ENERGJIA NË SHTËPI

sa paguanim dje, sa do të paguajmë nesër

nga Ergys Petriti

Kur Xha Xhai më ftoi ca kohë më parë, pas komenteve të mia të para më emër këtu në blog, të kthehesha më shpesh e të shkruaja pasi blogu ishte i hapur në këtë drejtim, e pyeta veten: e ç’mund t’u them njerëzve? Jetojmë në një kohë kur njerëzit “i dinë të gjitha” dhe, ç’është më e bukura, “as që duan të dinë më shumë nga ç’dinë”. Në përgjithësi kjo punë.

Atyre që s’u pëlqen konstatimi im i përgjithshëm, fare mirë mund ta futin veten tek ata pak që bëjnë përjashtim nga rregulli, te pakica që “nuk i di të gjitha” dhe që ndonjëherë “kërkon të mësojë më shumë”, e kështu të bien rehat me veten e të më lënë rehat edhe mua. E pra, ajo e përgjithshmja e bënte aplikimin e ftesës të vështirë, në mos të pamundur.

Në shtyp e në televizion diskutohej ndërkohë e më tutje për çmimin e ri të energjisë elektrike, si dhe aksionin e qeverisë që kishte shpallur vendosmërinë t’i dërgonte në burg tërë hajdutët e energjisë. Jalla, veç me qeverinë mos paç punë, se e kap lepurin me qerre kur do. Dhe, ashtu siç kishte deklaruar me të madhe, ashtu edhe ia nisi. Në fillim në Tiranë, pastaj edhe në rrethina e periferi e provinca. Aq me zell e mori këtë punë, sa burgjet u mbushën plot në pak kohë e tani s’ka vend ku t’i fusë vrasësit, trafikantët e drogës apo hajdutët e mëdhenj të institucioneve të djeshme që qeveria e sotme ka premtuar në zgjedhje se do t’i zërë një ditë, sepse qelitë i kanë zënë këta të rrymës, si i thonë në Kosovë.

Nejse, s’para e bëra qejfin qeder për këtë kategori së cilës i qe qepur qeveria me bukë në strajcë, sepse – si i thonë fjalës – secili i bën llogaritë vetë. Dhe është i lirë të bëjë ç’të dojë, sa kohë është edhe në gjendje të mbajë përgjegjësi për çka bën. Ama iu hodha gazetave e televizioneve si kurrë më parë, me interesin e një njeriu që ka hallin e vet, pasi lart e poshtë po thuhej jo vetëm se do të burgoseshin hajdutët, por edhe se do të rritej çmimi i energjisë. Dhe kjo pikë, ndryshe nga ajo e para, mua më interesonte fort. Të rrimë shtrembër e t’i japim qeverisë hakën, ajo nuk donte ta rriste çmimin. Ishte FMN-ja që këmbëngulte: ja rrite, ja bjer përmbys! Ç’të bënte qeveria jonë, të përmbysej e të mos rriste çmimin? Jo, që e paçim sa malet e marrtë nga ditët e anëtarëve të Këshillit të Ministrave! Ndaj dhe me gjysmë zëri e pranoi “kushtin” e FMN-së. (Apo donte ta rriste çmimin dhe ia ngjeshi këtë punë FMN-së? Hajt ta marrësh vesh si është e vërteta.)

Dhe këtu nisën ngatërresat e mia. Ç’thoshte një gazetë, s’e thoshte tjetra. Njëra shkarraviste më një krah e s’thoshte kurrgjë, tjetra e përgënjeshtronte më krahun tjetër kurrgjënë. Tërë ato shkrime kam lexuar e në vend që të më hynte ndonjë gjë në kokë, mënt më dolën dhe ato që kisha. Le pastaj ato që thoshin politikanët (e që gazetat na i sillnin të freskëta taze, fjalë për fjalë,), ato më hutuan krejt. Ja, hidhuni një sy vetë disa prej titujve (po sjell ç’më del përpara tani, se përtoj të merrem gjatë me këtë farë pune pa bukë): Bozdo: Çmimi i energjisë do të rritet me 22% (ATSH); Edi Rama: Nëse çmimi i energjisë ju rritet 22%, do dal edhe unë në protestë (Shqiptarja); Basha: Mos u lodh në protestë, por ul çmimin e energjisë siç premtove (Shqiptarja); PD: Çmimi i energjisë rritet me 70 %, 1 KWH shkon 12,3 lekë (Tema); Balla: Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet, respektojmë çdo protestues por jo Bashën e Berishën (Tema); Si mund të ndryshojë çmimi i energjisë? (Top Channel / Tema); Çmimi i energjisë, replika mes Ramës e Bashës (Panorama); Çmimi i energjisë, qeveria: Jo më shumë se 10.6 lekë/kwh (Panorama); OSHEE: Çmimi i energjisë për familjarët, 12 lekë për kw/h (Shqip); Gjiknuri: Çmimi i energjisë do të ketë surpriza (Shqip); Shkëlqim Cani: Nuk do të preket çmimi i energjisë (Dita); Çmimi i energjisë, qeveria propozon 9.9 lekë/kw, OSHEE: 12 lekë/kw (Dita); Çmimi i energjisë, ERE seancë dëgjimore me 3 operatorët (Shekulli); Braçe: Çmimi i energjisë më i vogël se 10 lekë (Mapo). E të tjera, e të tjera. Dhe këto janë titujt e gazetave të dashura me qeverinë, se ato që thonë se e kanë inat shkruanin edhe më zi.

Sidoqoftë, gazetat edhe duroheshin. Ato që vërtet e nxjerrin njeriun binarësh janë televizionet. Në doni ta përjetoni këtë ndjenjë, ja ca emisione televizive ku kjo temë është trajtuar “gjerë e gjatë”: A do te rritet çmimi i energjise (Vizion+); Ministri Cani në Top Story (Top Channel, çerek emisioni). apo Tonight Ilva Tare “Si Ndryshon Çmimi i Energjisë Elektrike?” (Ora News). Po në ka emision që nisesh ta dëgjosh të mësosh diçka dhe ikën më i paditur se më parë, që edhe gjërat e thjeshta e të kulluara që ke njohur a mësuar në jetë t’i kthen në turbullirë e rrëmujë dhe, pasi dëgjon si diskutohen aty, nis e dyshon në vërtetësinë e tyre, ai është “Opinion”-i. Pasi dëgjon një emision të atillë, njeriu mbetet i paditur si dikush që ka dalë për herë të parë në oborrin e burgut pas 1 viti izolim. E njeriu fare kollaj mund të nisë të kruhet, sikur ka fjetur me qentë, pas emisioneve të tilla. Dhe si është informuar publiku për çështjen në fjalë, kjo mund të merret vesh këtu: Opinion – Energjia, a do te paguajme me shume?; apo edhe këtu: Opinion – Energjia, hajdutet ne burg?. Në doni, shikojini, por nuk jua këshilloj, se do filloni të kruheni edhe ju pastaj e do ma hidhni fajin mua që jua shtira ndërmend këtë punë.

E pra, meqë po flisnim për televizionet, aparati më njoftonte që me mëngjes se sot do të ndahej përfundimisht edhe vendosja e çmimit të ri të energjisë. E pse të mos shkruaj dy radhë për këtë, më vajti ndërmend ftesa e Xha Xhait, diçka që të më hyjë në punë edhe mua, edhe të tjerëve. Dhe ajo që u hyn në punë njerëzve është informacioni i vërtetë, më tej e kanë vetë mençurinë ç’të bëjnë me të. Kështu që u ula në kompjuter dhe hapa faqen që më nevojitej…, por aty mbeta. Më duhej të krijoja një formulë e ta zbatoja pastaj në ndërtimin e një grafiku, të thjeshtë e të kuptueshëm për të gjithë. Por nga e thëna, në të bërë…. M’u deshën dy cigare kohë gjer ta shkundja vendit kujtesën, për të sjellë ndërmend ca njohuri të vjetra. Dhe, në fund, grafiku doli. (Fillimisht e ndërtova duke u bazuar tek çmimi prej 9,9 L i njoftuar ditët e fundit, të cilin e mora të mirëqenë, dhe vetëm në mbrëmje, kur mësova çmimin e ri përfundimtar në lajme, të vendosur zyrtarisht, prej 9.5 L, e ndryshova përkatësisht formulën dhe përditësova grafikun. Qeveria bëri si bëri dhe ia hodhi edhe njëherë tjetër me lojën e frikës së çmimeve – e nisi me thashethemet që shkonin nga 10.5 L/kW në 12.5 L/kw, për t’ua bërë pastaj “surprizë” qytetarëve “uljen e çmimit” në 9.5 L/kW. Dhe seç kam një bindje se plot njerëz, njësoj si nëna ime, kanë shfryrë “të lehtësuar” për këtë “ulje çmimi të negociuar”, në vend që të nxeheshin për rritjen e çmimit dhe rritjen e pagesës së tyre të energjisë.)

Produkti përfundimtar është grafiku që mund të hapet më poshtë, ku jepet në mënyrë të thjeshtë e ndërvepruese lidhja mes konsumit familjar të energjisë, pagesës bazuar në çmimet e vjetra të ndara në fasha dhe pagesës mbështetur në çmimin e ri të unifikuar.

Kliko për grafikun interaktiv

Mjafton ta vini treguesin mbi grafik e të gjeni konsumin tuaj, dhe do t’ju shfaqen aty ç’faturë paguanit më parë për atë nivel konsumi dhe sa do të paguani tani e tutje për të njëjtin nivel. Kostot e treguara në grafik janë agregate; ato përfshijnë në finale të gjithë komponentët e faturës së energjisë elektrike: konsumin familjar, konsumin komunitar (konsumin që i faturohet përkatësisht çdo familjeje që jeton në apartament për energjinë e harxhuar në shkallën e përbashkët të pallatit, e cila zakonisht faturohet 20 kW), si dhe tarifën mujore prej 100 L që çdo familje paguan për shërbimin radioteleviziv publik.

Siç do ta verë re çdo lexues, familjet që harxhojnë më pak se 435 kWh/muaj (dhe që janë familjet më të varfra, që konsumojnë më pak energji e që zakonisht konsumojnë brenda kësaj fashe), do të paguajnë proporcionalisht më shumë nga ç’paguanin më parë. Sidomos ata të fashës 200-350 kW, çka është dhe fasha e konsumit normal të shtresave më nevojtare (të papunët, pensionistët, etj) do ta ndjejnë më shumë se kushdo tjetër diferencën rritëse në koston e energjisë. Kjo diferencë vjen dalëngadalë duke u zbutur sa më shumë shtohet konsumi, për t’u bërë zero në 460 kW konsum agregat. Mbi këtë kufi konsumi, kostoja sa vjen e ulet me çmimin e ri të energjisë, dhe familjet që harxhojnë mbi këtë nivel, sidomos ato të shëndetshmet që harxhojnë mbi 1000 kW në muaj, do ta ndjejnë bukur mirë këtë ndryshim çmimi me ulje kostoje për xhepat e tyre. (Në rast se ndokush pyet përse nuk e kam zgjeruar grafikun përmbi 1500 kW konsum në muaj, apo përse nuk kam bërë një grafik edhe për çmimet e reja për biznesin, përgjigja ime është e thjeshtë: kush harxhon mbi këtë kufi, llogaritë le t’ia bëjë ekonomisti i firmës, si për biznesin, si për shtëpinë.)

Mjafton ta shohësh grafikun dhe gjithçka lexohet qartë: ai që ka bërë këtë reformë çmimi, gjithçka mund të jetë, por socialist jo. Fundja, FMN-ja s’njihet për e tillë. Por llogarinë, ama, qytetarët më vonë do t’ia kërkojnë kryeministrit, jo FMN-së. Sepse ishte kryeministri i sotëm ai që premtoi përpara zgjedhjeve uljen e kostos së energjisë nëpërmjet uljes së TVSH-së.

Ja, këtë grafik doja të ndaja me lexuesit e blogut, me shpresë se ndokujt do t’i hyjë në punë njësoj siç më hyn në punë mua.

p.s. Ky shkrim është kontribut i lirë për blogun Peizazhe të fjalës. Por meqë media shqipe e ka zakon t’i vjedhë pa iu dridhur dora punët e të tjerëve e t’i publikojë në faqet e veta, edhe mua s’më dridhet dora fare që të njoftoj këdo se në rast se kopjon qoftë edhe vetëm grafikun që ky shkrim përmban dhe e publikon në faqet e veta, i detyrohet paskëtaj autorit (në bazë të detyrimit të bërë të ditur shprehimisht këtu) 10 mijë L (që janë me të reja, ashtu siç janë me të reja edhe kostot e treguara në grafikun në fjalë). Në të kundërt, në gjykatë autori i shkrimit do të kërkojë 100 herë më shumë se aq. Por unë e di se askush nuk do ta kopjojë – mediat tona i kanë tërë kapacitetet profesionale ta informojnë publikun shqiptar me lajmet që i prodhojnë vetë, verbatim. Dhe kjo më gëzon.

[Shënim: ky shkrim u përditësua të dielën 28 dhjetor 2014, me sugjerim të autorit.]

No Comments

  1. Nje kontribut me vlere dhe mjaft praktik per te gjithe ata/ato qe jane te interesuar nese do te perfitojne apo humbasin nga ky ndryshim dhe unifikim i cmimit. Per ta bere plotesisht te sakte grafikun t’uaj, mendoj se duhet te kishit perfshire ne llogaritjet edhe subvencionin qe shteti do tu jape familjeve ne nevoje (dhe behet fjale per rreth 200 mije te tilla) per kompesimin e rritjes se cmimit te fashos qe eshte deri ne 300 kwh. Mesa kam degjuar ky kompesim/subvencion do te jete 10 mije leke te vjetra ne muaj per cdo familje. Pra ashtu sic keshillonit konsumatoret qe banojne ne shtepiat private per te bere zbritjet e teperta krahasimisht me konsumatoret ne godinat publike, mund edhe te keshilloni me shifra konsumatoret e fashos se sa duhet te zbresin nga shifra e grafikut. Pra per cdo vlere fature e re sipas grafikut qe perfitohet nga konsumi deri ne 300 kwh duhet ti zbritet 1000 leke. Keshtu psh , nje familje ne nevoje qe konsumon 300 kwh ne muaj vlera e pageses me faturen e vjeter eshte 3082 leke dhe me faturen e re 3770 leke ose 700 leke me shume. Por nese i zbresim kompensimin financiar qe do ti jape shteti prej 1000 leke, atehere kemi nje kursim prej 300 leke.

    1. Subvencionet e shtetit janë vetëm për kategoritë e asistencës ose pensionistët e vetmuar. Ndërsa ato familje që e kanë një të punësuar (te siguruar) me rrogë 18-30 mijë lekë dhe që janë munduar gjithnjë të kursejnë duke mos e kaluar kufirin e 300 Kw/h të shpenzimit, pikërisht këtyre do t’ua marrë shteti paratë. Tani këta vërtet nuk janë shtresa më e dobët, por janë të varfër dhe nuk mund të quhen mesatarë dhe besoj se kanë qenë më të rregullit në pagesa. Këtyre ua vë këmbën në fyt shteti duke u hequr nga xhepat rreth 10 mijë lekë në vit. Ndërsa atyre që kanë pas shpenzuar më shumë dhe që hyjnë te shtresat e mesatarëve e lart, atyre shteti ua ul çmimin. Në vend që të nxisë kursim, shteti nxit shpenzim të energjisë dhe ua fut shtresës që janë midis të varfërve dhe të mesmëve.

      1. Sidoqofte, sipas nje njoftimi paraprak te Ministrise se Mireqenies Sociale, do te jene rreth 204 mije familje qe do te perfitojne subvencion nga shteti per te kompesuar heqjen e fashos.

        1. Jane vetem 204 mije pensioniste kryefamiljare, persona ne ndihme sociale dhe persona me aftesi te kufizuar qe kompensohen. Kurse subjekte familjare qe konusmojne nen 300 kwh jane 545 mije. Pra 345 mije goditen. Per kete shifer qeveria, perfshi kete ministrine e Mire Qenieve nuk ka pergenjeshtrim por mavi argument te tipit: jemi te sigurte se brenda ketij kuadri vidhet. Subvencionimi eshte kot, sepse thjesht sa na ngarkon ne te tjereve barren qe te paguajne diferencen e ngritjes se cmimit qe rritet prape per me te varfrit. Dhe kompensimi nuk eshtepolitkke sociale ne kete rast por llogari me zero. Te leme menjane ketu ate letren higjenike qe quhet Program politik e ku ky piktor-basketbollist-pingpongist-lulishtaro-kullarist thote se per konsumtaroret familjare tvsh per energjine do shkoje ne 6%. Por me siguri ne fushate ka qene edhe nje cike aktor.

  2. Shkrim interesant, grafik edhe me interesant. Nje verejtje te vockel miqsore, per hir te saktesise, energjia nuk matet me kW (njesi e fuqise), por me kWh (lexo kilovat-ore). Pra cmimi prej x lek nuk eshte per kW, por per kWh. E kuptoj qe per shqiptaret nje gje e tille mbase nuk ka rendesi as sa nje bisht miu, por per kete shkrim, aq te goditur ne te gjitha aspektet, stonon.

  3. Shumë interesant shkrimi, si në përmbajtje ashtu dhe në stil. Një kombinim simpatik i informacionit me një nënton humori sarkazëm, pa shkuar megjithatë deri në cinizëm.

    Interesante do të ishte po ashtu përqindja e familjeve që konsumojnë më pak se 460 kwh në muaj, pra pjesa e konsumatorëve që goditen nga ndryshimi i tarifës (qarkullon një shifër, që 75% e konsumatorëve konsumojnë më pak se 300 kwh në muaj, pra i bie që të jenë diku tek 80-90% e familjeve me konsum mujor më të ulët se 460kwh, por nuk jam i sigurt, nëse ky 75% është i saktë).

    Kurse qeveria mund të na ndihmonte pak në shpërndarjen e mjegullës (e cila, padyshim, përhapet nga dashakeqësit, shqupsit dhe anti-rilindasit) duke bërë publik informacionin, se sa është rezultati i pritur në total nga ndryshimi i tarifës: më shumë të ardhura në arkën e shtetit, të ardhura konstante apo – larg qoftë – më pak të ardhura.

    1. Ideja që thoni ju është vërtet interesante. Për të nevojiten statistika të sakta. Unë jam në gjendje ta bëj me një laptop nga shtëpia – dhe brenda një dite – punën që bën për një muaj tërë Instituti i Statistikave, me tërë kompjuterët dhe stafin që mban në punë, dhe të paraqes çfarëdo produkti me të dhëna apo grafikë që nevojiten. Por nuk bëj dot një gjë, ama: të zëvendësoj shtetin. Sepse prodhimi i statistikave të sakta është punë e tërë institucioneve të shtetit të marra së bashku. Ndaj dhe ideja juaj është e parealizueshme. Të paktën për shumë vite që shkuan e për një numër ende të paqartë vitesh që do të vijnë.

  4. Dikush më tërhoqi vëmendjen tek një rregull i kompanisë që kryen furnizimin me energji, që kur kontatori familjar i energjisë tregon 0 kWh harxhim mujor, familja faturohet 200 L (të reja) thjesht për shërbimin e leximit të kontatorit. M’u duk e çuditshme, por e verifikova më pas tek një dokument me tabelën e çmimeve zyrtare, të cilin mund ta lexoni këtu: http://www.energjia.al/images/tabela_e_cmimeve_2012_2014.doc, mjafton të shkoni në fund të tabelës tek zëri “familjare”. Dokumenti duket se është zyrtar, edhe pse s’ka shenja të tilla në trup. (Diçka që vërehet në fund të dokumentit është çmimi mesatar i energjisë prej 9,53 L/kWh – çka përgënjeshtron edhe njëherë ato që thuhen lart e poshtë sot nga zyrtarë të ndryshëm se çmimi mesatar paska qenë 9.9 apo edhe 10 L/kWh dhe qeveria “ka vënë dorën në zemër” që e paska ulur këtë çmim në 9.5 L/kWh.)
    Sidoqoftë, informacioni i mësipërm, bashkë me diçka tjetër, më shtynë të bëj ndryshimet përkatëse në grafikun që kam ndërtuar. Fatura që i vjen në shtëpi një familjeje të emigruar që realisht harxhon 0 kWh energji në apartamentin apo shtëpinë e saj në Shqipëri, ndryshe nga ç’kam shkruar në shkrim, është respektivisht 532 L dhe 340 L. Në dokumentin më sipër thuhet po ashtu se fasha e parë e faturimit të energjisë është 300 kWh, por në faturat e mia të energjisë (në të cilat jam mbështetur për ndërtimin e grafikut), fasha e parë është 310 kWh dhe unë mbi këtë informacion e kam ndërtuar grafikun. Ky faturim me fashë 310 kWh më vjen prej muajsh që prej kohësh që s’i mbaj mend – kush dëshiron ta verifikojë ndër lexues, mjafton t’i hedhë një sy faturës së energjisë të muajve të fundit që ka në shtëpi vetë. Duhet të ketë një vendim të enteve rregullatore diku për këtë ndryshim, por unë s’jam në gjendje ta gjej tani për tani. Megjithatë, informacioni zyrtar flet për fashën 300 kWh, ndaj u shtrëngova që edhe këtë informacion ta marr parasysh dhe ta modifikoj grafikun. Nga ky modifikim, rezulton edhe një ndryshim tjetër: aty ku flas në shkrim për barazimin e pagesës në faturat e vjetra dhe të reja në pikën e konsumit prej 460 kWh, kjo pikë bie në nivelin 435 kWh. Faturimi i harxhimit komunitar të energjisë në dokumentin në fjalë rezulton po 8 L/kWh, si edhe në faturat e mia, ndaj këtë komponent nuk e kam ndryshuar në formulë (meqë në njoftimin e fundit të ERE nuk është dhënë asnjë informacion nëse edhe ky çmim ka ndryshuar dhe është bërë 9.5 L/kWh apo ka mbetur sa ç’ka qenë.) Po ashtu, për të shmangur ngatërresat ndër njerëz (e kush ka qejf të bëjë llogari me laps në dorë), i ndava më vete faturat për apartamentet e banimit nga faturat e shtëpive të banimit. Të gjitha këto ndryshime reflektohen në grafikun e ri, të cilin mund ta hapni duke klikuar këtë lidhje:

    https://docs.google.com/spreadsheets/d/16Q4hviXfV7FypS6LgoeF1ddJtXrJWK2QP3Ic7gZ_Et8/pubchart?oid=209685586&format=interactive.

    Do t’i lutesha Xha Xhait a ndonjë administratori tjetër ta zëvendësonte “linkun” e grafikut interaktiv në shkrimin në fjalë me linkun që kam sjellë këtu në koment. Pastaj, në dëshirojnë e kanë kohë, mund edhe t’i fshijnë ato rreshta me informacion të pasaktë në tekst, që nisin me fjalët “Për familjet që banojnë jo në apartamente, por në shtëpi private…” e deri në fund të atij paragrafi. Dhe, nëse kanë kohë, sigurisht, mund ta ndryshojnë në shkrim shifrën prej 460 kWh me shifrën e re prej 435 kWh.
    Megjithatë, edhe pse nuk ndërhyj dot në shkrimin e blogut, jam në gjendje ta modifikoj grafikun e vjetër dhe ato ndryshime të reflektohen pa ndërhyrjen e adminëve. Kështu, vërejtja e duledupicard ka gjetur pasqyrim në grafikun e vjetër (si dhe në grafikun e ri këtu më sipër), paçka se do të dëshiroja që grafiku i vjetër të zëvendësohej me këtë të riun. Sa për atë që shkruan anakalasi, s’bëj dot gjë, pasi informacioni i tij është në rang thashethemi – nuk ka asnjë vendim nga asnjë institucion që ta provojë një politikë të tillë. E di që niset nga dëshira e mirë që t’ua bëjë më të ëmbël faturën e re të energjisë nevojtarëve të cilët u rritet pagesa, por shteti funksionon me ligje e vendime, jo me llafe gazetash e blogjesh.

    1. Ergys, sapo i bëra ndryshimet e kërkuara – të lutem kontrolloji dhe më shkruaj në privat nëse duhet ndryshuar gjë tjetër.

      1. Është në rregull. Mendova t’i hedh në një koment ato ndryshime, edhe në formë ndjese e sqarimi me lexuesin për ato pasaktësi të mia në shkrim, paçka se duhej t’i kisha kërkuar me postë. E, si për t’u kërkuar ndjesë tamam lexuesve, është edhe grafiku i mëposhtëm, një grafik i ri që tregon qartë vetëm ndryshimet në pagesën mes faturës së re dhe faturës së vjetër të energjisë. (Nuk e ndërtoja dot atë grafik që kërkonte anakalasi, ndaj thashë ta zëvendësoj me këtë tjetrin, pasi për këto të dhënat ekzistojnë.) Ja dhe grafiku i diferencave:
        https://docs.google.com/spreadsheets/d/1Yo6iDdIdBBkv14KegekNr8PJarzwr_bNfkEiQvxzvsM/pubchart?oid=1378623805&format=interactive
        Kryeministri ynë thotë që s’është politikan, por piktor. Ishalla i pëlqejnë ngjyrat e këtij grafiku, ndërsa për shifrat le t’u kërkojë shpjegim specialistëve se si erdhi puna që të varfrit varfërohen akoma më shumë dhe janë të shtrënguar të harxhojnë edhe më pak energji nga deri tani, ndërsa të pasurit kursejnë para nga politikat e një qeverie të majtë dhe përfitojnë të harxhojnë akoma më shumë energji nga ç’kanë harxhuar deri më sot, pa paguar më tepër.

    2. Buxheti financiar per vitin 2015 i miratuar nga parlamenti perpara nja 10 ditesh me duket e kishte ze me vehte kompensimin e familjeve ne nevoje nga heqja e fashos prej 300 kwh ne muaj. Gjithashtu jane bere dhe disa llogaritje paraprake dhe deklarata e Ministrit Veliak eshte se do te jene rreth 204 mije familje qe do te perfitojne nga kjo skeme kompensimi. Pra nuk jane as thashetheme e as llafe gazetash e blogjesh. Ashtu sic e kishit ndertuar grafikun e pare me nje cmim prej 9.9 leke te bazuar ne nje njoftim jo zyrtar dhe pastaj e perditesuat me cmimin zyrtar prej 9.5 leke, ashtu mund te veproni edhe me masen e kompensimit. Pra e rendesishme eshte qe ta perfshimi ne formule. Jo per gjo, por qe te jeni sa me korekt me vehten t’uaj ne radhe te pare. Pasi keshtu sic e keni eshte prape e pasakte per nje kategori te madhe konsumatoresh dhe qe jane rreth 204 mije ose rreth 1/3 -ta e konsumatoreve familjare dhe per te cilat i adresohet grafiku juaj.

      1. E njoh fort mirë zërin që është miratuar në buxhetin e vitit 2015 për kompensimin e diferencës në faturat e energjisë që ju përmendni. Është një zë që është miratuar si çdo gjë tjetër që miraton parlamenti ynë, me hamendje, mbështetur mbi statistika të turbullta dhe pa një . Për këtë po ju jap dy shembuj.
        I pari: e ashtuquajtura Rrugë e Kombit u miratua me vendim parlamenti të financohej me 450 milion eurot e nevojshme për ndërtimin e saj. Shpejt financimi kërceu (po me vendim parlamenti) në 780 milion euro dhe, me kalimin e kohës, i kapërceu 1 miliard e 200 milion eurot (me disa vendime të tjera shtesë, që përfshijnë në llogaritje edhe interesat e borxheve marrë bankave nga shteti për këtë punë). Sot s’ka burrë nëne të të thotë sa është kostoja e vërtetë e Rrugës së Kombit, pavarësisht nga ç’është paguar deri tani e ç’do të paguhen interesa në të ardhmen.
        E dyta: nëna e kryeministrit është kryepensioniste familjare. Teorikisht duhet të përfshihet në këtë kategorinë e subvencionuar që ju pretendoni. Por në qoftë se mendoni se ajo rri shumicën e kohës pa ngrohje në shtëpi për të kursyer energji, sepse aq ia lejon pensioni të harxhojë (sado të lartë ta ketë), këtu besoj se po fantazoni. Si nëna e kryeministrit, ka edhe plot familje pensionistësh që, edhe pse bien në kategorinë që ju përmendni, marrin dërgesa financiare nga fëmijët në emigracion, ndaj bëjnë një jetë më komode e konsumojnë energji përmbi fashën që preket realisht nga ndryshimi i çmimit të energjisë. Këtë kategori ku do ta fusni? Teorikisht i bie të kompensohet, praktikisht jo.
        Dhe tërë këto paqartësi vijnë ngaqë ky shtet nuk ka statistika të sakta. Thjesht NUK i ka! Prandaj dhe ju sillni këtu muhabete kafenesh për kompensime 1000 lekëshe (të reja), kur realisht tavani i rritjes së çmimit për një familje që konsumon brenda fashës së vjetër është maksimumi 650 L dhe pastaj bëni edhe akrobaci sesi këto familje “kursekan” edhe 300 lekë nga kjo rritje çmimi me këtë politikë kompensimi. Bashkë me muhabetet e gazetave për kompensime familjesh, ku një gazetë thotë 200 mijë, një tjetër 500 mijë e një tjetër 800 mijë. Më thoni vendimin e qeverisë ku thuhet shprehimisht cilat familje, sa do të kompensohen dhe me ç’modalitete do të kryhet ky kompensim, apo më sillni statistikat e sakta me databazën se ku e mbështesni argumentin tuaj. Dhe ju premtoj se do t’jua prodhoj në çast grafikun që kërkoni. Pesë minuta kohë më duhet për të, më pak nga ç’m’u desh të shkruaja këtë përgjigje.

        1. “Thjesht NUK i ka! Prandaj dhe ju sillni këtu muhabete kafenesh për kompensime 1000 lekëshe (të reja), kur realisht tavani i rritjes së çmimit për një familje që konsumon brenda fashës së vjetër është maksimumi 650 L dhe pastaj bëni edhe akrobaci sesi këto familje “kursekan” edhe 300 lekë nga kjo rritje çmimi me këtë politikë kompensimi.”

          Pavaresisht menyres se te berit debat qe shfaqni, me grafikun qe keni paraqitur jeni i pasakte, pasi nuk merni ne konsiderate kompensimin financiar te perfshire tashme ne buxhetin e vitit 2015 per nje kategori konsumatoresh te shumte ne nevoje dhe qe jane perllogaritur ne 204 mije abonente. Nese une bera akrobaci me 300 leke kursim, ju shpifni pa ndrojtje kur thoni qe: “Sidomos ata të fashës 200-350 kW, çka është dhe fasha e konsumit normal të shtresave më nevojtare (të papunët, pensionistët, etj) do ta ndjejnë më shumë se kushdo tjetër diferencën rritëse në koston e energjisë.”. Shume shpejt do te vertetohet se kush ka te drejte. Deri atehere gezuar vitin e ri!

          1. Meqë s’ju pëlqen kjo formë diskutimi, ja, po e kthejmë ndryshe.
            Fatura familjare e muajit tetor (se këtë gjeta nga faturat e vjetra në sirtar, mbetur pa hedhur) është 3145 L, dhe i korrespondon një konsumi familjar apartamenti prej 305 kwh. Për hir të argumentit dhe vetëm për hir të tij, le ta zëmë se ky do të jetë, për shembull, edhe konsumi i muajit janar (fatura e të cilit do të vijë në shkurt), kohë kur çmimi i ri i energjisë është bërë efektiv. Me këtë çmim të ri, konsumit 305 kwh i korrespondon fatura prej 3769 L. Shtesa e pagesës së faturës së energjisë është 624 L. Kryeministri thotë që nuk ka rritje çmimi – dhe unë i besoj fjalës së tij, se nga televizori të paktën duket burrë i ndershëm. Problemi është se në shkurt unë prapë do të paguaj 624 lekë më shumë energjinë e janarit, për të njëjtin konsum energjie.
            Tani, meqë ju duket keni njohuri më shumë se unë nga kjo punë, më thoni ju lutem sa do të kompensohem unë për këtë diferencë pagese të shtuar (meqë s’them dot rritje çmimi, se pastaj më sulet kryeministri e më thotë “hajdut”, siç u ka thënë ndjekësve të vet në rrjetet sociale) dhe ku do t’i marr, të plota a të pjesshme, këto para kompensimi në shkurt. Se unë në shkurt e paguaj faturën e janarit dhe pres (meqë ju jeni i sigurt se do të kompensohem për këtë ndryshim) që po në shkurt edhe të kompensohem. Veç një kërkesë kam: mos shtini në punë fantazinë për të më dhënë përgjigje. Më thoni se në bazë të filan ligji a vendimi qeverie, mua më takon të marr aq e kaq lekë kompensim dhe, mbështetur po në ato akte ligjore a nënligjore, këtë kompensim do ta marr në aksh vend e në aksh kohë dhe kaq.
            E pres përgjigjen tuaj me po aq argumente e referenca të forta, sa ç’shkruanit edhe më sipër.