KUSHTRIMI I TË PARËVE (II)

Një nga qortimet që marr, kur shkruaj për pellazgologjinë, është se “s’ka ndonjë të keqe”; nga kolegë që e shohin jo aq si patologji të mendimit shqiptar, sa si një huq simpatik njerëzish të pasionuar pas shqiptarisë. Me një fjalë, si një lloj manifestimi aberrant të intelektit që “nuk përbën rrezikshmëri shoqërore”, për t’u klasifikuar në një grup me horoskopin, yshtjet dhe lajmet për bimët që ndihmojnë për “pastrimin e gjakut.”

Nuk pajtohem. Për mua rreziku i pellazgologjisë shfaqet në kontekstin e sotëm social dhe kulturor, që karakterizohet nga dobësimi i arsimit të përgjithshëm dhe i autoritetit dhe atomizimi i burimeve të dijes. Interesit të natyrshëm të publikut për çështje të historisë dhe të prejardhjes (etnogjenezës) i mbivendoset kombëtarizmi si ideologji e ushqyer nga mitet përkatëse, që tashmë është përqafuar nga politika zyrtare kulturore.

Mediat elektronike dhe rrjetet sociale kanë ndikuar në formësimin e këtij konteksti, duke u dhënë hapësirë të madhe lajmeve dhe spekulimeve për ilirët, pellazgët, deshifrimet e mbishkrimeve dhe lashtësinë parahistorike të shqiptarëve. Përballë kësaj atmosfere, dija albanologjike standard nuk ka mundur ose nuk ka arritur të reagojë. Po sjell një shembull të vetëm: në libraritë e Tiranës gjen me dhjetëra botime “pellazgologjike”, por vështirë të gjesh studimet etimologjike të Çabejt; dhe një fjalor etimologjik i një gjuhëtari serioz si Kolec Topalli me vite të tëra nuk i gjeti dot fondet e nevojshme për t’u botuar.

Teksa pellazgologët ftohen në emisione televizive dhe shkruajnë lirisht në mediat, të cilat kanë hequr dorë nga çdo lloj filtri për tema të tilla; teksa pellazgologët kanë fituar aq besim në vete sa kërkojnë ballëlart të marrin pjesë në aktivitete dhe botime me natyrë mirëfilli akademike dhe revoltohen publikisht kur u tregohet dera; teksa pellazgologët organizojnë tani konferenca dhe lëvdojnë njëri-tjetrin – po krijohen hap pas hapi kushtet për të kërkuar (1) hapjen e katedrave pellazgologjike ndoshta më parë në universitetet private dhe më pas edhe në ato shtetërore dhe (2) përfshirjen e kësaj dijeje alternative në programet shkollore universitare dhe të shkollave të mesme. Për këtë problem të dytin kam shkruar që në vitin 2012 (Gjimnazistët mes pellazgëve); kujtoj se në programin ekzistues të lëndës së historisë për shkollat e mesme, parashikohet studimi i “etnogjenezës ilire në veprat e albanologëve” (ja një temë tejet e koklavitur); dhe më tej “Epiri sipas albanologëve shqiptarë”. Ndërkohë, kam dëgjuar – por nuk e kam verifikuar dot – se të paktën një universitet privat e ka tashmë një katedër të studimeve pellazgjike.

Prania e teksteve pellazgologjike në diskursin publik është një gjë; pranueshmëria e tyre nga publiku një gjë tjetër. Për të bërë një krahasim me horoskopin – askush nuk shqetësohet nga turlia e mediave dhe portaleve që nxjerrin horoskopët çdo ditë, sepse parashikimi i së ardhmes në bazë të pozicionit të yjeve dhe të planeteve në raport me datën e lindjes së dikujt nuk ndikon në mirëqenien mendore dhe kulturore të publikut. Por për pellazgologjinë puna qëndron ndryshe: publikut i mungon aparati kritik për të peshuar dhe gjykuar deri edhe tekstet më absurde dhe për t’u distancuar prej tyre.

Sikur deshifrimet e mbishkrimeve të përbotshme dhe zbërthimet paleolinguistike të pellazgologëve amatorë të kishin funksion dhe efekt thjesht argëtues, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Problemi fillon kur ky aktivitet intelektual fillon të luajë rol in-formues në kuptimin etimologjik të kësaj fjale, ose të ndikojë në formimin intelektual të lexuesve, të cilëve u mungon të menduarit kritik (critical thinking). Në brezat e rinj janë shumë të paktë ata që tregojnë aftësi për të analizuar në mënyrë kritike një informacion ose parashtresë çfarëdo – çfarë ndihmon për të përftuar një publik i cili i beson informacionit edhe kur ky është haptazi irracional, meqë si kriter për të besuar përdor jo koherencën dhe racionalitetin, as autoritetin e burimit, por thjesht efektin e këtij informacioni. Një pjesë e madhe e publikut beson atë që i pëlqen.

Dhe këtu vijmë tek tema e antikorpeve – një lexues i formuar qoftë edhe me shkollë të mesme duhet të jetë në gjendje të reagojë ndaj diskursit irracional; ta vërë në dyshim ose, të paktën, të jetë i vetëdijshëm se po e bën të vetin jo me arsye, por me zemër. Mirëpo shkolla sot në Shqipëri dhe në Kosovë e gjetiu ku mësohet shqip nuk i imunizon fëmijët dhe të rinjtë ndaj budallallëkut dhe manipulimit. Madje përkundrazi, për vite me radhë kultivon ndër ta gatishmërinë për të pranuar gjithçka që duket sikur është në favor të mitit kombëtarist – dhe pikërisht që shqiptarët janë populli “më i vjetër”, dhe gjuha shqipe “gjuha më e vjetër”, që është themeli i kulturës dhe i mitologjisë klasike, e kështu me radhë; dhe që shqiptarët kanë qenë gjithnjë në këto troje (autocthonous). Këtu nuk po vë në diskutim thelbin e miteve kryesore të kombëtarizmit shqiptar (temë për një shkrim tjetër), por vetëm po dua të vë në dukje që autoriteti i këtyre miteve është i tillë, që të bëjë pastaj të pranueshme çdo hipotezë, çdo përsiatje, çdo përçartje që mëton t’i mbështetë dhe që këtë farë mëtimi kërkon ta përdorë si lejëkalim. Ideologjia kombëtariste mund të jetë akoma në gjendje të bëjë dallim midis mitit dhe konstruktit racional, por kjo nuk ndikon fare në rolin narkotizues të arsyes që luan miti, në diskursin publik; dhe sidomos në instituimin e diskursit kombëtarist si diskurs dominant në kulturën e sotme edhe zyrtare edhe popullore.

Prandaj çështja – siç e shoh unë – nuk është te kultivimi i dijes alternative dhe konsolidimi i bindjes së çuditshme se kushdo mund të merret me analiza paleolinguistike dhe deshifrime, por te normalizimi i pellazgologjisë, që po ndodh jo për meritë të pellazgologëve, por ngaqë vepra e këtyre, sado e çartur dhe groteske në vetvete, mbush një zbrazëti të krijuar, në kulturën publike, nga zbythja e gjithanshme e mendimit akademik dhe e prestigjit akademik, ose nga kriza e autoritetit në lëmin e dijes. Përgjigjja që kanë zgjedhur të japin ndonjëherë akademikët dhe studiuesit seriozë, duke u mbyllur në studiot dhe në kullat e tyre, nuk më duket se mund të japë rezultate; sepse vazhdimësia e traditës albanologjike në Shqipëri dhe në Kosovë varet nga fondet publike dhe fondet publike varen, në analizë të fundit, nga vullneti i votuesit dhe i taksapaguesit. Nëse publiku fillon t’i perceptojë përpjekjet dhe gjakimet pellazgologjike si po aq të meritueshme sa edhe ato albanologjike tradicionale, atëherë edhe politika herët a vonë do t’ia hapë rrugën atyre përpjekjeve dhe gjakimeve – duke miratuar fonde, krijuar katedra dhe ndryshuar programet shkollore, me mbështetjen e garantuar të kombëtarizmit. Sepse, tek e fundit, “ç’të keqe ka”?

Më në fund, dukuria e lulëzimit të sotëm të pellazgologjisë nuk mund të kuptohet jashtë dinamikave komunikative dhe intelektuale të rrjeteve sociale, të cilat – për nga vetë natyra e tyre – kanë natyrë narcisike (autoerotike ose masturbatore), ose i shërbejnë gratifikimit të çastit të përdoruesve. Edhe Facebook-u, ose kudhra ku farkëtohet sot opinioni publik, gjithnjë funksionon si një vitrinë ku gjithkush vendos fotografinë e vet – fizike ose shpirtërore ose intelektuale, sipas rastit; dhe pret pastaj që t’i vijnë “likes”. Dhe për nga numri i “likes”, dija albanologjike tradicionale nuk konkurron dot me alternativën; reflekset e labio-velareve indo-europiane në shqipe nuk konkurrojnë dot me “mbishkrimin e Mesaplikut.”

17 Komente

  1. Thike me dy presa eshte kjo pune, Ardian. Si t’ua mbyllesh gojen budallenjve? Sot jetojme ne demokraci, kemi liri fjale, kushdo mund te shkruaje ç’te doje, mjaft te mos shkele ligjin.Besoj se gazetat dhe televizionet e dine shume mire qe jane budallalleqe, por atyre u intereson vetem tregu.

    Nuk mjafton te thuash se jane budallalleqe, sepse pastaj duhen edhe hedhur poshte me argumente shkencore. Mirepo kjo ua ngre nivelin, i ben pale ne debat, u jep dinjitetin e bashkebiseduesit shkencor. Prandaj edhe studiuesit serioze i injorojne, duke shpresuar se ndoshta do te lodhen.

    U permend diku ketu “Shqipja dhe sanskritishtja”. Tregojne se autori i nderuar i ketij punimi me ane te njohjeve te shumta qe kishte, arriti qe zyrat perkatese t’i kerkonin nje recension a nje gjykim me shkrim Eqrem Cabejt. Tregojne se Cabej nuk pranoi te shkruante asnje rresht me permbajtje dhe argumente shkencore, pikerisht per te mos i dhene dinjitet shkencor atij punimi. Keshtu, per te mos e fyer autorin te cilin e njihte dhe e respektonte si njeri dhe si perkthyes, ne pergjigjen zyrtare shkroi se nuk ishte ne gjendje te jepte asnje gjykim sepse nuk e njihte metoden shkencore qe kishte ndjekur autori, se ai ndiqte nje tjeter metode etj.

    Per mua e rendesishme eshte te mos prekin shkollen dhe universitetet, sepse te tjerave s’ke ç’u ben. Deri tani Akademia e Shkencave, me gjithe problemet e shumta, ka funksionuar si pike referimi, si garanci shkencore, por si edhe si burim financimi per botime te mira. Po tani qe Edi Rama do ta mbylle, keq e mos me keq do te vene punet.

    1. Ka ide të ndryshme që gjejnë mbështetje ose paragjykohen nga studiues që kanë nivele të ndryshme njohjeje, po edhe autocensure. Nëse kjo e fundit është e dobishme për të përpunuar ide serioze, apo krijon (me, ose padashje) një ambjent steril brenda një qarku të mbyllur, këtë mbetet ta tregojnë studiuesit e secilës palë, me gjetjet dhe argumentimin për tezat që mbrojnë.

      T’i përkushtohesh gjuhësisë duke ardhur nga një fushë tjetër studimesh, nuk përbën ndonjë çudi nëse i referohemi të shkuarës së largët dhe të afërt.

      Matematikan ishte mjeshtri i nderuar Zheji dhe për matematikë ka studiuar fillimisht Guy Deutscher, i cili në librin e tij “The unfolding of language” shkruan:

      It’s in the threatened languages of small, preliterate societies that we should look for our linguistic beginnings.

      Një përshkrim i shkurtër i librit gjendet këtu: http://www.independent.co.uk/arts-entertainment/books/reviews/the-unfolding-of-language-by-guy-deutscher-303364.html

      Me dorë të lirë dhe sy të mprehtë i ka hedhur ca ide interesante edhe tek libri tjetër “Through the language glass”, po që ja kanë marrë seriozisht tek “The Paris Review”: https://www.theparisreview.org/blog/2010/11/09/guy-deutscher-on-‘through-the-language-glass’/

  2. Mendoj se fenomeni lulezimit te pellazgologjise , si dimension i “ideologjise kombetariste”, nderlidhet, ushqehet dhe kushtezohet nga tre rrethana historiko-kulturore :
    Se pari fenomeni ne fjale duhet pare ne kontekstin e renies se komunizmit, kapitullimin e ideologjise m-l dhe besimit se, permes saj, Shqiperia do te behej komb i begate dhe “fanar ndriçues” per boten. Pas renies se komunizmit dhe hapjen me boten, shqiptaret, te çliruar nga narkoza e propagandes komuniste, zbuluan se sa larg dhe sa mbrapa ishin nga Perendimi zhvilluar.
    Ra ideologjia m-l por boshllek ideologjik nuk ka. Kesisoj boshlleku u mbush me rikthimin ne nacionalizem/kombetarizem si streha e pare dhe e fundit identitare.
    Kombetarizmi , perkunder internacionalizmit te dikurshem, perceptohet si mbrojtje dhe evidentim i vlerave dhe miteve kombetare, perballe avancimit te globalizmit dhe kozmopolitizmit.
    Duket ironik fakti qe , nese ne komunizem u propagandua ideja e te qenurit ” fanar ndriçues” ( ideologjikisht) , pra kerthiza e botes, sot ne demokraci gjuha shqipe propozohet si ” kerthiza e gjuheve”, “gjuha kozmike” , pra ne jemi serisht qendra e kulturave dhe çelsi shpjegimit te tyre.
    Madje prof. Mathieu Aref shkruan se ka patur deri me tani nje ” komplot ” nga albanologe dhe studjues te cilet kane mohuar rolin e pellasgeve ne formesimin e kultures helene.
    Rikthimi ne nacionalizem eshte nje trend me permasa boterore, qe nga proçeset e dezintegrimit te ish BRSS dhe RFJ , tek diskursi Erdogan, Putin, ne Kine, Brexit, fuqizimi te djathtes eksteme ne Europe dhe deri tek diskursi i Trump per ta bere USA –n te fuqishme si dikur.
    Ne kete fryme , perkunder orientimit ( te perceptuar) kozmopolit te elitave politike ne Shqiperi dhe Kosove, ka nje qasje alternative dhe nxitje te ashtuquajturit ” nacionalizem pozitiv” ku perfshihet diskursi per “Shqiperine Etnike” ne publicistike dhe turbofolk.
    Pellasgologjia ka hedhur shtat ne terrenin e proçesit te rishikimit dhe rishkrimit te historise , e çmitizimeve dhe nxjerrjes nga harresa te temave dhe tezave te mohuara ( teza e prejardhjes ilire , orientoi dikur E.Hoxha, duhet te kete perparesi ndaj tezes se origjines pellazge )ose te falsifikuara ( Kryengritja e Haxhi Qamilit, Lufta NCl, peridha e Zogut etj.)
    Se dyti pellazgologjia , si dije alternative perkundrejt akademizmit shkencor, nuk lidhet vetem me dobesite institucionale dhe mefshtesine e Akademise se Shkencave apo qendrave universitare por me epoken ku jetojme, pra me kushtin postmodern, me modernitetin e lengshem, me shembjen e hierarkive dhe koncetin se askush nuk e ka monopolin e dijes . Duket pak si predikimi maoist ” Le te lulezojne njeqind lule dhe njeqind shkolla”.
    Ne kushte te tilla kur gjithçka relativizohet e ku gjithkush ka ” te verteten ” e tij, ( kushti postmodern dhe demokratik) natyrshem qe do shikojme tollovine dhe tallavane e gjithfare shjruesish, sharlatanesh dhe xherahesh te veshur me veladonin e memedhetarit dhe “shkencetarit” patriot.
    Perballe furise se qasjeve alternative ne çeshtjet e historise , nga çmitizuesit deri tek pellasgologet , akademiket duken te tulatur dhe hutuar.
    Media qe rendin pas “lajmit” dhe audiences si dhe lehtesia e paperbalkueshme e perdorimit te rrjeteve sociale , jane faktori trete qe i ka krijuar terren lulezimit te pellazgologeve tane syparembur.
    Fatkeqsia eshte se disa nga flamurtaret e sharlatanizmit pellasgologjik jane mesimdhenes ne universitete dhe , pavaresisht kurikulave, ” shkencen” e tyre e mbjellin ne auditoret e mbushur me analfabete funksionale.

  3. Ne nivel shkencor, beteja eshte humbur. Ka nje shumice qe nuk e vret mendjen per keto probleme, nje shumice te pakices e cila i njeh keto marrezira si shkence 24 karat, dhe nje pakice te pakices qe e mban gojen mbyllur dhe mire ben.
    Personalisht njoh autore tekstesh universitare qe i kane bere te tyret keto marrezira. Nqs pellazgollogu mesatar te etiketon si konvencional ne rastin me te mire, apo te shitur ne ate me te keqin, keta te fundit te thone edhe: ore kush je ti qe kundershton profesorin e nderuar.
    Ajo qe druaj eshte se tashme situata ka arritur aty sa ky lloj nacionalizmi te jete duke pritur krizen e rradhes qe te artikulohet politikisht.
    Qofsha i gabuar.

    1. Dera, thua:

      “Personalisht njoh autore tekstesh universitare qe i kane bere te tyret keto marrezira”.

      Une banoj jashte Shqiperise dhe nuk jam fort i azhornuar me zhvillimet e atjeshme. Pohimi yt i mesiperm me ngjalli kureshtjen per te ditur se per cilat tekste universitare behet fjale. A mund t’i permendesh, te lutem, ne forme bibliografike? Besoj se s’ka ndonje gje te keqe perderisa behet fjale per tekste te botuara.

      1. Nuk them njoh tekste universitare ( edhe mund te kete), por them njoh autore te cilet shpesh here jane autoritete te nderuara ne profesionet e tyre, dhe pasi montojne para emrit titujt, shpesh here te merituar, dalin edhe shesin mrroklla…
        ja nje shembull

        1. Derë, pse mërzitesh?
          Po sikut të hapesh cazë më shumë?
          Pas mrrokllave mund të faniten visare që duhet të studiohen…

          1. Ndoshta! Por deri tani nuk kemi pare visare qe duhet te studiohen, por vetem nje ideologji e cila me urdher te peshkut vendos gjuhen shqipe ne qender te universit dhe pastaj perpiqet te ri-interpretoje gjithe ekzistencen sipas ketij kendveshtrimi.
            Pse merzitem?!!! Ne fakt nuk merzitem fare. Zbavitem.

            1. Varet si e sheh. Sulmet ndaj Zhejit disave u duken të arsyeshme e për ca të tjerë dëshmojnë se teoria e tij ishte (dhe deri diku vazhdon të jetë) një fenomen i parakohshëm për universin shqiptar të dijes.

              Relapso përmend se Çabej nuk pranoi te shkruante asnje rresht me permbajtje dhe argumente shkencore. Ky është fakt. Pjesa tjetër:”…për të mos i dhënë dinjitet shkencor atij punimi.” duket si hamendësim, ose thashethem i kohës.

              Relapso vazhdon: “[Çabej], në përgjigjen zyrtare shkroi se nuk ishte në gjendje të jepte asnjë gjykim sepse nuk e njihte metoden shkencore që kishte ndjekur autori, se ai ndiqte një tjeter metodë etj.” Epo, më xhentëlmen dhe i vërtetë sesa kaq nuk kishte si të ishte një studiues i madh si Çabej.

              Petro Zheji përdor instrumente matematikore për të kqyrur dhe argumentuar gjetjet e tij, të tilla që për një gjuhëtar që i referohet metodave tradicionale të etimologjisë mund të jenë disi të pazakonta dhe jashtë orbitës së tij. Dyshoj që ndër kritikët e tij të sotëm dhe të djeshëm mund të ketë nga ata që nuk i kanë çuar librat e tij deri në fund se i kanë mërzitur ekuacionet dhe algoritmet. Një erudit si ai, që i shartoi njohuritë në matematikë me ato të gjuhësisë e që s’e pati për gjë ta mësonte rusishten për 6 muaj dhe të jepte një përkthim të shkëlqyer, po të kishte jetuar në kohën tonë dhe jo në izolimin e regjimit të shkuar me siguri që do të ishte shumë më i njohur dhe i pranuar.

              Sa për vendosjen e gabuar të shqipes në qendër të universit, tingëllon gati si akuzë për një naivitet primordial 🙂 Ne lagemi nga një det që quhet “Mesdhe”, po kjo nuk i ka penguar folësit e gjuhës mandarin të përmbahen e të mos e quajnë vendin e tyre Zhōngguó që do të thotë vendi (kombi, shteti) i mesit. Se ashtu u dukej edhe atyre edhe paraardhësve tanë – ndiheshin në mes të botës, të një universi policentrik do të thoshim sot.

              Petro përndryshe nuk vendos, spjegon atë që s’mund ta spjegojë vetveten. Ndaj dhe puna e tij nuk mund të gjykohet pa u argumentuar nga studiues të të njëjtit nivel me të. Mbase gjuhëtarë të shartuar me dituri nga fusha të tjera?

              Derë, shpresoj të kem zbavitur. Prandaj u zgjata.

            2. Ne rradhe te pare Teuta, shpresoj te mos kem fyer njeri me: ” Zbavitem”. Ne rast te kundert, kerkoj ndjese.

              Citoj: Sa për vendosjen e gabuar të shqipes në qendër të universit, tingëllon gati si akuzë për një naivitet primordial Ne lagemi nga një det që quhet “Mesdhe”, po kjo nuk i ka penguar folësit e gjuhës mandarin të përmbahen e të mos e quajnë vendin e tyre Zhōngguó që do të thotë vendi (kombi, shteti) i mesit.

              Ishin rrethana dhe motive te tjera qe i bene njerezit te emertonin mesdheun apo perandorine e mesit. Sidoqofte, perseri as Kina dhe as mesdheu nuk jane qendra e tokes.
              Pra, po t’i shkojme deri ne fund paralelizmit, nuk eshte inteligjente qe ne shek XXI pas Krishtit te bejme po ato gabime qe kinezet i kane bere ne shek XXI para Krishtit.

            3. Emërtimi i vendit apo detit tënd si mes i botës, patjetër që ka ndodhur në rrethanat kur bota ishte shumë më e vogël se kjo që njohim sot, sepse teknikisht ishte e pamundur të njihej.

              Në të kundërt, të tentosh të shpjegosh atë që ka mbetur e pashpjeguar (ose është tepër e diskutueshme) me një mënyrë a këndvështrim të ri nuk ka të bëj asfare me vënie emri (po i qëndroj shembullit), por me zbërthim të tij.

              Janë dy lëvizje në kah të kundërt.
              E para që tenton të përmasojë botën duke u larguar nga vendi i origjinës në drejtim të horizonteve të reja, kurse e dyta që rrëmon thellë në origjinë si një arkeolog i kujdesshëm, duke përdorur një instrument të ri për të shpjeguar atë që e kemi para syve dhe hezitojmë ta shohim.

              Ps.: Të falenderoj për përgjigjen. Nëse shkrimi dhe komentet nuk do ishin zbavitëse besoj se nuk do ishim kthyer prapë tek kjo faqe 🙂

            4. Jo vetem Dera, por duke qene se nuk kishte ndonje shenim qe na pengonte ta lexonim, u zbavitem edhe ne te tjeret. Logjika eshte mjaft impresionuese. Ne jemi ne te drejten tona ta cilesojme veten si ne kerthize te botes, se edhe kinezet ndonse nuk jetojne ne brigjet e Mesdheut, ata siç thoni ju nuk …përmbahen e të mos e quajnë vendin e tyre Zhōngguó që do të thotë vendi (kombi, shteti) i mesit.” Ne fakt, quhet perandoria e Mesit, por ne te vertet nuk po flitej per madhesi gjeografike, edhe pse nuk ka asnje krahasim. Presim nga ju, qe meqe kinezet e cilesojne veten keshtu te ktheheni ne teme e te na tregoni se edhe ata kane nje teori speciale, qe ua lejon pozicioni gjeografik, qe me gjuhen e tyre shpjegojne enigmat me te madha gjuhesore edhe te vendeve te tjera mijera kilometra lerg. Per kete po flasim apo jo?

              Nuk ia fusni kot edhe kur thoni se puna e Petros… nuk mund të gjykohet pa u argumentuar nga studiues të të njëjtit nivel me të.
              Veçse ata qe banojne ne qytetin amerikan ku ai ka kaluar vite te jetes se tij e dine qe edhe tv serioze amerikane i kane lene hapesire atij te flase e te shpjegoje teorine e tij, por nuk ra asnje telefon, gjithçka mbeti ne fjalet e tij. Libri i tij eshte i pranishem edhe ne bibloteken e Kongresit por edhe ne dhjetra te tjera, por perseri heshtje.
              Edhe po ta leme menjane nje gje te tille, nuk mund te pranohet sot llogjika se duhet pritur te dalin studiues te te njejtit nivel.
              Me sa di, disa nga teorite qe permbysen konceptin e njerzimit per universin, ajo e Kopernikut, por edhe e Njutonit apo Ajnshtajnit, u kuptuan fare mire nga bashkekohesit e tyre, megjithse e nxirrnin njerzimin ne nje ere te re. Askush nuk tha se duhet pritur qe nivele mendjesh te tilla te gjykohen po nga koka te se njejtes madhesi, qe do te vijne ne te ardhmen.
              Nese recepsioni i vepres se Zhejit eshte i tille, kjo ndodh sepse nuk mund te shpjegohet nje gje e erret me nje gje akoma me te erret, iracionle.
              Pa folur pastaj qe teorite matematike, te grafeve etj. jane perdorur ne gjuhesi e antropologji menjehere pas luftes, madje nje i tille ka qene e perkthyer dhe e kam lexuar ne vitet ’70 ne Tirane. Eshte histori e mbyllur tashme.

              Kur lexoj arsyetime te tilla, me duket sikur degjoj muzike mediumesh sufi.

            5. Lyss, shkruani: “nuk mund te pranohet sot llogjika se duhet pritur te dalin studiues te te njejtit nivel”.

              Sigurisht që gjithkush ka pritshmëritë e veta që mund të përkojnë ose jo me ato të të tjerëve dhe realitetin.

              Nuk e dija që statusi i spektatorëve të TV në qytetet amerikane qenka i tillë që të vlerësojë një studim të kësaj natyre. As që Libraria e Kongresit ka vendosur të mos bëj diçka rutinë të tipit, të telefonojë direkt autorët e librave që futen në arkivin e saj. Tani që ju e ndatë këtë info, po ndihem vërtet e zhgënjyer.

            6. Kur ndërroi jetë P. Zheji, një gazetë e Tiranës doli me shkrimin “Linguistika shqiptare në zi.” Në fakt jo. Shumë gjuhëtarë dhe albanologë në Tiranë e njihnin P. Zhejin dhe ia respektonin punën si përkthyes dhe figurën prej intelektuali, por vepra e tij “linguistike” nuk ka lënë gjurmë në studimet gjuhësore-historike, as në Shqipëri dhe as gjetiu. Jo vetëm ngaqë është e vështirë në mos e pamundur për t’u kuptuar, por ngaqë i qaset gjuhës shqipe dhe historisë së saj nga një pikëvështrim tjetër, që mund të jetë edhe simbolik a matematik, por që është pa dyshim mistik. Megjithë titullin “Shqipja dhe sanskritishtja”, kjo vepër nuk i përket gjuhësisë së krahasuar dhe as gjuhësisë historike, siç i njohim; por më shumë një tradite kabalistike. Madje nga orvatjet që kam bërë për ta lexuar dhe për ta kuptuar veprën, nuk kam qenë në gjendje të sqaroj edhe se ç’rol luan atje sanskritishtja – meqë autori përdor tek-tuk vetëm disa fjalë sanskrite të cilat i zgjedh ai vetë sipas një kriteri arbitrar, por jo sanskritishten si gjuhë, ose në fraza dhe në tekste, me morfologjinë dhe sintaksën e saj. Përshtypja ime është se P. Zheji ka punuar me një fjalor të sanskritishtes, ku ka qëmtuar ato fjalë që i duket se përkojnë me shqipen. Pavarësisht se ç’është metoda e tij, ajo bazohet në leksikun e gjuhëve dhe e trajton gjuhën si nomenklaturë, çfarë e largon shumë nga gjuhësia moderne. Veç kësaj, aq i pakuptueshëm është teksti i P. Zhejit, sa i përmbush kriteret për t’u quajtur tekst hermetik dhe ezoterik, në mos okult, që synon mbylljen dhe jo hapjen; dhe si i tillë besoj është trajtuar edhe në të gjallë të autorit, nga grupi i miqve dhe bashkëpunëtorëve që e rrethonte – pitagoreanë të mbramë – dhe që kishin krijuar një kult mistik rreth tij, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite. Përndryshe, me aq sa di unë, vepra “gjuhësore” e P. Zhejit nuk është vazhduar nga njeri dhe as ka lënë gjurmë në studimet e sotme gjuhësore – kjo edhe ngaqë është praktikisht e padepërtueshme nga pellazgologët, të cilët preferojnë të notojnë në ujëra më të cekëta. Një gjë duhet të jetë e qartë: çfarë ka bërë me gjuhën shqipe P. Zheji vështirë se mund të quhet linguistikë (mjaft edhe të shohësh bibliografinë e veprës për t’u bindur); pse ka me linguistikën atë raport që ka astrologjia me astronominë, ose alkimia me kiminë; metoda që ndjek P. Zheji nuk është linguistike historike dhe as shkencore (në kuptimin që ai nuk kërkon të gjejë rregullsi dhe as t’i përdorë këto rregullsi për shpjegime të mëtejshme), por intuitive dhe simbolike. Fakt është që asnjë linguist, në Shqipëri dhe gjetiu, nuk e ka vlerësuar (dot) veprën e tij; dhe jo nga zilia, as nga kompleksi i inferioritetit, por vetëm ngaqë e ka pasur të pamundur.

            7. Ju siguroj se nuk kisha per qellim t’ju zhgenjej. Qellimi ishte te them se libri tij nuk u rrethua nga ndonje kompllot heshtjeje, se ai tv amerikan ndodhet ne nje qytet ku ka disa universitete e institucione te medha e paraqitja shume pozitive qe iu be nga paraqitesi i emisionit (qe nuk kuptonte asgje nga libri, por qe nuk mungoi ta paraqese autorin si shkencetar te madh) mund te terhiqte vemendjen e te interesuerve, se prania e ketij libri ne ate qe cilesohet si bibloteka me e madhe ne bote eshte nje mundesi qe librin ne fjale ta gjej kushdo qe degjon sadopak per te etj.., por nuk e di nese kjo ka ndodhur edhe tani pas 20 vjetesh. Megjithate e keqja u be dhe une nuk di si ta zhbej fajin tim qe ju zhgenjeva.
              Te tjerat A. Vehbiu i qartesoi me mire se une.

            8. Libri është në shqip (i përkthyer pjesërisht në italisht, në mos gaboj) dhe kjo në këtë rast mund të jetë zhgënjyese për anglishtfolësit. Nuk besoj se duhet të ndiheni keq edhe për ata 🙂

  4. Ardian, qe mos ti vertitemi rreth e rrotull problemit perjetsisht, por ta kapim demin prej briresh, (aq sa mund te na lejoje nje koment), duhet pohuar se toka dhe plehu ku u ushqye kjo pseudo-shkence e sotme, gjindet tek shkolla jote e Cabejt-Budes-Kostallarit-Cekajt (i riu) etj., nga e cila mesonim se shoqerite antike identifikoheshin ne radhe te pare nga kultet e tyre kryesore fetare, cfare eshte sterprovuar mjaft mire, e nga ana tjeter po nga keta dijetare nisem ti marrim emertimet e popujve te lashte dhe antike si emertime kombesh nacionale!!! Keshtu -pa u menduar gjate, nga fakti se perjetonim gjate shek XIX dhe XX nje kohe te forcimit te identitetit kombetar- vazhduam te shihnim pas fiseve te panumerta ilire nje popull kombetar (nacional) me nje gjuhe te caktuar, pas helenve po ashtu, pas dardanve gjithashtu, pas kelteve pa diskutim, e keshtu me te gjithe emertimet e lashta dhe antike u ambientuam se kishim pas tyre popuj sic edhe kombet e sotme nacionale! Tani, pse ne u kerkojme llogari ketyre lloj budallenjve (sic i cileson me te drejte relapso me lart) dhe nuk nisim me nje autokritike tonen?! Apo kjo autokritike do te na perfshinte edhe te nderuarin Cabej, etj. me radhe, qe per ty jane te paprekshem?!
    Tani, meqe ti permende nje shkrim tendin te vitit 2012, me lejo te permend edhe une nje liber timin te vitit 2012, “Komplekset shqiptare te inferioritetit”, qe analizon nja kater nga keta pseudo-historiane ne detaje dhe tregon qarte perzgjedhjet e tyre te gabuara te burimeve, po dhe metodat e tyre katastrofale te krahasimit gjuhesor, me nje fjale, ate se si keta “historiane” po perpiqen gjoja te na vene vetulla, ku ne fakt po na nxjerr syte. Disa shkrime i ke edhe tek faqja ime: fjale cimbuese, (me fal per kete vet-reklame, sepse komentet nuk duhen perdorur per vetreklama).
    Edhe dicka tjeter mu kujtua, qe ti e permend dhe i vjen serish rrotull, por nuk di ta godasesh. Permend me lart librin e Kolec Topallit; per fat ky liber mund te shihej ne salle ne bibl. komb. Por sa e sa libra te tjere nuk mund te terhiqen sot nga bibl. komb., apo mund te terhiqen vetem me veshtirsi dhe te lexohen vetem aty prane banakut ose ne salle, pasi librat nuk lejohen ne shtepi. Te kam shkruar njehere per situaten katastrofale disa vjecare te kesaj biblioteke, ku nuk sheh me shume se 10-20 veta ne dite qe kerkojne libra. Por ti ke frike te shkruash per kete problem, nuk e di pse, ndoshta se mos prish biografine, apo per te ruajtur qytetarine. Nejse, cdokush korr cfare ka mbjelle!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin