Investimet strategjike: zero-sum game?
Te një post i substack-ut “ŽIŽEK GOADS AND PRODS”, të Slavoj Zhizhekut (How Can Capitalism Deal with a Heat Wave), lexova për një paradoks të ekonomisë politike të njohur si “Lauderdale paradox” (sipas një teorie ekonomike të zhvilluar nga James Maitland, Earl of Lauderdale në 1804), i cili përshkruan një marrëdhënie inverse mes begatisë publike (public wealth) dhe pasurive private (private riches). Ekonomistët me siguri e njohin mirë, por për mua ishte diçka e re, shishja që i dha formë një përsiatjeje të lëngshme që më kthehej e rikthehej, dhe që tani po më ndihmon të kuptoj pse, kur vjen puna për investimin “strategjik” në Zvërnec, kryeministri Rama dhe protestuesit duket sikur flasin gjuhë të ndryshme.
Sipas formuluesit të paradoksit, begatia publike mund të përkufizohet si gjithçka që njeriu e dëshiron si të dobishme ose të këndshme për të; teksa pasuritë private kërkojnë diçka më tepër, një kufizim shtesë, i cili konsiston në “gjithçka që njeriu e dëshiron si të dobishme ose të këndshme për të, por që ekziston në skarcitet.” Skarciteti, me me fjalë të tjera, është kusht i nevojshëm që diçka të ketë vlerë këmbimi, dhe ashtu të rritë pasuritë private. Nuk ndodh kështu me begatinë publike, e cila përfshin çdo vlerë në përdorim dhe që përfshin jo vetëm çfarë është në skarcitet, por edhe çfarë gjendet me bollëk. Ky paradoks, shpjegon Zhizheku, e bën Lauderdale-in të argumentojë se rritja e skarcitetit, qoftë edhe në rastin e të mirave të tilla të bollshme si ajri, uji dhe ushqimi, do t’i shtonin pasuritë private, nëse këtyre do t’u bashkëlidheshin vlera këmbimi; dhe ashtu do të shtohej edhe pasuria e një vendi, e konceptuar si shuma gjithsej e pasurive individuale; por kjo do të ndodhte vetëm në kurriz të begatisë së përbashkët, e cila do të pakësohej.
Si do të zbatohej ky koncept, në rastin e investimit në Zvërnec ose në situata të ngjashme, për të cilat po protestohet? Mund të nisemi nga vlera e përdorimit të një zone të mbrojtur, të një parku natyror, i cili mund të vizitohet dhe të shijohet nga kushdo, duke qenë i lirë për t’u përdorur si park, për kënaqësinë e njeriut. Në qoftë se kjo zonë i shitet një investuesi privat që ky ta zhvillojë, duke ndërtuar atje një komunitet të gardhuar a një resort apo kompleks golfi dhe e bllokon aksesin e lirë, atëherë kompania që e ka resortin në pronësi dora-dorës do të pasurohet dhe, tërthorazi, do të rritet edhe pasuria e vendit, qeveritarët e të cilit e kanë dhënë tokën në pronësi a në përdorim; por kjo bëhet gjithnjë në përpjesëtim me uljen a pakësimin e begatisë së përbashkët, sa kohë që bukuritë e atjeshme do të shijohen tash e tutje me pagesë dhe do të jenë në dispozicion vetëm për një numër të kufizuar vizitorësh a turistësh “elitarë”.

Arsyetimi mund të shtrihet edhe ndaj aksesit të përgjithshëm në plazh; plazhi është begati publike, që shijohet falas nga të gjithë, por kur një person a kompani private e rrethojnë me gardh dhe vënë një çmim për aksesin, atëherë kjo mund ta rritë GDP-në e vendit, por vetëm duke varfëruar publikun, ose duke pakësuar begatinë e përbashkët. Ngjashëm mund të arsyetohet për vapën e shtuar gjatë verës – nëse këtë e shkakton ngrohja globale, atëherë të gjithë ne vuajmë prej grykësisë së atyre që kanë përfituar dhe përfitojnë ekonomikisht, sado tërthorazi, nga emisionet e gazeve të efektit serrë; dhe zgjidhja e supozuar, duke manifakturuar dhe shitur më shumë pajisje për kondicionimin e ajrit, nuk mund të arrihet veçse duke e shndërruar një begati publike të djeshme – ajrin – në një skarsitet, sa kohë që ajri i kondicionuar kushton. E megjithatë, po ai vend që shpesh refuzon të kujdeset për uljen e emisioneve të karbonit, e llogarit boom-in në industrinë e ajrit të kondicionuar si rritje të pasurisë kombëtare.
Shumë nga politikat ekonomike të qeverive Rama në vite, për të nxitur investimet në fusha si ndërtimi dhe turizmi, bien brenda sferës së veprimit të këtij paradoksi: kullat e reja në Tiranë, edhe pse mund të ngrihen në troje private a të privatizuara, e degradojnë eksperiencën e qytetit nga banorët, duke ndërhyrë dhunshëm në hapësirat e tyre publike (për shembull, duke i hequr diellin ose pamjen një dritareje), teksa aksesi nga vetë banorët në vlerat e përdorimit që sjellin kullat, mbetet tejet i kufizuar, në mos edhe i padëshiruar (këtë e kam vënë në dukje disa herë, në një varg esesh që kam shkruar e botuar këtu te “Peizazhet” në rrjedhë të viteve). Ashtu ndërtimi i kullave mund të llogaritet si surplus në GDP dhe si arritje ekonomike, edhe pse çon në rritje të varfërisë së popullatës. Për të njëjtën arsye, një hotel luksi i ngritur në mes të një parku publik, mund të rritë xhiron e parave për pronarin dhe për ekonomitë satelite, madje të ofrojë edhe vende pune, por duke ia hequr banorëve në zonat përreth lirinë për ta shijuar begatinë publike të parkut.
Të gjitha këto ekonomistëve kushedi do t’u duken elementare, por i solla sepse gjykoj që u vlejnë të tjerëve po aq sa ç’më vlenë edhe mua, në kontekstin kur po flitet gjerësisht për Zvërnecin dhe koncesionet e tjera në trojet e Shqipërisë, të cilat janë me përkufizim të fundme dhe, të paktën në parim, nuk mund të prodhohen a të shumohen sipas nevojës. Edhe pse Rama ngul këmbë që investime të tilla miliardere janë shanse që nuk duhen humbur (për kë?), fakti mbetet që resortet e luksit në bregdet me shumë gjasë do të mbushen me turistë të kamur (p.sh. nga Izraeli ose nga Azerbaixhani), që do të kalojnë atje pushimet, dhe krahu i punës me shumë gjasë do të ofrohet nga imigrantë bengalezë ose filipinas.
(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është përpunuar me AI.
Pak literaturë:
Decommodifying wealth: Lauderdale and ecological economics beyond the Lauderdale paradox
The Paradox of Wealth: Capitalism and Ecological Destruction
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.