Në një artikull para disa muajsh në këtë revistë u mundova të shpjegoj një nga arsyet për të cilat protestat në Tiranë filluan më në fund, mbas kaq vitesh keq-qeverisje dhe korrupsion. Një nga arsyet kryesore është paqartësia e ligjit të pronave dhe mungesa e pronësisë mbas 36 vjetësh demokraci. Ky është një dështim kolosal i shtetit të së drejtës, dhe, ndërsa ligji për investimin strategjik uzurpon të drejtën e banorëve që kanë jetuar në tokën e tyre me dekada, konflikti midis shtetit dhe qytetarit rritet. Megjithatë, kjo arsye, në izolim, nuk e shpjegon dot lodhjen me politikën dhe inatin masiv që shihet në protesta. Ndonëse çështja e pronave është shumë e rëndësishme për një pjesë dërrmuese të qytetarëve, zakonisht protesta të këtij lloji fillojnë kur kushtet ekonomike përkeqësohen mjaftueshëm për një pjesë të madhe të shoqërisë. Ndonëse shprehja e pakënaqësisë është politike, arsyet thelbësore janë ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, niveli i çmimeve e ka bërë vendin të papërballueshëm nga qytetari mesatar. Kjo është diçka që ndihet në jetën e përditshme, po një krahasim statistikor me vendet e rajonit dhe më tej do të ishte i dobishëm për të parë sa e shtrenjtë është Shqipëria me të vërtetë.
Le ta fillojmë me një krahasim të thjeshtë nga Eurostati. Dy kolona: e para është niveli i përgjithshëm i çmimeve si përqindje e mesatares së BE-27; e dyta është PBB-ja nominale për frymë si përqindje e mesatares së BE-27. Shqipëria ka nivel të përgjithshëm çmimesh 72.6% të mesatares së BE-së dhe PBB nominale për frymë 27.7%. Të ardhurat reale të Shqipërisë janë tejet të ulta për nivelin e çmimeve.
| Niveli i çmimeve dhe PBB nominale për frymë | ||
| 2025; BE-27 = 100 | ||
| Vendi | Niveli i çmimeve | PBB/frymë nominale (BE-27 = 100) |
|---|---|---|
| Bosnja dhe Hercegovina | 59.2 | 20.4 |
| Shqipëria | 72.6 | 27.7 |
| Maqedonia e Veriut | 54.8 | 22.3 |
| Mali i Zi | 66.1 | 31.5 |
| Serbia | 68.0 | 32.5 |
| Bullgaria | 62.5 | 43.4 |
| Hungaria | 77.5 | 55.2 |
| Kroacia | 78.4 | 57.5 |
| Rumania | 65.1 | 47.9 |
| Polonia | 73.3 | 59.3 |
| PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. PLI-të janë tregues krahasues dhe nuk synojnë renditje strikte të vendeve. | ||
Le të fokusohemi pak më shumë tek çmimet e ushqimeve, se ato janë çmimet që dhembin më shumë sepse janë të përditshme. Tabela që vijon është e njëjta gjë si më sipër: sa pë rqind të çmimeve ushqimore europiane janë çmimet tona, sa për qind të të ardhurave europiane kemi ne dhe raporti. Në mallra ushqimore Shqipëria është dhe më e papërballueshme, me 103.8% të çmimeve europiane, dhe me 27.7% të të ardhurave.
| Kush e ka ushqimin më të shtrenjtë kundrejt të ardhurave | |||
| Ushqim dhe pije joalkoolike, 2025; BE-27 = 100 | |||
| Vendi | Niveli i çmimeve të ushqimit | PBB/frymë nominale (BE-27 = 100) | Raporti |
|---|---|---|---|
| Bosnja dhe Hercegovina | 85.8 | 20.4 | 4.21 |
| Shqipëria | 103.8 | 27.7 | 3.75 |
| Maqedonia e Veriut | 74.8 | 22.3 | 3.35 |
| Serbia | 97.1 | 32.5 | 2.99 |
| Mali i Zi | 86.5 | 31.5 | 2.75 |
| Bullgaria | 92.6 | 43.4 | 2.14 |
| Kroacia | 105.5 | 57.5 | 1.83 |
| Hungaria | 95.2 | 55.2 | 1.72 |
| Rumania | 79.8 | 47.9 | 1.67 |
| Polonia | 89.5 | 59.3 | 1.51 |
| PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara.. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. | |||
Një nga arsyet (jo kryesorja) që ushqimet janë shumë të shtrenjta në Shqipëri është se taksohen në 20%. Përveç Bullgarisë, vendet e tjera e taksojnë shumë më pak.
| Çmimet e ushqimit | ||
| Indeksi i ushqimit dhe TVSH-ja për ushqime, 2025 | ||
| Vendi | Indeksi i ushqimit (BE-27 = 100) | TVSH për ushqime |
|---|---|---|
| Bosnja dhe Hercegovina | 85.8 | 17% |
| Shqipëria | 103.8 | 20% |
| Maqedonia e Veriut | 74.8 | 5% |
| Serbia | 97.1 | 10% |
| Mali i Zi | 86.5 | 7% |
| Bullgaria | 92.6 | 20% |
| Kroacia | 105.5 | 5% / 13% |
| Hungaria | 95.2 | 5% / 18% / 27% |
| Rumania | 79.8 | 9% → 11% (nga 1 gusht 2025) |
| Polonia | 89.5 | 5% (shumica) |
| TVSH-ja për ushqime ndryshon sipas produktit; prandaj kjo kolonë jep normën kryesore ose intervalin, jo një mesatare të ponderuar të shportës. | ||
Kjo është politikë tejet regresive sepse Shqipëria harxhon më shumë si përqindje e konsumit total në ushqim se çdo vend tjetër në listë. Sidomos për më të varfrit, që harxhojnë pjesën më të madhe në ushqim.
| Sa e madhe është pesha e ushqimit në shpenzimet familjare | |
| Ushqim dhe pije joalkoolike si pjesë e konsumit final të familjeve, 2025 | |
| Vendi | Pjesa e shpenzimeve për ushqim |
|---|---|
| Shqipëria | 31.8% |
| Bosnja dhe Hercegovina | 31.3% |
| Maqedonia e Veriut | 31.1% |
| Mali i Zi | 28.1% |
| Serbia | 23.4% |
| Rumania | 22.7% |
| Kroacia | 22.3% |
| Bullgaria | 20.9% |
| Polonia | 18.2% |
| Hungaria | 17.4% |
| Llogaritja: shpenzimet nominale për ushqim dhe pije joalkoolike / konsumi final nominal i familjeve. | |
Një nga problemet kryesore të këtyre krahasimeve është se euro ka rënë ndjeshëm kundrejt lekut. Kur çmimet shqiptare shndërrohen në euro, një lek më i fortë i bën ato të duken më të larta në krahasim me vendet e tjera, edhe nëse çmimet në lekë nuk janë rritur në të njëjtën masë. Kjo do të thotë se një pjesë e nivelit të lartë të çmimeve të shprehur në euro mund të vijë nga kursi i këmbimit, jo vetëm nga çmimet vendase.
Por tabela që vijon shmang pikërisht këtë problem. Ajo e përshtat pagën me fuqinë blerëse të ushqimit: paga dhe çmimet e ushqimit maten fillimisht në monedhën vendase, prandaj kursi i këmbimit anulohet. Me fjalë të tjera, ajo nuk thotë sa euro vlen paga shqiptare, por sa ushqim mund të blejë ajo pagë në krahasim me pagat në vendet e tjera. Edhe me këtë masë, Shqipëria del e fundit në listë. Paga mesatare Shqiptare blen më pak se çdo vend tjetër.
| Sa ushqim mund të blejë paga | |||
| Paga mesatare bruto mujore e përshtatur me PPP-në e ushqimit, 2025 | |||
| Vendi | Paga bruto mujore (€) | Indeksi i ushqimit (BE-27 = 100) | Pagë e përshtatur për ushqim (PPS) |
|---|---|---|---|
| Polonia | 2,100 | 89.5 | 2,346 |
| Rumania | 1,806 | 79.8 | 2,264 |
| Kroacia | 2,016 | 105.5 | 1,911 |
| Hungaria | 1,772 | 95.2 | 1,862 |
| Maqedonia e Veriut | 1,102 | 74.8 | 1,473 |
| Bosnja dhe Hercegovina | 1,246 | 85.8 | 1,452 |
| Bullgaria | 1,331 | 92.6 | 1,437 |
| Mali i Zi | 1,206 | 86.5 | 1,394 |
| Serbia | 1,289 | 97.1 | 1,328 |
| Shqipëria | 857 | 103.8 | 826 |
| Formula: paga bruto mujore në monedhë vendase / PPP-ja e ushqimit. Në tabelë është e barasvlershme me paga në € × 100 / indeksi i ushqimit; kështu kursi i këmbimit anulohet. Vlerat e përshtatura llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. | |||
Paga reale (paga e pjesëtuar me nivelin e përgjithshëm të çmimeve) Shqiptare është më e ulëta në listë.

Po banesat? Këtu Shqipëria vazhdon të jetë më e papërballueshmja, duke zënë vendin e parë në listë. Te grafiku i banesave, efekti i kursit shkon në drejtim të kundërt. Çmimet e banesave jepen në euro; një lek më i fortë e rrit vlerën në euro të pagës shqiptare dhe, rrjedhimisht, e ul numrin e pagave vjetore të nevojshme për blerje. Pra, kursi aktual e bën banesën të duket më e përballueshme, jo më pak e përballueshme. Rezultati i dobët i Shqipërisë në këtë grafik nuk shpjegohet nga dobësimi i euros; përkundrazi, kursi e zbut atë.

Si përmbledhje; Shqipëria është tërësisht e papërballueshme për një qytetar mesatar. Shumica e njerëzve që ngrihen në protestë e bëjnë këtë sepse u ka ardhur thika në kockë, nuk kanë ç’të bëjnë më. Fëmijët u ikin se nuk e përballojnë dot Shqipërinë me rrogat e tregut, dhe ata vetë jetojnë çalë çalë me pensionet që mezi u dalin. Këto 5 vitet e fundit e kanë bërë Shqipërinë vend ku mund të jetojë vetëm dikush që ka të ardhura europiane, për të tjerët Shqipëria ka rroga shqiptare me çmime gjermane.
(c) 2026 Elton Dusha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Shënim: burimet e të dhënave për tabelat më lart i gjeni këtu:
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.