SHAH ME KASPAROVIN

Ish-kampioni i botës dhe ndoshta shahisti më i madh i të gjitha kohërave, sikurse edhe megalomani i paparë Garry Kasparov, paska qenë në Tiranë, ku është takuar edhe me kryeministrin Rama dhe pastaj ka vizituar një shkollë të kryeqytetit, ku së shpejti shahu do të përfshihet në programin mësimor.

Të gjitha këto gjëra të mira, sidomos në qoftë se futja e shahut në shkollat konkretizohet në diçka më tepër se në llafe të bukura për kamerat: shahu kushton pak, por mund të japë shumë.

Duke kërkuar të mësoj diçka më tepër për arsyet e kësaj vizite të pazakontë – sidomos po të mbajmë parasysh se çfarë braktisjeje e plotë i është bërë sportit të shahut në Shqipëri – mora vesh, nga faqja Sporti Shqiptar, se “kulmi i vizitës së Geri Kasparov do të jetë pritja e kryeministrit Edi Rama”;  sikurse mora vesh edhe që kampioni i madh paska ardhur në Tiranë me ftesë të qeverisë shqiptare.

Rama Kasparov

Të krijohet kështu përshtypja, sikur Kasparovi gjendet në kryeqytetin e Shqipërisë për të promovuar futjen e shahut në programet mësimore.

Por jo. Te faqja e Albanian Screen TV, mësoj se Kasparovi, me këtë rast, ka dhënë për mediat deklaratën e mëposhtme:

Vizita ime është pjesë e turneut tim global për emërimin si President i Federatës Ndërkombëtare të Shahut.

Çka do të thotë edhe që programi për futjen e shahut të kompjuterizuar në shkollat shqiptare është pjesë e kësaj fushate.

Përndryshe, ish-kampioni i shahut u takua jo vetëm me kryeministrin Rama, por edhe me Presidentin e Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçin; me të cilin zhvilloi edhe një lojë shahu.

Diçka si një vit e gjysmë më parë, në mos gabohem, Tirana mikpriti matçin për titullin e kampionit botëror në shah për femra, midis kinezes Yifan dhe indianes Koneru; megjithëse shahu për femra, në Shqipëri, nuk duket të ketë dhënë ndonjëherë shenja jete.

Natyrisht, Rama nuk ka nevojë për paratë e Kasparovit & Co., që të përfshijë shahun në programet mësimore të shkollave shqiptare. Shahu mund të luajë rol të madh në zhvillimin e të menduarit planifikues; dhe sidomos t’i ndihmojë fëmijët të mësohen që të marrin parasysh edhe lëvizjet dhe dëshirat e të tjerëve, kur planifikojnë të ardhmen – diçka që unë ende e shoh si mangësi tonën kombëtare.

Këtë efekt të dëshiruar e japin edhe lojëra të tjera; por jo bixhozi – i cili mbetet loja e preferuar sot mes bijve të shqipes; dhe që, në thelb, vetëm sa i ndihmon parallinjtë që të besojnë se kanë edhe përkrahjen e “fatit.”

Le të shpresojmë që vizita e Kasparovit në Tiranë të shërbejë si lëvizje e parë e një loje mirëfilli shahu, nga ana e administratës shqiptare, edhe të sporteve edhe të arsimit; dhe jo si vazhdimi i atij bixhozi primitiv në marrëdhëniet me tjetrin, me të cilin na kanë mësuar administratat e mëparshme.

Nuk ka komente

  1. I nderuar Xhaxha. Mendoj se me kete artikull, jo vetem nuk ke te drejte, por po ndihmon ne “alienazione”-n qe qeveria po i ben popullit. Populli i shkrete eshte ne mjerim total, keta i thone: “luani shah”.
    Loja me “alienazione”-n ka qene qene tipike ne Shqiperine post-komuniste dhe mjeshtri me i madh eshte Berisha. Me kujtohet kur u thoshte te rinjeve te papune ne Paskuqan: edhe pune do gjeni, por tani per tani po ju bej nje premtim, do ju sjell Lady Gaga-n per koncert. Dhe turma pergjigjej: urrrrraaa, nuk duam pune.
    Mendoj se ne menyre “grossolana” thelni i çeshtjes eshte i njejti: jemi pa buke, por te pakten luajme shah. Me ka bere pershtypje menyra sesi ne italisht quhet shahu: “scacco matto” qe ne origjinen arabo-persishte do te ishte “mbreti vdiq”, po ne italisht tingellon “mbreti i marre”.
    Andrea Nikaj. Rome

  2. Nëse qeveria do ta kishte pasur seriozisht me promovimin e sportit në përgjithësi dhe shahut në veçanti s’do të kishte pritur ardhjen e Kasparovit. Duhet pak reklamë kryeministrore dhe ja në një tavolinë me një fushë shahu në mes, në një anë kryeministri në tjetrën vetë i madhi Kasparov. Një foto më shumë në profilin e fb dhe një tollombace më shumë kësaj radhe me kutia kutia.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin