëritë më të zakonshme. Ja një shembull: Çdo ditë kur dalim nga shtëpia për në punë, vlera e funksionit të rrezikut (the hazard function) për jetën rritet, kryesisht për shkak të aksidenteve automobilistike në qoftë se do të marrim realitetin e metropolit tipik perëndimor, me popullatë që jeton në periferitë e tij dhe shkon çdo ditë në punë, në qendrat korporatore dhe financiare përmes udhëve me shumë korsi e të përbindshme prej trafikut. Rreziku i vdekjes (the risk of fatalty) është një gjasë. Por masa e rrezikut është aq e vogël, sa nuk i pengon njerëzit të shkojnë në punë (i njëjti parim me blerjen e biletave të llotarisë, e cila ndodh prej çmimit të vogël të një bilete: sasia në nivele të tilla të ulëta që nuk bëhet ende cilësi). Le të supozojmë që në një metropol ka dy milionë njerëz në ditë që shkojnë në punë dhe katër aksidente fatale në ditë. Gjasa e fatalitetit është 4/2.000.000 = 0.000002 = 0.0002%. Në qoftë se mesatarisht një ditë pune sjell 150 $ për person, atëhere vlera e një jete e lidhur me fatalitetin në rrugë rezulton 75 milion $ (150 / 0.000002%), në kuptimin që u humb një jetë që të sigurohen 75 milion $. Natyrisht, askush nuk bën të tilla llogari në mënyrë të ndërgjegjshme. Por për hir të argumentit, sikur gjasa e fatalitetit të ishte dyfish më e lartë, pra 0.0004%, atëhere VJS-ja do të rezultonte 37.5 milion $. E njëjta gjë do të ndodhte sikur gjasa e fatalitetit të mbetej ajo e shembullit, 0.0002%, po vlera e ditës së punës të përgjysmohej në 75$. Për një pagë ditore 30$ në ditë dhe 375 mijë njerëzve që venë e vinë për ditë në punë, me 2.5 aksidente fatale të vlerësuara në ditë (shifra përafruese për metropolin e Atlantas), VJS-ja do të ish: 30/(2.5/375000) = 4.5 milionë $. Thjesht nga ky shembull, shihet se vlera e jetës statistikore varet nga vlera e ditës së punës, pra paga ditore, dhe nga gjasat e fatalitetit, të cilat përcaktohen ndjeshëm nga cilësia e rrugëve, makinave, ngarësve të automjeteve, strukturës së qarkullimit rrugor, etj. Rritja e pagës ditore dhe e kushteve të qarkullimit, rrit vlerën e jetës statistikore dhe anasjelltas. Pra, vlera e jetës si e tillë, e vlerësuar prej matësit të VJS-së, është funksion shoqëror. Siç është edhe një tregues i përqendruar i përparimit të një shoqërie. Çdo përmirësim në shkollat e marrjes së patentave të ngarjes së makinave, rrit vlerën e jetës statistikore. Çdo rritje e cilësisë së automjeteve, rrugëve, apo kontrollit rrugor, gjithashtu. Duket sikur shoqëria në gjithë përparimet e veta realizon ngritjen e vlerës së jetës (statistikore) të njeriut.

Në një tjetër kontekst hipotetik, sikur rreziku i vdekjes prej ajrit të ndotur prej një mase mbrojtëse teknologjike të ulej me 1/10000 = 0.01%, atëhere shuma e vlerës monetare që 10000 njerëz do të binin dakord të paguanin për ta financuar atë masë do të barazohej me vlerën e një jete statistikore. Kjo e fundit është një matëse që rreket të përcaktojë një vlerë ekonomike për atë që njerëzit do të paguanin për të zvogëluar sadopak riskun e vdekjes. Çka na sjell në një spikamë shumë përcaktuese të VJS-së: ajo nuk është një tram për jetën, sa do të paguaje që të mos vdisje, por sa do të paguaje që të zvogëloje riskun e vdekjes në një masë të dhënë. Është elementi “risk” që e bën probabilitar, ergo statistikor konceptin, dhe shton germën S në akronimin VJS. Dhe praktikisht ndryshimi i riskut është tepër i vogël—në shembullin e mësipërm, në madhësinë e një grime të përqindjes: një e qindta e saj. Dhe gjithashtu, nuk flitet për një individ, por për popullatë. VJS-ja mund të jetë vetëm një tregues shoqëror, si në përmbajtje, edhe në llogaritje. Sepse sasia monetare që individët do të donin të paguanin për ulje të vogla të gjasës së vdekjes ndryshon nga individi në individ, dhe lidhet me plot faktorë, disa nga të cilët do t’i shohim më poshtë, ndërsa ajo bëhet më e qëndrueshme në grupe të mëdhenj njerëzish, me një vlerë të pritshme të kushtëzuar dhe variancën përkatëse.

Qëllimi parësor i VJS-së është analiza e kosto-përfitimit për investime në fusha publike, si transporti apo mbrojtja e mjedisit, që lidhen me mbrojtjen e jetës së njerzve, ulin vdekshmërinë, vdekjet e parakohshme, fatalitetet etj. Kur kryhen të tilla shpenzime, organi investues kërkon të dijë “a ia vlejti barra qeranë?” Shpenzimi dihet, ajo që nuk dihet është pritshmëria e jetëve “të kursyera” e dhënë në vlerë monetare për ta krahasuar me koston. Pra, problem edhe më i vështirë se parashikimi i numrit të vdekjeve është përcaktimi i vlerës nominale monetare të këtyre jetëve, për t’ia përqasur shpenzimit përkatës. Duket si e pazemër, cinike dhe tejet materialiste si qasje, por nuk është ashtu. Përkundrazi. Po ta shpiem në skaj hamendësimin: të supozojmë një shpenzim madhor, të themi disa qindra miliardësh $, ku shpëtohet jeta e vetëm një njeriu, a duhej bërë një shpenzim i tillë? Një “po” e nxituar pas parimit “nuk ka valutë e thesar në botë të vlejë më shumë se një jetë njeriu” ka shumë të ngjarë të jetë përgjegjia e gabuar. Sepse ai investim mund të bëhej tjetërkund, madje jo domosdoshmërisht me shpëtim jetësh, por, të themi, me përmirësim dhe zbukurim të shumë e shumë prej tyre. Në lojë futet gjithnjë mundësia e humbur (missed opportunity), dhe jo rrallë harrohet fakti që investimi është i fundmë dhe i kufizuar; shpesh më i rëndësishëm se vetë madhësia e buxhetit është shpërndarja e tij (allocation) që siguron përfitimin më të madh: një buxhet më i vogël i shpërndarë drejt mund të ketë më shumë përfitim se një buxhet më i madh i shpërndarë gabim. Vlerësimi numerik (quantification) i koncepteve në thelb jonumerike, është ndër fushat më interesante, krijimtare, të dobishme dhe të përparuara të përdorimit të statistikës dhe ekonometrisë, dhe jeta e trupi i njeriut është ndër më të spikaturat ndër to.

Pandemia e Covid-it solli mbi tryezë në një formë a një tjetër pyetjen themelore: A ia vlen gjithë kjo ndërmarrje planetare për numrin e pritshëm të vdekjeve? Dhe sidomos: A ka një kufi të numrit të vdekjeve nën të cilin nuk duhej marrë asnjë masë mbrojtëse të cilat kanë kosto dhe pasoja tejet të ndjeshme? Sepse nuk bëhej fjalë për masa lokale dhe të vogla, përkundrazi po paralizohej veprimtaria ekonomike e shteteve të tëra. Pra, sido që të ish, VJS-ja hynte në diskutimin numër një të ditës në mos nga dera, nga dritarja. Është vendi të themi se megjithatë ajo nuk mund të zbatohet si kriter për rastin e pandemisë. Nga vetë natyra e fenomenit, llahtarës (jo më drojës, vëmendjes së shtuar, syçeltësisë së përthelluar, apo kujdesit paraprak publik) së përgjithshme të krijuar, nuk mund të flitej më për një zgjedhje probabilitare të shpenzimit apo për një zvogëlim të pandjeshëm, në masën e një grime të përqindjes të vdekjes. Të mos harrojmë se gjasa është perceptim dhe besim. Në kohë të tilla, një masë e stërmadhe e njerzve nuk do të shkonin në punë edhe sikur kufizimet e lëvizjes dhe veçimi të shfuqizoheshin. VJS-ja nuk është treguesi i duhur për gjendje skajore dhe pa histori e përvojë përkatëse. Nuk do kish investim, sikur edhe imagjinar për nga madhësia, të hynte në tram me gjasën e perceptuar të vdekjes gjatë pandemisë, sidomos në muajt e parë të saj, kur kjo gjasë për shumë arsye, u rrit në mënyre mamuthore. Për situata të tilla nuk ka një tregues statistikor që ta shtjellojë dukurinë nga ana numerike, dhe hutimi mbarënjerëzor për rastin e Covid-it tregon sa të domosdoshëm janë këta tregues. VJS-ja, si statistikë (statistic) kërkon veç popullatës, edhe një denduri të ngjarjes historike, një përvojë të themeluar, e cila në fund të fundit përkthehet në normalitet të jetës prej dendurisë së ngjarjes në kohë. Gjendjet skajore janë shmangie e devijime të theksuara (outliers), mbi të cilat nuk mund të ndërtohen përgjithësime.

Vini re që VJS-ja nuk lidhet vetëm me gatishmërinë njerëzore për të paguar zvogëlimin grimor të gjasave të vdekjes; ajo punon edhe në kah të kundërt, gatishmërinë e njerzve për të ndërmarrë punë të rrezikshme për jetën kundrejt një page më të lartë. Ka punë shumë të vështira në afërsi të akujve polarë në platforma naftënxjerrëse në det, të cilat paguhen shumë mirë. Jo pak njerëz do ta bënin tramin midis një rreziku më të madh për jetën dhe pagesës më të lartë. Nuk besoj se është ndonjë zbulim i madh të thuash se njerëz nga vende të pazhvilluara, ku përpjestimi i pagave të zakonshme në vendet ku jetojnë me ato të ofruara për punën e rrezikshme është ku e ku më i lartë se e njëjta për vendet e zhvilluara, do të zgjidhnin rrezikun në një shkallë shumë më të madhe se homologët e vendeve të zhvilluara. Kjo tregon se VJS-ja varet nga mirëqenia shoqërore. Dhe brenda të njëjtit vend, VJS-ja varet nga grupmoshat, nga gjendja financiare, apo nga gjendja shendetësore e grupeve, etj. Në të vërtetë çdo individ ka për çdo kohë të dhënë VJ-në e vet (e cila ndryshon nga koha ne kohë dhe nga mosha në moshë, apo nga mundësia për të paguar, etj.) Fraza si “ne duam vdekjen më shumë se ju doni jetën” të para në TV do shpërthenin me dinamit jo vetëm turma publike, por edhe gjithë ligjësitë mbi të cilat ngrihet ekonomia. Edhe “me dhanë jetën si me le” ndërton heroizëm dhe narrativa, por prish gjithë barazpeshat mbi të cilat ngrihet përditshmëria e pritshme dhe gjithë supozimet bazë të analitikës sasiore. VJS-ja në këto raste duhej të ish negative dhe në fakt, ajo bëhet thjesht VJ, vlerë e jetës individuale dhe jo shoqërore. VJ-ja, nuk mundëson asnjë masë ekzekutive, pasi këto kërkojnë grupin dhe treguesit e grupit, ku gjen zbatim VJS-ja. Deri tani vlerësimet e VJS-ësë janë përdorur në rang kombëtar, edhe pse ka studime më të hollësishme për shtresa më të përcaktuara të popullsisë. Duhet thënë që VJS-ja është diçka relativisht jo fort e studiuar (si tregues të tjerë socio-ekonomik) në Amerikë dhe në Perëndim përgjithësisht. Kjo pasi vlerësimet për të përmbajnë procedura të vështira, pyetësorë, marrje të tërthorta të të dhënave, çka i bëjnë përfundimet jo të qëndrueshme krahasuar me njëri-tjetrin dhe me një nivel besueshmërie statistikore më të ulët nga ç’kërkohet. Pandemia e fundit e rigjallëroi konceptin dhe u pa se vlerat e VJS-së të nxjerra nga EPA (Environmental Protection Agency) nuk ishin përditësuar qysh prej 30 vjetësh. Në vlerësimet e bëra, zakonisht një jetë statistikore jepet diku te rreth 10 milion $ për Amerikën. Kjo shifër bazohet mbi supozimin se ka një milion njerëz në një qytet të madh mesatar, të cilët janë gati të paguajnë deri 10 $ për një masë përmirësuese të mjedisit që pritet të ulë gjasën e vdekjes në popullatë me një të miliontën. Kjo do të thotë se me zbatimin e masës përmirësuese të ekologjisë së rrethinës, për shembull më pak ndotje të rrethinës, një njeri në një milion në atë qytet nuk do të vdesë. Askush nuk e di se cili do të jetë ai që do t’i shpëtohej jeta prej ndotjes ndër një milion banorët. Në kushte të tilla është parë se njerëzit janë gati të paguajnë 10$, çka e bën VJS-në 10 milion $. Ndërkaq, anketimet për vlerësimin e VJS-së pas qasjes “stated preference approach” (ndërkohë që qasja e përshkruar më parë quhet “hedonic wage approach) përcaktojnë vlera midis 3 dhe 5 milionë $. VJS-ja, si çdo vlerësim statistikor, varet kryekëput nga supozimet mbi të cilat bazohet dhe metodat e vlerësimit, gjë që prodhon luhatje të mëdha në përfundime. Një mënyrë e trajtimit të analizës kosto-përfitim është ajo e baraz-pikës mes kostos dhe përfitimit (breakeven analysis). Për shembull, në një studim të Universitetit të Uajomingut, u vlerësua që në qoftë se VJS-ja do të ishte një milion $, mbajtja e largësisë shoqërore gjatë pandemisë (social distancing) do të ish pa vlerë, domethënë kostoja nuk do ta mbulonte përfitimin. Mbi këtë shifër, studimi vlerësonte që përfitimi nga mbajtja e largësisë ishte më i madh se kostot.

Edhe në SH.B.A., VJS-ja është një temë në zhvillim e sipër, megjithëse fillesat e saj si kërkesë e kohës i shohim qysh në politikën e bombardimeve të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ku në kosto hynin edhe jetët e pilotëve të vrarë gjatë operacioneve luftarake. VSJ-ja e konceptualizon jetën e njeriut si njësi të matshme dhe funksionale, për të kaluar stadin emocional dhe populizma të njohura për ne si “Njeriu është kapitali më i çmuar”. Ndjekja e dinamikës së VJS-ësë do të ish një mënyrë objektive e vlerësimit të përparimit të vërtetë shoqëror dhe pjesë e notës që merr qeverisja e vendit. Rritja e jetëgjatësisë është përdorur si tregues i përparimit të kombit (e famshmja “një vit jetë më shumë për çdo vit të pushtetit popullor,” e proklamuar nga Mehmet Shehu.) Dhe pas pyetjes “sa?” vjen pyetja “si?” VSJ-ja është ndër treguesit më përmbledhës të cilësisë së jetës, pasi ajo e përmban vendimin e individit (subjektiven) në mënyrë objektive: nuk ka gjë më të sinqertë se të paguash për diçka. Dikur do të duhet të pyesim me rigorozitet shkencor sa vlen jeta statistikore e shqiptarit? Për këtë, duhet një përgatitje konceptuale, çka ishte edhe qëllimi i këtij shkrimi.

Disa hollësi:

Në qoftë se një veprim apo vendim ekonomik e pranon pasojën që mund të shoqërojë rritjen e së ardhurës, vlerës apo pasurisë ΔW, pasojë e cila është rritja e gjasës së fatalitetit me ΔP, atëherë raporti V*= ΔW/ΔP është një këmbim (trade-off) i pranueshëm për atë veprim apo vendim ekonomik dhe përcakton vlerën e një jete statistikore për këtë risk fataliteti. V* nuk është një konstante, ajo varet nga vlera e gjasës së fatalitetit përkatës, nga pasuria e poseduar, parapëlqime vetjake etj.

Matja e V-së* është e vështirë, pasi termat e formulës matëse të saj nuk janë të gjendshme lehtë. Ndërkaq, në qoftë se për një veprim/vendim ekonomik është pranuar oferta me vlerë V e lidhur me një risk të caktuar, atëhere kjo V e vëzhguar përbën një kufi të sipërm për V*.

Teknikaliteti i përllogaritjes së V në relacion me V*, edhe pse i komplikuar për një përcjellës jo profesional, tregon më mirë se çdo gjë tjetër natyrën dhe domethënien e vlerës së jetës statistikore, ndaj po e sjell shkurtimisht në vijim. Për këtë përllogaritje kërkohet modelim, dhe ky i fundit ndërtohet vetëm mbi pandehma të pranuara paraprakisht. Pra, le të supozojmë se V* përcaktohet apo shoqërohet ngushtë me disa ndryshore të vëzhgueshme X, dhe nga disa të pavëzhgueshme (e si të tilla, të panjohura) ε; atëhere për individin, apo rastin “i”:

(1) Vi* =α’ + β’Xi + εi’.

Po kështu, supozojmë që V* përcaktohet nga disa faktorë të tjerë Z

(2) Vi = α + βZi + εi.

Përderisa risku pranohet (merret) kur Vi > Vi*, atëhere probabiliteti “Pr” i pranimit të riskut është:

(3) Pr (Pranohet risku) = Pr (Vi > Vi*) = Pr (εi – εi’ < α – α’ + βZi – β’Xi).

Vlera e pritshme e kushtëzuar E e V-ësë kur pranohet risku, E(V| Pranohet risku) = E(V|V>V*) duhet të jetë të paktën sa E(V*), vlera mesatare e pakushtëzuar e jetës statistikore të të dyja palëve, edhe të atyre që e pranojnë riskun, edhe të atyre që nuk e pranojnë atë. Mirëpo, meqenëse ana e majtë e barazimit 2 është e vëzhgueshme vetëm ndër ata që e pranojnë riskun, vlerësimi i parametrave të barazimit 2 ka shumë të ngjarë të ndikohet për keq nga “njëanshmëria e zgjedhjes” (selection bias).

Për këtë arsye këshillohet përdorimi i metodave të ndreqjes apo zbutjes së ndikimit të njëanshmërisë në zgjedhje (diskutimi konfliktual për këto metoda është një ndër shumë diskutimet e famshme dhe interesante në fushë të statistikës dhe ekonometrisë; si për shembull ai midis Heckman-it dhe Rubin-it).

Po të supozohet më tej se ε_i and ε_i’ kanë bashkërisht (jointly) një shpërndarje Normale, atëhere (3) mund të llogaritet me funksionin “probit”:

(4) Pr (Pranohet risku) = F[(α – α’ + βZi – β’Xi)/σ],

ku σ = σ(ε – ε’) është (varianca (ε – ε’))1/2 dhe F[•] është funksioni i dendurisë mbledhëse (cdf) së shpërndarjes standarte normale. Për termat (α – α’)/σ, β/σ, β’/σ mund të përdoren vetëm “vlerësime” (estimates) të tyre, jo të dhëna të drejtpërdrejta.

Metodat e ndreqjes së njëanshmërisë (si regresioni Heckman), bazuar mbi V-në e vëzhguar si ndryshore të varur, mund të vlerësojnë parametrat sipas modelit:

(5) E(Vi|Pranohet risku) = α + βZi + ρσελi,

ku ρ është korrelacioni mes ε and ε’, λi = λ(Xi, Zi) = f(μ’Wi)/F(μ’Wi), μ’ vektori [α – α’, β, -β’]’ dhe Wi vektori [1, Xi, Zi]. Ky model është i aftë të llogarisë parametrat e barazimit (1), dmth vlerën mesatare të jetës statistikore për popullatën e dhënë, apo edhe nënshtresat e saj që kanë vlera të ndryshme e përfaqësuese të X-it.

Disa shembuj praktikë të përdorimit të rezultateve të analizave mbi vlerën e jetës statistikore mund të qartësojnë atë çka më sipër është dhënë në formë simbolesh të modelimit. Një fushë ku vlera e jetës statistikore merret në shqyrtim është ajo e transportit rrugor. Këtu, për një buxhet të dhënë, dalin dy çështje:

  1. a) Shpërndarja më e mirë e investimeve (sa para, ku dhe për çfarë) për të pakësuar fatalitetet, dhe
  2. b) A arrin buxheti që të pakësojë fatalitetet në pikën ku një grahës mesatar i automjetit nuk do të donte të paguante më për sigurinë e trafikut?

Pika e parë (a) nuk kërkon të dimë vlerën e jetës statistikore, por përdor terma të saj. Psh, ta zëmë se ka tre pika në tre rrugë të ndryshme të qytetit ku mund të zbatohen tre projekte përkatëse për përmirësimin e sigurisë dhe kostoja për të shpëtuar një jetë është përkatësisht 3, 1 dhe 0.5 milion dollarë. Është e qartë që investimi në projektin e tretë është më i justifikuari; në projektin e parë duhet shpenzuar 6 herë më shumë për të shpëtuar një jetë.

Tani, le të supozojmë se buxheti është 1.5 milion dollarë. Kjo do të thotë se do të duhet të ndërmerren vetëm projekti i dytë dhe i tretë, por a është kjo zgjidhja më e mirë? Kjo varet nga vlera e jetës statistikore. Në qoftë se kjo vlerë është më e madhe se 3 milion dollarë, projekti i parë duhet të ndërmerret gjithashtu, sepse një individ i zgjedhur rastësisht nga popullata që nget automjetet në këto rrugë, do të paguante më shumë se 3 milionë dollarë për të shpëtuar një jetë. Vlera e jetës statistikore udhëzon buxhetin për sigurinë e trafikut. Dhe kjo vlerë përdoret gjerësisht në politikën vendimmarrëse që përcakton këto buxhete në SHBA. Psh, në 2004-ën, për Departamentin e Transportit ky tregues ishte 3 milion dollarë (në Kaliforni ekzaktësisht $3,104,738). Vlerat përkatëse që hasen në literaturë luhaten midis 1 dhe 8 milion dollarë, ndonëse zakonisht shifra e përdorur në të vërtetë është 1 milion dollarë, ose edhe më pak. Ndërkaq, kur vlera e zbatuar është më e vogël se vlera e vërtetë e jetës statistikore, kjo vjen me pasojën e shumë aksidenteve dhe të kushteve të pasigurisë në rrugë.

Edhe Agjencia e Mbrojtjes se Mjedsit (EPA) e përdor dendur konceptin e vlerës së jetës statistikore në shqyrtimin e kostos së kushteve të shëndetshme të mjedisit dhe riskut të lidhur me të. Ideja bazë është të vlerësohet risku i fatalitetit për një faktor rreziku për mjedisin dhe gjetja e pikës ku kostoja e shpëtimit të një jete është më e madhe sesa vlera e jetës statistikore. Por vlera e një jete statistikore në fushën e mjedisit në praktikë rezulton shumë më e lartë se kufiri i epërm prej 8 milionë dollarësh që u përmend më lart në fushën e transportit. Kjo do të thotë që në fushën e mjedisit, rregullat dhe politika e zbatuara janë shumë më të rrepta nga ç’konsiderohet si “optimale”.

Në mjekësi një procedurë e re pranohet kur kostoja e saj korrespondon me vitet e jetës që ajo shpëton. Konvertimi i vlerës së jetës statistikore në vlerën e një viti jete të shpëtuar është relativisht i lehtë; në qoftëse vlera e jetës statistikore përllogaritet për një moshë 40 vjeçare, jetëgjatësia në mungesë të trajtimit në fjalë (procedurës mjeksore) është 80 vjet dhe vlera e jetës statistikore është 4 milion dollarë, atëhere vlera e një viti jete të shpëtuar prej procedurës është 4 milion / (80 – 40) vjet = 100,000 $. Në qoftë se procedura shpëton një vit jete dhe kushton më pak se 100,000$, atëhere ajo konsiderohet si e pranueshme për zbatim nga pikpamja e kostos për standartin e dhënë përmes vlerës së jetës statistikore. Këtu përllogaritjet shtyhen në domene plot kundërshti, ku futen fuqimisht në lojë morali, psikologjia etj. – ka përpjekje për të përfshirë edhe konceptin e “cilësisë së jetës së shpëtuar”, pra, vërtet që shpëtohet një jetë, por nga pikpamja shëndetësore, cilësitë e jetëve të ndryshme janë të ndryshme. Kjo ka sjellë në rrekjet për korrektimin e numrit të viteve të jetës në bazë të cilësisë përkatëse të jetës – ‘quality adjusted life years” (QALY). Vlera e një QALY shpesh jepet rreth $50,000 (bazuar në koston e dializës së veshkave – kjo do t’i siguronte një vit shtesë jetë një të sëmuri me veshka jo funksionale).

Po ashtu, në fushën e sipërpërmendur të transportit, vendosja e një kufiri optimal të shpejtësisë, përfshin një qasje probabilitare të vlerësimit të jetës statistikore. Të grahësh më shpejt fiton kohë (koha është para, etj. etj.), por rrit gjasat e aksidentit dhe fatalitetit, gjithnjë kushtëzuar nga kushtet e rrugës, trafikut, motit, vetë grahësit etj. Sistemi në dukje është i thjeshtë, por nuk është krejt ashtu: shpejtësia më e madhe vërtet shkakton me shumë aksidente, por ajo po ashtu shkaktohet nga rrugë më të sigurta, të cilat në vetvete sigurojnë për më pak aksidente. Aksidentet dhe shpejtësia janë të përcaktuara nga kushtet e rrugës dhe ngarkesa e trafikut. Sisteme të tilla, ku faktorët ndërlidhen dhe bëhen edhe shkak, edhe pasojë, krijojnë një situatë që në fushën e vlerësimit statistikor (estimation) quhet endogjeneitet. Ky i fundit përfton vlerësime të njëanshme (biased estimates). Një situatë e ngjashme endogjene krijohet nga mardhënia pagë – rrezik aksidenti në punë. Është e pamundur të merret drejtpërsëdrejti një vlerë e jetës statistikore në këmbimin (trade-off) shpejtësi (apo pagë) – gjasë aksidenti.

Por sidoqoftë, dhe do të thosha për fat, vlerësime të besueshme mund të arrihen përmes të dhënave të vëzhguara historikisht. Pas uljes së kufirit të shpejtësisë në rrugët ndërshtetërore amerikane si rezultat i krizës energjetike (dekada ’70-e e shekullit të shkuar) për të kursyer karburantin, kur kriza energjetike kaloi, në vitin 1987 shteteve iu hap drita jeshile për t’i rregulluar (lexo ngritur) kufijtë e shpejtësisë përsëri. 40 shtete e ngritën këtë kufi në 65 milje për orë. Të tjerët që mbetën, vazhduan pa e ndryshuar atë, pra me 55 milje për orë. Si i tillë, edhe pse i padizenjuar, ky rast përbën një lloj eksperimenti të llojit të vet, pasi shtetet që nuk e ndryshuan kufirin e shpejtësisë, mund të shërbejnë si “kontroll” për ata që e ndryshuan atë, dhe duke zbatuar principin e diferencës në diferencën mes së tashmes dhe të shkuarës për të njëjtin shtet, mund të arrihet në vlerësime me njëanshmëri (bias) të zvogëluar, pra të besueshëm të vlerës së jetës statistikore lidhur me shpejtësinë dhe aksidentet. Duhet theksuar rëndësia përpjestimisht shumë e madhe e metodës së përllogaritjes – në këtë rast në shkallë të patransformuar kundrejt transformimit logaritmik. Vlera statistikore e jetës e përllogaritur nga të dyja mënyrat rezultoi në 1.6 dhe 6 milion dollarë, përkatësisht.

Vlera statistikore e jetës prej disa dekadash po ndihmon për vendime të drejta e mbi të gjitha të informuara, në shumë domene. Është një qasje që mbart elemente racionale, por asesi e paqortueshme. E rëndësishme është që ajo ka hyrë si koncept veprues dhe ndihmues në procesin e vendimit, dhe pa asnjë dyshim do të përmirësohet vazhdimisht në metodologji dhe përllogaritje.

Një vërejtje fundore: gatishmëria e pjesëtarëve të një popullate, për shembull të një kombi, për të paguar një vlerë të epërme për të ulur gjasën e vdekjes në një masë shumë të ulët, është një tregues i shkëlqyer i zhvillimit të asaj popullate, një zbatim praktik dhe i vërtetë i e pluribus unum, dhe veçanërisht sa e ka kuptuar popullata teorinë e lojës me shumën më të madhe. Kjo e fundit do të ishte një temë interesante e një trajtese të veçantë.

 

© 2024 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin