PABARAZIA E RADHËS

Më doli një ditë përpara iluzioni i njohur si “lepur apo rosë”, dhe më shkoi mendja se, kur i kërkojmë dikujt që të zgjedhë mes alternativave, ka rëndësi edhe radha ose rendi me të cilin ia paraqitim.

Në rastin tonë, “lepur apo rosë” nuk është e njëjtë me “rosë apo lepur” – meqë herën e parë kemi vendosur lepurin në krye, ndërsa herën e dytë rosën.

Kaninchen_und_EnteGjuhë të ndryshme japin versione të ndryshme të emrit të iluzionit: në gjermanishte e quajnë Kaninchen und Ente; në anglisht zakonisht Duck-Rabbit; në italisht anatra-coniglio.

Nuk ka ndonjë arsye specifike për ta filluar pyetjen me “rosën”; meqë logjikisht të dyja interpretimet janë njëlloj të mundshme. Megjithatë, gjuha – duke qenë lineare nga natyra – na detyron që të fillojmë ose me “rosën” ose me “lepurin”; duke na bërë të vendosim një hierarki, sado minimale, midis dy termave që në fakt duhej të ishin në marrëdhënie horizontale mes tyre, meqë përndryshe iluzioni nuk do të ishte perfekt.

Kemi, pra, një paradoks të shkaktuar nga mbivendosja e gjuhës me imazhin, në atë masë që rendi e sugjeron ose e nënkupton, sado pak, përgjigjen.

Duket sikur mund ta shmangim ngatërresën, po të pyesim: “çfarë tregon ky imazh?” – një pyetje që, e shumta, parakupton që imazhi tregon diçka. E megjithatë, kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjesh edhe “asgjë”, ose “një njollë në letër” ose diçka të ngjashme.

Prandaj, që iluzioni të funksionojë, duhet bërë një pyetje e tipit A apo B?, që e kufizon përgjigjen me dy versione përjashtuese – nëpërmjet operatorit APO.

Një eksperiment, me dy grupe prej të cilave të parit i bëhet pyetja “lepur apo rosë” dhe të dytit “rosë apo lepur” mund të ndihmonte për t’i dhënë përgjigje kësaj dileme; hipoteza ime këtu është se renditja e alternativave do të ndikojë në rezultatin përfundimtar; meqë “lepur apo rosë” i jep një parapëlqim sado të lehtë lepurit, ndërsa “rosë apo lepur” rosës.

Kjo që them është më e lehtë për t’u rrokur në kontekste më delikate – kështu, le të përfytyrojmë se e pyesim një djalë të vogël “ti je çun apo gocë?” – dhe pastaj një situatë alternative, kur pyetja merr formën “ti je gocë apo çun?” Ma merr mendja se versioni i dytë do ta irritonte subjektin, meqë ai do ta ndiente që pyetësi po i jep përparësi – sado të lehtë – termit të parë.

Një shembull real. Ditët e fundit qarkulloi një lajm i titulluar “Ronaldo apo Mesi?” ku Zinedine Zidane shprehej për futbollistin më të mirë në botë – duke thënë se parapëlqente të parin, Ronaldon. Tani, mund të supozohet se formuluesit e titullit e dinin përgjigjen e Zidane-it, prandaj e kanë vënë Ronaldo-n të parin.

Përndryshe, një kërkim i thjeshtë në Google jep për “Messi or Ronaldo” të paktën dy herë më shumë hite se për “Ronaldo or Messi” (“Messi or Ronaldo”, 147 000; “Messi or Cristiano Ronaldo”, 47 000; “Ronaldo or Messi” 89 600). Kjo ngaqë Messi është më i njohur se rivali i vet; prandaj edhe renditet i pari në çiftin A apo B.

Përtej kësaj dileme si të thuash gjuhësore, në përgjigje mund të ndikojë edhe orientimi i imazhit – nëse ky nuk është simetrik. Kështu, disa prej nesh do t’i identifikojnë më mirë profilet kur janë të kthyera majtas, të tjerë kur janë të kthyera djathtas; dhe njëlloj ndodh edhe kur vizatojmë një fytyrë në profil – unë, sa për të sjellë një shembull, gjithnjë do ta vizatoj subjektin të kthyer majtas, sepse ashtu më vjen “mbarë.”

Me fjalë të tjera, është pothuajse e pamundur që të përjashtosh hierarkitë (angl. bias) në pyetje me zgjedhje të shumëfishtë: radha gjithnjë do të ndikojë. Në pedagogji këtë dukuri e quajnë “answer order bias” – dhe ajo është studiuar gjerësisht, si pjesë e “cognitive biases.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin