SHAH FEMRASH

Lexoj në një njoftim për shtyp të Federatës Botërore të Shahut (FIDE), të datës 9 gusht, se Matçi për Titullin e Kampionit Botëror i Shahut për Femra, midis kampiones në fuqi kinezes Hou Yifan dhe sfidantes Humpy Koneru nga India do të mbahet në Tiranë, Shqipëri, në nëntor të vitit 2011, për një fond çmimesh prej 200,000 eurosh.

Nuk kam parë gjë në shtypin shqiptar për këtë, as po marr vesh si u arrit në këtë vendim. Shahu për femra ka pasur rritje të konsiderueshme kohët e fundit anembanë botës, por unë nuk di nëse ka lëvizur gjë edhe në Shqipëri në këtë drejtim; në një kohë që u bënë vite pa parë ndonjë shahist shqiptar të konkurrojë në turne ndërkombëtare të hajrit.

Nga teksti i njoftimit të FIDE-s, kuptohet se vendimi është marrë pasi janë shqyrtuar ofertat nga vendet kandidate si dhe rekomandimet nga instancat përkatëse; kam përshtypjen se Tirana do të ketë ofruar një shumë relativisht të madhe për këtë, por mund edhe ta kem gabim. Tek e fundit, zgjedhja e Shqipërisë mund të jetë edhe pasojë e një kompromisi diplomatik mes palëve – unë nuk dua në Pakistan, ti nuk do në Singapor, unë nuk dua në Ukrainë, etj.

Çdo informacion është i mirëpritur.

Nuk ka komente

    1. Po vërejeni lajmin te “Shekulli” – është përkthim i njoftimit të FIDE-s. Vallë nuk gjetën dot të intervistojnë kryetarin e Federatës Shqiptare të Shahut? Kampionen shqiptare të shahut në fuqi? Kryetarin e ekipit që mori pjesë në tenderin përkatës?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: