TË BURGOSURIT E DILEMËS

Dy ndërhyrje të rëndësishme në blog këto ditët e fundit: nga njëra anë, E. Dusha parashtroi, në hollësi, një hipotezë për dinamikën e marrëdhënieve mes skifterëve dhe pëllumbave, në shoqërinë shqiptare, por në marrëdhënie edhe me shtetin, të parë në këtë rast si super-skifter; nga ana tjetër, Kapedani pikturoi një tablo të trishtuar të sistemit të kualifikimit akademik sot në Shqipëri.

Çfarë i bashkon të dy këto ese është, veç tematikës dhe shqetësimeve të ngjashme, referimi implicit ndaj teorisë së lojërave. Në fakt, edhe modeli skifterë-pëllumba, edhe ky tjetri i një sistemi kualifikimi shkencor si pasuri të përbashkët (commons) të shkatërruar nga defektorët ose free riders, nuk janë veçse forma të dilemës së të burgosurit, të cilën disa e mbajnë për problemin qëndror të sociologjisë sot.

Interpretimin e Dushës, që një koleg e quajti “neoliberalist”, unë do ta quaja libertarian; ai më gjen të një mendjeje sa i përket nevojës për ta kufizuar ndërhyrjen e shtetit në punët tona (jam me Popper-in, në këtë rast), por kam frikë se modeli libertarian është po aq utopik sa edhe ai komunist; dhe aq më keq kur duam ta zbatojmë në shoqëri anomike, si ajo në Shqipëri, ku komunitetet tradicionale tashmë janë shthurur, teksa janë kristalizuar klanet mafioze si forma të reja dhe aktive të organizimit social.

Dështimin e komuniteteve ta konfirmon edhe suksesi i defektorëve, përkundrejt të gjitha përpjekjeve për të vënë rregulla në shoqëri, duke filluar nga ligji. Në rastin e arsimit të lartë dhe të kualifikimit akademik, rregullat mishërohen në kriteret e arsyeshme që duhen përmbushur për të marrë një gradë shkencore; por në shoqërinë shqiptare këto kritere është më e lehtë t’i anashkalosh, sesa t’i respektosh – për individin. Normalisht, ky ngashënjim për defektorët do të kompensohej nga trysnia e komuniteteve përkatëse – por komunitetet në Shqipëri ca i prishi me themel komunizmi, dhe ca të tjera i shkatërroi kjo e paemra që erdhi pas komunizmit: mjaft të shohësh efektet e migrimit të popullsisë, nga Shqipëria drejt Europës, nga mali drejt fushës, nga periferia drejt qendrës; ose faktin që individi sot si aktor social e sheh veten të vetëm dhe lakuriq përballë shtetit, pa buffer-ët e nevojshëm.

Sa kohë që gjithkush e ka më të lehtë të defektojë sesa të ndjekë rregullat – siç ndodh në sistemin akademik – e përbashkëta ose the commons e profesoratit, universitetit ose dijes nuk mund të mbijetojë; dhe në fakt nuk do të mbijetojë. E vetmja mënyrë racionale për t’i dhënë fund kësaj farse është duke e bllokuar sistemin e kualifikimit shkencor, çka përfaqëson një formë tjetër të shkatërrimit të sistemit, këtë herë me ndërhyrjen e shtetit.

Prandaj, në momentin e tanishëm, shteti do t’u duhej shqiptarëve për t’u ofruar një surrogato të commons; në kushtet kur edhe komunitetet, edhe pasuritë e përbashkëta po trajtohen si plaçkë prej skifterëve. Përkundrazi, modeli libertarian i kulluar do të shfrytëzohej nga defektorët për ta kthyer shoqërinë shqiptare në feudalizëm.

Free riders dhe skifterë ngado që kthehesh; por kjo nuk është doemos zgjidhja e vetme e dilemës së të burgosurit, madje edhe për shqiptarët: ekziston edhe alternativa e ndërtimit të komuniteteve – profesionale, ose si kooperativa (bujqësore, tregtare, etj.); ose territoriale. Mutatis mutandis, komunitare do të ishte edhe zgjidhja, ose të themi joshja e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, meqë kjo kushedi do t’i topiste skifterët, së paku brenda vendit. Dhe, më në fund, nuk mund të flasim për komunitete pa sjellë në vështrim shoqërinë civile – e cila në Shqipëri, në fakt, është gjymtuar keqas nga OJQ-të place-holders, të financuara nga palë të treta, që kanë interesat e tyre për të mbrojtur dhe ushqyer.

Nuk ka komente

  1. Mua me beri pershtypje shkrimi i Elton Dushes, qe ndersa e veren komponentin kulturor te status-quo-se, nuk e analizon me tej kete ne propozimin e vet teresisht ekonomik – madje radikal, do te vereja. Per mua, ka mekanizma sociologjike qe riprodhojne kete gjendje, qe pastaj me dukshem shembellehet ne ekonomi kryesisht. Dhe do duhet nje perpjekje si kulturore ashtu dhe ekonomike per te dale prej kesaj gjendjeje. Kjo perpjekje do te ishte e gjate dhe e mundimshme. Per ta vene ne pah kete, me vjen ndermend nje seri shkrimesh ketu ne PTF, qe kam shkruar dikur me titull “Bote paralele” (ka tre pjese). Aty merret ne analize gjendja social-kulturore e Greqise, dhe si kane ndikuar mekanizmat e riprodhimit te besnikerise brenda grupimeve partiake dhe komuniteteve ne krizen ekonomike dhe ate politike ne Greqi.

  2. Duke u nisur nga hipoteza baze ne ekonomi; se çdo agjent (person, firme) eshte racional dhe kerkon te maksimizoje fitimin duke paguar koston me te ulet; zgjidhja e problemit te pasagjereve klandestine eshte vendosja e nje gjobe me te kushtueshme sesa do te ishte pagesa e tarifes per sherbimin.
    Edhe ne kete rast besoj se duhet kerkuar ne kete drejtim; ne gjoba te kushtueshme per trasgresoret akademike.
    Perndryshe eshte e vertete qe “teoria e lojrave”; eshte nje model abstrakt i cili nuk mund te marre parasysh te gjithe faktoret qe ndertojne realitetin. Vete “loja e te burgosurve” nuk funksionon edhe aq lehte ne praktike; te burgosurit shpesh nuk denoncojne per arsye qe mund te jene relative ndaj faktoreve siç; lidhjet sociale, frika ndaj hakmarjeve … etj

  3. Teoria e lojrave eshte perdorur shpesh si aksesor, ose edhe si baze teorike per te pershkruar ose edhe mbeshtetur situata ose gjendje gjenerike kryesisht nga shoqeria shqiptare. Per mendimin tim perdorimi i kesaj teorie ashtu si eshte bere ketu paraqet dy papershtatshmeri jo pak te rendesishme qe besoj se duhet te sqarohen mire:

    1. Teoria e Lojrave eshte pjese e matematikes me lidhje te ngushta me teorine e bashkesive dhe me teorine e probabilitetit. Si e tille ajo paraqitet rigoroze me ekuacionet perkatese, teoremat dhe vertetimet e tyre. Per ta bere me te kapshme dhe kuptueshme per profesioniste te fushave te tjera ku ajo gjen perdorim te spikatur, si ekonomia psh (Nash mori cmim Nobel pikerisht ne Ekonomi, ndonese qe matematicien), dhe pse jo edhe per publikun e gjere, disa prej problemeve me tipike u jane vene emra konvencionale dhe jane shpieguar si situata ne jeten reale ku problemi matematik zbatohet. Keshtu psh sic jane permendur disa prej tyresh rendom ketu, flitet per “Dilemen e te Burgosurve”, “Skifteret dhe Pellumbat”, “Ushqyerja e Patave” etj. etj. Per mua papershtatshmeria e pare fillon ne momentin qe pasi merret kjo terminologji nga Teoria e Lojrave, harrohet qe kjo terminologji eshte nje emertim i problemeve abstrakte relativisht te thjeshte qe percaktohen nga nje numer i kufizuar faktoresh. Pastaj aplikimi vazhdon duke marre ne konsiderate lloj-lloj karakteristika te elementeve perberes te terminologjise. Psh kur flasim per Skiftere dhe Pellumba jashte kontekstit te Teorise se Lojrave, harrojme qe keta jane dy abstraksione te thjeshta dhe fillojme e flasim per egersine e sqiftereve, gjatesine e kthetrave, sqepin e tmerrshem, si ja u shkundin puplat pellumbave te gjore e keshtu nje vargezim i pafund metaforash e metonimish qe s’kane te bejne asfare me origjinen dhe kontekstin e termit SQIFTER ne kete rast, si nje aktor qe sherben per te ilustruar nje skenar krejtesisht te percaktuar dhe relativisht te thjeshte te Teorise se Lojrave. Ketu mund te shkruhet pa fund, por besoj e e kam sjelle idene.

    2. Teoria e Lojrave ne vetvehte eshte neutrale ndaj zhvillimit te skenareve, ose thene ndryshe Teoria e Lojrave nuk jep zgjidhje, Teoria e Lojrave ofron variante. Per te nuk ka skenare te mire dhe te keqij. Skenaret jane ato qe jane, ne baze te vlerave te probabiliteteve qe u atribuohen ngjarjeve te ndryshme. kombinimit te ketyre ngjarjeve si edhe pefundimit te tyre. Percaktimi i skenareve behet nga vendim marresit qe shqyrtojne skenare te ndryshme dhe zgjedhin ate qe ne rrethana te caktuara u duket me i miri ose me i dobishmi. Thelbi i ketij pohimi eshte qe vendim-marresi nuk mund te jete njekohesisht edhe lojtar (ky quhet konflikt interesash), pra nqs presim qe problemet ne Shqiperi te zgjidhen mbi bazen e Teorise se Lojrave, do te na duhet nje ekip vendim marresish jashte sistemit, gje qe nuk mund te ndodhi dhe kjo perben edhe papershtatshmerine e dyte qe lidhet me referimin neTeorine e Lojrave. Midis te tjerave, kjo eshte eshe nje nga arsyet e ndarjeve te pushteteve. Ndarja e pushteteve nese aplikohet ne menyre korrekte dhe ideale garanton qenien e vendim marresve jashte sistemit per te cilin marrin vendimet. Sesi mund te arrihet kjo ne Shqiperi (le te shpresojme) une nuk mund ta di, por jam i sigurte qe jo vetem zgjidhja e plote nuk do te arrihet, por as edhe permiresime te ndjeshme e te rendesishme nuk do te kete nese i referohemi Teorise se Lojrave per zgjidhje, sado qe politikanet mund te na duken si SQIFTERE, ose vulgu si PELLUMBA.

    1. “Per ta bere me te kapshme dhe kuptueshme”

      Edhe une nuk kuptova asgje, dhe nuk jam ne kete fushe fillestar; e kam studiuar disa vjet kete lende ne Universitet megjithese kohe me pare dhe me shume duke e pare thjesht si nje lende ku me duhet te zgjidhja gjithnje probleme nga me te ndryshmet. Por gjithsesi nese Teoria e Lojerave nuk jep zgjidhje atehere, per ç’fare sherben?
      Ndoshta mund te shpjegohet me thjeshtesisht se nepermjet analizes se kesaj dege te matematikes kuptojme se ne cilen situate do te perfundojne agjentet qe nisen te nderveprojne me njeri tjetrin nga nje pozicion fillestar. Dhe natyrisht çdo situate perfundimtare eshte nje zgjidhje unike, madje edhe etapat per te arritur aty jane unike, jane te paracaktuara nga kushtet apo hipotezat e kontekstit fillestar. Mesa mbaj mend
      Natyrisht qe Teoria e Lojrave eshte neutrale; per te nuk ka zgjidhje te mira ose te keqija; situata ka nje perfundim dhe zgjidhja eshte zgjedhja sipas ketij perfundimi te nderveprimit ne keto kushte apo nderrimit te kushteve. Pra siç shpjegon Xhaxhai; 2 te burgosur racionale (kupto egoiste) pa ndonje lidhje te forte sociale mes tyre do te denoncojne njeri-tjetrin duke u penalizuar se bashku. Ky eshte perfundimi unik i lojes klasike dhe perndryshe zgjidhja e dilemes eshte ndryshimi i kushteve fillestare; bashkveprimi mes tyre.
      .

  4. Me shpresën se ky diskutim nuk do të shndërrohet në meta-diskutim, dhe me bindjen e patundur se të gjithë ata që do të flasin për teorinë e lojërave e njohin këtë më mirë se unë, po lejohem të shtoj sa vijon:

    (1) Shkrimi më lart nuk pretendon të jetë gjë kontribut në teorinë e lojërave, por vetëm i përdor shembuj klasikë të teorisë së lojërave, ose të tillë që duhet t’i njohë çdo nxënës i shkollës së mesme, në përpjekjen për të kuptuar se çfarë po ndodh pikërisht në shoqërinë shqiptare.

    (2) Askush nuk shoh të ketë filluar të flasë këtu për “egersine e sqiftereve, gjatesine e kthetrave, sqepin e tmerrshem, si ja u shkundin puplat pellumbave te gjore e keshtu nje vargezim i pafund metaforash e metonimish” sikurse shkruani ju – pra këtu keni ndërtuar një argument të tipit straw man, i cili e zhvendos kot vëmendjen nga thelbi i debatit.

    (3) Thoni se “ Teoria e Lojrave ne vetvehte eshte neutrale ndaj zhvillimit te skenareve, ose thene ndryshe Teoria e Lojrave nuk jep zgjidhje, Teoria e Lojrave ofron variante. Per te nuk ka skenare te mire dhe te keqij.” Megjithatë, siç e shpjegoni dhe vetë menjëherë më poshtë, çështja është se disa prej zgjidhjeve të teorisë së lojërave janë më me përfitim për lojtarët, sesa disa të tjerat (p.sh. zgjidhja e llojit “tit for tat”, ose ajo zgjidhje e dilemës së të burgosurit kur asnjë prej të burgosurve nuk e pranon fajin). Çështja është që të gjenden mënyra si t’u jepet stabilitet këtyre zgjidhjeve.

    (4) Thoni se në përcaktimin e skenarëve “vendim-marresi nuk mund te jete njekohesisht edhe lojtar”, gjë që unë nuk e shoh të zbatohet në një lojë fare klasike, si ajo mes superfuqive gjatë Luftës së Ftohtë (MAD); aq më tepër që shpesh lojtarët merren vesh paraprakisht për rregullat e lojës së tyre, pa nevojën e arbitrit.

    Gjithsesi, unë kam përshtypjen – të cilën mund ta përforcoj me bibliografi, por nuk më duket se është vendi – që si në rastin e dilemës së të burgosurve ashtu edhe në atë të tragedy of the commons (madje edhe të modelit skifterë-pëllumba, që unë nuk e preka shumë më lart), skenarët me përfitueshmëri më të madhe për lojtarë, sidomos në modele iterative, vërtetohen kur individët lojtarë e shohin veten si pjesë të komunitetit.

    1. Me deshiren absolute per te mos e shnderruar kete diskutim ne meta-diskutim, pa dhene hollesira te metejshme une vetem mund te them me bindje te patundur se ne te kater pikat qe jeni pergjigjur vetem se demonstroni se nuk e keni kuptuar thelbin e dy verejtjeve te mia ndaj 2 papershtatshmerive te perdorimit te Teorise se Lojrave, thjesht keni cituar jashte kontekstit segmente te vecanta dhe u jeni pergjigjur atyre .

      Meqense kam per princip “kur dicka nuk kuptohet difektin e ka ai qe flet, jo ai qe degjon” nuk po zgjatem me duke cmuar modestine tuaj sa i perket nivelit te njohjes se Teorise se Lojrave. Flm.

  5. Xhaxha,

    Që të sqarohem më tej; shteti Shqiptar ideal për mua do të ishte një shtet që paguan për edukimin e popullatës me taksa progresive, që u jep qytetarëve shërbime shëndetësore falas, që ndalon diskriminimin individual dhe zbaton ligjin në mënyrë të drejtë dhe pa kthesa. Ky shtet nuk mund të arrihet në formën e sotme sepse e përbashkëta në Shqipëri është ose shumë e dobët ose jo-ekzistente. Për ndërtimin e një të përbashkëte llogjike dhe deri diku të shëndetshme duhet një lloj rindërtimi individual, ku njerëzit ta shohin tjetrin me njëfarë mirëbesimi që shkon përtej preferencave klanore. Shih përshembull këtë model

    http://faculty.arts.ubc.ca/fpatrick/documents/franzabofinal.pdf

    ku loja është më dinamike dhe prindërit edukojnë fëmijët sipas percepsionit që kanë mbi ekuilibrin që mbizotëron. Në ambientin e studimit të mësipërm, një shoqëri mund të ngecë në një ekuilibër ku besimi në njëri tjetrin është jo-ekzistent sepse dinamika e trust është vicioze (ose virtuoze në rastin e ekuilibrit të mirë).

    Gjithashtu, mbizotërimi i ekuilibrit me institucione të mira (me mirëbesim ndaj njëri tjetrit) varet shumë nga natyra e legjislimit. Kjo ide nuk është e re, por na vjen që nga Aristotle’s Nicomachean Ethics:

    “Lawgivers make the citizen good by inculcating habits in them, and this is the aim of every lawgiver; if he does not succeed in doing that, his legislation is a failure.”

    Këtu qëndron dhe thelbi i argumentit tim. Ligjvënësi në Shqipëri është pasqyrë e shoqërisë por gjithashtu edhe zhbërësi i saj. Nëse ligjvënia është e kalbur, dicka spastruese duhet të ndodhë.

  6. ”’alternativa e ndërtimit të komuniteteve – profesionale, ose si kooperativa (bujqësore, tregtare, etj.); ose territoriale. ”’

    Edhe ato do kontrollohen nga klanet kriminale (cdo klan ekziston per qellime ekonomike).

    Ne Shqiperi nuk eshte çeshtja se cila ideologji apo praktike ekonomiko-politike e kthen ne binaret e duhur, nuk ekziston ose me mire ekziston ne ate mase sa ekziston ne Siçili apo Kalabri.
    Ka 20 vjet qe kthehen mbare e prape gjithe ideologjite e/o praktikat ekonomiko-politike qe njeh doktrina, por ky tashme eshte thjesht nje ushtrim i mendjes. Shqiperia nuk mund te sherohet brenda ketij sistemi qe eshte ngritur dhe kete perfundim eshte e thjeshte ta nxjerresh persa kohe qe gjithe propozuesit i vendosin nje POR versionit qe propozojne.

    Shqiptaret i jane dorezuar krimit si fundi i historise. Kjo sjell qe asnje forme organizimi te mos kete sukses dhe pa forma organizimi une nuk di si mund te veprohet ne punet publike. Rrjedhimisht, nuk ka asnje zgjidhje. Mund te provohet ndonje lloj aleance kunder krimit. duke lene menjane konfliktet ideologjike e personale, duke bashkuar kuç e maç, por domosdo kjo duhet te filloje jashte Shqiperise, se andej jane shqiptaret qe ende s’i jane dorezuar (s’i ka detyruar kush) krimit si fundi i historise.

  7. Ky diskutim sec me kujton vazhdimisht veten dhe miliona te tjere ne trafikun e perditshem.I kam perjetuar te dyja llojet e situatave ne Shqiperi dhe me te shumten, jashte saj.

    Gjithmone jam mrekulluar me faktin qe miliona njerez e makina jane ne rruge, ku cdo sekonde miliona mendje njerezore harmonizojne levizjet e tyre duke ndjekur rigorozisht rregullat e trafikut. Numri i aksidenteve dhe humbjes se jetes se njerezve eshte ne perqindje te tille qe deshmon se kur shteti eshte i varfer, i dobet, aksidentet rrugore jane statistikisht me te larte ne krahasim me vendet e zhvilluara.

    Desha te perdorja kete analogji per te treguar se venia ne pune e mekanizmave qe i bejne ta zbatueshme rregullat e trafikut eshte celesi i suksesit. Kjo duhet te niset nga nje konsiderate elementare: sa e rendesishme eshte per nje kumunitet shenjteria i nje jete njerezore, sa e rendesishme eshte jeta e njeriut. Ne Shqiperi dhe ne vende te ngjashme si Shqiperia jeta e njeriut nuk duket se ka vlere, ose eshte shume e lire per tu blere, per tu hedhur si plehe.

    Dalim tek pyetja elementare: sa e rendesishme eshte zbatimi i ligjit, cdokush t’i nenshtrohet ligjit(to comply with the law). Kjo eshte e drejtperdrejte e lidhur me shendetin moral te nje shoqerije, shenje e vleresimit, te rendesise qe i ve komuniteti jetes njerezore, vleres dhe cilesise te jetes te cdo qytetari.

    A i binden njerezit ligjit, sepse jane forcerisht te detyruar te bejne nje gje te tille(detyrimi dhe ndjekja policore-administrative nga shteti). apo kjo vjen kryesisht si pasoje e nje berthame besimesh, vlerash si norma sociale, ose sic pritet per te mbrojtur interesat personale, cka drejton cdo qytetar t’i nenshtrohet me vullnet te lire dhe bindje ligjit?

    Per ata qe e shohin ligjin thjesht si forcen e shtetit, autoritetin e pushtetit, ligjet jane armiqesore dhe shihen armiqesisht, pavarsisht se frika ruan vreshtin; kurse per ata qe besojne se ligjet ekzistojne per te sherbyer interesave dhe vlerave te te gjithe pjesetareve te shoqerise zbatimi i ligjit eshte vetvullnetshem, i pa sforcuar, i lire, shihet si detyrim moral.

    Se fundi duke u kthyer perseri tek analogjia a trafikut rrugor, nderkohe ne, ne te shumten e rasteve i ngasim makinat brenda kufirit te lejuar te shpejtesise, sepse ne fund te fundit e dime, se ka shume mundesi qe te kapemi ne shkelje, flagrance, diku do te ndodhet i gatshem nje polic trafiku per te na u vene nga pas per te na ndaluar dhe per te na ndeshkuar, gjobitur. Perndryshe, kufiri i shpejtesise nuk do te kishte kuptim, nese ne koken tone nuk do te ekzistonte nje frike e tille edhe kur frika nga vdekja do te zbehej para trillit, eksitimit qe te jep ngarja e makines me shpejtesi.

    Por ama e dime me siguri 100% se eshte krejtesisht e pamundur qe te ngasesh makinen ne krahun e kundert. Kjo eshte nje marreveshje per te cilen kane/kemi rene dakord te gjithe dhe e zbatojne/zbatojme me rigorozitetin me te larte. Ne te kunderten, qarkullimi rrugor do te ishte i pamundur, kaotik dhe me siguri do te shkaktonte viktima te panumurta. Trafiku dykahesh tashme eshte nje konvencion i pranuar dhe secili nget makinin ne kahun e vet. Sigurisht, mos zbatimi i rregullit universal, do te ishe cmenduri, sepse parasegjithash do te rrezikoje jeten tende.

    Duke i hedhur syte ne strukturen e trafikut rrugor ne Shqiperi, aksidenteve, thyerjes se rregullave elementare te trafikut, nder gjerat qe mund te mendosh eshte se per shqiptaret jetet njerezore jane pa vlere, sidomos jeta e tjetrit, ose tjetra, ndoshta njerezit jane te luajtur, jane te cmendur ndoshta nga streset e perditeshme, te hapurit ndaj botes dhe lirive te paadministruara 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin