DHJETËSHJA E RADHËS, NGA GIULIO MOZZI

(përktheu Arben Dedja)

Titulli origjinal: Dhjetë gjërat që botuesit nuk duan që autorët e tyre t’i dinë dhe që, sidoqoftë, autorët po i mësuan nuk i besojnë 

nga Giulio Mozzi (“Teoria e pratica”, më 10 tetor 2017)

  1. Nuk ka kuptim të mbrosh tezën që qëllimi i shtëpive botuese, meqë ndërmarrje, është fitimi. Ama, ka kuptim të thuash që një shtëpi botuese, po punoi me humbje, pashmangshmërisht mbyllet (ose e blen dikush tjetër); kurse nëse nuk prodhon fare ose prodhon pak, shndërrohet në zhavorr për kë e zotëron. Këto dy pohime janë të vërteta pavarësisht nga përkufizimi “qëllimi i shtëpive botuese”.
  2. Koston kryesore në prodhimin e një libri e zë, në pjesën dërrmuese të rasteve, magazinimi dhe zhvendosja e mallit (hapësirat e stokazhit, dërgesat, tërheqjet e kopjeve, administrimi i librave të kthyer, etjera).
  3. Botuesi që nxjerr një libër pa patur një projekt të bazuar sado minimalisht se si do t’ia bëjë për ta shitur, është kaqol.
  4. Nuk është e vërtetë që “botohet pleh që shet për bërë të mundur botimin e gjërave të bukura që shiten pak”: plehu, kur vjen, i zë të gjitha hapësirat (është motërzimi në editori i ligjit të Gresham-it, lali).
  5. Librashitësit duhet të nxjerrin bukën e gojës. E përsëris: librashitësit duhet të nxjerrin bukën e gojës.
  6. Të shesësh libra nuk është njësoj si të shesësh sallam, sepse përvit botohen me mijëra tituj të rinj dhe të ndryshëm – ndërkohë që sallami, megjithë shumëllojshmërinë jo të pakët, tekefundit është – në krahasim – po ai. Nuk se çdo vit prodhohen njëzet, tridhjetë, dyzet mijë sallame të ndryshëm, secili sosh nevojtar për një përshkrim të hollësishëm dhe promovim specifik. Librat janë një produkt i stërndërlikuar nga ana merceologjike.
  7. Për të njëjtën arsye është tejet e vështirë t’i bësh publicitet një libri të veçantë. Nëse botuesi Bottazzi & Valota boton, po themi, rreth njëqind e njëzet tituj në vit, do të rrezikojë t’i bëjë publicitet një libri të caktuar vetëm nëse mendon që ai do të mund t’i japë fitim të paktën sa për të mbuluar publicitetin. Një faqe me ngjyra e të përditëshmes “Repubblica”, sa për të pasur një ide, kushton te pesëdhjetë mijë eurot. Llogaritni tani që një botuesi, nëse i hiqni atë që i takon shitësit me pakicë (30-40%), promovuesit/distributorit (20%), autorit (8-15%), i mbetet te 25-42% e çmimit të kopertinës, ku hyjnë të gjitha shpenzimet (nga qiratë te rrogat, nga letra higjenike e banjove te pastrimi i zyrave, nga magazinimi te grafistët, etj.), pra në një libër që publikut i kushton 20 euro botuesit i mbeten midis 5 dhe 8,40 euro (por një libër i ri zakonisht ka më shumë ulje në librari) – sa kopje duhet të shpresojë të shesë botuesi për të shpenzuar me mendje të fjetur pesëdhjetë mijë euro për publicitet? (Dhe: nëse bën publicitet dorërrudhur, për të shpenzuar pak, a nuk do të jenë ato para të hedhura kot – se askush nuk do t’i vërë re mikroreklamat?).
  8. Librat që vërtet i mbajnë gjallë botuesit nuk janë ato që mendojnë autorët. Janë ato që shiten për një kohë të gjatë, jo ato që shiten shumë në një moment të caktuar (dhe pastaj ku i dihet). Janë librat e kuzhinës. Janë librat me ilustrime e librat-objekt të PJ Mask (apo Peppa Pig, apo Masha dhe Ariu), në qoftë se arrin t’ia djekësh siç duhet ritmet kartonëve të animuar. Janë guidat turistike. Sot – sapo kontrollova – është jashtë katalogu, por: sa kopje ka shitur nga viti 1926, kur doli për herë të parë e deri më tani, “Venezia e il suo estuario” i Giulio Lorenzetti-t, botuar nga “Lint”, në ribotimet e tij të njëpasnjëshme edhe në gjuhë të tjera?
  9. Mund të investohet për një autor që shet pak. Duhen arsye të forta. Njëra është prestigji: por ka mjedise nga më të ndryshmet ku botuesi mund të dojë të fitojë prestigj (mjedise të kritikës letrare, të katolikëve reaksionarë, mjedise radical-chic – nëse ekzistojnë akoma –, të vegjetarianëve, të lexuesve të revistave të ilustruara që kushtojnë një euro, etjera: dhe cilido prej këtyre mjediseve është i ndërtuar në mënyrë të ndryshme, dhe reagon në mënyra të ndryshme). Tjetër arsye mund të jetë shkëmbimi, i hedhur e zezë mbi të bardhë ose i heshtur, i ndereve dhe/ose i kafeve borxh (e mos t’iu shkojë mendja vetëm te shkëmbimet botim/recensim: mund edhe të botoni librin e presidentit të bankës tek e cila keni marrë një hua të rëndësishme, apo librin e eksponentit të një partie nga e cila çoç prisni, et.). Tjetër mund të jenë marrëdhëniet me njëfarë agjenti (që më bën të botoj Filanin nëse botoj edhe Fistekun) ose, më e rrallë kjo, me njëfarë botuesi të huaj (që më bën të përkthej Filanin nëse përkthej edhe Fistekun). E me radhë. Ndër arsyet mund të jetë edhe, bile-bile, bindja që ai autor aty është shkrimtar i madh.
  10. Botuesi, një mijë herë e kam thënë, por po e përsëris prapë, është armiku numër një i autorit. Jo ngaqë botuesi është i keq dhe autori i mirë (ose e kundërta): por ngaqë autori dhe botuesi, siç kanë ardhur punët, shpesh nuk i bashkëndajnë objektivat e tyre. Marrëdhëniet autor-botues mund të jenë shumë të lumtura (marrëdhëniet e mia me botuesin “Laurana”, për shembull, janë të lumtura: të paktën sa më përket mua). Por një lumturi e mundshme bazohet te të folurit haptas, te të qenët i qartë, te shmangia e çdo forme mendimi të nëndheshëm apo miradijeje. Gjë që, le ta themi, si nga njëra palë, si nga tjetra, nuk ndodh – për aq sa kam mundur të vrojtoj qëkur kam filluar botimet (më 1993, por kontakti im i parë me botën e botimeve ka qenë më 1992) dhe qëkur punoj në lëmën e editorisë (nga 1998 me hope, nga 2001 rregullisht).

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin