Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: LESH

lesh m. n. I. “lesht’e bagëtisë; lesht’e kresë, flokët”; i leshtë; leshták, leshtán, leshtór. Fjalë me etimologji të diskutuar. G. Meyeri më parë (AS I 40) e afronte me sll. e vj. kishtare vlasъ “capillus”; po më vonë (EW 241, AS III 24, 38, 61), duke e çuar te një bazë *tleusos, e krahason me fjalën gjermanike ags. fleos gjerm. Vlies “bashkë leshi”. Mendim i pranuar te Weigandi 47, po përndryshe i lëftuar kudo. Jokli (Studien 49v.) bën një lidhje me ind. e vj. lava‑ḥ “të prerët, gjë e prerë, qethë, lesh, flokë; copë”, laví‑h “drapër”, gr. λαῖον mbase “drapër”; baza e lesh‑it sipas tij një *leu̯‑s‑, duke u lidhur kjo fjalë për brenda shqipes me letë. Etimo­lo­gji e pranuar me rezervë te Walde­‑Po­kor­ny II 407 e pa rezervë te Walde­‑Hofmann II 325, Pokorny I 681.

Edhe Barić I 45 bashkon lesh me letë, po atë e përqas me lat. lana, gr. λῆνος, got. wulla, lit. vìlna “lesh”, ose (Hŷmje 26) me gr. λάχνη “flok kaçarrel” λάχνος “lesh”, duke e spieguar sh‑në e fjalës shqipe nga një ks. Poashtu me gr. λάχνη λάχνος e afron lesh‑in Vasmeri Studien I 38v., duke përfshirë në këtë barazim dhe grupin gjermanik të isl. dan. lu “push i cohës” nord. e vj. wlôh “flok”. Si kemi shënuar dhe te BSS 2 (1954) 44, afrimi i lesh‑it me gr. λάχνος gjindet që te Kristoforidhi 205. Sëfundi Ribezzo (RIGI I 16) e krahason fjalën shqipe me gr. Ƒλάσιος “leshatak, tufshak”.

Fjalë e mbarë gjuhës. Sikundër e kemi shtjelluar te BSS 3 (1955) 42, nuk është një neutër i vjetër, siç kujtohet për­gji­thë­sisht (khs. sidomos Pedersen KZ 34, 287), po një mashk. shm. lesh‑të që u muar për neutër e u bë pjesërisht dhe i tillë. Kjo shihet nga dëshmia e autorëve të vjetër. Buzuku (XII/2, Psalm 147, 16) Aj ep bdorënë porsi leshnë “Qui dat nivem sicut lanam”, Budi (SC 92) e leshi kūr qethetë (292 të leshtë). Nga rrjedhojat e fjalës do vënë re sidomos denominativi pa mbaresë leshem, faktitivi leshtohet peri e emri botanik leshnje f. “myshk” (Delvina) me ‑nje si myshnje “myshk”, shelnje “shelk”. Për etimologjinë do shënuar se përdorimi shpeshherë si shumës i fjalës paravendon që lesh të jetë një formë metafonike, një shumës i singularizuar, e që njëjësi i hershëm të ketë qenë *lash. Kjo formë, si refleksi i një baze *vlaks‑, ka të gjarë të jetë e afër me gr. λάχνη λάχνος nga *λάκσνᾱ *λάκσνος, paragr. *vl̥ksna, sll. e vj. kishtare vlasъ, avest. varəsa‑, pers. e mesme vars “lesh, flokë” etj., ose e afër me gr. Ƒλάσιος, si mendon Ribezzo. Në rasën e parë sh‑ja e lesh‑it ka dalë nga grupi ks, në të dytën nga një s. Në qoftë se lesh piqet me Ƒλάσιος, bie spiegimi i fjalës greke nga një *Ƒλάτ‑ιο‑ς si mendohet sot përgjithësisht. Në çdo rasë lesh është një nga ato fjalë të shqipes ku l‑ja nistore është refleksi i grupit vl‑. – Sh. dhe leshnik te loznik.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading