TRI ARSYE KUNDËR TOEFL-ave

nga Pancho Villa

Sot po mendoja se ne shqiptarët jemi një popull me shumë fat që jetojmë në një realitet kaq dinamik ku për çdo ditë na jepet mundësia të mendojmë e reflektojmë për diçka të re se vetë realiteti na i servir ngjarjet të gatshme. E ç’na mbetet ne vecse të bejme analizën e këtyre të fundit. Kur mendova të bëja një shkrim, një pjesë të mirë të kohës ma mori zgjedhja e ngjarjes. Po për cfarë të shkruaj thashë? Të shkruaj për KQZ-në apo të shkruaj për problemet e artistëve në TKOB? Të shkruaj për shtatzëninë e Griseldës apo të shkruaj për shkatërrimin e Kopshtit Botanik? Mes aq shumë temave më në fund i dhashë zgjidhje e vendosa të shkruaj për dicka për të cilën as nuk mediatizohet e as nuk vihet uji në zjarr: për Toeflin.

Duke qenë se s’ka pasur ndonjë jehonë të madhe mediatike e ndjej për detyrë që me dy fjalë të shpjegoj se për cfarë bëhet fjalë për të gjithë ata që nuk janë prekur nga vala e vogël e mediatizimit të lajmit. Para pak kohësh Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nxorri një ligj ku ndër të tjera thuhej se tashmë për një student të masterit apo doktoraturës ishte e detyrueshme të mbrohej gjuha angleze nëpërmjet provimeve të tilla si: TOEFL-i, IELTS-i, Cambrigde e të tjera si këto. Ky u vendos si një kusht dalës dhe jo hyrës. Pra studenti mund të hyjë pa asnjë njohuri në anglisht dhe pas dy vitesh është i detyruar të japë një nga provimet e lartpërmendura, përndryshe ai nuk diplomohet. Fillimisht mua si një person që di anglisht nuk më bëri shumë përshtypje madje thashë, rroftë sebepi e ta bëj dhe unë më në fund atë të bekuar Toefl. Mirëpo cështja nuk eshte kaq e thjeshtë. Vendosja e këtij ligji nxjerr disa probleme të cilat do radhiten si më poshtë.

Ligji kundër ligjit.

Së pari ky ligj bie në kundërshti me Nenin 14 Pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë i cili thotë se gjuha zyrtare në këtë vend është shqipja. Vënia e këtij ligji për arsimin e zyrtarizon anglishten si gjuhë e cila bëhet kushti për diplomimin ose jo të një studenti që studion në një universitet shqiptar. Përvec kësaj, ky ligj i detyron universitetet të lëshojnë pe nga autonomia e tyre e cila iu është përcaktuar po ashtu me ligj. Kundërshtitë e shtetit ndaj vetes nuk mbarojnë me kaq sepse situata bëhet akoma më absurde kur shteti me anë të vendosjes së këtij ligji, mohon dhe nuk njeh veten e vet.

Studentët të cilët kanë mbaruar gjuhët e huaja dhe në universitet kanë studiuar degën anglisht, gjithashtu duhet t’i nënshtrohen këtij provimi që të certifikohen si njohës të mirë të gjuhës angleze. Nuk e di se cili argument mund të qëndrojë në këmbë për të justifikuar se pse një student që ka studiuar së paku 8 vjet të jetës së tij anglisht në shkollë (përkatësisht në shkollë të mesme dhe në universitet), duhet të japë provimin e Toefl-it. Po ata breza që kanë dalë mësues të gjuhës angleze vetëm me diplomën e universitetit shqiptar në degën anglisht, mos duhet që gjithashtu t’i nënshtrohen këtij provimi për të vazhduar punën e tyre? Me pak fjalë shteti nuk e njeh diplomën që vetë e lëshon. Qartazi shteti është duke u vetëcertifikuar përpara kurseve të tilla si Toefli e të gjitha të tjerat me radhë. Ja ku edhe në një fushë tjetër shteti ynë sërish ka nevojë të miratohet nga të huajt (ndërkombëtarët).

Imponimi

Së dyti e gjithë kjo sipërmarrje nuk futet hiç në kategorinë logjike të domosdoshmërisë. Mendoj se asnjë student nuk ndien domosdoshmërinë që t’i imponohet një ligj i tillë. Ky ligj prek në mënyrë të drejtpërdrejtë studentin e si i tillë do të duhej ta kishte pasur më shumë parasysh këtë të fundit. Nuk di të jetë konsultuar me organe përfaqësuese të studentëve ky ligj e të ketë lënë hapësira diskutimi midis tyre. Papritur shteti mendoi se studentit të sotëm i duhej një ligj i tillë, i duhej me patjetër anglishtja dhe si një baba i mirë vendosi këtë ligj, sigurisht në të mirën e studentëve. Qeverisemi nga një forcë politike e djathtë, por që ndërmerr politika të majta.

Gjithsesi shqetësimi kryesor në këtë pikë është se studenti nuk ka pse të detyrohet të mbrojë gjuhën angleze me një nga këto provime. Nëse do të bëhej i detyrueshëm dhe shteti e ndjen veten të aftë të ndërmarrë këto politka të një shteti social, atëherë le ta ndiejë veten po aq të aftë sa t’i subvencionojë studentët, të cilëve në këtë rast do t’u duhet ta paguajnë vetë provimin prej 149€ të cilit do t’i shtohet edhe shpenzimi për kursin parapërgatitor. Por jo, shteti ynë nuk është mjaftueshëm social sa për t’i paguar këto.

Përveç argumentit monetar, gjithashtu nuk ka arsye të domosdoshme akademike që një student të mbrojë domosdoshmërisht anglishten. Imponimi këtu është i dyfishtë. Së pari sepse imponohet një gjuhë e huaj pa të cilën gjithashtu studenti mund ta zhvillojë shumë mirë mësimin dhe së dyti sepse imponohet një gjuhë e përcaktuar. Shteti mendon se më e mira e të mirave është të mësohet pikërisht anglishtja. Nuk imponon thjesht gjuhën e huaj por NJË gjuhë të huaj, atë gjuhë të huaj që është anglishtja. Siç do thonin vetë anglishtfolësit jo thjesht a language por the language. Po ku t’i cojmë atëhërë të gjithë frengjishtfolësit, italishtfolësit e kështu me radhë? Po këta tashmë e dinë një gjuhë të huaj, përse duhet të mësojnë me patjetër anglishten?

Pra Toefli nuk ka ndonjë gjë të keqe në vetvete por nuk ka pse të jetë i detyrueshëm. Deri më sot ka funksionuar shumë mirë. Të gjithë e kanë gjetur mënyrën për të mësuar një gjuhë të huaj nëpërmjet shkollës (gjithmonë opsionale), nëpërmjet kurseve të ndryshme ose edhe në mënyrë autodidakte. Kur ka qenë e nevojshme për ta mbrojtur e kanë mbrojtur në bazë të interesave të tyre vetjake. Nëse një student do të studiojë në një shkollë jashtë Shqipërisë atëherë jep provimin e gjuhës në të cilin zhvillohet mësimi në universitetin që do të studiojë. Kjo është një mënyrë mjaft e mirë e cila e lë studentin të zgjedhë midis shumë opsionesh.

Çshqipërimi.

Kjo që do radhitet e fundit mund të konsiderohet si arsyeja më e rëndësishme edhe pse është dicka që mund të shihet në kohë dhe jo si një pasojë e menjëhershme. Edhe pa anglishten apo gjuhët e tjera raporti i sotëm i shqiptarëve me shqipen është në një proces çshqipërimi. Kjo vihet re dukshëm në të gjitha fushat. Duke nisur që nga sfera publike mediatike ku personat që dalin e referojnë në media gjithmonë e më tepër përdorin një fjalor tepër të vogël dhe edhe ky, brenda tij përmban tejmase fjalë të huaja të gjuhëve të ndryshme.

Fillimisht kjo dukuri nisi me qëllim për të treguar poliglotizmin e shqiptarëve dhe aftësinë e tyre të të zotëruarit të shumë gjuhëve. Mori ngjyrimin e diçkaje inovative e prej këtej të dickaje të mirë. Në fakt asgjë të keqe nuk ka në të mësuarit të gjuhëve të huaja, përkundrazi kur këto i përdor aq mirë sa për të vënë në raport e kuptuar akoma dhe më mirë gjuhën tënde. Mirepo kjo dukuri duket se ka dalë nga duart kur sot është e pamundur të mos gjesh fjalë të huaja në ligjërimet tona publike e private. Ato janë përbrendësuar aq shumë saqë jam dëshmitare e vetes sime dhe jo vetëm, që në shumë raste e kam më të thjeshtë ta mendoj një dukuri apo ngjarje në një gjuhë të huaj se sa në shqip. Kjo për mua është shqetësuese.

Problemi në vetvete është shumë i gjerë dhe ka rrjedhur nga një sërë shkaqesh e mund të shkaktojë një sërë pasojash. Shkaqeve të shumta në rrugën e tkurrjes së gjuhës shqipe sipas gjykimit tim, i shtohet edhe ligji i arsimit për dhënien e detyruar të provimeve të gjuhës angleze në institucione universitare.

Së pari nuk është aspak logjike që në një shtet shqiptar, në një universitet shqiptar ku mësimi bëhet në gjuhën shqipe, ku pedagogët dhe studentët janë shqiptarë dhe diploma që do merret në fund do të jetë shqiptare, të vihet një kusht për gjuhën angleze.

Nuk është aspak e logjikshme që gjuha angleze tanimë, të fillojë që në klasën e parë të shkollës fillore e të vazhdojë deri në nivelin doktoral, kur deri para pak vitesh gjuha shqipe nuk ishte në programin e shkollave të mesme e jo më në universitet. E duke parë gjithë raportin e mjerueshëm që ka shqiptari me gjuhën e vet, shteti ynë vazhdon të sillet me një zell të pakuptueshëm ndaj gjuhës angleze e ndaj çdo gjëje që na vjen nga jashtë edhe pse ajo mund të ketë një impakt deformues për kushtet e brendshme.

Nuk e di nëse janë në dijeni këta ekspertë të insitucionit tonë më të lartë arsimor se gjuha në vetvete nuk është thjesht dhe vëtëm një formacion simbolesh dhe shenjash me të cilat ne kuptohemi. Por se gjuha përveçse bën pjesë në elementet e një identiteti kombëtar cilidoqoftë ai, gjithashtu është një shumësi konceptesh e një strukturë e tërë mendimi e kjo strukturë nuk është e njëjta për të gjitha gjuhët.

Nëse unë si student përdor fjalë të huaja në jetën e përditshme për arsye zhargoni ose „trendlliku“ është tashmë një problem e kjo mbetet në dorën time. Por ç’ndodh kur kjo çertifikohet edhe nga vete institucionet shtetërore? Një nga arsyet pse në Shqipëri ka gjithmonë e më pak përkthyes të mirë, nuk është mosdija e gjuhëve të huaja se aftësia e shqiptarëve në raport me gjuhët e huaja është e admirueshme, por sepse raporti me gjuhën shqipe është i mjerueshëm. Kjo ndodh sepse struktura jonë e mendimit është kthyer në një strukturë mendimi globale, e kur them globale dua të them perëndimore se ajo është kultura sunduese sot për sot. Ndaj është e pamundur që unë të mos mendoj sot si një amerikan, të mos konsumoj si një amerikan, e së fundmi të mos flas si një amerikan.

Në fund të fundit e kemi pranuar këtë lloj globalizimi se të gjithë jemi të vetëdijshëm që sot shumica e atyre që jetojnë në zona urbane dinë jo vetëm një gjuhë, por disa e kjo nuk është keq. Por që këtej, deri tek certifikimi i gjuhës së huaj në një institucion ku çdo gjë mban vulën e shqipes, është e tepërt. Dyshoj shumë që një francez apo edhe një italian nuk do të ngrihej në protesta nëse një studenti në një universitet shtetëror në mes të Parisit do t’i vihej si kusht diplomimi provimi i Toefl-it. Do të ishte shumë e kuptueshme që kjo të bëhej edhe në Shqipëri nëse një universitet i caktuar do i kishte të gjitha programet në anglisht, pedagogët e çdo gjë tjetër. Do të ishte një universitet i huaj në Shqipëri e do të kishte të gjithë të drejtën e botës të vinte këtë kusht. Por këtu situata është e ndryshme. Shteti shqiptar thotë, nëse nuk dini shqip o studentë të mjerë tregut të punës nuk i intereson, por nëse nuk dini anglisht dija juaj nuk është globale, e  një dije lokale nuk i intereson askujt.

Nuk ka komente

  1. Kushtin per gjuhen Algleze e vene universitetet Amerikane, Angleze, Kanadeze, Australiane, dhe me duket edhe India. Ai kusht vjen nga domosdoshmeria e kuptimit te lendeve te degeve te ndryshme te Universiteteve te tyre, prandaj perpara se te pranohesh ne ato universitete eshte llogjike qe te testohet niveli i kerkuesve. Mbi te gjitha gjithmone ka nje llogjik dhe ligjet-regullat bazohen ne te. Kur nuk ka llogjik atehere biet ne idiotizem, edhe pse i shkalles se larte Universitar.

  2. Po xhixhat për provimin kush i paguan? Po xhixhat kujt i paguhen?

  3. E kam thene me lart tek shkrimi qe studenti duhet te paguaje vete provimin e pervec kesaj edhe kursin parapergatitor qe zakonisht behet perpara provimit. Ne dijenine time ekskluzivitetin e provimit e ka marre Universiteti i Tiranes. Thuhet qe parate i shkojne direkt qendrave te Toefl-it dhe qendrave qe ofrojne provimet e tjera por besoj qe nje % te caktuar duhet ta marre vete universiteti qe ofron kushtet per dhenien e provimit.

  4. Zakonisht, kur s’kam se ç’të them rreth asaj çka trajton ndonjë artikull i këtij blogu, i bëj vlerësimin tek yjet dhe s’hap gojë.
    Por kësaj radhe, për ndjesinë (e mirë) që më krijoji, me kujdesin për të trajtuar një argument në dukje të parëndësishëm dhe me analizën e plotë dhe në 360° që i bën argumentit, nuk mund të mos falënderoj autorin dhe t’i bëj komplimentet më të sinqerta.

  5. Autori mire qe e ndau mendjen per te shkruar. Sdq..per hir te argumentimit duhet thene se motivet per hartimin e ligjit jane te pastra dhe nuk duhet te nxitohemi ne perfundime. Mire eshte te shohim nga disa perspektiva dhe te zbulojme/mirekuptojme edhe argumentet pro:

    1. Nderkombetarizimi i shkences. Edhe pse vendimi duket si arbitrar, ai bazohet ne nje konsensus mbarekombetar dhe nderkombetar akademik, se lingua franca ne akademi eshte anglishtja. Publikimet, konferencat e kumtesat mbahen ne anglisht etj. arsye te ketij lloji.

    2. Per cilesine. Kush ka dijeni nga sistemi i arsimit te larte ne Shqiperi dhe organizimi i leksioneve/seminareve neper auditoret tane, kupton se literatura baze e lendeve eshte teper e vaket. Edhe ne rastet kur ka literature ajo eshte e vjeteruar, madje antike si ne rastin e mjeksise, veterinarise dhe inxhinierive. Ne disa raste literatura perbehet nga disa prezantime PowerPoint apo perkthime/kopje te leksioneve etj. Madje degjoj raste se pedagoge te Universitetit te Tiranes kane sjelle si materiale leksioni pjese te forumeve shqiptare neper rrjet.

    Per te kapercyer kete mediokritet te profesioratit, topi i eshte lene studenteve per t’u vetepergatitur. Ky zhvillim do te sillte disa efekte pozitive:
    a. Studentet nepermjet anglishtes do te kishin mundesi te zgjeronin burimet e dijes/njohjes dhe sidomos aftesine per t’u shprehur ne forma te larmishme.
    b. Profesorati do te vihej ne trysni nga pergatitja e studenteve dhe do te rekomandonte literature bashkekohore ose do te perballej me idiotesine e vetes.

    3. Mekanizem kontrollues i kerkeses. Nisur nga zhvleftesimi qe po i behet nivelit te studimeve Bachelor ne tregun e punes (hyperflacioni) dhe nga mesymja e studenteve ne programet e Master, qeveria vendos te ndertoj disa pengesa (mekanizma frenuese ndaj kerkeses). Meqe, sikur edhe thone: Kush nuk hyri edhe nuk doli!!!, Anglishtja behet nje pengese e pakapercyeshme per ata qe rreshkasin neper vitet akademike pa u ngecur koka ne ndonje mendim apo aftesi te vlefshme gjate jetes universitare.

    4. Mobiliteti i studenteve. Ne fakt Shqiperia rezulton se ka nje numer te madh studentesh qe studiojne jashte vendit. Por numeri i studenteve qe levizin nepermjet programeve te shkembimit si Erasmus eshte teper i vogel. Jo pak here pengese eshte gjuha. Nga ana tjeter deshmia e testeve te tilla i fton studentet te aplikojne edhe jashte vendit per programet master.

    5. Aftesimi psikologjik e social. Te menduarit ne gjuhe te huaj i ben njerezit me te ndergjegjshem per forcen e fjales, sidomos e fjales ne gjuhen ame. Individi meson natyrisht te respektoj mendimin e tjeter sic edhe respekton te shprehurit ndryshe etj.. efekte te bashkejeteses nderkulturore.

  6. I dashur Kapedan,

    1- Cdo te thuash me konsensus mbarekombetar? Une e kam shpjeguar qe ndikimi kryesor ne cdo fushe te jetes eshte ai perendimor e keshtu nuk besoj se po thoni dicka qe se dime kur vini ne dukje se anglishtja eshte gjuha qe perdoret ne simpoziume akademike etj. Ceshtja eshte qe nuk di te jete rene dakord nderkombetarisht qe kjo gjuhe te certifikohet ne ndonje nga universitetet e shteteve te zhvilluara me ane te ketyre provimeve.

    2- Ju thoni se literatura eshte e vaket. Eshte me shume se aq. Se ne shume lende nuk jepet hic literature pervec slideve dhe kete une nuk e konsideroj literature.
    Ju gjithashtu thoni se kjo i jep mundesine studentit te vetepergatitet. Vetepergatitja ka te beje me konceptin e “Vetevendosjes” qe do te thote se studenti ka lirine te vendose me vullnetin e tij. Ju thoni, ne ju detyrojme te vetepergatiteni. Studenti qe e ka ndermend te jete student dhe ta mbushe me permbajtje gjithe konceptin e studentit jam e bindur qe do i linde deshira nga vetja per te mesuar jo vetem anglisht por edhe gjuhe te tjera. Ai qe nuk e ka ndermend nuk do te detyrohet nga vendosja kusht e anglishtes. Edhe nese e ben ceshtja do te kthehet ne dicka shume teknike ashtu sic jane kthyer masterat e diplomat qe jepen sot, thjesht ne ceshtje numerike.

    3- Ky argumenti i trete ishte me te vertete nje ironi apo dhe cinizem i paster nese do thuhej nga vete qeveria. Kesaj i thone te cojme deri te burimi e aty nuk te japim uje. Pas nje liberalizimi te llahtarshem numerik te universiteteve qe s’kane pike cilesie, tani qeveria kujtohet ta ndreqe situaten duke vene nje provim te mjerueshem Toefli. Jo zoteri, une mendoj se kjo eshte absurde. Qeveria e krijon ose me sakte e prodhon vete problemin me kete sistem arsimor te kalbur e pastaj ve ca gjoja pengesa simbolike qe me keq e rendojne sistemin, kinse per ta zgjidhur ate.

    4- Kjo ceshtja e mobilizimit nuk eshte hic relevante. Une di qe ka shume studente sot qe aplikojne neper programe nderkombetare. Ata qe jane te interesuar nuk kane mbetur te japin Toefl-in ne shtet se me iniciativen e tyre e kane dhene ne kesi rastesh. Nuk po na ben ndonje iluminim shteti ne kete pike. Ti mund te thuash qe neper universitete duhet te kete zyra te posacme informacioni qe i deftojne studentit opsionet qe ka perpara, e duke e lene te zgjedhe vete.

    5- Sa per aftesimin psikologjik nuk jam aspak dakord me ate qe thoni. Per kete argument une kam shkruar gjithe paragrafin e fundit. Jo vetem qe nuk eshte aftesim por perkundrazi eshte nje lloj mpirje duke e bere domosdo studentin dhe kedo tjeter te mendoje sipas nje psikologjie te caktuar, asaj perendimore. Kam permendur gjithashtu qe shqiptaret kane nje raport te mjerueshem me gjuhen e tyre, ju thoni te zhvillojme psikologjine e tyre nepermjet anglishtes. Pse nuk punoni pak me shqipen? Se kam vene re ne diskutime e blogje te ndryshme qe problemi me minimal qe ne kemi me shqipen eshte ortografia. Per te mos permendur struktura te tjera gjuhesore te cilat i kemi te huaja.
    Ate zhvillim psikologjik qe ju permendni e bejne 1 milion organizma qe perendimi eshte kujdesur shume qe t’i leshoje gjithandej e te cilat e bejne punen e tyre me shume zell. Ne duhet te ruajme nje balance me to e jo te perfshihemi akoma dhe me zellshem ne to per te humbur aty, e me e keqja per te mos dashur te dalim me.

  7. E ke prerë trashë, dhe je krejt e anshme Pancho Villa.
    Nuk është ligj, por udhëzim. Meqë pranojmë që në këtë sferë ka kaos, kjo zgjidhje sigurisht që duhej së pari të ishte një dalje, por jo siç e shpreh ti në ekstrem “Pra studenti mund të hyjë pa asnjë njohuri në anglisht…”; vërtet gjen të tillë? Ndërsa hyrja është shtimi i provimit të gjuhës së huaj në maturë.
    Kur s’ka ligj s’ka si të ketë ligj kundër ligjit. Udhëzimi nuk cënon aspak e askund shqipen si gjuhë zyrtare; në mos po, e cënon aq sa e cënon: flamurin kombëtar ngritja e flamujve të firmave e ekipeve të huaja, stemën e Republikës së Shqipërisë mbajtja pranë zemrës në bluza e çdo lloj marke, himnin kombëtar këndimi i këngëve më të pëlqyeshme, etj. sipas ç’gjenden në nenin 14 të Kushtetutës që sjell në mbrojtje.
    Teksa ka dhënë autonominë shteti nuk ka hequr ndonjëherë dorë nga privilegjet; ky është kufiri i autonomisë, mendoje më shumë si së brendëshmi e jo së jashtmi në kuptimin që ata mund ti bëjnë si të duan disa gjëra duke përmbushur disa kritere. Anarkia nuk është dalje nga kaosi.
    Sa mirë e flet e shkruan anglishten, sipas perceptimit të publikut, ta thotë një anglez e jo një rus, ashtu si e anasjellta vlen. E ti lëmë retorikat, kjo punë mund të bëhet ose siç u bë, ose që shqiptarët të ishin të fuqishëm sa ta ngrinin në nivelin e kuntërpartëve testin, minimalisht si një nënndegë.
    Shtetin e kemi të na imponohet. Studentit mund të mos i duhet anglishtja për tërë jetët, njëlloj si mund të mos i duhet fizika (bërthamore). Por kur thua studentit, harron se bëhet fjalë për ata studentë që janë pedagogë apo kanë detyra të tjera të larta e që si me magji në krye të ca viteve mëson se qënkan bërë Ph.D. Udhëzimi mbron studentin e godet atë kategori që merr tituj e grada me përkthimet e temat e kursit të studentëve.
    Por vër re me kujdes specifikat e Shqipërisë. Minoritetet dhe studentët që janë shkolluar jashtë i imponohen shtetit dhe vendasve. Si minoritarët si studentët e shkolluar jashtë e kanë nga një gjuhë të dytë në xhep. Urime, por kujdes të mos shndërrohet në as e të fshihet nën mëngë. Një minoritar mund ta japë gjuhën e dytë ndërkohë me studimet, të dalë shkëlqyer e të jetë më përpara në masterizim se vendasi. Ai ka shanse më të mëdha të gjejë edhe pedagogë (sepse është më përpara) për studimet e veta por edhe punë (sepse mbaron më shpejt). Vendosja e një gjuhe të caktuar (anglishtes) vendos kandidatët në kushte të barabarta dhe siguron barazinë e shtetasve. Besoj se Shqipëria ruan proporcionalitetin në kuotat e pranimit të kërkesave të studentëve që kthehen nga vendet e huaja për të punuar në vend, apo të thithjes së trurit. Por dyshoj, (meqë s’kam parë për të dhëna publike) se nga dy vendet fqinje, Italia, Greqia duhet të ketë dyndje. Vendosja e një gjuhe të caktuar (anglishtes) në këtë rast është edhe rregullatore, edhe përpjestimore, edhe parandaluese për ndonjë lloj varësie ku e ku më keq se ç’keq vjen prej anglishtes.
    Nëse vendosja e një gjuhe të huaj (anglishtes) do të ishte e gabuar, mos vallë vendosja e një gjuhe tjetër të huaj (frëngjishtes) do të ishte e drejtë? Them se jo. Vendosja krahas e saj apo të tjerave do të ruante një përpjestim të brendshëm, por që nuk është pasqyrimi i saktë i asaj që ndodh sot në botë. Nëse po pranojmë, se s’mundemi ndryshe, të rrimë nën tutelën e anglishtes, pse duhet ti shtojmë vetes dhe tutelën e frëngjishtes apo të tjerave, pse të mos bëjmë përpjekje të paktën terminologjike për të qënë krahas frëngjishtes?
    Argumenti i çshqipërimit në PtF-në e Xha Xhai-t, të ronitet.

  8. Cyprinodon Diabolis,

    Eshte nje udhezim brenda ligjit te arsimit te larte. Po njoh personalisht studente qe nuk dine hic anglisht. Nese ti mendon qe nuk ka te tille sic mendoj une se pergithesisht nuk ka, atehere nuk gjej arsye se pse duhet te vihet Toefli kur studenti mund ta jape ate provim kur t’i nevojitet meqe sot per sot edhe ligjerimi yne ka rene ne nivelin e termave ekonomike kosto-perfitim. Ne kete rast studenti ka kosto e hic perfitim.
    Ajo ceshtja e flamureve nuk ka kuptim fare ne kete rast e nuk me duket shembull relevant sepse nese ata e bejne e bejne me vullnet te tyrin jo te detyruar dhe e bejne ne baze te nje inisiative personale jo publike qe do te thote se nuk prekin nje grup te caktuar me sjelljen e tyre.
    Ashtu mendoj dhe une qe per anglishten nuk ka person me adapt se nje anglez per te te vleresuar. Por ai do me vleresoje kur une te shkoj me deshire dhe kur te dua une te jap provimin e tij jo kur t’i teket shtetit tim.
    “Shtetin e kemi te na imponohet?” Cudi se une ne kurset universitare nuk e ka mesuar keshtu perkufizimin e shtetit pervecse ne regjime shtrenguese totalitare.
    Nuk e di pse e ben kete prereje midis studenteve qe studiojne jashte e atyre qe studiojne ketu. Ata qe studiojne jashte ne nje moment te caktuar pa iu imponuar asnje gjuhe e huaj me ane te ketyre udhezimeve kane vendosur te japin nje nga keto provime dhe te aplikojne jashte. Ashtu sikurse cdo student tjeter ka mundesine dhe lirine qe te studioje jashte. Ne momentin qe nuk je ne vendin tend dhe do dalesh jashte e ke te detyruar te lusha me rregullat e vendit ku shkon. Por jo te jesh ne vendin tend e serish te detyrohesh nga shteti yt te luash me rregullat e dikujt tjeter. Por edhe nese studentet qe studiojne jashte i imponohen atyre te ketushem fajin nuk mund t’ja le atyre. Kjo dukuri ndodh sepse sistemi arsimor ketu nuk ka asnje vlere dhe ata me te drejte vijne me pretendime te tjera ketu. Kur diplomat e nje studenti shqiptar te jene te barazvlefshme per nga cilesia me ate te nje francezi, atehere pretendimet e tyre do te ishin te pajustifikuara. Ne kete pike mendoj se Toefli nuk perben asnje ndryshim cilesor per t’i perafruar keto lloje te ndryshme diplomash me njera tjetren.
    Ne asnje moment nuk kam thene se problemin e kam me anglishten ne vetvete. Problemin e kam me imponimin e nje gjuhe te huaj ne nje universitet shqiptar. Por meqe jemi ketu pse pikerisht anglisht? Do isha po aq kunder imponimit te frengjishtes, italishtes e cdo gjuhe tjeter. Jam kunder cdo lloj tutele. Jam pro respektit ndaj vetes.

    Me te mira!

  9. Kerkesa per njohjen e gjuhes angleze eshte ne ligj ne formen e nje deshmie “te njohur nderkombetare” dhe ne udhezim (shih http://www.ligjet.org, fjale kerkimi: toefl) specifikisht shprehet:

    Lista e testeve të gjuhës angleze, të njohura ndërkombëtarisht, në zbatim të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar:
    – Cambridge ESOL – University of Cambridge Examinations;
    – IELTS – International English Language Testing System;
    – TOEFL – Test of English as a Foerign Language;
    – TOEIC – Test of English for International Communication;
    – Michigan – Test;
    – PTE General – Pearson Test of English General

  10. TOEFL (Test of English as a Foreign language) është një provim që matë aftësitë gjuhësore ne Anglisht te studenteve qe nuk e kane gjuhe amtare. Është kusht kryesisht nga Universitetet amerikane, angleze, kanadeze, australiane ne te cilat kurset zhvillohen në gjuhën angleze, por edhe nga agjensi qeveritare, organe nnderkombëtare dhe ndërmarje për shkembime te ndryshme ose lidhje te bursave të studimit.
    Nese ne kontratat qe ka Universiteti i Tiranes, ose qeveria e Shqiperise me Universitetet anglishtfoles , ose Oragneve qeveritare te shteteve anglishtfoles eshte kusht i njohjes se doktorates dhenia e TOEFL=it, kjo do te perbente nje detyrim per kerkuesit e titujve ne fjale, per me teper pozitiv per S.Aarsimor shqiptar. Nese nuk ka ndonji kontrate dhe titujt tane nuk njihen nga sistemet e tyre arsimore, atehere duhet gjetur arsyeja e venies se ketij ligji; mund te jete thjesht nji kontrate fitim prurese.
    Kemi vite qe e kam kaluar TOEFL-in, por mesa mbaj mend te tre pjeset e tij:ndigjimi, leximi dhe shkrimi, lidheshin me aftesine dhe kapacitetin e vetem studenteve, qe perbejne mesime-provimi per parstudentet dhe jo per pas universitaret, e masterit ose doktoratures. Kjo vjen nga qellimi i tij kryesor, venien ne prove perpara se te shkohej ne auditoret kur profesoret flasin anglisht, librat jane te shkruare ne aglisht dhe provimet jepen ne anglisht.
    Ndersa njohja nje doktorature e Universitetit te Tiranes,ose atyr private, pa dhene provime programet shtese te ndryshimit te dy sistemeve arsimore, nga shteti Amerikes, per shembull, do te ishte shume llogjike. Nuk e di nese ndonjeri ka dijeni me shume ne kete drejtim.

  11. pancho villa,
    Një udhëzim është një akt nënligjor e jo ligj. Ashtu si nuk të ka vlerë “ligji kundër ligjit”, nuk të ka kuptim “brenda” ligjit. Udhëzimi mund të thuhet se është në zbatim të ligjit. Brenda ligjit, me kuptimin si brenda shtëpisë, si pjesë e ligjit është e pavlefshme. Brenda ligjit mund të përdoret për të treguar se nuk është në kundërshtim me ligjin por kjo nuk të nevojitet.
    Vërtet njeh studentë që nuk dinë hiç anglisht? Vërtet ka studente që sipas kontekstit tënd janë “ student të masterit apo doktoraturës” të kenë mbaruar katër apo pesë vite shkollë të lartë të kenë kaluar fjala vjen në informatikë e të mos dinë hiç anglisht? Të mos kenë përdorur kompjutera e celularë, të mos kenë parë filma e dëgjuar muzikë? Shiko si i përgjigjesh ti pyetjeve, citoj: “Ndaj është e pamundur që unë të mos mendoj sot si një amerikan, të mos konsumoj si një amerikan, e së fundmi të mos flas si një amerikan.” Ndërsa unë nuk je ti personalisht por “unë si student” siç shkruan nja dy rreshta më sipër. Bëj një provë, hap një fjalor të shqipes nga A-ja e shiko sa fjalë edhe të anglishtes janë aty me dekada.
    Nuk ka term ekonomik të quajtur përfitim, ka fitim. Duhet ta shkruaje kosto-fitim, studenti shpenzon.
    Çështja e flamujve është relevante. Sipas një teorie relavanca është relative, varet nga kuptimi që i merr lexuesi, sipas një teorie tjetër është relevante sepse më ka shërbyer mua për të treguar se ne kryejmë plot gjëra që “bien ndesh me kushtetutën”. Vërtet, disa ti bëjnë me vullnet, e disa ti imponojnë ti bësh, por pasoja mbetesë është aty. Krahasimet mund të mos jenë më të mirat, por duhen marrë për aq sa japin, … pa i futur në shtratin e Prokrustit.
    Për rifreskim të kurseve universitare: Shteti është një organizim politik i detyrueshëm me një qeveri qëndrore që ruan një monopol të përdorimit të forcës legjitime. Por le ti kthehemi imponimit. Përderisa ti pranon një imponimin të shtetit “se gjuha zyrtare në këtë vend është shqipja” duhet të pranosh po prej të njëjtit shtet një imponim tjetër për gjuhën jo-zyrtare që s’bie në kundërshtim me ligjin, me të drejtat e njeriut, me konventat ndërkombëtare ….
    Jo çdo student ka mundësinë të studiojë jashtë. Çdo student ka mundësinë të punësohet brenda. Dhe shteti e ka për detyrë të ruajë barazinë e shtetasve. Dhënia e anglishtes në Tiranë, për ata që duan të vazhdojnë pasuniversitaret (e jo vetëm ato) jashtë duhet marrë si favor, ata luajnë paraeliminatoret në fushën e tyre.
    Rregullat nuk janë të dikujt tjetër. Ti themi dhe PtF-së se rregullat mbi komentet nuk janë të tyret por të wordpressit.
    Pavarsisht këtyre tiki-takave, mendoj se mund të diskutohen dy gjëra:
    1. Kush do të paguajë, sa dhe pse.
    2. Pse pikërisht anglisht?
    Për pikën 1, them se shteti mund ta shikojë mundësinë për tu paguar një pjesë, atyre që kanë nevojë ekonomike dhe që janë me rezultate të larta X, që punojnë ose pranojnë të punojnë në shtet. Shuma është sa një pension mujor.
    Për pikën 2, Kapedani të ka shkruar, të tjerë mund të të shkruajnë. Unë po ta nisja do të të renditja avantazhet, përvojat, por ti sërish mund të futje në lojë relevancën. Të paktën le të biem dakort se Kulla ka qënë në Babel.

  12. Cypridon Diabolis,

    Ne eshte ligj, nenligj, mbiligj apo udhezim mua aq me ben. Kjo vetem sa e zhvendos diskutimin ne nje nivel juridik deri diku te detajuar edhe zhvendos vemendjen nga problemi kryesor. Problemi im me i madh eshte tek detyrimi ne cfaredolloj forme te behet ai. Nese i sherben ligjit mire ben, mirepo mua (studentit) nuk me sherben. Ligji le te rishikohet. Jo cdo ligj eshte i drejte e jo cdo ligj eshte ne sherbim te sovranit.
    po une njoh vertet studente te tille qe i kane kryer te gjitha ato veprimtarite qe permende ti (filma, muzike, informatike) mirepo nese ti e quan ate te diturit te anglishtes atehere s’jemi hic ne nje linje. ato bejne pjese tek ai fjalori me 500 fjale qe i mesojne edhe turistat kur vijne ne nje vend te caktuar per te mos humbur. Por nga ketu, e te thuash qe e di anglshten me duket shume larg sidomos kur behet fjale dhe pretendohet per nje anglishte te nje niveli akademik.
    Me ke cituar me lart ndoshta per te me vene ne dukje nje lloj inkoherence ne ato qe them por mua nuk me duket ashtu. Me ate fjali dua te them se duam s’duam globalizmi ka bere te veten edhe nuk i shpetojme dot ndikimit perendimor, kryesisht atij amerikan. Jo vetem nepermjet gjuhes por edhe nepermjet shume mekanizmave te tjere te tyret. Kur them flas si amerikan kam ndermend te githe bastardimin qe i eshte bere gjuhes duke futur qofte edhe ne zhargonin e perditshem batuta e fjale qe jane “slang” e ne te tilla jane kthyer edhe ketu. Por kjo nuk do te thote se di anglisht. E pikerisht per shkak se jemi te ndikuar nga te gjitha anet ne menyre te vullnetshme e te pavullnetshme, te mos e shtojme e ta bejme kete ndikim te detyrueshem tani me ane te ketyre udhezimeve.
    Faleminderit per saktesimin e konceptit te Shtetit.! Dhune legjitime ka perdorur dhe Hitleri dhe ne kete kontekst eshte nje nga respektuesit me te mire te ligjit mirepo ka bere nje nga masakrat me cnjerezore.
    Asnje shqiptar nuk flet shqip sepse e paska imponuar shteti. Po ngaterron shtetin me kombin e ndryshimi eshte shume i madh. Shqiptari flet shqip se eshte pjese (nga me e rendesishmet) te identitetit te tij kombetar ndaj nuk ka nevoje as per miratimin as per kundershtimin e shtetit ta beje nje gje te tille. Shteti nuk ka te drejte te miratoje apo hedhe poshte kombin. Kombi do nenqeshte perpara kesaj. Ndaj venia ne barazvlere e anglishtes me shqipen ne kete rast nuk me duket e gjetur.
    Jo cdo student ka mundesine te studioje jashte duke u vetefinancuar por cdo student ka te drejte te aplikoje ne nje sere programesh qe ofrojne bursa.
    Shuma qe duhet paguar nuk eshte sa nje pension mujor se duhet te llogaritet edhe nje kurs parapergatitor qe behet perpara provimit. Pastaj per ju ndoshta nje pension mujor nuk do te thote asgje mirepo (meqe permendet relativitetin) per nje konviktor qe ate pensionin mujor qe mund t’i jape familja e ka shume te shtrenjte, nje shume e tille mund ta vrase ne financat e tij. Akoma edhe me teper kur ndoshta kete do ta paguaje pa asnje lloj motivimi personal.

  13. PV: “Akoma edhe me teper kur ndoshta kete do ta paguaje pa asnje lloj motivimi personal.”

    Masteri nuk eshte sherbim i detyruar ushtarak, nuk eshte as takse qe duhet paguar me domosdo se ta ka vene shteti. Master nuk bejne te gjithe, nje pjese e mire edhe per arsye financiare (se nje master kushton nja 40 mije dollare te pakten, atje ku behet vertete, jo ne Shqiperi ku blehen titujt). Mos na e bej muhabetin tani sikur Masteri eshte e drejte e patjetersueshme e qytetareve, dhe shteti na i shtrengoka edhe te paguajne per TOEFL-in. Le te mos bejne master ata qe s’dine anglisht ose s’kane 150 euro, se nuk u be hataja, se na lodhet me keto social-barazitizmat.

    Mua me duket se arsyeja qe solli Kapedani qendron: TOEFL-i pengon ne nje fare menyre baterdine me masterat e doktoraturat ne Shqiperi, vendos nje fare filtri jashte-shqiptar, jashte-dallaver dmth. Do e bejme kuvendin sipas vendit, apo do tjerrim parime qe s’kane lidhje me gjendjen aktuale ne Shqiperi?

    1. LG, lexova këtë që kishe shkruar:

      TOEFL-i pengon ne nje fare menyre baterdine me masterat e doktoraturat ne Shqiperi, vendos nje fare filtri jashte-shqiptar, jashte-dallaver dmth. Do e bejme kuvendin sipas vendit, apo do tjerrim parime qe s’kane lidhje me gjendjen aktuale ne Shqiperi?

      Dhe mendova se, sado e mbështetur të jetë si arsye, nuk është e tillë që të sillet nga ana e vetë autoriteteve të arsimit të lartë, sepse është njëlloj si të pranosh disfatën totale.

      Pastaj lexova, në PPU, se në Qendrën Spitalore Universitare të sëmurët janë të detyruar t’i blejnë vetë të gjitha ilaçet dhe pajisjet e tjera të nevojshme, duke përfshirë edhe serumet dhe shiringat.

      Të gjitha tenderat e ilaçeve qenkan në procedura e sipër, në një kohë që kompanitë farmaceutike nuk i afrohen më QSUT-së, pasi nuk janë paguar kur kanë bërë furnizime paradhënie.

      E kupton tani, Metal Boy, se pse kërkon t’i shesë pizhamet me vija kryeministri?

      Nga një anë, autoritetet arsimore futin një veprim një filtër që, praktikisht, nuk ka asnjë lidhje me to, për të kundërshtuar korrupsionin që s’e bëjnë dot zap vetë; nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore i dërgojnë të sëmurët e spitalit të blejnë barna në farmacitë private.

      Mjerë ata që shpresuan në epifaninë e Petrit Vasilit pas aksidentit!

      Më vjen keq, por ky shtet ka dështuar. Nuk di se ç’parashikon praktika ndërkombëtare për raste të tilla. Kuajt, kur rrëzohen dhe pësojnë fraktura, i vrasin me një plumb kokës, për mëshirë. Shtetet doemos që s’i vret dot se nuk të le BE-ja, por këtë tonin as në reanimacion nuk ta pranojnë, se nuk ka cash për të paguar kateterin e urinës.

  14. Dallaveri nuk ka limit. Ti mund ta fitosh certifkaten e TOEFL-it online, duke bere pagesen dhe duke futur dike tjeter ne ven tand, qe di anlgisht, me ju pergjigj shkelqyeshem pyetjeve, vetem se ne fund duhet te deklarosh qe nuk ke kopjuar, ne nje forme-faqe te vecante. Keshtu mun me u kalue mire e bukur TOEFL-i, pa ditur “what is this?”, madje pa pas as edhe njohuri elementare.
    Sa per dizert-doktoratat , ato vleren e kane tek mendimi i ri shkencor dhe origjinal i autorit , gje e cila nuk varet nga gjuha qe mendon dhe shkruan. Por edhe ato mund te kopjohen si rasti i gjermanit ne politike, edhe pse mund te dish Anglisht perfekt. (http://de.guttenplag.wikia.com/wiki/GuttenPlag_Wiki).

  15. Torikisht argumenti i Pancoc qendron (ose argumentat, pothuajse qendrojne te gjitha) por praktikisht argumengat e Kapedanit e justifikojne plotesisht kete udhezim.

    Le te mos kundershtojme cdo gje qe sjell te mira po nuk eshte fiks aq udhezim/ligj demokratik sa ne Gjermani apo Amerike, pasi dhe problemet tona nuk jane “tamam” ato te Gjermanise apo Amerikes.

    Nese shteti do subvenciononte koston e toefl-it per studentat e universiteteve private do ishte akoma me mire, po nuk u be qameti per 150 dollare qe paguan njehere studenti, duke i vene keto para ne peshore me te mirat qe i vijne atij dhe shoqerise nga pervetesimi i anglishtes dhe njohjes me certifikate nga toefl.

    Une e kam bere testin e toefl para se te vija ne Amerike dhe ishte shume ndihmues per te mesuar bazen e gjuhes ato kohe, e kam fjalen per sa dhe si duhet te mesoja dhe per sample test qe morra para se te jepja testin aktual. Keto ishin mjaft me shume perfituese (ne mesimin e anglishtes) sesa kisha mesuar vete apo me disa nga ato menyrat qe paraqet si alternativa Panco.

    Gjithsesi flm per sjelljen ne vemendje te ceshtjes Panco.

    1. nese do subvenciononte per univ shteterore e kisha fjalen me lart, jo private.

  16. Ndersa subvencioni do te ishte dicka tjeter. Mendoj se subvencionimi duhet te filloj me gjuhen Shqipe fillimisht, me rritjen e numrit te oreve te mesimit te saj dhe shtrirjen e mesimit te saj deri ne vitin e pare te cdo Universiteti shqiptar. Kur mbarova Universitetin e Tiranes, natyrisht para ’90, dija shume me teper teknikisht sesa nje qe mbaron sot si brenda vendit dhe jashte vendit krahasur me mesataret Unviersitete, por nuk dija vetem nji gje: te shkruaja ne gjuhen Shqipe, e cila nuk do veshtersi te kuptohet edhe sot , pas shume vitesh, por krahasuar me te tjeret e atyre brezave mund te vetequhem shkrimtar, nga ana formale kuptohet.
    Ndersa , persa i perket gjuhes angleze, nje shembull i mire per tu parë eshte India, kur diplomat e tyre njihen , me sa di,ndoshta jam gabim, brenda sistemeve te shteteve me gjuhe nëne Anglisht. Di qe Anglia harxhoi shekullin atje, por edhe tek ne çik dhe çik po na vete tek çereku i tij.
    Mendoj se nuk mund te shkulet injronca duke e kapur nga lart. Subvencionimi i shtetit?. Toefl-i ashte mire te vendoset si kusht per shkollat e mesme. Atehere studentet kane kohen e tyre para si per ta thelluar anglishten , ashtu edhe per te shkuar ne Universitet cilesore dhe me cilesisht.
    Tjetra eshte qe Anglishtja eshte e vetmja gjuhe qe nuk mesohet jo per 1 vit e gjysem, por per shume ma teper.
    Ndersa e fundit eshte: sa me ne moshe te re te fillohet me u mesue nji gjuhe aq me e larte eshte eshte mundesia e mesimit te saj, si edhe gramatikisht.

  17. Xhaxha,

    Arsyen nuk e sollen autoritetet shteterore, se ta merr mendja qe ata nuk do pranojne se korrupsioni ne arsim ka marre ato permasa sa duhet kerkuar nje provim nga jashte qe te frenohet baterdia. Arsyetimin e beri kapedani per te justifikuar disi se pse edhe mund te kerkohet TOEFL-i ne Shqiperi pavarsisht se teorikisht PV edhe mund te kete te drejte.

    Gjendja ne shendetesi eshte ashtu sic e pershkruan, edhe me keq madje, po tu besosh gojedhenave. Ajo qe s’eshte thashethem eshte qe buxheti i Ministrise se Shendetesise/QSUT administrohet se fundi nga ISKSH qe ka drejtore Elvana Hanen, mbesen e Liri Berishes.

    Qeveria ka deshtuar, jam shume dakord. Do shtoja se cdo qeveri deri tani ka deshtuar. Dhe, me thene te verteten, nuk me entuziasmon fare as e ardhmja e qeverive shqiptare. Kam pershtypjen, se bota po na mban me zorr, me serume politiko-ekonomike qe te mos na shpallin boterisht “shtet te deshtuar” ne mes te Europes.

  18. une kam bere nje shkolle gjuhesh te huaja ku perfshihej ne program dhe mesimi i anglishtes. kur une kam beer ne 4 vjet 3 gjuhe te huaja dhe asnjera nga ato nuk me njihet nga shteti i cili me ka dhene nje diplome per keto gjuhe nuk shof se pse tani u dashka bere TOEFL-i ne universitet kusht per marrjen e diplomes. gjuhet e huaja mesohen gjate formimit te pergjithshem te nxenesve dhe jo gjate specializimit te tyre. sigurisht gjuhet e huaja jane te dobishme pasi e kam vene re dhe vete qe me se 80% e literatures shtese eshte ne gjuhe te huaj. dhe ktu po flasim per degen e gjuhes shqipe dhe letersise, as nuk dua ta coj neper mend se ne cgjendje eshte literatura ne deget e tjera. nese dikush deshiron te vazhdoje me tej karieren akademike sigurisht qe do i duhet te dije disa gjuhe te huaja. gjithsesi mesimi i gjuheve te huaja mbetet zgjedhje personale.
    sa per ceshtjen e pageses une njoh nxenes qe nuk kane para as per te paguar tarifen e studimit te universitetit e jo me 150 euro per te dhenje nje provim TOEFL-i. pa llogaritur faktin se provimi i TOEFL-it ka nje vlefshmeri prej 2 vjetesh dhe duhet perseritur cdo 2 vjet.
    gjithsesi vazhdoj te mos kuptoj se pse duhet te bekam nje provim TOEFL-i per nje gjuhe qe duhet te me ishte njohur qe ne shkolle te mesme nga shteti yne dhe pse duhet dhene pikerisht TOEFL-i dhe anglishtja dhe jo ndonje gjuhe tjeter kur ne ne shkolle na mesojne qe nuk ka gjuhe te mire apo te keqe, te gjitha gjuhet jane njesoj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin