TAKIMI I MUNGUAR

nga Gentiana Minga

Nëse James Joyce-i nuk do të shprehte vlerësimin e tij për Senilità-në e Italo Svevo-s e të mos ua këshillonte botimin në frëngjisht të “Ndërgjegjes së Zenos”, dy kritikëve francezë me zë të asokohe, Benjamin Crémieux e Valéry Larbaud, sot, ne nuk do të kishim mundësinë të njihnim kryeveprat e mësipërme të Svevo-s, e vetë ky, mundet, pas tentativave të dështuara të njëpasnjëshme, do ta kishte lënë njëherë e përgjithmonë penën e tij të çmuar për ta shkuar jetën nëpër zyrat hijerëndë të ndonjë banke. Ç’është e vërteta, “Ndërgjegjen e Zenos”, për herë të parë, Svevo e pati botuar në Itali me shpenzimet e veta, në vijim të mossukseseve me dy librat e tij të mëparshëm, “Una vita” e “Senelità”. Deri kur pëlqimi i James Joyce-it i ra në vesh edhe Montales, që për rrjedhojë i kërkoi një kritiku triestin të mirënjohur, Roberto Bazlen-it, mes miqsh Bobi, një kopje të këtij autori të panjohur, për ta recensuar i ngazëllyer më pas, pozitivisht, duke i sjellë kështu, më në fund, vëmendjen e publikut të gjerë. Pa kritikën letrare të Eugenio Montale-s, objektivisht dashamirëse, nuk do të kishim sot një kryevepër të Svevos si “Ditari i Zeno Kozinit”.

Ndonëse ka pak gjasa të gjenden talente si Italo Svevo e shokë të tij në një Shqipëri të rrënuar prej gjysmë shekulli të realizmit socialist, të paktën në raport me autorët bashkëkohës, është e pafalshme të mos ketë përpjekje të ndershme për kritikë e lëvrim serioz të shkencës së kritikës. Pra, studime e botime të kritikës letrare, dhe ushtrim të këtij profesioni në mënyrë të paanshme, jo domosdoshmërisht pozitive e jo domosdoshmërisht keqdashëse. Thjesht objektive, për sa mund të jetë e tillë një kritikë që përpiqet t’i përvijohet shijes personale e shijeve të tregut. Tani, mundet edhe që në Shqipëri të bëhet kritikë, mundet edhe që institucionalisht letërsia bashkëkohore të promovohet. Ka edhe gazeta të përjavshme, revista e blogje që e bëjnë, shpesh për autorë të huaj, më pak për autorë të rinj, më rehat për autorë të konfirmuar prej dekadash. Gjithsesi, ndoshta edhe strukturat përkatëse janë, e nëpër zyrat e tyre këto figura të rëndësishme angazhohen me zell në veprimtari shkencore, edhe për t’u përligjur, edhe për pasion e kështu me radhë. Por, kjo nuk e zgjidh problemin sesa e sesi nga kjo veprimtari mbërrin tek lexuesi, (kupto jo tek autori) sesi e sesa nga kjo veprimtari ky lexues përfton për t’u pasuruar, për të kulluar shijet e tij, ashtu që, e thënë thjesht, të kënaqet e të përplotet me një vepër që e meriton. Nëse kjo gjë kryhet, pra kritika mbërrin, për fat të keq, vihet në dyshim profesionalizmi i saj, rigoroziteti, raporti i drejtë me veprën që analizon, objektiviteti, pastrimi nga kompromiset, provincializmi nga konfliktet e interesave, nga anësi politike e klanore, nga lëbyrja prej rretheve vicioze e prej ritualeve të nderimeve e të shpërblimeve. Këto ishin e janë pa diskutim probleme edhe të shoqërive më të përparuara në botë, por në një vend të vogël si i yni ende në proces zhvillimi, raporti mes lexuesit, autorëve e kritikëve vepron në një hapësirë kaq të ngushtë e të ngarkuar sa ndikon drejtpërsëdrejti në modifikimin e nivelit kulturor të shoqërisë. E pasuron ose e varfëron në pak vite. Në dhjetëvjeçarët e fundit, ajo ç’ndodh me kritikën letrare botërore në përgjithësi, e shqiptare në veçanti, është pikërisht kalimi nga oligarkia e saj tek demokratizimi i plotë. Por nëse dikur, (në Shqipëri referimi i kritikëve letrarë të periudhës se realizmit socialist do të rezultonte i kotë), ta zëmë në Itali ishte mes të tjerësh, një Benedetto Croce që vendoste çfarë mund të ishte një letërsi e mirë, e çfarë jo, sot këtë mund ta bëjë edhe një klient i Amazon-it. Ja një rast i mëposhtëm, sjellë me plot shqetësim vite më parë nga një kritik bashkëkohor italian. Amazon-i reklamon “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit, e bashkë me të këshillon edhe “shfletimin” e recensioneve të lexuesve (klientëve). Mes tyre gjenden jo pak, edhe komente të tipit, marrim shembullin e klientit D: “Libri ok, kopertina interesante, romani shumë i rëndë e i mërzitshëm”.

Nga ana tjetër druhem edhe se figura e kritikut letrar, me të drejtë e domosdoshme, qaset si një figurë e kuptuar shtrembër. Sidomos kur kërkohet me shumë afsh nga një pjesë e autorëve, e shtëpive botuese, apo nga disa revista kulturore që botojnë në faqet e tyre shumëllojshmëri krijimesh, në të cilat përzihen autorë të mirë, të njohur e të panjohur, me autorë mediokër, të njohur e të panjohur. Dyshimi vjen kur nuk është e qartë nëse nevoja e autorëve dhe e shtëpive botuese për një kritikë letrare të mirëfilltë ngatërrohet, me apo pa dashje, me nevojën për recensues optimist që të mund të lehtësojnë reklamimin (shitjen) e një autori, të një vepre, të një reviste. E gjithë kjo ndryshon nëse fokusi ynë i kthehet lexuesit. Nevoja e lexuesit për një kritikë profesionale letrare është e drejtpërdrejtë. Një figurë shkencore si ajo e kritikut letrar është mbi të gjitha një figurë në shërbim të lexuesit e të letërsisë, si dy kahe që rikrijojnë njëri tjetrin në dinamika të paparashikuara. Unë jam e sigurt që mediokritetin e një autori, pa përfshirë këtu pjesën e majme të lexuesve të pa mbrojtur prej mungesës së një udhërrëfyesi letrar, ende e përcakton fare lehtë një fetë e hollë prej tyre që vjen e hollohet edhe më. Një fetë pra lexuesish e uritur për letërsi të të gjitha kohërave. Këta lexues vijnë nga statuse të ndryshme e në lëvizje, mund të jenë mësues, kamerierë, piktorë, përkthyes, punëtorë krahu të apasionuar pas së bukurës, studiues autodidakt që dashurojnë letërsinë me të cilën ushqehen të panginjur. Këtyre nuk u intereson gjëkundi përfitimi ekonomik, as fama e suksesi. Këta vërejnë menjëherë sesi diçka nuk shkon, sesi u ofrohet vazhdimisht mall i përzier, njësoj si në një shportë me arra, në të cilën tregtari ka shtënë arra të kategorive të ndryshme kundrejt një çmimi unik. Një lexuesi të tillë i fiket dëshira për të blerë “mall” tek aksh tregtar, e ndërsa orvatet në kërkim të mallit cilësor, gjendet në mes të një tregu të pafund që e çorodit dhe e lodh. Sa më shumë të lodhet, të zhgënjehet masa e lexuesve të tillë, aq më i kollajshëm është zëvendësimi i tyre me lexuesit e tjerë, të pambrojturit, mu si klientët e Amazon-it, klientë ama që përcaktojnë mbarëvajtjen apo dështimin e një produkti. Nëse kjo shumicë bëhet, siç ngjan, akoma edhe më shumicë, e në këtë tregun e paanë vijon të zgjedhë librin e dobët, shtëpitë botuese do të bëjnë të pamundurën për të ofruar një libër pak a shumë të tillë, që shet, pa hequr dorë edhe nga ofrimi i veprave cilësore. Rasti më konkret në Itali është botimi me sukses të jashtëzakonshëm i veprave të Federico Moccia-ës dhe Fabio Volo-s, nga shtëpi si: Feltrinelli e Mondadori. Është një rast shumë interesant ai i Matteo Marchesini-t, kritik letrar bashkëkohës, rrogëtar i Bompiani-Giunti-t. Para disa kohësh, Marchesini i propozon kësaj shtëpie botimi një vëllim me kritika letrare, ca prej të cilave disi të ashpra kundër tre autorëve të cilët, për fatin e tij të keq, ishin botuar pikërisht në shtëpinë botuese në fjalë. Jo vetëm që ky vëllim iu refuzua  Marchesini-t, por siç merret me mend, u la njëherë e mirë pas portave të redaksisë së mirënjohur. Është e qartë që gjykimet e tij letrare “turbullonin” tregtinë prozatore të Bompiani-Giunti-t. Duke lënë mënjanë kritikën e ashpër deri diku rrënuese, do të ishte e parapëlqyeshme, të mos heshtej para një vepre premtuese. Tek e fundit, një kritik i rrahur në lëmin e vet, mund të kalojë veç duke i nuhatur librat për të mediokër, që s’kanë për të thënë kushedi se çfarë, pra, pa u marrë fare me to, e mund t’i dedikojë kohë e studime, e pse jo, edhe pasion, një vepre që e gjykon të mirë, e që për pasojë nuk duhet t’i mungojë takimit me publikun.

Nga ana tjetër, mbiprodhimi i veprave letrare, pa asnjë lloj kontrolli paraprak, e vë atë, profesionistin që ka mbetur denjësisht shkencor e i pakorruptueshëm, e si i tillë i vetmitar, edhe përpara një problemi të madh, banal e sasior. Është shumë domethënës dhe po aq komik rasti i të ashtuquajturës teoremë të Massimo Troisi-t. Në një film të realizuar prej tij, (Le vie del Signore sono finite) protagonisti, berberi Camillo, i përgjigjet kështu një bashkudhëtari në tren, që e pyet nëse lexonte: “Oh, jo zotëri, jo, nuk bën për mua… nuk i ndjek dot unë ata (autorët) … ndërsa unë lexoj një libër, ata do të kenë shkruar një milion tashmë…”.

Në pamundësi, pra, për të ndjekur këtë ritëm, kritiku, në rendjen e tij të komplikuar për të arritur tek lexuesi porsi Maratonomaku dy hapa para librit, dështon. Kategoritë të cilave nuk u ofrohet mundësia të kryejnë shërbimin e tyre rehat e me mjeshtëri, larg zhurmave të mbrapshta të botës, kanë shumë gjasa të humbasin, ose të vetshiten. Kjo natyrisht nuk vyshk dëshirën e autorit për të shkruar, e nuk eviton më pas fatin për t’u botuar nga një shtëpi botuese serioze, por e bën të bulëzojë me vështirësi, në ndonjë skutë të parehatshme, pa e vënë re njeri. Ashtu që mendimi se ndoshta po humb takimin e tij me lexuesin, ia fashit pak shpresën, e po ashtu pasionin.[1]Shkrimi është zgjerim i një interviste botuar tek “Bota sot”, Gusht më 2022

© 2022 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat janë të autores.

References

References
1 Shkrimi është zgjerim i një interviste botuar tek “Bota sot”, Gusht më 2022

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin