Një njeriut tim në Tiranë iu desh të blinte në farmaci një solucion për përdorim intravenoz – dhe me këtë rast, i thanë: “po ti si i besove farmacistes?” Në rrethana normale, fakti që ky solucion shitej në farmaci dhe jo në trotuar, dhe që vinte me vulën e autoritetit përkatës, dhe që ishte prodhuar – sipas etiketës dhe kutisë – nga një firmë farmaceutike me reputacion në Europë, do të mjaftonte që personi në fjalë të mos kish dyshimin më të vogël se po blinte mallin e duhur. Vendi i blerjes (farmacia), vula e autoritetit shtetëror dhe vetë marka e produktit do të ofronin të gjitha garancitë e nevojshme. Megjithatë, në Shqipëri ka ndodhur që farmacitë të kenë shitur produkte të falsifikuara ose të skaduara, duke mashtruar blerësit që kanë nevojë për ato produkte. Çështja është nëse mashtrimi, prej disave, ka qenë në masë të tillë, sa të komprometojë besimin e përgjithshëm të qytetarit ndaj farmacisë, autoriteteve të kontrollit të barnave dhe në përgjithësi të tregut, e kështu me radhë. Dhe, me gjasë, për disa prej nesh, ky besim tashmë është komprometuar, sepse dyshimi ndaj transaksioneve të tilla është normalizuar.
Përdoruesi i një medikamenti të përshkruar nga mjeku nuk ka asnjë mundësi që të verifikojë nëse farmacia i ka dhënë një produkt gjenuin, apo i ka shitur solucion kripe apo pluhur orizi. E shumta, mund të fillojë të dyshojë nëse trajtimi nuk po i jep efektin e duhur. Në këto rrethana, dhe sa kohë që nuk i beson autoritetit publik, ky përdorues do të fillojë të ndjekë rrugë të tjera – për shembull, duke gjetur një mënyrë për ta sjellë medikamentin nga jashtë (shpesh me shpenzime të mëdha), ose duke e blerë nga një farmaciste që e ka kushërirë ose mike të ngushtë, dhe që ia ofron garancitë përkatëse. Nëse nuk arrin dot t’i bëjë këto, atëherë e merr mjekimin me gjysmë zemre dhe ashtu e zeron edhe efektin placebo.
Kemi të bëjmë me dy sfida: (1) besimin ndaj autoritetit publik – të tregut, të importit të barnave, të farmacive të autorizuara, etj.; (2) faktin që shumë operatorë të tregut nuk e kanë për gjë që të mashtrojnë, sepse janë moralisht të korruptuar dhe sepse gjasat që të ndëshkohen për mashtrimin janë të ulëta. Kuptohet se shumë prej nesh nuk e mashtrojnë tjetrin sepse nuk i lejon kodi moral që kanë adoptuar dhe respektojnë; por edhe ata që nuk e përfillin këtë kod moral si autoritet, i druhen ndëshkimit nga ligji. Në Shqipëri jo vetëm kodet morale nuk funksionojnë mirë, veçanërisht në komunitete të reja dhe të përziera; por edhe ndëshkimit të krimeve të tilla si mashtrimi me qëllim fitimi shumë vetë mund t’i shmangen, duke korruptuar autoritetet. Është konsoliduar tashmë një bindje kolektive se vetëm mashtrimi, në format përkatëse, e bën të mundur lulëzimin dhe mbrothësinë e një biznesi, ose edhe të jetës në përgjithësi.
Kjo do të thotë se qytetarët nuk i besojnë as njëri-tjetrit, as shtetit; dhe kjo mungesë besimi vjen me kosto sociale tejet të larta, siç do të përpiqem ta shpjegoj në vijim.
Nëse dikush gënjen për qëllim fitimi, për shembull duke shitur një ilaç të skaduar, e bën këtë duke shpresuar se do ta besojnë; në kuptimin që ata që do të shkojnë dhe ta blejnë ilaçin do t’u besojnë të gjitha garancive formale, që shoqërojnë transaksionin – edhe dyqanit, edhe autoritetit të kontrollit, edhe organeve të rendit që mbrojnë ndaj mashtrimeve të tilla, edhe markës së mallit. Paradoksalisht, është besimi i përgjithshëm te marrëdhënia midis tregut dhe së vërtetës, që e mundëson mashtrimin; sepse mashtruesi paraziton mbi supozimin se palët e një transaksioni pritet të thonë të vërtetën. Për ta thjeshtuar shembullin: kur unë të shes ty një shportë me portokalle të bahçes, ti je pak a shumë në gjendje të verifikosh se portokallet sime janë të freskëta dhe autentike (nuk janë as plastike, dhe as të dy vjetëve më parë); dhe nëse ke akoma ndonjë dyshim, reputacioni që unë kam krijuar, si shitës portokallesh, në vite do të ndihmojë. Për më tepër, as unë nuk kam interes të të shes ty një produkt të keq, sepse po ta bëj këtë, ti nuk do të vish më të blesh tek unë dhe, duke biseduar me blerës të tjerë, do të ma shkatërrosh reputacionin. Nëse unë vendos që të pasurohem duke mashtruar për produktet që shes, mund ta bëj këtë vetëm për aq kohë sa blerësit do të besojnë te produkti im dhe tek unë si tregtar profesionist; por edhe te autoriteti i tregut, që në rrethana ideale nuk do të lejonte një mashtrues të vazhdonte biznesin e vet dhe do t’ia hiqte licencën.
Mirëpo, në rrethanat kur ka një shumicë operatorësh të tregut që mashtrojnë, ose kur ka një shumicë blerësish (qytetarësh) që besojnë se “ka një shumicë operatorësh të tregut që mashtrojnë”, vetë tregu do të paralizohet, sidomos për ato produkte, të cilave blerësit nuk ua verifikojnë dot cilësinë dhe prejardhjen. Unë mund të filloj të shes vaj vegjetal të cilësisë shumë të ulët, duke i shtuar aromë ulliri dhe ngjyrë pak të gjelbër dhe duke fituar dhjetëfishin; dhe ti si blerës nuk e verifikon dot vajin që ke blerë, përveçse po ta shpiesh te një laborator për testim, gjë që vetëm një pakicë mund ta bëjë. Por nëse blerësit e kanë humbur besimin, të themi, te vaji i ullirit në tregun e autorizuar, do të përpiqen ta blejnë këtë produkt me rrugë të tjera, informale, duke shfrytëzuar besimin që kanë te kushërinjtë e vet ose të njohurit. Kur jam në Tiranë, gjithnjë më rekomandojnë të blej vaj ulliri “që e sjell njëri nga Greqia”, ose mish “që e sjell njëri nga Mirdita”. Atë punë që duhej ta bënte autoriteti publik, e marrin përsipër sekserët informalë të bazuar në njohjet personale dhe farefisnitë.
Mashtrimin me artikujt e konsumit të gjerë nuk është se e kanë shpikur shqiptarët – kudo në botë, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, tregu funksionon falë sa besimit të blerësit se tjetri nuk po e mashtron, aq edhe përpjekjeve të autoriteteve të ndryshme – publike, kolektive, reputacionale – për t’i kufizuar dhe neutralizuar mashtruesit. Tek e fundit, blerësve u mjafton besimi se autoritetet përkatëse po bëjnë aq sa munden, për t’i mbrojtur, dhe kjo përfshin edhe mundësinë reale që mashtruesit të përfundojnë në burg. Mirëpo nuk ka asnjë autoritet që të mund ta ushtrojë funksionin e vet, në rrethanat kur ka një shumicë operatorësh që mashtrojnë; kur një shitës tregton produkte të skaduara, problemi mund të zgjidhet me rrugë administrative ose me polici, por kur një shumicë shitësish tregtojnë produkte të skaduara, problemi ka të bëjë me vetë aktin e shitjes dhe mjedisin ku ky akt kryhet – tregun; dhe tregu, që normalisht bazohet në besimin e ndërsjelltë të palëve, nuk do të funksionojë dot më. Natyrisht, kjo nuk do të ishte veçse një mënyrë ekstreme, për t’i bllokuar mashtrimet dhe mashtruesit; sepse këta nuk mund të mashtrojnë dot më njeri, në mungesë të një tregu të bazuar në besimin.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Google Whisk. Ky shkrim është botuar më parë në substack-un Menditime.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
I dashur Adrian,
Burimi i vertete i konstatimit tuaj është i lidhur me ca të dhëna të hidhura të deformimit dhe gati gati të mosekzistencës së tregut të lirë. Unë besoj se ju vetë keni konstatuar në tregun Shqiptar vetëm në Fruta-Perime prodhimi vendas mund të zërë deri në 50% ndërsa produktet industriale thuajse nuk ekzistojnë. Monopolet në import arrijnë shpesh të konkurojnë dhe mposhtin edhe prodhimet shqiptare të fruta-perimeve duke falimentuar prodhimin vendas.
Në kushtet monopol dhe oligarkik të importit dhe të kontrollit të tregut, kontrolli I cilësisë së produkteve është farsë dhe shpesh mjet për të mposhtur çdo lloj konkurence në treg.
Aktualisht problem është sistemik prandaj edhe shkrimi juaj duket një naivitet.
Mund të duket naiv, por zgjidhja naive është ajo që ka më gjasë të sigurojë lojën me shumë pozitive (në kuptimin që ka ky term në game theory).
Të blesh a të mos blesh – kjo është çështja,
në tregjet shekullore buzë Jonit.
Të ikësh, të mos rrish! – zgjidhet çështja,
në kohët e arta të Tranzicionit.
[“Qilimi fluturues” ose “Formula magjike”, si variacione mbi titullin.]