Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

PROTESTAT NË SHQIPËRI: PSE PIKËRISHT TANI?

Kur gardhi dhe telat me gjemba pushtuan zonën e mbrojtur rreth Zvërnecit, përgjigjja e menjëhershme me protesta lokale kundër projekteve turistike në Nartë, Sazan dhe Zvërnec shënoi një kthesë të menjëhershme në atmosferën shqiptare. Që nga 23 maji, protestat vetëm  janë zgjeruar dhe shumë shpejt mbërritën në zemër të Tiranës, ndërsa  numri i pjesëmarrësve vijon të rritet. Kjo situatë nuk ka vonuar të pasqyrohet edhe në mediat ndërkombëtare, paçka se këto të fundit e kanë përqendruar vëmendjen kryesisht te Jared Kushner dhe Ivanka Trump, duke qenë ky aspekti më tërheqës për audiencën e jashtme. Por protestat shtrihen përtej një projekti të vetëm, duke përfshirë një gamë të gjerë problemesh: protestohet për abuzimin sistematik me pronën dhe shpronësimin në vend, për korrupsionin e elitave në të dyja partitë e mëdha dhe për një krizë papërballueshmërie që po i shtyn të rinjtë të largohen masivisht nga vendi. Zvërneci ishte pika që mbushi kupën, por kjo histori ka vite që zien. Qeveria shqiptare i ka shitur botës një imazh modern, turistik dhe vezullues të Shqipërisë. Por për shumicën e qytetarëve, ky imazh s’ka shumë lidhje me jetën e përditshme me të cilën përballen.

Zvërneci nuk është rast i izoluar. Gjatë viteve të fundit ka patur vatra të ngjashme protestash në të gjithë vendin, megjithëse asnjëra nuk arriti të shpërthejë e të përhapet sa kjo e fundit. Në Rrjoll, banorët kanë muaj që përplasen me policinë dhe kërkojnë ndalimin e punimeve për një resort të shpallur investim strategjik, duke protestuar se prona u është marrë përmes dokumenteve të falsifikuara. Në Tragjas, banorët protestuan kundër një projekti ujësjellësi që, sipas tyre, do ta devijonte ujin e fshatit drejt vilave dhe hoteleve luksoze në bregdetin e Himarës, duke i lënë pa ujë. Në Theth, banorëve që u ishin premtuar tituj pronësie, legalizim dhe mbështetje për truallin e trashëguar e turizmin familjar, më pas iu shkuan fadromat dhe policia për të shembur ndërtime që shteti i quajti të paligjshme. Në luginën e Shushicës, dhjetëra fshatra kanë protestuar për më shumë se një vit kundër devijimit të ujit të lumit drejt Himarës, duke hapur procese gjyqësore dhe duke ngritur një çadër simbolike rezistence për të ndalur punimet. Rastet janë të ndryshme, por struktura është e njëjtë: për dekada me radhë, shqiptarët kanë jetuar me toka që mund t’i kenë pasur në përdorim, por në një pjesë të mirë të rasteve nuk mund t’i shisnin ose t’i blinin; kanë ndërtuar në toka që i konsideronin të tyret, por që ligjërisht nuk ishin të tilla. Por si arritëm deri në këtë pikë?

Burimi i këtij lëmshi ligjor është Ligji 7501, i miratuar në vitin 1991 për shpërndarjen e menjëhershme të tokës bujqësore pas rënies së komunizmit. Ligji zgjidhi nevojën e menjëhershme për shpërndarje, por nuk zgjidhi çështjen e titujve të pronësisë së trashëguar historikisht. Ky ligj mund të funksiononte vetëm duke mos i konsideruar legjitime kërkesat për rifitimin e  pronësive të sekuestruara nga kolektivizimi, duke ndërtuar kështu një rend të ri pronësor paralel me të vjetrin. Për më tepër, Ligji 7501 bënte një diferencim midis tokës në pronësi dhe asaj në përdorim. Ajo që ndodhi ishte që disa familje morën tokë me titull pronësie, disa të tjera kishin vetëm tokë në përdorim. Ky dallim ishte pothuajse i padukshëm në jetën e përditshme. Edhe ata që kishin vetëm të drejtën e përdorimit të tokës e punonin, e rrethonin, e trashëgonin dhe e trajtonin atë si të tyren. Por ligjërisht, përdorimi nuk ishte pronësi; dhe as pronësia nuk ishte gjithmonë një titull i plotë dhe i regjistruar në kadastër.

Ndërkohë, ish-pronarët dhe trashëgimtarët e tyre, përmes një kanali tjetër ligjor,  kërkuan më vonë kthimin, kompensimin ose njohjen e të drejtës së pronës së tyre, duke krijuar regjime paralele: shpërndarjen pas vitit 1991, pretendimet e pronësisë para komunizmit, regjistrimin kadastral dhe titullin përfundimtar të pronësisë.

Mekanizmi i shpronësimit qëndron pikërisht në hendekun mes këtyre kategorive: përdorimit, posedimit, kufijve tradicionalë, AMTP-ve, hartave kadastrale dhe pretendimeve për kthim pronësie. AMTP-ja, Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi, supozohej të shërbente si urë lidhëse mes shpërndarjes së tokës dhe pronësisë private, por edhe ai duhej të regjistrohej, hartëzohej dhe pajtohej me pretendime të tjera ekzistuese mbi të njëjtën tokë. Si rrjedhojë, pretendimi  i qytetarit mund të shfuqizohej në cilëndo prej hallkave të mësipërme: mund të ndryshohej kufiri i pronës, mund të riklasifikohej toka, AMTP-ja mund të kontestohej, mund të shfaqej një pretendues tjetër, ose çështja mund të zvarritej në gjykatë për vite me radhë.

Ligji i vitit 2020 për përfundimin e proceseve në tranzicion të pronësisë ilustron me së miri sa i papërfunduar mbeti ky sistem. Ky ligj synon të shndërrojë pretendimet e pazgjidhura në pronësi legjitime, por njëkohësisht lejon institucionet të vonojnë, pezullojnë, ose refuzojnë regjistrimin për shumë arsye. Dhe më e rëndësishmja: toka bujqësore nuk mund t’i kalojë lirisht në pronësi përdoruesit nëse ajo është tashmë objekt i një investimi strategjik. Në praktikë, nëse investitori shfaqet para se përdoruesi të marrë titullin e pronësisë, vetë statusi i investimit strategjik mund të bëhet arsyeja pse përdoruesi nuk bëhet kurrë pronar.

Pikërisht për këtë arsye  mjegulla ligjore e sistemit nuk duket më si një dështim i përkohshëm i tranzicionit, por si logjika operative e vetë sistemit. Qytetarët e zakonshëm ngecin në një limbo ligjore, ndërsa ata që kanë akses në kadastër, zyra shtetërore e pushtet politik mund të navigojnë lehtësisht brenda saj. Labirinti është i padepërtueshëm për qytetarin, por tejet frutdhënës për të lidhurit me pushtetin. Ai e mban pronësinë mbi tokën të papërcaktuar derisa toka bëhet e vlefshme, duke u lejuar më pas të lidhurve me pushtetin ta kthejnë këtë  paqartësi në pronësim, leje dhe projekte. Në këtë kuptim, paqartësia nuk është aksident. Është mjeti përmes së cilit kryhet shpronësimi.

Ligji për investitorët strategjikë është elementi institucional që e shndërron këtë paqartësi pronësore në zhvillim ekonomik. Ky ligj u prezantua si një mënyrë për të tërhequr investime të mëdha vendase dhe të huaja, duke u ofruar projekteve të rëndësishme procedura të përshpejtuara administrative, një “sportel të drejtpërdrejtë” me shtetin dhe mbështetje të veçantë nga institucionet publike.

Turizmi është një nga sektorët e mbuluar nga ky ligj. Në momentin që një projekt merr statusin e investimit strategjik, ai bëhet projekt i “interesit publik”, dhe favorizohet me procedura të përshpejtuara, koordinohet nga institucionet qendrore dhe ka të drejtë të mbështetet me dokumentacion, infrastrukturë, konsolidim toke dhe, në raste të veçanta, edhe shpronësim.

Në një sistem normal pronësie, kjo mund të ishte thjesht një nxitje për zhvillim ekonomik. Por në sistemin shqiptar, ku pronësia shpesh mbetet ende e pazgjidhur, ky ligj merr një peshë shumë më të madhe. Statusi i investitorit strategjik i lejon shtetit të dalë hapur në krah të investitorit, edhe kur çështjet dhe mosmarrëveshjet mbi pronësinë janë ende të pazgjidhura. Në momentin që projekti merr statusin strategjik, pretendimi i banorëve bëhet më i ndërlikuar. Këtu qëndron pabarazia.

Në këtë mënyrë,toka merret pa pasur nevojë për një akt të hapur konfiskimi. Shtetit nuk i bie barra të thotë që njerëzit nuk kanë asnjë lidhje me tokën. Mjafton të thotë se kjo lidhje nuk është plotësisht e ligjshme. Kanë pasur të drejtën e përdorimit të tokës, por nuk e kanë pasur në pronësi. E kanë pasur në pronësi, por nuk e kanë regjistruar. Kanë pasur AMTP, por harta ka qenë e paqartë. Dhe kështu me radhë, pa fund. Ndërkohë që qytetarit i kërkohet të presë  qartësim ligjor, toka është tashmë rrethuar, transformuar dhe përvetësuar me dokumenta të ligjshme nga investitori strategjik.

Kjo tingëllon thjesht teorike, derisa sheh Rrjollin dhe Zvërnecin. Në Rrjoll, banorët thonë se toka që kishin trashëguar dhe e konsideronin të tyren u shndërrua, përmes dokumenteve dhe institucioneve, në tokë të disponueshme për një resort luksoz. Ata akuzojnë se prona u përvetësua nga një ish-zyrtar i zyrës së regjistrit të pronave, ndërsa vetë projekti që mori leje ndërtimi nga qeveria në dhjetor 2024, shtrihet në rreth 147 hektarë mes ligatinës së Vilunit dhe Ranës së Hedhun, dhe pritet të përfitojë nga statusi i investitorit strategjik. Problemi nuk qëndron vetëm te mosmarrëveshja mbi pronësinë. Thelbi i diskutimit është se personi që ata akuzojnë vjen nga vetë institucioni që duhej të regjistronte dhe mbronte pronën e tyre.

Zvërneci është e njëjta histori, por me një sipërfaqe toke shumë më të madhe. Pothuajse 30 vjet pas shpërndarjes së tokës, banorët pranë lagunës së Nartës ende nuk kanë marrë certifikata pronësie, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria konstatojnë se pjesë të tokës në fjalë u janë transferuar rrjeteve të lidhura me grabitjen e tokave bregdetare.përmes dokumenteve të falsifikuara. Prapa projektit aktual qëndrojnë individë dhe kompani që pretendojnë pronësi të mbi më shumë se 2.5 milionë metrave katrorë në Zvërnec dhe Nartë. Këta zinxhirë pronësie përfshijnë një ish-avokat dhe mbikëqyrës pronash i dënuar për falsifikim dokumentesh pronësie toke, si dhe një kompani në pronësi të familjes së një ish-kryetari të Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili më parë kishte qenë gjykues dhe kishte marrë vendime mbi çështje të lidhura me të njëjtin rrjet.

E përsëri mbetet pyetja: pse pikërisht tani? Në vijim po paraqes dy hipoteza që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, e forcojnë atë dhe kanë krijuar kushtet për një stuhi të përsosur politike. Projektet në Zvërnec, Nartë dhe Sazan njihen ndërkombëtarisht sepse përfshijnë aktorë të huaj me emra të mëdhenj mediatikë, por ato janë vetëm maja e ajsbergut. Nën të ndodhet një model i tërë i ndërtuar prej vitesh.

Me pak fjalë: Shqipëria është e bllokuar mes një dritareje ligjore në mbyllje dhe një modeli ekonomik që po kalbëzohet. Harmonizimi me ligjet e Bashkimit Europian po e ngushton hapësirën kohore ku titujt e paqartë të pronës, vlerësimet e dobëta mjedisore dhe statusi i investitorit strategjik përdoren për të ekzekutuar projekte përpara se qytetarët të dinë saktësisht se çfarë zotërojnë ligjërisht.

Në të njëjtën kohë, ekonomia shqiptare është bërë rrezikshmërisht e varur nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Nëse ky sistem ndalon papritur, vendi rrezikon të hyjë në recesion, pasi një pjesë e konsiderueshme e rritjes ekonomike, kredive, punësimit dhe pushtetit politik është e lidhur drejtpërdrejt me ndërtimin. Për këtë arsye qeveria vazhdon të shtyjë projekte të reja, sepse ka ndërtuar një ekonomi që është gjithnjë e më shumë e varur nga to. Dhe sa më shumë rritet kjo varësi, aq më shumë rritet presioni mbi tokën si dhe gjasat e konfliktit dhe përplasjeve me komunitetet lokale.

Për më tepër, ky më lart as që mund të konsiderohet një model zhvillimi. Është një model grabitje-shfrytëzimi (një përkthim shumë i çalë i extractive rentier model): toka kthehet në aset, aseti në pushtet politik dhe financiar, ndërsa qytetarit të zakonshëm i mbetet të përballet me çmime ë papërballueshme strehimi, të drejta pronësie të pagarantuara nga ligji, dhe me gjithnjë e më pak arsye për të qëndruar në Shqipëri. Fitimet përqendrohen te një rreth i ngushtë ndërtuesish, zyrtarësh, personazhesh mediatike dhe investitorësh të lidhur me pushtetin.

Për shqiptarin e thjeshtë mbetet vetëm bërryli. Të rinjtë po votojnë me këmbë dhe po largohen, ndërsa ata pak që mbeten përballen me një treg pune më të limituar, kosto më të larta jetese dhe me shumë pak mundësi për t’u përfshirë në ekonominë që po ndërtohet rreth tyre. Emigracioni pastaj e thellon problemin: sa më shumë tkurret popullsia në moshë pune, aq më shumë vendi mbështetet te ndërtimi, turizmi dhe pasuritë e paluajtshme, në vend që të zhvillojë një bazë me të gjerë prodhuese.

Ky ka qenë modeli i gjashtë viteve të fundit, i cili po shfaq shenjat e para të krizës. Protestat janë momenti kur ata që janë përjashtuar nga ky model kanë vendosur të përballen me ata që përfitojnë prej tij.

Hipoteza1:  Anëtarësimi në BE dhe harmonizimi

Këtu hyn në lojë procesi i anëtarësimit në BE. Teorikisht, sa më shumë Shqipëria t’i afrohet BE-së, aq më të forta dhe të garantuara duhet të bëhen të drejtat e pronës. Brukseli po i kërkon Shqipërisë të vendosë rregull në sistemin e saj të pronësisë, i cili ka qenë kaotik që nga vitet 1990. Për qytetarët, ky duhet të ishte lajm i mirë: fundi i limbos ligjore. Por për ata që kanë përfituar nga kjo limbo përmes aksesit politik, dokumenteve të falsifikuara dhe kufijve të paqartë, procesi europian përbën kërcënim.

Kjo është arsyeja e parë pse gjërat po ndodhin tani. Sa më shumë afrohet Shqipëria me BE-në, aq më e vështirë do të bëhet përfitimi nga një sistem i vagullt ligjor. Një truall që sot mund të kalohet nga një kategori në tjetrën ose të futet brenda një projekti strategjik, nesër mund të duhet të regjistrohet formalisht, të hartëzohet dhe të mbrohet sipas standardeve europiane të shtetit ligjor. Kjo ndryshon taktikën e lojës. Nëse pretendimi yt mbi tokën favorizohet nga paqartësia ligjore, nuk të leverdis të presësh që ligji të qartësohet. Të leverdis të lëvizësh menjëherë.

Prandaj vrulli për të zhvilluar bregdetin duhet kuptuar si një garë për të krijuar fakte të kryera në terren. Në momentin që nis ndërtimi, ndryshon tërësisht balanca e pushtetit. Mosmarrëveshja nuk është më nëse projekti duhet të bëhet, por çfarë do të bëhet me një projekt që tashmë ka nisur, i mbështetur nga shteti, nga investitorët, nga premtimet për punë e turizëm dhe nga gjuha e “interesit publik”. Njerëzve që kanë pasur pretendime mbi tokën për dekada u thuhet se çështja e tyre është e ndërlikuar, e paplotë ose ligjërisht e mangët. Investitori, ndërkohë, vjen me një projekt që qeveria e ka shpallur tashmë strategjik.

E njëjta logjikë vlen për mjedisin. Rruga drejt BE-së kërkon studime dhe vlerësime serioze të impaktit mjedisor, konsultim publik, menaxhim konkret të zonave të mbrojtura dhe përafrim me standardet europiane. Kjo bie ndesh me modelin aktual të zhvillimit, sepse shumë prej projekteve më fitimprurëse po shtyhen drejt plazheve, pyjeve, maleve, parqeve kombëtare dhe peizazheve të mbrojtura, pra pikërisht në ato zona ku rregullat e BE-së do ta bënin kontrollin shumë më të rreptë dhe miratimin shumë më të vështirë.

Zvërneci dhe Narta janë në qendër të kësaj kontradikte. Qeveria fillimisht dobësoi mbrojtjen e zonës, duke e kaluar Pishë Poro–Nartën nga një kategori më e rreptë mbrojtjeje në një më pak kufizuese, pasuar nga një reduktim i sipërfaqes së mbrojtur, duke lënë mijëra hektarë jashtë statusit. Më pas ndryshoi dhe kuadrin kombëtar të zonave të mbrojtura në mënyrë që projektet turistike dhe infrastrukturore të justifikoheshin më lehtë.

Por procesi i anëtarësimit në BE po e shtyn Shqipërinë në drejtimin e kundërt: vlerësimet e ndikimit mjedisor dhe konsultimet publike duhet të bëhen reale, ndërsa projektet që dëmtojnë ekosisteme të ndjeshme do të bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u mbrojtur. Edhe këtu, pra, llogaria është e njëjtë: vepro para se dritarja të mbyllet. Mirato projektin tani. Rretho tokën tani. Sill ekskavatorët tani. Pasi rruga të jetë hapur, rëra të jetë gërmuar dhe bregdeti të jetë transformuar, natyra e debatit ndryshon vetë.

Ky është paradoksi i pasojave të pallogaritura. Bashkimi Europian po përpiqet të korrigjojë sistemin që bëri të mundur shpronësimin. Por pikërisht sepse reforma është graduale, ajo krijon një dritare që po mbyllet. Qeveria e di se hapësira e saj për manovrim po zvogëlohet. Ajo e di se tituj më të qartë pronësie, gjykata më të forta dhe vlerësime më serioze mjedisore do ta bëjnë këtë lloj zhvillimi më të vështirë në të ardhmen. Prandaj incentiva është të veprohet tani, ndërsa institucionet janë ende të dobëta, kadastra ende e papërfunduar dhe qytetarët ende të pasigurt për atë që zotërojnë. Në këtë kuptim, Zvërneci nuk po ndodh në mënyrë të pavarur nga rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së. Po ndodh pikërisht sepse të gjithë e ndjejnë se taktikave korruptive e përfituese të deritanishme mund t’iu vijë  fundi së shpejti.

Kjo e shton nxitjen për të miratuar projekte dhe, rrjedhimisht, edhe mundësinë e përplasjes mes komuniteteve lokale dhe projekteve të mëdha që i shpronësojnë nga toka.

Dëshmia për këtë ngutje gjendet në të dhënat mbi lejet e ndërtimit.  Gjatë dy-tre viteve të fundit, qeveria ka miratuar projekte gjithnjë e më të mëdha dhe më të shtrenjta. Në vitin 2024, sipërfaqja e miratuar për ndërtim u rrit me 18%. Përshpejtimi duket më qartë në mesin e vitit 2024: vetëm në tremujorin e dytë dhe të tretë u miratuan rreth 1.66 milionë metra katrorë sipërfaqe e re ndërtimi, gati 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023, ndërsa vlera e lejeve u rrit me më shumë se 50%. Tirana zinte më shumë se 1.35 milionë metra katrorë në këta dy tremujorë. Në fillim të vitit 2026, ritmi i rritjes vazhdonte: lejet e tremujorit të parë ishin 24.8% më të larta se një vit më parë, dhe ndërtesat jo-rezidenciale – përfshirë hotelet dhe strukturat e tjera turistike – përbënin më shumë sipërfaqe të miratuar sesa ndërtesat e banimit. Ky është revanshi i ndërtimit: projekte më të mëdha, më të kushtueshme dhe një aparat shtetëror gjithnjë e më i orientuar drejt shndërrimit të tokës në beton përpara se rregullat të ndryshojnë.

Hipoteza 2: Makroekonomia

Shpjegimi i dytë është edhe më i pakëndshëm: Shqipëria e ka futur veten në kurth. Ndërtimi nuk është më thjesht një sektor i ekonomisë. Ai është bërë mekanizmi përmes të cilit prodhohen rritja ekonomike, kreditë bankare, patronazhi politik dhe imazhi i modernizimit kombëtar. Kur një qeveri bëhet kaq e varur nga ndërtimi, ajo nuk mund ta lejojë lehtësisht ngadalësimin e këtij sektori. I duhen vazhdimisht projekte të reja, leje të reja, resorte të reja, kulla të reja dhe tokë e re për zhvillim. Një ngadalësim do të kërcënonte rritjen e PBB-së, bilancet e bankave, të ardhurat e pushtetit vendor dhe të gjithë narrativën qeveritare për Shqipërinë si një ekonomi moderne turistike evropiane.

Shifrat e tregojnë qartazi se sa e thellë është bërë kjo varësi. Në vitin 2024, ndërtimi përbënte 14.4% të vlerës së shtuar bruto të Shqipërisë, përqindja më e lartë në Europë dhe pothuajse trefishi i mesatares së BE-së. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, vetëm sektori i ndërtimit kontribuoi me 1.17 pikë përqindjeje në rritjen vjetore prej 3.8% të PBB-së, ndërsa pasuritë e paluajtshme shtuan edhe 0.32 pikë përqindjeje të tjera. Thënë ndryshe, një pjesë e madhe e rritjes ekonomike të deklaruar vjen nga e njëjta makineri: tokë, leje, ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe pritshmëria se çmimet do të vazhdojnë të rriten.

Një studim i fondacionit gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung ofron një pamje edhe më të detajuar. Midis viteve 2015 dhe 2024, në Shqipëri u miratuan 11.48 milionë metra katrorë ndërtime të reja rezidenciale, me vlerë tregu të vlerësuar prej 16.238 miliardë eurosh. Nga kjo shumë, vetëm 5.521 miliardë euro identifikohen si financim bankar dhe 1.587 miliardë euro si investime të huaja direkte, duke lënë 9.13 miliardë euro në një kategori ku përfshihen njësi të pashitura, kursime, remitanca dhe burime të tjera, origjina e të cilave nuk mund të përcaktohet qartë. Gjatë së njëjtës periudhë, çmimi mesatar i apartamenteve u rrit nga 862 euro/m² në 2,057 euro/m², edhe pse oferta e banesave të reja u rrit ndjeshëm. Ky është paradoksi i bumit të ndërtimit në Shqipëri: më shumë ndërtim nuk ka sjellë banesa më të përballueshme. Ka sjellë çmime më të larta, më shumë projekte luksi dhe bindjen gjithnjë e më të fortë te qytetarët e zakonshëm se vendi që po ndërtohet rreth tyre nuk po ndërtohet për ta.

Edhe sistemi bankar është gjithnjë e më i ekspozuar ndaj rreziqeve të këtij modeli. FMN-ja ka paralajmëruar se që prej vitit 2019 Shqipëria ka parë rritje të fortë të aktivitetit ndërtues, të çmimeve të pasurive të paluajtshme si dhe kreditimit të lidhur me pronat. Kreditë familjare për blerje banese janë dyfishuar që nga fundi i vitit 2019, ndërsa kreditë për pasuri të paluajtshme për kompanitë janë rritur edhe më shumë. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, kreditë e pasurive të paluajtshme përbënin rreth 20% të totalit të aktiveve bankare.
Kjo do të thotë se pasojat negative e një ngadalësimi në sektorin e ndërtimit nuk do të kufizoheshin vetëm  brenda këtij sektori, por do të preknin edhe sistemin bankar, të ardhurat e qytetarëve, bizneset,  si dhe gjithë ekonominë e vendit.

Në këtë prizëm kuptohet qartë dhe roli që luan Zvërneci, Rrjolli, Thethi dhe Sazani. Ata janë pjesë e një modeli zhvillimi që ka nevojë vazhdimisht për territore të reja për t’i shndërruar në asete. Tokat më të vlefshme që kanë mbetur janë shpesh bregdetare, të kontestuara, publike ose të mbrojtura nga pikëpamja mjedisore. Pikërisht për këtë arsye paqartësia pronësore është kaq e rëndësishme. Një tokë me pronësi të paqartë, me të drejta përdorimi të pakthyera kurrë në titull, ose me status mbrojtjeje që mund të zhvlerësohet, është më e lehtë për t’u përthithur nga ekonomia e ndërtimit. Statusi i investitorit strategjik i jep më pas shtetit mjetin institucional për t’i procesuar projektet e mëdha në sistem në mënyrë të përshpejtuar, nën petkun e zhvillimit kombëtar dhe interesit publik.

Kjo krijon një rreth vicioz. Qeveria nuk e ngadalëson dot lehtë ritmin e ndërtimit, sepse një pjesë e mirë e ekonomisë së vendit varet tashmë nga ky sektor: rritja, kredia bankare dhe fati i klasës në pushtet. Nëse rrjedha e projekteve ndalet, Shqipëria rrezikon një recesion të tipit “sudden stop”: zhvilluesit ndërpresin blerjen e tokave, bankat humbasin kreditorët, dhe e gjithë narrativa e rritjes ekonomike nis të shpërbëhet. Qeveria vazhdon të miratojë projekte të reja për të shmangur ngadalësimin. Por çdo projekt i ri e thellon varësinë. Ai e bën ndërtimin pjesë edhe më të madhe të ekonomisë, tërheq më shumë kredi dhe kapital drejt pasurive të paluajtshme, rrit më tej çmimet e tokës dhe e bën politikisht edhe më të vështirë ndalimin. Në përpjekje për të shmangur një recesion sot, shteti mund të jetë duke e bërë korrigjimin e nesërm edhe më të thellë. Ky është kurthi: për ta mbajtur gjallë modelin, duhet ta ushqesh vazhdimisht me tokë, leje dhe zhvillim bregdetar. Por toka është e fundme. Në një moment, vendi do shteret nga toka që mund të kthehet në projekte, blerësit që mund të përballojnë çmimet shteren, ose shteret durimi politik për zhveshjen nga prona. Ky model nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Pyetja është sa dëm do të bëjë para se të ndalet.

(c) 2026 Elton Dusha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ky është versioni shqip i esesë On the Albanian Protests: Why Now? të botuar në revistën “Peizazhe të fjalës” më 7 qershor 2026. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading