NË BANKAT E SHKOLLËS II

Nxënësit shqiptarë në Itali

Një nga aspektet pozitive të Raportit “Nxënësit me shtetësi jo italiane”, i përgatitur nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Fondazione Ismu, për vitin shkollor 2012/2013, është se nuk jep vetëm të dhënat statistikore të nxënësve të huaj dhe shpërndarjen e tyre në territor, por analizon gjithashtu dallimet me nxënësit italianë, duke marrë në shqyrtim nga një anë përzgjedhjen e studimeve, nga tjetra rezultatet në shkollë.

Të dhënat e përgjithshme statistikore tregojnë se nxënësit e huaj në Itali parapëlqejnë shkollat e mesme me karakter teknik e profesional, ndërsa shkolla e tipit lice ose me drejtim artistik u intereson rreth 20% e nxënësve të huaj. Ndryshimi me nxënësit italianë kushtëzohet nga arsye kryesisht ekonomike, por edhe nga përgatitja shkollore e viteve të para, si edhe nga projektet e vështira familjare. Raporti nuk mohon se përgjegjësi kanë edhe mësuesit të cilët, duke mos qenë të përgatitur për të përballuar problemet e klasave gjithnjë e më shumë multietnike, nuk dinë si t’i orientojnë nxënësit me prejardhje tjetër.

Përveç dallimeve territoriale (në Veri Lindje të Italisë 40% e nxënësve të huaj ndjekin shkolla teknike e profesionale, ndërsa në lice shkojnë rreth 13,6%) ekzistojnë edhe diferenca të tjera. Zgjedhja e liceve, për shembull, vihet re më shumë tek nxënësit rumunë, ukrainas, shqiptarë, tek të cilët komponenti femëror është më i lartë. Gjithsesi, përqindja e atyre që shkojnë në universitet është rritur në përgjithësi.

Po shqiptarët si janë ndarë në bazë të llojit të shkollave të mesme? Nga numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë prej 23.614 për vitin shkollor 2012/2013, 22,4% kanë zgjedhur licetë, 37% shkollat teknike, 38% shkollat profesionale, 2,3% arsimin artistik. Mund të thuhet pa frikë se pjesa dërmuese e nxënësve shqiptarë në Itali ndjek shkollat me karakter teknik e profesional.

Po të shikohen rezultatet e kalimit ose të ngeljes në klasë, vihet re një dallim jo i vogël: nxënësit e huaj që e kalojnë klasën e tetë për të kaluar në të mesme janë më pak se italianët (89,9% kundrejt 96,4%). Në përgjithësi, në provimet e ciklit të mesëm të ulët (tetëvjeçares së vjetër) të huajt dalin me nota më të këqija se italianët. Në të mesme hendeku bëhet më i dukshëm: kalon 64,1% e të huajve kundrejt 82% e nxënësve italianë. Megjithatë, në përfundim të shkollës së mesme rezultatet nuk janë aq të ndryshme.

Në provimet shtetërore në mbarim të ciklit të mesëm të ulët (tetëvjeçares) notat e të huajve janë më të ulëta se italianët. Në të gjitha provimet del se të huajt që janë lindur në Itali kanë më pak vështirësi se nxënësit e huaj që janë lindur jashtë shtetit.

Notat mesatare e nxënësve të huaj në provimet e shkollës tetëvjeçareRaporti i Ministrisë italiane të Arsimit jep edhe rezultatet në provimet e tetëvjeçares (scuola secondaria di primo grado) të ndara sipas shtetësive. Nxënësit italianë kanë mesatarisht rezultate më të mira se shokët e vet të huaj. Në provimin e italishtes (gjuhë – letërsi) ata që i afrohen më shumë autoktonëve janë rumunët, ukrainasit dhe moldavianët. Në matematikë shkëlqejnë kinezët, që ua kalojnë edhe italianëve vetë; megjithatë edhe indianët e rumunët kanë rezultate të mira, pavarësisht se nuk ua kalojnë vendasve. Në testin Invalsi duket se kanë vështirësi të gjithë të huajt, gjithnjë në krahasim me shokët  italianë.

Nxënësit shqiptarë në italisht renditen të pestët, pas moldavianëve, ukrainasve, rumunëve dhe natyrisht italianëve. Në matematikë shqiptarët nuk shquhen veçanërisht: kanë të njëjtat rezultate si filipinasit, indianët, moldavianët, por të tjerë ua kalojnë me nota më të mira si nxënësit kinezë, italianë dhe rumunë. Pak më mirë duket situata në testin Invalsi ku nxënësit shqiptarë, së bashku me rumunët, renditen të tretët, pas italianëve dhe ukrainasve.

Rezultatet e nxënësve të huaj janë përgjithësisht të mira dhe vihen në dukje nga raporti i Ministrisë së arsimit. Në rang kombëtar rezulton qartë se prania e nxënësve të huaj në shkollat italiane është tashmë strukturore, megjithëse përqindja e rritjes ka një farë ngadalësimi, sidomos të atyre që vijnë nga vende të huaja. Këta të fundit duhen dalluar nga nxënësit me shtetësi jo italiane që janë lindur në Itali nga prindër të huaj. Siç thuhet edhe në udhëzimet e Ministrisë së arsimit për integrimin, nxënësit që vijnë nga jashtë shtetit kanë probleme gjuhe, metodologjie, njohjeje të rregullave etj. Problemi i gjuhës nuk është shumë i vështirë për t’u kapërcyer, megjithatë ndikon negativisht në arritjen e disa kompetencave të caktuara.

Të dhënat e mësipërme na e plotësojnë panoramën e njohurive që kemi për nxënësit e huaj në Itali, duke na zbuluar disa detaje që hedhin dritë mbi aspekte të panjohura më parë, përfshirë nxënësit shqiptarë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin