SI U VJETRUA LEKU

Po dua t’i kthehem “ndërrimit të lekut” në vitet 1964-1965, këtë herë për të kërkuar ndihmën tuaj, mundësisht të ekonomistëve dhe kontabilistëve mes jush, për ta kuptuar më mirë këtë fenomen kaq unik.

Duke filluar nga vetë termi: ndërrimi i lekut. Sepse leku vetë, si emri i valutës kombëtare, nuk ndryshoi; atëherë çfarë ndryshoi pikërisht? Në praktikë, u shtuan qindarkat dhe shumave (sasive) që mbaronin me zero, iu hoq një zero. Në terma aritmetike, mund të thuhet se u lëviz presja dhjetore një pozicion majtas. Por e gjithë kjo tingëllon si lojë fëmijësh. Pse duhej që shteti t’i hynte kësaj pune? Çfarë të keqe kish pasur leku i vjetër, që nuk mund të hiqej qafe veçse duke e “riformatuar”?

Shpjegimi “zyrtar” që kam parë është se ashtu u lehtësuan veprimet e llogarisë (kontabilitetit), çfarë nuk më bind – nëse u eliminuan disa zero, u shtuan qindarkat; dhe nuk di si mund të jenë vlerësuar kostot e kursyera me zerot e hequra. Këtë shpjegim do ta kuptoja më mirë sikur me lekun të ndodhte diçka e ngjashme me çfarë iu bë lirës turke, e cila në 2005 kaloi nga TRL në YTL: 1 milion lira të vjetra u riformuluan si 1 lirë e re. Kështu edhe u kursyen gjashtë zero – diçka substanciale.

Por ndërrimi i lirës turke ishte reagim i arsyeshëm ndaj kaq e kaq vitesh hiper-inflacion, çfarë e kish katandisur lirën turke aq keq, sa një kafe (turke) kushtonte 4 milion lira.

Në Shqipëri hiper-inflacion nuk kishte. Nuk e njoh historinë e lekut shqiptar aq sa të them me siguri nëse Banka e Shtetit kish emetuar apo jo, në fillim të viteve 1960, ndonjë sasi të madhe parash të pambështetura në vlerë (në ar, nëse ka ekzistuar ky kriter); por nuk e besoj. Përkundrazi, them se hiper-inflacioni duhet përjashtuar, si shkak i mundshëm i “ndërrimit të lekut”. Njëlloj duhet përjashtuar, për arsye politike, nevoja për t’iu përshtatur ndonjë sistemi monetar ndërkombëtar.

Atëherë cili mund të ketë qenë shkaku?

Them se duhen vështruar rrethanat ekonomike të asaj kohe – fillimviteve 1960; dhe jo aq izolimi nga kampi socialist, sa thellimi i masave për kufizimin dhe eliminimin e sektorit privat në ekonomi – në prodhimin artizanal, në tregti dhe në bujqësi.

Në fakt, i vetmi “problem” madhor që kish leku në Shqipërinë e fillimviteve 1960 ishte se u shërbente dy sistemeve ekonomike të ndryshme, që bashkëjetonin me siklet të madh: atij shtetëror (plus kolektiv) dhe atij privat, të cilit po i shtrëngohej laku në fyt.

Te një dokument online i quajtur “Historia e Bankës Qendrore në Shqipëri”, botim i Bank of Albania, lexoj se këmbimi i monedhës u krye midis datave 16 gusht dhe 15 tetor 1965, pa asnjë kufizim. Këtu nuk jepet, megjithatë, ndonjë arsye për këtë veprim kaq gjithëpërfshirës dhe të kushtueshëm.

Por vetëm një paragraf më lart, që i referohet datës 1 korrik 1965, lexoj se me ligjin nr. 402, datë 23 qershor 1965, “Mbi Bankën e Shtetit Shqiptar”… Përfundon kreditimi i sektorit privat të ekonomisë.

Nuk ka nevojë të jesh ekonomist, për ta kuptuar se çfarë pasojash do të sillte kjo masë: një sektor i ekonomisë do të privohej nga krediti dhe, në mungesë të sistemit bankar privat, do të lihej të vdiste urie. Kjo masë i paraprinte, në të vërtetë, asgjësimit të sektorit privat, që do të ndodhte gradualisht në vitet në vijim (nëpërmjet krijimit të kooperativave bujqësore në fshat, kooperativave të konsumit në qytete, kolektivave tregtarë…)

Nga ana tjetër, një nga arsyet që sillen rëndom, për të shpjeguar një reformë monetare si kjo për të cilën flasim, është kur autoritetet e bankës qendrore dyshojnë se (1) në treg qarkullon një sasi e madhe kartëmonedhash fallso; (2) ka shumë para në duart e privatëve ose jashtë sistemit bankar; (3) ka shumë para të zezë në qarkullim.

Nga këto tre mundësi, më duket sikur e dyta të ketë pasur më shumë gjasë – në kuptimin që shteti mund të ketë pasur dijeni për një numër të madh likuidimesh të aseteve të patundshme – private ose të privatizueshme, nga ana e qytetarëve; por pa u shoqëruar kjo me rritje të depozitave bankare. Në kuptimin që njerëzit po mbroheshin ndaj shtetëzimeve dhe reformave të reja anti-privat duke i shndërruar pasuritë e tyre në para, por pa ia besuar këto para sistemit bankar.

Mbaj mend – shumë turbullt sepse kam qenë fëmijë – se data e hyrjes në fuqi të ndërrimit të parasë ishte mbajtur sekret; dhe se disa drejtorë bankash në rrethet, që e kishin nxjerrë sekretin, ishin dënuar me varje. Këtë e kujtoj sepse im gjysh punonte si arkëtar në Bankën e Shtetit në Tiranë, dhe i sillte këto muhabete në shtëpi. Natyrisht mund ta kem edhe gabim, ose ta ngatërroj këtë me ndonjë ngjarje tjetër. Prandaj do të kërkoja këtu ndihmë nga kolegët që i njohin këto punë dhe i dinë si kanë rrjedhur: a është mbajtur sekret data e “ndërrimit të lekut”, ose edhe vetë fakti që leku “do të ndërrohej” së shpejti?

Nëse shteti dyshonte që privatët kishin akumuluar likuiditete dhe mund t’i përdornin këto për të zgjeruar sektorin privat (p.sh. në artizanat, ose në tregtinë me pakicë, ose në bujqësi) nëpërmjet transaksionesh jashtë sistemit bankar shtetëror, atëherë reforma e lekut do të krijonte transparencë të menjëhershme – duke i zhvlerësuar kartëmonedhat e vjetra. Dhe ata që i sillnin paratë për t’i konvertuar në bankë do ta humbnin “privatësinë” përkundrejt shtetit.

Natyrisht, dokumenti i cituar më lart thotë se ndërrimi i parasë u bë “pa asnjë kufizim”; por në rrethanat e një shteti policor, si ai i asaj kohe, edhe vetë informacioni në duart e shtetit do të përbënte kufizim. Një tregtar privat me pakicë, që i mbante paratë në kasafortën e vet ose në bodrum të shtëpisë, do të druhej që t’ia deklaronte pasurinë e vet bankës; dhe po ashtu edhe fshatari që kish mbledhur ca lekë dhe që, po t’i deklaronte, do të damkosej si “kulak”.

Dyshimi që kam, për çfarë parashtrova më lart, është se ky efekt i “rregullimit” të parasë në duart e privatëve mund të arrihej edhe thjesht duke e bërë të detyrueshëm ndërrimin e kartëmonedhave, pa ia lëvizur sistemit presjen dhjetore. Të ketë dashur vallë pushteti i kohës që ta maskojë këtë “regjistrim” të fshehtë të pasurisë së shtetasve, prapa kësaj reforme të lekut, të qepur me penj të bardhë?

Mirëpres çdo sqarim ose kontekstualizim.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™

6 Komente

  1. Përshëndetje,
    Nuk e di konkretisht se çfarë e shtyu qeverinë e kohës vendimin për heqjen nga qarkullimi të monedhave dhe kartëmonedhave të vjetra dhe zëvendësimin e tyre me të reja (pa një zero) në vitin 1964, por di diçka më shumë nga historia e këmbimit të frangut të vjetër me frang të ri në vitin 1947. Masa e vitit 1947 këmbeu frangun e vjetër me të ri me kursin 5 franga të vjetra = 1 frang i ri. U vendos një kufizim për familjet jo më shumë se 5 mijë franga të vjetra si limit i lejuar për këmbim me synimin që një sasi e konsiderueshme paraje të “digjej”, d.m.th., t’u mbetej në dorë njerëzve e papërdorur. Por një synim tjetër ishte frika se kartëmonedhat e përgjatë viteve ’50 mund të prodhohej ilegalisht nga jugosllavët dhe të përdorej për të financuar politikën e tyre. Duhet parë nëse në fillim të viteve 1960 ishte i njëjti shqetësim i krijuar nga ndarja me Bashkimin Sovjetik në vitin 1962.

    Nuk e di a ju ndihmon ky linku. https://diaryoftirana.com/reforma-monetare-1946/

    1. Shpjegim i arsyeshëm – ky i paranojës për ndërhyrjen monetare nga ana e sovjetikëve; dhe që do të ketë tingëlluar bindës për udhëheqjen e kohës. Por a nuk do të mjaftonte për këtë që të ndryshohej DIZAJNI i kartëmonedhave, pa e prekur lekun si njësi matëse?

  2. “Riformatimi” i monedhës (redenomination) ishte një praktikë e përdorur gjerësisht në Bashkimin Sovjetik prej të cilit ne kopjuam apo u munduam të kopjonim sistemin ekonomik dhe atë monetar. Me sa shoh në Wikipedia në BS u bën plot gjashtë riformatime të monedhës – shumica në vitet ’20, pas revolucionit dhe luftës civile kur BS përpiqej të ngrinte nga zeroja një sistem të e ri ekonomik – por edhe më vonë: një pas L2B dhe një në 1961, në të dyja rastet në raportin 1 : 10, si reforma që u bë në Shqipëri katër vite më pas. Por riformatimet në BS kishin haptaz natyrë konfiskuese dhe synonin luftimin e inflacionit nëpërmjet uljes së sasisë së parasë në qarkullim jashtë sistemit bankar dhe goditjen e sektorit privat, kryesisht atij fshatar dhe tregtar, duke diskriminuar në kursin e këmbimit paratë që vinin për tu kthyer në monedhën e re nga jashtë sistemit ose shumat monetare që tejkalonin një limit të caktuar (https://en.wikipedia.org/wiki/Soviet_ruble).

    Sipas ligjit shqiptar që rregulloi konvertimin e lekut të vjetër në lekun e ri ky proces nuk ishte konfiskues, të paktën jo në letër, dhe duke qenë se preku njësoj të gjitha çmimet, rrogat dhe kursimet e qytetarëve dhe subjekteve ekonomike nuk duhet të ketë pasur efekte direkte mbi inflacionin (indirekte ndoshta, nëse një pjesë e lekut të vjetër nuk u konvertua për çfarëdo arsye duke humbur kështu vlerën/fuqinë blerëse dhe duke dalë nga qarkullimi).

    Një arsye tjetër për riformatimin e monedhës – përveç korrigjimit të efekteve që lidhen me inflacionin e lartë – është edhe riformatimi për efekte prestigji apo imazhi: heqja e një apo disa zerove e bën monedhën të duket e fortë nga ana vizuale, p.sh leku i ri ishte 10 herë më i vlefshëm në pamje se sa leku i vjetër, por ky efekt vizual ka kuptim sidomos kur monedha e re vihet në raport me monedhat e tjera, të huaja, gjë që në Shqipërinë komuniste ishte pa kuptim dhe pa efekt.

    Arsyet e reformës ndoshta duhen kërkuar vërtet te shpresa e lehtësimit të mbajtjes së llogarive (kontabilitetit) duke zvogëluar numrin e shifrave në përdorim, efekt ky që nuk u realizua dot për shkak të ndërlikimit që solli futja e qindarkave, por sidomos edhe për shkak të vazhdimit të përdorimit masiv të kursit të lekut të vjetër nga qytetarët. Në këtë drejtim ishte një reformë e dështuar, madje që jep efekte negative edhe 50 vite më pas.

    [Te ShkodraWeb gjeta një përmbledhje të hollësishme të historikut të monedhave shqiptare dhe të “tangos” lek i ri / lek i vjetër që nga reforma e ’65-ës deri sot: https://www.shkodraweb.com/historia-shqiptare-lek-i-ri-lek-i-vjeter-dhe-nje-alternative-se-si-mund-te-ndryshoje/%5D

    1. Me sa duket, tanët paskan zbatuar një praktikë sovjetike, që e kishin mësuar në universitet atje. Mbetet për t’u sqaruar – besoj unë – se ç’i shtyu që ta ndërmerrnin këtë, meqë kostot do të kenë qenë gjithsesi të larta. Si mendon, Gjilpëra, për ndonjë lidhje të mundshme me vendimin për ndërprerjen e kreditit për privatët, që më doli përpara rastësisht te dokumenti i cituar? Të ketë pasur lidhje riformatimi i lekut me planet për t’i dhënë fund sektorit privat në ekonominë shqiptare, duke ia prerë këtij burimet financiare, edhe formale (me ligj) edhe informale (duke ua vështirësuar shumë operatorëve privatë të përdorin shuma të mëdha lekësh)? Dhe më tej, me gjithçka tjetër që ndodhi në ekonominë e Shqipërisë fill pas “ndërrimit të lekut”?

      1. Xha xhai,

        informacionet që gjeta për sektorin privat në Shqipëri tregojnë se sektori në mes të viteve ’60 ishte zvogëluar në minimum, ndërsa kredia për ekonominë private duhet të ketë qenë pothuajse e zhdukur fare. Në një raport të Byrosë Politike të korrikut 1964 thuhet (theksimi im):

        Në fushën e marrëdhënjeve në prodhim fitorja më e madhe është ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit, likuidimi i pronës private dhe vendosja e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit, likuidimi i ekonomisë shumëformëshe dhe krijimi i sistemit të vetëm të ekonomisë socialiste. Një nga sukseset më të mëdha në luftën për krijimin e bazës ekonomike të socializmit është zgjidhja me sukses e detyrës më të vështirë pas marrjes së pushtetit, — kolektivizimit të bujqësisë, që me të drejtë është quajtur revolucion i dytë. Sektori ekonomik socialist jep tani mbi 90 për qind të të ardhurave kombëtare. Ai përfshin 99 për qind të’prodhimit industrial, 90 për qind të tregëtisë me pakicë, mbi 86 për qind të tokës së punuar në bujqësi.

        Sektori privat pra ishte vetëm 10% e ekonomisë, kryesisht në tregtinë me pakicë dhe në bujqësi. Ekonomi private në kuptimin e sipërmarrjeve që marrin kredi, investojnë dhe punësojnë etj. nuk kishte më prej kohësh, më e shumta ishin zejtarë, dyqane të vogla tregtie mallrash ose shërbimesh, dhe fshatarë që shisnin në qytet çfarë u ngelej pas konsumit vetjak dhe pjesës që u merrte shteti.

        Ndërsa te të dhënat e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e kreditit bankar të atyre viteve kredia për privatin nuk figuronte fare si zë më vete në bilanc (faqja 102 e Historisë së BQ); ndoshta është përzier/futur te zëri i kredisë “Degët e tjera të ekonomisë” por edhe aty nuk duket ndonjë ndërprerje apo ulje të volumit pas 1965-ës. Nuk më duket që sektori privat dhe kredia bankare për veprimtari ekonomike private në mes të viteve ’60 të luanin më një rol të tllë që të justifikonin masa të rëndësishme si riformatimi i monedhës, kur eliminimi i tyre mund të bëhej me masa administrative më pak të ndërlikuara, ose edhe vetëm me prerjen e monedhave të reja, por pa lëvizur presjen dhjetore.

        Për ndërrimin e monedhës bëra disa kërkime në internet por informacioni është i pakët dhe shkaqet që jepen aty për reformën janë vetëm të natyrës teknike. Interesante më duken shënimet private të E. Hoxhës në ditarin e tij në 8 Maj 1965, pra tre muaj para se të fillonte reforma, që po i sjell më poshtë:

        Një nga temat që diskutuam sot në Byronë Politike ishte shkëmbimi i monedhës. Kërkuam se ç’masa janë marrë për këtë problem të madh, për qarkullimin e monedhës, për kohën e ndërrimit të saj, për detyrat që kanë bankat dhe arkat e kursimit, të cilat do të japin paratë e reja dhe do të mbledhin të vjetrat.

        U bënë diskutime. Unë fola në mënyrë të veçantë për mirëmbajtjen e monedhës. Shoh se për këtë çështje punonjësit e financës nuk po bëjnë ndonjë propagandë. Është dhënë direktiva që çdo njeri t’i mbajë mirë monedhat, t’i palosë e t’i ruajë ato. Po ç’bëhet për këtë? Asnjë propagandë! Asnjë kërkesë për të rritur kujdesin, për ta mbajtur monedhën në kuletë, që asaj t’l zgjatet sa më shumë jeta.

        Siç duket, në atë mbledhje të BP janë diskutuar vetëm çështjet teknike ndërsa vendimi për kryerjen e reformës duhet të jetë marrë në ndonjë mbledhje më të hershme, ku do të jenë diskutuar edhe arsyet e ndërrimit të monedhës. E.H. e quan “problem të madh” shkëmbimin e monedhës por ai aty foli vetëm për mirëmbajtjen e monedhës! Unë këtë “shkujdesje” të E.H. e shoh edhe si indicie që riformatimi i monedhës ishte kryesisht për arsye teknike, ku ndryshimi i kursit mund të jetë futur si shtesë, meqë do të bëhej shtypja e monedhës së re në Kinë, e cila do të zëvendësonte lekun e shtypur në Bashkimin Sovjetik.

        Besoj se kjo ka qenë edhe domosdoshmëria e parë për ndërrimin – eliminimi i monedhës që mund të shtypej nga sovjetikët – ndërsa ndryshimi i kursit ka qenë shtojcë, për arsye teknike të lehtësimit të kontabilitetit, së bashku me masat e tjera administrative si ndërprerja e kredisë private, apo efektet e pritshme anësore si vështirësimi i mëtejshëm i veprimtarive private. Si të thuash, synuan që me një gur të vrisnin disa zogj. Por që nuk mund të flas me siguri pa pasur informacione më të plota (te lidhja në fund janë titujt dhe numri rendor i tri dosjeve përkatëse të lidhura me reformën monetare të Presidiumit të Kuvendit, të Këshillit të Ministrave dhe të Ministrisë së Financave, por jo dosjet vetë, të cilat do na mbaronin ndoshta punë…)

        https://www.bankofalbania.org/rc/doc/Historia_e_Bankes_Qendrore_ne_Shqiperi_11829.pdf

        https://www.marxists.org/shqip/subjekt/dokumente-shqiptare/ppsh/dokumentet_kryesore/04/vellimi4.2.pdf

        http://www.enver-hoxha.net/librat_pdf/shqip/ditari_politik/7/5.maj_qershor_1965.pdf

        http://cod.al/wp-content/uploads/2015/07/inventari-1965.pdf

        Ps. Vura re që marksistët shqiptarë kanë bërë alamet pune dhe kanë hedhur online të gjitha librat dhe veprat e E.H, raportet e PPSH-së, kongreseve etj. Të paktën në internet tani u bënë të pavdekshëm! 🙂

  3. Mendoj se “konservatorizmi” kundrejt Lekut të ri është në llogjikën e tregut që i kërkon konsumatorit midis të tjerash të memorizojë çmimet e mallrave. Konsumatorit kur i duhet të vendos të blej ose jo një mall, i duhet midis të tjerash t’i krahasoj çmimet e tanishme me ato të mëparshmet, dhe t’i memorizojë ato. Këtu konsumatori duket se e ka kuptuar që Leku është thjeshtë një konvencion dhe një mjet shkëmbimi. Për konsumatorin gjatë shkëmbimeve duhet të ketë qënë më e lehtë të manipulonin me konvencionin, në këtë rast t’i shtonin një zero Lekut, sesa të memorizonin ndryshimet e çmimeve në të gjitha mallrat e tjera. Por ma do mendja e njëjta llogjikë duhet të ketë funksionuar edhe për shitësit. Kjo bëhet edhe më e besueshme këtë rast po të besosh se ndryshimet në çmime nduhet tu jenë dukur konsumatorëve krejt të panevojshme po të besosh, sikurse thuhet këtu, se nuk ka pasur inflacion.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: