Me gjithë rrezikun e një sentimentalizmi të tepruar e mora librin me titullin “Njeriu që shet gjak” nga Yu Hua e bindur se nuk është fjala me të vërtetë për gjak dhe me të vërtetë për shitje. Por ishte. Njeriu aty vërtetë shiste gjak. Arsyet ishin gjithmonë jetësore. Ishin të mëdha. Së pari për dashuri. Për t’u martuar. Për të larë borxhet. Për ta rregulluar shtëpinë. Dhe sa vjen e rëndohet. Për ta shëruar të birin. Kaq nuk mjaftonte. Shet prapë. Kolapson. I japin gjak. Blen gjakun e dikujt tjetër. Shet prapë. Ka ftohtë prej mungesës së gjakut në trup. Një natë fle me derra për t’u ngrohur. Dhe jeton. Njerëzorja fiton. Të gjithë e ruajnë njerëzillëkun, megjithëse i kishin prekur kufijtë e tij. Dhe i gjithë mjerimi kalohet me ironi, të lehtë, si rrëfimet e fëmijëve treguar shpejt. Herë me shumë detaje, herë duke lënë jashtë diçka. Një mënyrë pak e çuditshme për lexuesit e Migjenit dhe Nonda Bulkës ku mjerimi është brutal. Nuk ka një zgjidhje, e aq më pak të lumtur. Nuk ka ngushëllim. Nuk ka asgjë të thjeshtë. Ka një goditje të fortë ndaj autoritetit. Por te “Njeriu që shet gjak” autoriteti goditet tërthorazi. Nuk ka personazhe të rëndësishëm. Janë veç njerëzit, me varfërinë e tyre duke i jetuar ndryshimet e egra që sjell sistemi. Herë janë të mirë herë të këqij. Pa romantizim. Kjo e bën leximin të rrjedhë lirshëm pavarësisht rëndesës që përcjell.
Në fund lehtësohesh kur kujton se sot gjaku nuk tregtohet më. Është nëpër legjislacione. Është në gjuhën zyrtare. Por arsyet mbesin. Njerëzit kudo ngushtohen financiarisht për martesa, nëpër spitale, për të papriturat e jetës. Hulumton pak më shumë e sheh se gjaku ende vazhdon të shitet. Sigurisht, sot është fjala dhurim dhe është prej dhurimeve më të bukura, më prekëse që bëjnë njerëzit. Është dhurimi më human. Nga trupi yt, nga jeta jote, për një trup tjetër, shpesh të panjohur. Një nderim i jetës plot mirënjohje. Kush ka, jep. Është aq afër ndjenjës së vërtetë të shpëtimit të jetës. Një formulë kundër vdekjes. Fuqi brenda trupit tonë.
I mendoja këto, jo për herë të parë në një stacion metroje në Vjenë, pikërisht pas përfundimit të librit.Treni erdhi me përpikëri dhe e mbuloi një reklamë që shpallte se mund të shpërblehesh 40 euro për të dhuruar plazmë. Plazmë që merret nëpërmjet gjakut. Zyrtarisht për këtë gjest nuk paguhesh. Tregtia e gjakut nuk është e mundshme. Shuma monetare jepet si falenderim për dhurimin dhe jo si pagesë. Ndërmarrja private e paska vendosur shifrën prej 40 eurosh derisa çmimi po u sillka prej 20 – 40 euro. Pas dhurimit, gjaku futet prapë në trup. Pasi janë marrë elektrolitet, mineralet dhe ndonjë gjë tjetër e vlefshme. Pas 3-4 ditësh mund të dhurosh prapë plazmë. Por ka një kufizim. Mund të dhurosh vetëm 50 herë në vit. Në shumë monetare kjo veprimtari përkthehet në 2 mijë euro. Një marrëveshje mes mjekësisë dhe industrisë.
Kurse dhurimi i plotë i gjakut ka një lloj tjetër kompensimi. Ditë pushimi. Edhe në Kosovë. Pos çokollatës dhe lëngut të frutave 250 mililitrash, të takon edhe një ditë pushim. Si rikuperim. Madje në sistemin publik, jepen dy ditë pushim. Njoh njerëz dhe histori të tyre që në ditët më të stresuara të punës dhurojnë gjak. I bën dot me faj? Nëse kjo është forma e vetme për të siguruar pak qetësi, ia vlen çdo pikë gjaku. Sigurisht duket metaforë e hiperbolizuar, do të ishte një butafori të thuash e paguan punën me gjak, apo pushimin me gjak. Por është një kombinim i mirë, i asaj kur bën diçka shumë humane, gati hyjnore, i dhuron prej shëndetit tënd një trupi që mund të mos e dish as në cilin repart është shtrirë. Si dhe i dhuron vetës ndërkohë një ditë të qetë pushimi, apo aktive, por larg punës e cila na pengon të jetojmë.
Por prapë, kundërshtimi i punës është një luks i paimagjinueshëm. I pamundur. Nganjëherë si dënimi me punë të detyrueshme. Në fakt është e detyrueshme. Nuk ka mundësi të tjera. Dhe mbahet e mirëmbahet puna me vite e vite. Del dikur, atëherë kur dielli ka perënduar, fëmijët janë në gjumë. Të rritur. Dhe vetë ndoshta sëmurë. Nga labor në labor. Nga puna në laborator*. E tillë është puna sot. E pambarimtë. Nuk e lë punën në momentin që e mbyll derën e saj. Atë e merr me vete, me e-maile, me mesazhe, me grupe chattesh, me thirrje. Nuk ka një orar. Ka një gjendje të përhershme të punës. Një gjendje të përhershme të mendjes. Si një vjedhje e ëndrrave. Mandej nëse del për një pije, subjekti është puna. Ankesat për të. Këto janë edhe nëse orari respektohet. Pa përmendur orët e zgjatura të punës. Sigurisht të papaguara. Pushimin e mohuar. Për hir të shprehjes, sigurisht që shitja e gjakut bëhet e panevojshme, kur ai pihet ngadalë me pambuk. Pa ironinë e shprehjeve të rastit, në kapitalizëm gjaku nuk shitet por çdo gjë tjetër po. Në punë shitet mendja dhe trupi në këmbim të të ardhurave. Shitet koha. Idetë. Pasionet për një punë derisa nuk mbesin më të tilla. Jepen të gjitha derisa nuk mbetet asgjë për vete. E pikërisht atëherë kur nuk mbetet asnjë resurs i brendshëm lind nevoja e shpikjes për një ditë të lirë. Sikur personazhi i librit që pas shitjes së tepërt të gjakut, i ligështuar, detyrohet të blinte vetë. Dhe kur mendja është zbrazur nga mundësia për të fituar aftësi të reja, bash atëherë të duhet të kuptosh terma të rinj: një kuptim të thellë të burn out, work – time balance, ambient toksik, pse ndodhi “the great resignation” etj. Ndoshta edhe cakton një takim te psikologu. Kuptimi i dytë i blerjes së gjakut sipas librit. Punon shumë për para dhe mandej me ato para paguan… terapi. Blen terapi.
Dhurimi sigurisht është një bamirësi e jashtëzakonshme por përdorja e kësaj edhe për vete, për pushim për vete, duket një zgjidhje e suksesshme, e jashtëzakonshme. Vendosje e subjektivitetit, betejë e autonomisë trupore, protestë e thellë për kërkesën më të thjeshtë që e drejta e pushimit është po aq themelore sa e drejta e punësimit.
*Labor – puna, në anglisht si njëra prej faktorëve themelorë të ekonomisë dhe labor në gjermanisht për laborator të analizave shëndetësore.
© 2025 Tinka Kurti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.