TË ZBULOSH KUJTIMET E UNGJIT

Jemi një kulturë që adhurojmë të vjetrën në histori, dhe jo për vlerat që ka, por ngaqë vetë vjetërsinë e konsiderojmë si vlerë mbi vlerat.

Dakord në punë të arkeologjisë dhe të dokumenteve; një rrënojë e shekullit IV p.e.s. ka më shumë vlerë kulturore – në parim – se një rrënojë e fillimshekullit XX. Një dorëshkrim i shekullit XVI është më i vyer se një dorëshkrim i kohës së Luftës I Botërore, sërish në parim. Një ikonë e shekullit XVIII meriton më shumë vëmendje se një ikonë e shekullit XXI. E kështu me radhë.

Asnjë të keqe deri këtu. E keqja fillon kur vjetërsinë fillojmë ta adhurojmë edhe në fusha ku ajo vlerë në vetvete nuk mund të jetë. Për shembull, libri për shqiptarët i një historiani belg i botuar në shekullin XIX mund të vlejë për historinë e historiografisë ose të albanologjisë – por përndryshe, si vepër diturore, nuk i qëndron dot krahasimit me një vepër të ngjashme, të shkruar 100 vjet më pas.

Në përgjithësi, në dije, ndryshe do të vlerësohen faktet dhe dokumentet (rrënojat, artifaktet, tekstet) dhe ndryshe refleksioni për to; dhe kjo sepse dija ka natyrë kumulative dhe sa më e re të jetë një vepër studimore ose një përpjekje investigative, aq më të shumta do të jenë burimet që ajo do të ketë në dispozicion, aq më të rafinuara metodat e punës dhe aq më i sofistikuar aparati bibliografik, përfshi këtu veprat paraprijëse.

Edhe në filologji, një fjalor(th) i shqipes i shekullit XIX ka vlerë dokumentare sa të duash; dhe mund të zërë vend nderi, në historinë e leksikografisë shqipe – por si vepër leksikografike, në vetvete, nuk mund të krahasohet me një fjalor të shekullit XXI. Ky i fundit, mes të tjerash, ka përvetësuar dhe pasqyruar edhe arritjet e fjalorëve që i kanë paraprirë.

Në këtë kuptim, me kalimin e kohës, veprat më të vjetra, në fushën e dijes me natyrë historike, fillojnë dhe e humbin vlerën mirëfilli diturore dhe arsyen pse u botuan, teksa u rritet vlera dokumentare. Edhe Meshari i Buzukut, një vepër e paçmuar në historinë e literaturës shqipe, nuk shquhet sot si meshar, ose si përmbledhje tekstesh fetare, për përdorim praktik nga meshtarët.

Gjuha shqipe pat tërhequr vëmendjen e dijetarëve që gjatë shekujve XVI-XVII, por këta nuk kishin në dispozicion as materialet e duhura, as metodën e duhur, për t’u shqiptuar rreth natyrës dhe historisë së saj. Këto mangësi nuk kanë të bëjnë me statusin e autorëve; me shqipen u pat marrë edhe Leibnitz-i, por shënimet e tij për këtë gjuhë nuk kanë, për arsye objektive, një efekt të përpjestueshëm me fuqinë intelektuale të autorit.

Natyra e shqipes filloi të kuptohej me lindjen e indoeuropianistikës, kur kjo gjuhë u përfshi në familjen e gjuhëve indoeuropiane, dhe sidomos kur dijetarët patën në dispozicion më shumë tekste dhe regjistrime të ligjërimit shqip, dhe jo vetëm nga ato të mbledhura në ngulimet jashtë Ballkanit. Vetëm në shekullin XX u bë e mundur që një dijetar historian i gjuhës, filolog ose historian i gramatikës, të mund të punonte me materiale të përshtatshme dhe me një metodë që ish dëshmuar tashmë si shkencore.

Dëgjon herë pas here që të sillet në vëmendje të kulturës ndonjë vepër historike, filologjike ose historike-gjuhësore për shqiptarët dhe për shqipen, që deri më sot ka qenë “harruar”; konspiracistët nguten që ta paraqitin këtë harresë si të qëllimshme, ndërsa amatorët dashamirës ngazëllehen dhe duartrokasin zbulimin e ri të radhës, të një vjetërsie të re, edhe ajo e radhës. Por disa vepra, nëse janë harruar, kjo ka ndodhur sepse koha i ka kapërcyer, duke i transferuar nga historia e dijes, në historinë e dokumentacionit. Jo të gjitha gramatikat e shqipes, të shkruara gjatë shekullit XIX dhe në fillimet e shekullit XX, janë të tilla, që të ri-integrohen në dijen albanologjike; një ri-integrim në historinë e dijes albanologjike do të mjaftonte.

Edhe në lëmin historik, janë të shumta veprat që janë botuar, gjatë dy shekujve të fundit, dhe që i kushtohen historisë së shqiptarëve; por shumë prej këtyre janë derivative, mbështeten në vepra të tjera, dhe kanë natyrë praktike. Ata që vendosin t’i risjellin në vëmendje të publikut shqip, qoftë edhe duke i përkthyer, duhet të jenë më të kujdesshëm në përzgjedhjet që bëjnë: përndryshe, rreziku që t’i japin lexuesit shqip të shekullit XXI materiale të kapërcyera dhe bajate mbetet i lartë.

Këtu hyjnë edhe disa vepra letrare, ose në përgjithësi artistike, të cilat i kushtohen Skënderbeut; përfshi këtu opera, romane dhe rrëfenja të ndryshme, të cilat kanë pasur përhapje në Europë gjatë shekujve XVI-XIX. Vlera e tyre, nëse mund ta quaj kështu, është që dëshmojnë influencën e Historisë së Barletit dhe të epigonëve të Barletit në kulturën europiane dhe adoptimin që iu bë Skënderbeut, nga rryma të ndryshme artistike dhe letrare, si hero dhe figurë legjendare. Por një pjesë e këtyre janë të mbushura me budallallëqe, të cilat thjesht pasqyrojnë mendësitë dhe shijet e publikut të kohës kur janë botuar; dhe studiuesit i interesojnë në kuadrin e një historie të pasqyrimit të Skënderbeut në artin europian, pa qenë, megjithatë, me interes tjetër.

Shumë gjëra që kanë mbetur të pazbuluara, kanë mbetur të pazbuluara ngaqë ashtu e meritonin; dhe në çdo rast, vlerësimi i tyre, sa i përket interesit që mund të kenë sot, u duhet lënë në dorë specialistëve; dhe nuk është punë për gazetarët dhe amatorët gjithfarësh. Raste të tjera, të cilat i gjen në mediat praktikisht çdo ditë, nuk janë veçse dëshmi të një qasjeje haptazi kitsch, ndaj historisë; në kuadrin e një ideologjie kombëtariste për të cilën nuk ka gjepur që të mos meritojë të përqafohet.

© 2024 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin