Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Ekonomi

DAMAR PËR PAZAR

 Çështja më urgjente sot, nuk është nëse njerëzit mund të blejnë portokaj
në mot të ftohtë, por nëse gruri, vezët qumështi udhëtojnë mijëra kilometra
kur mund të prodhohen jo më larg se 80 km nga vendi i shitjes.

Helena Norberg-Hodge

 

Sipas aktivistes Vandana Shiva, e njohur edhe si “Heroina e mjedisit”, ekzistojnë dy lloje tregjesh. Të parat janë tregjet që kanë në fokus njeriun dhe që ekzistojnë që kur njerëzimi pati nevojë për të shkëmbyer mallrat dhe shërbimet e ndërlidhjes me njëri-tjetrin.

Të dytat janë tregjet moderne, që në fokus kanë kapitalin jonjerëzor dhe lakminë e kompanive për të tregtuar gjithçka, që nxitin konsumimin e përfitimin dhe ku nevojat e njerëzve zëvendësohen pak nga pak nga lakmia e konsumatorëve për të poseduar pothuaj gjithçka.

Tregjet e para zakonisht janë të vendosura në natyrë ose në sheshet e qytetit e nuk mbeten vetëm vende ku shkëmbehen mallrat e të mirat materiale. Janë vende të përsosura takimi dhe ndërlidhjeje njerëzore, ku shkëmbehen përvoja, kultura dhe zakonet e një komuniteti a më gjerë. Të tilla tregje janë formuar prej njerëzve, për t’u shërbyer po atyre. Ato janë direkte dhe të larmishme.

Ndërsa tregu i llojit të dytë e përjashton kapitalin njerëzor si komponent të rëndësishëm në tërësinë e proceseve të tij, duke u kthyer në grumbullues parash në shërbim të kompanive të mëdha, që qëllim të vetëm kanë maksimalizimin e fitimeve. Një model i tillë nuk është aspak në favor të mjedisit dhe të njerëzve.

Tregjet tradicionale janë burim i jashtëzakonshëm vendesh pune për banorët e komunitetit, e kështu të ardhurat qarkullojnë mes banorëve, duke i dhënë një dorë të mirë jo vetëm ekonomisë lokale, por edhe komunitetit rural e individëve të tij, të cilët në të shumtën e rasteve janë biznese familjare, bujq, fermerë apo prodhues, zanatçinj e punishtarë të vegjël. Është pikërisht mundësia për të shërbyer e për t’u vetëpunësuar në këto tregje tradicionale shtysa që një pjesë e mirë e banorëve të mos e braktisin komunitetin.

Për më tepër, tregjet tradicionale ruajnë veçoritë e komunitetit. Në pamje të parë, ky argument duket pak i rëndësishëm, por jo. Çdo fshat, krahinë, qytezë apo qytet ka veçorinë e vet, ndaj banorët vendës, në përpjekjet e sipërmarrjeve të tyre, do të bëjnë atë çka dinë më mirë dhe që në shumicën e rasteve buron nga njohuritë e përftuara në komunitet. Kështu, nëse Korça bën kërnackat më të mira në Shqipëri, kjo veçori e qytetit është falë traditës së kultivuar prej komunitetit të saj dhe tregut të vjetër të dikurshëm, që tani bëjnë çmos t’i rezistojnë konkurrencës së dyqanit të hamburgerëve amerikanë.

Por vit pas viit, numri i tregjeve tradicionale sa vjen e ulet, si pasojë e qendrave tregtare me dyqane të kompanive gjigante, e zinxhirëve të mëdhenj të supermarketeve. Këto hapësira të jashtëzakonshme që i joshin njerëzit të shpenzojnë aty, janë një mënyrë e mirëmenduar për të na mbajtur në vorbullën e manisë së konsumit dhe të dëshirës për të zotëruar shumë e më shumë, duke harruar rrënjët, vlerën dhe atë që lidh komunitetin me vendin, tekefundit e gjitha në përpjekje për të zotuar mundësisht gjithçka.

Sot, infrastruktura e blerjeve online mbetet më dominuesja dhe terapia më e mirë që çliron bujarisht dopaminën në trurin tonë për të na bërë të ndihemi të kënaqur e të motivuar e të provojmë ndjesinë se gjërat i kemi nën kontroll. Bizneset e vogla, me përvojë bazike reklamimi,  kanë kuptuar se të bëhesh viral e të mund të shesësh diçka në rrjetet shoqërore, duhen doza komedie dhe sfonde muzikore në moment trendi të kopjuara shabllon gjetkë.

Dr. Elias Aboujaoude, profesor i psikiatrisë klinike në Stanford Medicine dhe studiues i çrregullimeve kompulsive të blerjes, shprehet se dëshira për të blerë përmes ekraneve mund të plotësohet shumë më shpejt, duke e bërë më të vështirë t’i rezistosh klikut të butonit të porosisë. Sakaq ankthi dhe depresioni duket se i forcojnë efektet e tyre teksa njerëzit kërkojnë një përmirësim të shpejtë dhe të përkohshëm të humorit të tyre përmes blerjeve online.

Filozofi Herbert Marcuse bën sakaq një dallim mes “nevojave të vërteta” dhe “nevojave të rreme”. Nevojat e vërteta, argumenton ai, janë ato që ndihmojnë njerëzit të arrijnë potencial të plotë intelektual, mendor e krijues. Këto nevoja rrisin lirinë vetjake dhe e bëjnë jetën kuptimplote. Ndërsa nevojat e rreme nxiten jo prej brendisë por forcave të jashtme, sidomos fuqisë e trysnisë së reklamimit, pritshmërive të shoqërisë apo kulturës së konsumizmit. Të tilla nevoja janë false e nuk shpien në lumturi, përkundrazi na mbajnë në një qerthull kurthi të një sistemi ekonomik ku homo faber jeton një botë artifici.

“Shoqëria duhet t’u japë formë sipërmarrjeve të biznesit, dhe jo biznesi shoqërisë.” Kjo është kryefjala e ligjërimeve të Helena Norberg-Hodge, aktivistes dhe themelueses së “Local Futures” dhe pionierja e lëvizjes “New Economy”, ku diskursi i saj publik bie mbi rëndësinë për të qenë jo vetëm të fokusuar në rritjen për shkak të globalizimit të ekonomisë, por edhe tek e njerëzishmja, nevojat që ka njeriu për një jetë të denjë e në harmoni me veten, komunitetin dhe natyrën.

Praktikisht aktivizmi i saj sjell në vëmendje efektet e papërshtatshme, ndonjëherë tejet negative e shkatërruese që ka kultura perëndimore mbi ekonomitë e brishta të vendeve më pak të zhvilluara dhe te komunitetet e vogla.

Konkretisht gjithçka që është vendase, lokale apo tradicionale, nëse krahasohet me kulturën perëndimore, shihet tani nga vendasit me nënvlerësim, duke u cilësuar si e dalë mode shumë kohë më parë. Këtë fat pëson edhe ndërlidhja e banorëve me mjedisin, edhe njohuritë e përvojat e hershme që u kanë sjellë dobi për qindra mijëra vite.

Aktivizmi kundra rrymës i kësaj ekonomie premton se nisma fare normale, si të paktën tregu lokal i prodhimeve ushqimore dhe promovimi i bujqësisë urbane apo i lagjeve që prodhojnë ushqim për qytetin, janë një mënyrë për të shkurtuar distancat e prodhimit dhe të shërbimit.

Për Helenën lokalizim i ekonomisë nuk do të thotë kurrsesi ekonomi e mbyllur. Është vetëm praktika e një ekonomie që merr në konsideratë mirëqenien e komunitetit: mundësinë e përfshirjes së banorëve të komunitetit në ekonomi-bërje. Pra, është absolutisht e nevojshme të ri-kuptohet rëndësia e kontributit të komunitetit për të përmbushur nevojat e tij, në mos të gjitha, të paktën disa prej tyre.

Nuk është lajm i ri që planeti po përjeton zhdukjen masive të Holocenit (Holocene extinction), për të cilën një pjesë e mirë e fajit bie mbi fetishizmin e rritjes ekonomike, globalizmit e kulturës perëndimore të konsumizmit që nënçmon kostot shoqërore, shpirtërore, ekologjike përmes lehtësisë së ‘të bërit pazar”; me rreth 700 milionë kontejnerë që shkarkohen në porte detare në botë, për çdo vit e gjithmonë në rritje. Fasada do të vazhdojë të jetë me drita e shkronja të mëdha; nën trysninë e ëmbël të vendimmarrjes së shpejtë se çfarë e ku duhet të blejmë, pa ditur se kemi në dorë shumë më shumë.

(c) 2025 Marcela Tringaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Besoj qe Shqiperia si fushe eksperimentimi qe eshte , duhet te praktikoje teorine e Helenes me dy mbiemra, perndryshe ca kuptimi ka ekzistenca jpne. Si kavie eksperimenti qe na e kane ndare fatin pas 1990 do dukej edhe e habitshme qe te mos sherbenim si te tille derisa te tkurremi per zhdukje. Nuk kane faj te huajt qe na shohin si kavie, fajin e ka kavia qe ka harruar Oso Kuken dhe e ka mendjen te Oskari.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin