RADHË DHE PRIVILEGJ

(shënime)

Regjimet totalitare jemi mësuar t’i shoqërojmë mendërisht me imazhe figurash anonime që presin në radhë, gati të çnjerëzuara, mes të cilëve imazhe më emblematiku mbase është ai i viktimave të Holokaustit në Gjermaninë Naziste – i cili na shqetëson edhe ngaqë na fton të përfytyrojmë një mizëri njerëzish që presin për të vdekur. Edhe pse radhët formohen rëndom kudo ku shumë njerëz jetojnë së bashku dhe ndajnë mes tyre të njëjtat nevoja dhe shërbime, sërish na vjen pothuaj vetvetiu që t’ia bashkëngjitim sistemeve të bazuara në kontrollin dhe disiplinimin mekanik të masave njerëzore, si ai që kishim në Shqipëri në vitet 1945-1990 dhe që, nga fillimi në fund të historisë së vet, u rrek të shpërndante një sasi gjithnjë të kufizuar të mirash dhe shërbimesh te një popullsi numerikisht në rritje dhe përballë një tregu drejt varfërimit dhe zbrazjes totale. Tridhjetë vjet më pas, pamjen e radhëve në dyqanet ende nuk e ndajmë dot nga paradat festive si ato të një majit, rreshtoret e stërvitjeve ushtarake dhe para-ushtarake dhe listat ku figuronim si emra dhe ndonjëherë numra, përfshi këtu edhe ato lista që, si forma virtuale të radhës, administronin shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve më abstrakte, të tilla si dhomat e plazhit, frigoriferët, apartamentet, pasaportizimet, të drejtat e studimit.

Eksperiencën e pritjes në radhë e kanë përshkruar si çnjerëzuese, ndonjëherë edhe si torturë; dhe të mendosh që në Shqipëri, sidomos në qytetet e mëdha, ka pasur me dhjetëra mijëra njerëz që e bënin këtë përditë, veçanërisht në mëngjes herët, për të marrë qumësht dhe kos. Produkte të tjera bazë, si mishi, mielli, orizi, sheqeri, gjalpi, vaji i ullirit, kafeja dhe të tjera shpërndaheshin me “lista”, në bazë blloqesh banimi; teknika burokratike e listës lejonte edhe kontrollin e sasisë së mallit që blihej dhe, me gjasë, konsumohej nga çdo njësi familjare.

Megjithatë, njerëzit e pranonin radhën si realitet të pashmangshëm, me ngushëllimin se ajo garantonte një lloj drejtësie sociale minimale, duke imponuar në praktikë parimin e barazisë – paçka se parimi i renditjes sipas “orës” kur dikush futej në radhë nuk kishte ndonjë logjikë të vetën, përtej idesë se njerëzve do t’u shërbehej sipas kohës që shpenzonin duke pritur. Edhe pse radhët e gjata gjithnjë sfilitnin, revolta e “radhëtarëve” do të shpërthente në momentin kur dikush kërkonte të mashtronte, duke hyrë “pa radhë”, çfarë konsiderohej si shkelje flagrante e barazisë dhe e drejtësisë implicite.

Sipas një studimi sociologjik të fokusuar në Bashkimin Sovjetik të viteve të perestrojkës (V. O. Rukavishnikov, The Queue, Soviet Sociology, 29:5), radhët ishin “vendi ku formohej opinioni publik rreth rezultateve dhe ecurisë së perestrojkës, sepse aty qytetarët përballeshin drejtpërdrejt me politikat ekonomike dhe tregtare të regjimit, dhe reagonin ndaj tyre. Në Tiranën e fundviteve 1980, vendimi i regjimit Alia për të shpërndarë në dyqane mallra konsumi të importuara “për të kënaqur rininë” (të tilla si t-shirts, atlete, etj.), u shoqërua sakaq me radhë epike, ndonjëherë me qindra në mos mijëra blerës, të cilët shpesh do të mbeteshin, në fund, duarbosh. I kam përjetuar këto zhvillime nga afër dhe kam përshtypjen se po ata “anonimë” që popullonin radhët e atleteve dhe krijonin kaos në sportelet me hekura të dyqaneve, do të shpërthenin pastaj kangjellat dhe muret e ambasadave, për të kërkuar “daljen” nga burgu totalitar.

Historia si dikë e arrestuan dhe pastaj e dënuan me burg ngaqë ish ankuar, duke pritur në radhë, se “nuk ka patate”, funksionon tashmë si klishe për të ilustruar absurditetin e terrorit totalitar; gjithë duke dëshmuar se organet e rendit, veçanërisht Sigurimi i Shtetit, kishin veshët e tyre në radhët, meqë e kishin kuptuar me kohë se njerëzve u dobësoheshin mekanizmat e mbrojtjes dhe të kontrollit, për shkak të stresit të pritjes së gjatë, dhe ashtu thoshin edhe gjëra që përndryshe do t’i kishin mbajtur për vete (“flisnin”).

Vitet 1980 në Shqipëri ishin jo vetëm vite të varfërimit absolut të tregut, por edhe periudha kur qytetarët filluan të zhgënjehen masivisht me regjimin dhe të kuptojnë – me arsye – se për jetesën e tyre mizerabël faji u mbetej elitave në pushtet. Faktorët e këtij “esëllimi” të pashmangshëm janë përshkruar mirë, që nga likuidimi total i pronës private në fshat, te ndërprerja e ndihmës ekonomike kineze dhe spastrimi i administratës publike nga teknokratët e aftë, dhe më në fund te ballafaqimi me realitetin “përtej”, falë imazheve televizive dhe eksperiencës të atyre pak fatlumëve që udhëtonin jashtë shtetit.

Tani, nëse jetën e përditshme në Shqipërinë e asaj dekade e metaforizojmë me një radhë të përhershme, të cilën e stabilizonte vetëm shpresa e një shpërndarjeje të barabartë të mjerimit shpirtëror, atëherë mund të supozojmë se çfarë e destabilizoi opinionin publik në vend dhe përgatiti kushtet për refuzimin e nënshtrimit të përditshëm, nuk ishte drejtpërdrejt radha si realitet i pashmangshëm, por dukuria e përfitimit pa radhë, nga ana e një kaste të privilegjuarish që sa vinte e rritej dhe që u mbufat tej mase pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Kjo ishte kasta e atyre që udhëtonin jashtë shtetit, për të studiuar, me specializime ose për biznes; e atyre që mjekoheshin në klinikën speciale a që dërgoheshin jashtë shtetit për t’u kuruar; e atyre që visheshin me rroba të modës, të sjella nga jashtë; e atyre që qarkullonin rrugëve të Tiranës dhe gjetiu me motoçikleta; e atyre që sillnin nga jashtë televizorë me ngjyra dhe sisteme të komplikuara hi-fi; e atyre që binin në sy si të pandëshkueshëm; e atyre që ushqimet i siguronin me rrugë të ndryshme, por gjithsesi jo duke ndenjur në radhë; e atyre që i siguronin të parët biletat për evente të lakmuara; e atyre që siguronin frigoriferët, dhomat e plazhit, apartamentet e mira dhe sende dhe shërbime të tjera që shpërndaheshin me listë; me një fjalë, e të gjithë atyre që gëzonin privilegjin për të konsumuar mallra dhe shërbime pa radhë.

Studiuesit e radhëve, veçanërisht në Perëndim, kanë vënë re se të priturit në radhë, qoftë edhe për arsye triviale si ajo e biletave për një ndeshje futbolli ose një koncert rock-u, priret të këqyret si manifestim i një lloj virtyti minor, por solid; ata që sakrifikojnë nga koha e tyre (nga jeta e tyre) për të kaluar orë, ndonjëherë ditë, në pritje të disiplinuar, meritojnë jo vetëm atë çfarë sigurojnë në fund (një palë atlete, një biletë) por edhe simpatinë në mos admirimin e komunitetit përkatës (Leon Mann, The Waiting Line as a Social System, American Journal of Sociology , Nov., 1969, Vol. 75, No. 3 pp. 340- 354). Ka pastaj një lloj vetë-fshikullimi tek ata që zgjedhin të presin, i cili ngjall në mos respekt, të paktën empati. Edhe brenda njësive familjare në Shqipëri, personi që ngrihej herët në mëngjes “për të blerë qumështin”, dhe që zakonisht ishte një gjyshe a gjysh i dalë në pension, shpërblehej me mirënjohje të veçantë dhe ndihej njëfarësoj “i realizuar” mu për këtë arsye. Kjo ndihmonte edhe që radha, sidomos ajo e përditshme në bulmetore dhe në dyqanet e ngjashme, të shërbente për forcimin e frymës komunitare në mëhallë, kohezionit dhe kolektivitetit.

Këtë ekuilibër të barazisë në skamje do ta prishte pikërisht perceptimi i privilegjit të familjeve të nomenklaturës, të cilat erdhën duke u shtuar në numër në vitet 1980. Nëse deri edhe në vitet 1970 nuk ishte dhe aq e jashtëzakonshme të shihje familjarin e një ministri duke ndenjur në radhë për mollë, kjo në vitet 1980 nuk do të ndodhte më: ministrit mollët do t’ia çonin në shtëpi me furgon të posaçëm. Privilegjet që deri në fund të viteve 1970 kufizoheshin zakonisht me familjet e “bllokut” dhe prandaj nuk perceptoheshin prej masës së qytetarëve – sa kohë që blloku ishte komunitet “i gardhuar” – u bënë më të dukshme, edhe ngaqë vetë elitat nuk patën më frikë nga “konsumi i spikatur”, sidomos kur ishte fjala për fëmijët e tyre. Shtresa e lartë, që deri vonë kish qëndruar mënjanë dhe i kish shijuar të mirat në hije, tashmë po vendoste që jo vetëm të ishte, por edhe të dukej si e tillë, shtresë e lartë, beautiful people.

Nuk ishin pra aq skamja, mjerimi dhe varfëria e tregut, që e çuan shoqërinë shqiptare në krizë, sa ç’ishte dalja në skenë e privilegjit; për ta thënë ndryshe, njerëzit u revoltuan dhe pastaj u rebeluan jo ngaqë u plasi buza duke pritur në radhë, por ngaqë u ndien të pafuqishëm për të vepruar ndaj atyre që përfitonin pa radhë. Rastin e dytë masa e të gjithë atyre që njëfarësoj i ishin nënshtruar fatit si pritës, e përjetoi si padrejtësi flagrante; si shkelje të po atij parimi të barazisë, me të cilin mund të përligjej vetë qenia e tyre si “radhëtarë”.

Shumë shpejt, masa e radhëtarëve të zhgënjyer do t’i përshtatej realitetit të ri me rrugën më logjike të mundshme – duke adoptuar metodën e ecjes përpara “pa radhë”, pa çka se kjo do t’i jepte fund çdo shprese për mirëkuptim, mirëqenie dhe harmoni sociale, sa kohë që gjakimi për barazi dhe fairness do të zëvendësohej nga gjakimi tjetër, këtë herë absurd pse i përgjithshëm, për privilegj.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin