Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

POLITIKA NË UNIVERSITETET PUBLIKE

Rektori i Universitetit të Prishtinës dha dorëheqje nën trysninë e revoltave studentore. Në hapësirën shqiptare është hera e parë që studentët të revoltohen ndaj politizimit të drejtuesve në institucionet e arsimit dhe pasojave që kanë sjellë ndërhyrjet mbi cilësinë.

Zakonisht në Shqipëri problemi ka qenë mobilizimi i studentëve për qëllimet politike të dy partive kryesore, derisa të dyja partitë ranë dakord ta depolitizojnë universitetin me ndërhyrjet në ligjin e arsimit të lartë (2007). Në ligj u ndalua angazhimi politik i Këshillave Studentorë (Neni 55) dhe morri fund tradita e pas-dhjetorit të viteve ’90 ku studentët mobilizoheshin në greva urie me porosi të dy kampeve.

Por ndërhyrja e pushtetit politik u përqëndrua në drejtimin e universiteteve publike. Nëse do të bënim një shkrepje të momentit për situatën aktuale në Shqipëri vërejmë se në 14 institucione publike (shih tabelën), vetëm në katër prej tyre nuk mund të evidentohet ndërhyrja politike në zgjedhjen e rektorit apo drejtuesit.

Rektorët janë figura të rëndësishme publike dhe për partitë politike mishërojnë një kapital social që gjeneron vota të konsiderueshme. Por ndërhyrjet politike në zgjedhjen e rektorëve kufizojnë autoritetin dhe kapacitetet e drejtuesve për të managjuar në mënyrë efikase dhe konform ligjit. Ndërhyrja e politikës krijon varësira, të cilat kushtëzojnë ndjeshëm funksionimin e rektoratit në procedurat e rekrutimit dhe të promovimit të akademikëve (ndikimet joformale në vendimmarrje). Gjithashtu, ndërrimet e pushtetit politik mund të ndëshkojnë rektorin dhe rrjedhimisht universitetin, duke ja përcjellur koston studentëve.

Nga ana tjetër universiteteve u përshtatet një rektor që ka marrëdhënie positive me qeverinë e që mundëson rritjen e fondeve për investime kapitale (rritjen e hapësirave fizike të universitetit), në burime njerëzore (rritjen e numrit të pedagogëve). Personeli akademik gjendet në një pozicion më të volitshëm nëse ka një rektor të favorizuar nga politika (p.sh. në një qytet bastion të një partie apo të kontestueshëm).

Unë vetë jam i dyzuar në gjykimin tim ndaj kësaj dukurie. Por them se i ngelet personelit akademik dhe publikut të vendoësë mbi të mirat dhe këqiat e ndikimit të partive politike në Shqipëri. Sidoqoftë, në tërësi ky ndikim nuk ka rezultuar pozitiv, sidomos kur me tu ndërruar pushteti disa rektorë, kandidatë për deputetë të PD-së, janë vendosur në sulm nga mediat dhe policia.

Më poshtë paraqiten disa prej akuzave ndaj rektorëve aktualë:

  1. U-Elbasanit: Ndjekje penale ndaj Prof. Dr. Liman Varoshit  për favorizim të një subjekti në procedurat e prokurimit të shërbimeve jo-akademike.
  2. U- Tiranës : Akuza ndaj rektorit Prof. Dr. Dhori Kule nga gazeta Panorama për abuzime me financat e universitetit bazuar mbi raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Profesor Hysamedin Feraj akuzon Dhori Kulen për tejkalim kompetencash dhe paaftësi për drejtimin e institucionit, duke vërejtur se shkak për këtë janë edhe lidhjet e tij politike.
  3. U – Gjirokastrës: Rektori Prof. Dr. Gëzim Sala është nën hetim për “shpërdorim detyre” dhe “falsfikim dokumentash”, por kjo çështje u pushua më vonë nga prokuroria.
  4. U – Vlore: Rektorit Prof. Asoc. Albert Qarri i digjen dy makinat, dyshohet se ka lidhje të forta me LSI-në.
  5. U- Sporteve: I vidhet zyra, shkak luftërat e brendshme pasi zgjedhja e tij si rector  ishte perceptuar si e paligjshme.
  6. U-Arteve: Rektori akuzohet për parregullsi në procedurat e rekrutimit.
  7. Akademia e Shkencave: Akuza nga anëtarët Jorgaq Kacani, Dëfrim Shkupi etj. se ish-Kryeministri Berisha ka ndërhyrë në zgjedhjen e tij si kryetar.
Universiteti Rektori/Kryetari Partia Disiplina Funksioni partiak
USH Artan Haxhi PD Albanologji Kryetar i Bashkisë Shkodër 2003
U-Tiranë Dhori Kule PD Ekonomi Anëtar i Këshillit Kombëtar / Kandidat per Deputet
U-Elbasan Liman Varoshi PD Histori Kandidat për deputet 2013
U – Gjirokastër Gezim Sala X Albanologji
U-Durrës Mit’hat Mema X Ekonomi
U-Vlorë Albert Qarri X (LSI?) Matematikë
U-Korçë Gjergji Mero PD Bujqësi Kandidat Kryetar Bashkie – 2013
U-Politeknik Jorgaq Kacani X
U-Arteve Petrit Malaj PS Teatër Anëtar i Asamblesë
U-Mjeksisë Jera Kruja PD Mjekësi Kandidate për deputete
U – Bujqësi Fatos Harizaj X Bujqësi
U – Sporteve Vesel Rizvanolli PD Sport Anëtar i Këshillit Bashkiak – 2011
Qendra e Studimeve Albanologjike Ardian Marashi ? Albanologji
Akademia e Shkencave Myzafer Korkuti X (PD?) Arkeologji

Pa Komente

  1. Me sa di une rektoret e universiteteve nuk emerohen nga politika, por zgjidhen permes votimeve qe zhvillohen brenda universiteteve.

    1. nese do te ishe me i vemendshem do te lexoje se une kam folur per “nderhyrje” dhe jo emerime.. rektoret zgjidhen nga vota e personelit akademik te brendshem, administrates dhe studenteve, e me pas dekretohen nga presidenti i republikes.

      nderhyrjet e politikes jane zakonisht ne “fuqizimin” e nje faktori brenda universitetit apo ne hartimin e nje kuadri rregullator te volitshem per bemat e nje rektori apo drejtuesi fakulteti te caktuar – mos habit! deri ketu ka shkuar politika jone ne arsimin e larte, sa te prese ligje sipas mases..

      ne vitin 2012 u ndryshua ligji i arsimit te larte (unanimisht nga palet) per te lejuar rektoret te rizgjedhin edhe nje mandat, nisma ligjore u propozua nga LSI-ja .. PD-ja nuk mund te nxirrte nje nisme te tille sepse ligjin e kishte miratuar vete me kufizimin e mandatit te rektorit vetem per 4-vjete.. u rizgjodhen rektori i tiranes, elbasanit, korces, politeknikumit, durresit dhe ne mos gaboj i arteve

      ne zgjedhjet per rektor ne universitetin e tiranes, te percjellur gjerazi nga media (per shkak te dimensioneve politike dhe lidhjeve personale te kandidateve me disa media), PS-ja u rreshtua ne anen e Mimoza Hafizit, ndersa PD-ja ne ate te Dhori Kules (ose thene me korrekt, Berisha nuk nderhyri por e la Dhorin te perdore konjukturat e PD-se)

      format e nderhyrjes per fuqizim e nje faktori jane p.sh. nepermjet mobilizimit partiak te keshillave studentore (dihet lidhja e tyre politike, edhe pse ligji e ndalon), ose nepermjet punesimeve te organizuara nga partia politike neper administrata ose personel akademik, faktore te rendesishem ne zgjedhjen e rektoreve

      Por, sic edhe e kam permendur ne artikull, nuk eshte dicka negative, personeli akademik ne menyre racionale zgjedh ate pale qe mendon se do te sjelle nje bashkepunim te frutshem me qeverine, dhe jo dike qe do te jete ne sherr… pakenaqesite e fundit ndaj dhori kules si rektor i ut-se e kane burimin tek dobesimi i pushtetit te tij politik, dhe per rrjedhoje tek pamundesia e tij per te ushqyer orekset e shpures me favore

      edhe pse une kam permendur lidhjet politike te PD-se, edhe gjate kohes se PS-se ka qene keshtu, sidomos me universitetin e tiranes: rektoret kane qene te kampit politik te PS

      – Marenglen Spiro (kandidat e partise social demokrate ne 2005) ish-rektor i UT-se – 1997-03
      – Shezai Rrokaj (kandidat dhe zv.kryetar i LSI) – ish-rektor i UTs (2003-07)

      interesante eshte se edhe shperndarja e universiteteve rajonale (korce, gjirokaster, shkoder, durres e fililalet ne Lushnje, Peshkopi, Sarande dhe Kukes, apo universiteti ufo ne berat) mund te kene motive politike – mosperqendrimin e studenteve ne zona te kontrolluara nga nje bastion i nje partie (p.sh. ne tirane sic ishte PS-ja) . edhe pse motivi tjeter, eshte po aq bindes, zhvillimi i rajoneve te largeta si Peshkopia etj.. por fundja ne politika publike nuk ka vetem nje motiv, por nje bashkesi interesash.

  2. Nuk dua te diskutoj artikullin,secili eshte i lire te shpreh mendimin,por me beri pershtypje fjalia: personi X dyshohet se ka lidhje te forta me LSI . Dyshohet nga kush? Per cfare? LSI eshte Parti politike apo bande kriminale?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin